SPAK godet me ‘sallake’, shokët e lagjes në Lalz dhe spekulimi me amerikanët

SPAK godet me ‘sallake’, shokët e lagjes në Lalz dhe spekulimi me amerikanët

Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Në krye të herës duhet të jemi të qartë të gjithë: Ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, të majtë, të djathtë, të qendrës apo pa parti, duhet të japin llogari një më një dhe të marrin dënimin maksimal nga drejtësia shqiptare.

Për më tepër duhet të marrë fund njëherë e mirë praktika e ndjekur deri më tani, sipas të cilës ata që kanë abuzuar me miliona euro me paratë e shqiptarëve, kanë bërë burg aq sa parashikon ligji, herë duke prekur kufirin maksimal dhe shumicën e herës atë minimal, dhe në fund kanë dalë dhe kanë gëzuar për shtatë palë qejfe paratë e vjedhura.

Duhet të marrë fund kjo praktikë, e abuzuesit me paratë e shtetit, përpos burgut duhet të kthejnë deri në qindarkën e fundit paratë e përfituara padrejtësisht me anë të korrupsionit. Pasi gjithkush do të ishte gati që në këmbim të 2-5 milionë eurove të “firmoste” vetë dënimin me burg, pasi kishte mundësinë financiare që të ulte vitet e burgut për “sjellje të mirë”, të trajtohej si “mbret” në burgjet shqiptare për pjesën e mbetur të viteve të dënimit, dhe më pas të dilte dhe të gëzonte me familjen “pjesën e luanit” që kishte mbetur nga shuma e përfitur padrejtësisht.

Të kthehemi te situata aktuale. {o bën shumë bujë arrestimi i ish ministrit të Mjedisit, përfaqësues i LSI në qeverisjen e Ramës, Lefter Koka, që i mbeti në “dorë” PS-së thjeshtë dhe vetëm me një mandat deputeti të marrë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, apo të ardhurit tjetër nga LSI dhe Ilir Meta në PS, ish deputetit Alqi Bllako, për çështjen e aferës së inceneratorëve.

Nuk po paragjykojmë asnjërin prej tyre, pasi pavarësisht se janë në paraburgim për këtë aferë, të denoncuar nga politiika, dhe në fund të herës mund të dalin dhe të pafajshëm e dorëjashtë në këtë çështje. Pra, përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë që i fajëson ata nuk kemi të drejtën të ngremë asnjë akuzë ndaj tyre, të paktën ne që jemi jashtë sistemit gjyqësor. E ka SPAK dhe Gjykata e Posaçme të drejtën e paraqitjes së provave bindëse për të vertetuar akuzat e tyre dhe për të dhënë dënimin që meriton për ta. Apo për të tjerë të lidhur me ta. Pa presion politik kuptohet.

Dhe nëse rezulton të kenë “dorë” në këtë aferë, atëherë të jepet dënimi maksimal për të dy, për ata me të cilët kanë bërë këto maskarallëqe, dhe për ata që mund të dalin pas hetimit të thelluar. Le ta vuajnë me burg krimin që kanë bërë nëse vertetohet akuza, por të kthejnë madje dhe paratë e përfituara padrejtësisht në arkën e shtetit, pasi është kohë krize dhe buxheti i shtetit është në nevojë ulëritëse, të paktën për të lehtësuar shtresat në nevojë, pa ndërprerë “rriskun” e investimeve sipas planifikimit buxhetor.

Pa hyrë në detaje të hetimit të të gjitha segmenteve të drejtësisë së re përkëtë aferë por dhe për abuzimet e tjera me paratë e shqiptarëve, apo dhe hetimit të gazetarëve investigativë, ia vlen të paraqesim një element që po shihet me sy të lirë: hetimin parcial të çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin në Shqipëri.

Pa e paragjykuar SPAK-un, ajo që mund të themi është se po bën “sallaksin” apo e thënë me thjeshtë po luan vetëm në krahun e “majtë” të fushës, anipse ka dosje të tjera që janë thuajse të zbardhura dhe të “ftojnë” me ulërimë për t’i shqyrtuar, pasi janë të kopsitura dhe duan vetëm vullnet për t’i hetuar formalisht dhe dërguar në Gjykatën e Posaçme e dhënë vendim për to.

Deri më tani po shohim se po hetohen vetëm inceneratorët dhe mirë bëhet. Madje jo vetëm ai i Fierit dhe Elbasanit, por të shohin dhe atë në Tiranë, zyrtarët e përfolur të hetohen, dhe nëse janë të fajshëm të marrin dënimin e merituar. Ndëersa nëse janë të pafajshëm të pastrojnë njëherë e mirë figurën e tyre dhe të mos ketë gojë askush të flasë për ta badihava.

Por duke parë zhvillimet në këtë sektor, nuk ka si të mos bjerë në sy se po hetohen kryesisht të gjitha denoncimet e LSI-së. Madje dhe dokumentacioni për të verifikuar akuzat e ngritura për korrupsion janë marrë ‘mot a mot’ nga LSI.

Fundja dokumentacionin e gjenin të rregullt, sepse ish-ministri i Mjedisit dhe ish sekretari i përgjithshëm, të kësaj partie ishin dhe dihet se për gjithçka ata raportonin në parti. E dinë të gjithë si funksiononte, habi bëjnë vetëm se ku e kanë “shkelur” këta zyrtarë që shkaktuan zemërimin e lidershipit të LSI.

Megjithëatë në fund të herës, çdo kontribut për zbardhjen e kësaj afere, nga kushdo që vjen, është një ndihmë e madhe për drejtësinë, por dhe për gjetjen e “vendstrehimit” të parave të përvetësuar padrejtësisht nga arka e shtetit, dhe për ta kthyer pa “firo” po në arkën e shtetit. Duhet mbështetur drejtësia për zbardhjen e kësaj afere deri në fund. Madje duke shfrytëzuar dhe faktin se i bën LSI të gjitha akuzat, e cila ka akses dhe i merren për bazë me shumë seriozitet nga SPAK të gjitha paditë. ‘Shokët e lagjes’ së Lalzit fundja për këtë punë janë. Dhe kur është dhe në të mirë të shqiptarëve, sikur nga vetë dreqi të vijnë këto dokumente që vertetojnë abuzimin me inceneratorët, të merren për bazë dhe të quhet kontribut madhor në zbardhjen e kësaj çështjeje.

Ajo që përbën shqetësim për ne është rrotullimi rreth kësaj afere, marrja e vëmendjes së tërë opinionit publik në këtë aferë dhe goditja vetëm në një krah. Kjo përbën një farë problemi, në atë që quhet shkallë e besueshmërisë dhe paanësinë së SPAK.

E themi këtë sepse në SPAK është dhe afera e madhe e CEZ-DIA, ku nuk bëhet fjalë për një abuzim prej 3 milionë eurosh, por abuzimi arrin deri në 500 milionë euro. Ka dhe një hetim parlamentar për këtë çështje dhe dosja është dërguar në prokurori nga komisioni i atëhershëm parlamentar.

Ndërsa 7 milionë euro i mori me një “dorë” sekseri i qeverisë së Berishës dhe personalisht miku personal i Sali Berishës dhe familjes së tij, Nuel Kalaj. Në një bankë të nivelit të dytë. Ky është një element bazë që mund të sillte fillimin e menjëhershëm të hetimit, marrjen nën masën e sigurisë me arrest të ndonjë pjestari të familjes ish kryeministrore.

Por dhe të Nuel Kalajt, i cili nuk gjendet nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë shqiptare, që e kërkojnë në drejtim të paditur, ndërkohë që ai organizon takime bamirësie në Tiranë dhe Prishtinë gati çdo javë. Më shumë qëndron në kryeqytetin shqiptar se sa në Kosovë. Po kërkohet në drejtim të paditur, ndërsa SPAK hesht. Nuk ka thirrur askënd për ta pyetur, vetëm mjaftohet me deklaratën se po hetohet.

Ndërkohë që ish kreu i kompanisë DIA, kompani e mbledhjes së borxheve të këqija të CEZ, Kastriot Ismailaj qëndron në burg për pastrimin e miliona dollarëve, ai nuk ka munguar të akuzojë Presidentin aktual Ilir Meta dhe familjen e tij si njerëzit që i kanë bërë presion, deri në kërcënim me jetë. I ka bërë akuzat publike, ai dhe bashkëshortja. Pra në mënyrë indirekte ata kanë akuzuar se kanë pjesë në përvetësimin e miliona eurove dhe se po i bëjnë presion për të mbyllur gojën.

Askush nga SPAK nuk e mori mundimin të thërrasë Metën për ta pyetur se çfarë lobimi bëri në Pragë për këtë kompani(DIA-n), pse i kërkoi 3 ditë para zgjedhjeve 200 mijë euro për t’i përdorur për blerje vote Ismailajt, apo për të vertetuar akuzat e familjes Ismailaj ndaj tij ose për t’i hedhur poshtë. Ka vetëm heshtje nga SPAK.

Madje nuk u denjua as të shkohet deri aty ku vuan dënimin Ismailaj për ta ripyetur për këtë çështje, meqë është nën hetim tashmë, apo dhe familjarët e tij në lidhje akuzat publike ndaj familjes së Metës se e kanë kërcënuar për të mbyllur gojën.

Pra, SPAK nuk ka marrë mundimin për të pyetur për këtë çështje, e cila sipas këtij institucioni të lartë të hetimit është duke u hetuar. Nuk ndërhyjmë në punët e dejtësisë, por deri më tani për këtë aferë 500 milionëshe të CEZ-DIA nuk kemi parë të kalojë pragun e organit të hetimit as Meta, as Berisha, as Nuel Kalaj, as Shkelzen Berisha.

Nuk pretendojmë të shohim ish drejtorin juridik të METE-s Zamir Stefanin, institucioni ku u kopsit privatizimi i energjetikës shqiptare dhe mori “jetë” kompania DIA, as ish ambasadorin tonë në Pragë Qazim Tepshi i cili ishte me Ilir Metën kur u bë lobimi në Pragë, pasi fatkeqësisht ata nuk jetojnë më. U ndanë nga jeta në mënyrë të papritur dhe misterioze. Themi të pyeten këta që janë gjallë e janë goxha me shëndet të mirë, madje pretendojnë dhe për të ardhur në pushtet në vitin 2025.

Por SPAK ka para syve dhe dosje të tjera që bëjnë fjalë për abuzimin e qeveritarëve tanë me paratë e shtetit. Duke nisur nga privatizimi i ARMO-s dhe Alpetrol, për t’u vënë në kërkim të 85 milionë dollarëve të garancisë të njërit privatizim të dështuar dhe për pastrim të hapur të parave. Po të hetohet thellë e më thellë mund të zbulohet dhe ndonjë vrasje e bujshme, siç është ajo e bankierit Artan Santo apo rolit të azerbajxhansave në këtë lojë të madhe milionash.

SPAK mund të marrë mundimin dhe të pushojë dy orë, që të shohë filmin “Qentë e luftës”, ku afera shtetërore e “Gërdecit” është bërë dhe objekt i Hollivudit. Eshtë bërë film. Mjafton të bashkojë elementët e këtij filmi, dy gjyqet e humbura të Shkelzen Berishës në Florida me gazetarin dhe shkrimtarin e këtij libri ku bazohet ky film, gjyqe që lanë në fuqi faktin se pas aferës së municioneve në Gërdec ishte djali i ish kryeministrit Sali Berisha. Apo dhe dëshmitë e ish shefit të shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral Luan Hoxha që është në ekzil në SHBA nga frika e Berishës, intervistën e të ndjerit Kosta Trebicka që u vra duke gjuajtur shapka myzeqeje në rrafshnaltën mbi një mijë metra mbi nivelin e detit në Korçë.

Mund të rihapin dhe aferën e Rrugës së Kombit pasi e kanë dosjen gati, është bërë nga ish kreu i KLSH Robert Çeku, dhe ishte mbyllur me procedura me raporte mjekësore, duke lënë Lulzim Bashën jashtë qelisë dhe groposur 230 milionë euro. Për të mbërritur tek vrasjet e 21 janarit dhe tek përgjimet ndaj Ilir Metës dhe akuzat direkte të ish ministrit të LSI Dritan Prifti, i cili dhe ai fatkeqësisht nuk jeton më.

Një hetim i thelluar, i bashkuar dhe me naftën “virgjin” mund të zbulojë përpos aferave të mëdha financiare që kanë përfunduar në xhepat e ish zyrtarëve të lartë, edhe zhdukjen misterioze të ish këshiltarit të ministrit të METE, Eduard Belegu. Janë të lidhura zinxhir të gjitha dhe zbërthejnë njëra tjetrën, nuk duhet as investigim për këtë punë, pasi thjeshtë dhe vetëm mund të rikthehen në shqyrtim ekspertizat e FBI-së që u hodhën poshtë dhe u morën për bazë ato të militantëve partiakë, që sollën dhe heqjen e akuzave për ish zyrtarët e lartë shqiptarë, ku gjatë qeverisjes së tyre shteti humbi miliona e miliona euro.

Pra, ajo që themi është se krahas hetimit të thelluar të inceneratorëve duhet të hetohen dhe këto dosje të rënda abuzimi që përmendëm më sipër, pasi korrupsioni nuk ka ngjyrë. Korrupsioni është korrupsion kur vjedh dhe një lek nga buxheti i shtetit edhe kur vjedh 3 milionë euro, edhe kur vjedh 500 milionë euro. Këtu e kemi hallin ne.

SPAK si në futboll duhet të luajë me të “dyja këmbët”, zë vend më mirë në ‘formacionin’ anti-korrupsion e bëhet më i pranueshëm nga publiku. Dhe të heqë dorë njëherë e mirë nga justifikimi se “kështu na urdhërojnë amerikanët”, pasi “ata kanë investuar për ngritjen e këtyre strkturave antikorrupsion të drejtësisë”.

Shqiptarët nuk janë budallenj që të besojnë se të gjitha goditjet e dhëna kohët e fundit nga ana e SPAK janë orientim amerikan, dhe anëtarët e këtyre institucioneve kanë detyrë të hetojnë por dhe të ngrenë supet: S’kemi çfarë të bëjnë se kështu duan amerikanët. Spekuloi mjaft Lul Basha, por tashmë dihet fati i tij politik.

Shqiptarët e dinë se po të ishte për amerikanët, i pari që shkonte në kokërr të burgut ishte Sali Berisha, të cilin e kanë shpallur person “non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë. Pra ia kanë dhënë “lejen” me pash SPAK-ut në këtë drejtim, nëse flasim me kutin e justifikimit që po bëhet në këtë rast, që të hetojë aferat e Berishës dhe të bashkëpunëtorëve të tij gjatë qeverisjes së PD. Dhe pas tij Ilir Metën dhe zyrtarë të tjerë të lartë! Por asnjë lëvizje në këtë drejtim nga SPAK.

Ndaj ajo që themi është se duhet të mos spekulohet me amerikanët, të cilët janë shprehur për të goditur korrupsionin në të gjitha nivelet, pa dallim, majtas apo djathtas, ish zyrtarë apo zyrtarë aktualë. Dhe shqiptarët e kuptojnë kaq gjë. Ata shkallën e efikasitetit të drejtësisë së re e masin me hetimin e dosjeve të abuzimit me CEZ-DIA, “Gërdecin”, Rrugën e Kombit, “21 janarin”, përgjimin e “bllokut”, por dhe dosjen e inceneratorëve. Kjo është e gjitha. Ata këtë presin.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 05/04/2022 11:44

    SPAK duhet te vertetoje qe eshte drejtesi e re, e pavarur. Dhe te gjitha parate e fituara padrejtesisht te sekuestrohen nga shteti. Se tamam kush nuk ben bur pak vite dhe pastaj te jetoje ne parajse.. se mos vuajne nga MORALI qeveritaret tane???i vjen turp??? skuqen?? sverdhen??

    Përgjigju
  • Lesha: 04/04/2022 22:45

    Eshte grup bandito kriminel ne drejtesi qe mbajne peng keto dosje! Apo keto gjygjtare apo prokuror mund te jene ne presione edhe me jete,qe keto dosje te mos te hapen .

    Përgjigju
  • taksidari: 04/04/2022 21:03

    SPAK duhet të “luaj me dy këmbet,por edhe me kokë”!

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 04/04/2022 19:00

    SPAK nuk ka asnjë pengesë të jashtme përveç mungesës së vullnetit, që na bën të dyshojmë fort në pozitën e tij ligjore. Duket sikur janë vetë drejtpërdrejtë apo tërthorazi pjesëmarrës në krimet që nuk hetojnë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion