Sot 645 raste pozitive, 18 viktima me COVID-19! Infektohet presidenti i Federatës së Boksit! Humbin jetën 'Frida Kalo' shqiptare e ish-kryebashkiaku i Pukës

Sot 645 raste pozitive, 18 viktima me COVID-19! Infektohet presidenti i Federatës së Boksit! Humbin jetën 'Frida Kalo' shqiptare e ish-kryebashkiaku i Pukës

Ambulancat te Spitali infektiv, Beqir Arifaj dhe Lumturi Blloshmi

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 humbje jete dhe 645 raste të reja pozitive me COVID-19. Nga 2 201 testime, prej të cilave 423 janë testime janë kryer për arsye depistimi, janë konfirmuar pozitivë 645 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 272 raste në Tiranë, 56 në Durrës, 51 në Fier, 48 në Korçë, 30 në Kuçovë, 20 në Mat, 19 në Pogradec, 16 në Vlorë, 15 në Kolonjë, 14 në Elbasan, 13 në Krujë, nga 12 raste në Tepelenë, Dibër, nga 10 raste në Has, Sarandë, nga 8 raste në Devoll, Peqin, nga 6 raste në Mallakastër, Delvinë, Skrapar, 4 në Berat, 3 në Tropojë, 2 në Shkodër, nga 1 rast në Kurbin, Kukës, Lezhë, Malësi e Madhe.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 463 pacientë, 25 në terapi intensive, 8 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 18 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 8 qytetar nga Tirana, 3 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Dibra, 1 qytetare nga Elbasani, 1 qytetare nga Lezha, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetare nga Berati, 1 qytetare nga Vlora, 1 qytetar nga Fieri të moshave 56 vjeç deri në 82 vjeç.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 403 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 17.755 që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë ditës së sotme humbi jetën nga COVID piktorja e njohur Lumturi Blloshmi e cila quhej edhe si 'Frida Kahlo' shqiptare. Gjithashtu edhe ish kryebashkiaku i Pukës, Beqir Arifaj ka humbur betejën me Covid-19.  Megjithëse tamponi i kishte dalë negativ, ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ishte dërguar për në Turqi, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve që gjatë ditëve të festave të nëntorit të shmangin grumbullimet masive me më shumë se 10 vetë, të shmangin kontaktet jashtë rrethit familjar, për të kufizuar në maksimum përhapjen e infeksionit. Patrioti është kush respekton rregullat për ruajtjen e distancimit fizik, mbajtjen e maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe kujdesin për higjenën.

U drejtohemi me një apel për të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë në kufizimin e përhapjes së infeksionit, duke respektuar rregullat, duke mbajtur maskën, duke shmangur grumbullimet, duke ruajtur distancën dhe higjienën.

Për çdo shenjë të sëmundjes duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes. Nëpërmjet linjës së gjelbër falas 0800 40 40 mund të lidheni me mjekun e familjes dhe të merrni informacionin e nevojshëm për COVID19. Telefononi 127 nëse dyshoni se jeni të prekur nga Covid19 dhe për çdo urgjencë mjekësore.

COVID-19 – Statistika (27 Nëntor 2020)

Raste të reja ditore                 645

Të shëruar ne 24 orë               403

Të shtruar në spitale               463

Humbje jete në 24 orë            18

Testime ditore                         2.201

Testime totale                184.217

Raste pozitive       36.245

Raste të shëruara       17.755

Raste Aktive       17.719

Humbje jete 771

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë         9061

Fier             1347

Durrës        1339

Korçë         1006

Vlorë          858

Shkodër     855

Elbasan      825

Lezhë          739

Berat          554

Gjirokastër 545

Kukës         399

Dibër          191

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Infektohet me COVID, presidenti i Federatës së Boksit

Presidenti i Federatës së Boksit, Florend Kalivopulli është infektuar me COVID-19.

Ai ka rezultuar pozitiv 5 ditë më parë, ndërsa Report Tv mëson se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se është i karantinuar në banesën e tij.

Ora 15:51
COVID i mori jetën ish-kryebashkiakut të Pukës, mesazhi i Bashkisë: Beqir Arifaj ndër intelektualet që pas ka lënë kontribute të shquara

Për ndarjen nga jeta të ish kreut të Bashkisë së Pukës ka reaguar kryebashkiaku aktual Gjon Gjonaj.

Përmes një postimi në Facebook ai ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Beqir Arifajt.

Ndër të tjera ai thotë se pavarësisht ndasive politike, Arifaj ishte një prej intelektualëve të shquar të qytetit të Pukës me një kontribut të madh në qytetin verior.

"I udhehequr nga ndjenja njerzore e cila evuluon mbi ndasit politike, në emrin tim përsonal dhe gjithë komunitetit pukjanë I shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Arifaj dhe gjthë të afërmve që sot me dhimbje përjetojnë këtë ngjarje të trishtë, shkaktuar nga vdekja e parakohshme.
Beqir Arifaj ishte një prej intelektualve të shquar të Pukës dhe me gjër, kontributi I të cilit është I pashlyer jo vetem si arsimtar, drejtues I disa institucioneve arsimore, sekretar I këshillit bashkiak për tre legjislatura, nënprefekt i rrethit Pukë, por dhe si kryetar I bashkisë Pukës përgjatë vite 2011 -2015" - shkruan Gjoni.

 

Ora 14:48
COVID-i i merr jetën piktores/ Kumbaro: Mossss mi Lumturie mos! Përqeshe vdekjen si di ti dhe ngjitu lart ne qiell te soji yt

Ish- ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është shprehur e pikëlluar për lajmin e ndarjes nga jeta të piktores Lumturie Blloshmi.

"Mosss mi Lume Blloshmi mos!! Perqeshe vdekjen siç ti di ta besh dhe ngjitu lart ne qiej te soji yt, ai i engjejve te Artit. Lamtumire", shkruan Kumbaro.

Ora 14:26
Shuhet një tjetër personalitet i artit/ COVID-19 i merr jetën piktores së njohur Lumturi Blloshmi, 'Frida Kahlo' shqiptare

Një tjetër personalitet i shquar në vend ka humbur jetën prej COVID. Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi ka humbur betejën me koronavirusin. Ajo ishte prej disa javësh në betejë me virusin Sars covid 2. Lumturi Blloshmi u lind më 1944 në Tiranë. Ajo shpesh nga kritika është vlerësuar si 'Frida Kahlo' shqiptare.

Lumturi Blloshmi është vlerësuar si një përfaqësuese e denjë e pikturës bashkëkohore shqiptare. Kreu studimet e larta në degën e Pikturës. Angazhimi i piktores në artin pamor nisi në vitet 1973 – '74, periudhë delikate në artin shqiptar. Por, artistja arriti t’i shmanget presionit të kohës, duke u fokusuar tek tematikat që kishin në qender peizazhin dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90,  Blloshmi iu bëhet pjesë e atyre artistëve shqiptarë, që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve. Ka ekspozuar në ekspozita kolektive dhe vetjake para viteve ’90 dhe pas, si brenda dhe jashtë vendit. Disa nga instalacionet dhe performancat që kanë lënë gjurmë tek artdashësit janë: Obsession - The Pyramid;  The utopian Road; Ambiguity.

Pritja e dashamirësve në nderim të artistes Lumturi Blloshmi para se të përcillet për në banesën e fundit është nesër tek Hotel Internacional (I vjetri), nga ora 12.00-15.00.

Kultura dhe Arti shqiptar kanë humbur në luftë me  COVID-19 disa prej personaliteteve më të shquara. Më 22 nëntor kinematografia humbi regjisorin i njohur Muharrem Fejzo, i cili është shuar në moshën 87-vjeçare nga COVID. Ndërkohë që e diela e 8 nëntorit nisi me një lajm të zi për humbjen e ikonës së humorit shqiptar, Koço Devole. Ai është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare pasi ndodhej prej 1 jave i intubuar në spitalin Infektiv, për shkak të infektimit nga COVID. Një tjetër humbje e madhe ishte edhe ndarja nga jeta e aktorit të humorit fierak Fatmir Xhelili. Ai humbi betejën në moshën 69-vjeçare pas infektimit me COVID.

Ora 13:50
E trishtë/ Humb betejën me COVID ish-kryebashkiaku i Pukës, Beqir Arifaj, ishte për kurim në Turqi

Një tjetër lajm i rëndë mësohet për humbjet nga koronavirusi në vend. Ish kryebashkiaku i Pukës, Beqir Arifaj ka humbur betejën me Covid-19. Ai  ka ndërruar jete ne orët e para te mëngjesit të sotëm.

Mësohet se megjithëse tamponi i kishte dalë negativ, ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ishte dërguar për në Turqi, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Beqir Arifaj është një tjetër personalitet i rëndësishëm i politikës në vend i cili humb jetën prej koronavirusit.

Një javë më parë COVID-i i ka marrë jetën Bashkim Koplikut, ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së parë të Partisë Demokratike më 1992 dhe dy herë deputetë në parlamentin e Shqipërisë.

Ndërkohë që vetëm ditën e mërkurë kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës Kozeta Noti, pedagoge e italishtes, përkthyese, njëherazi përfaqësuse e shoqërise civile si dhe mjeku 48-vjeçar në QSUT, Bledi Nini.

Dje, Ministria e Shëndetësisë raportoi 10 humbje jete dhe 656 raste të reja me COVID-19  në vendin tonë.

Ora 10:57
COVID-i 'hyn' në shtëpinë e foshnjes në Vlorë! Pozitiv një sanitare...në Ersekë infektohet shoferi i ambulancës dhe infermierja

COVID-19 ka depërtuar thellë në pothuajse të gjitha institucionet në vend. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka rezultuar pozitiv një sanitare në shtëpinë e foshnjës në qytetin e Vlorës, ndërkohë që priten përgjigjet për 3 pjesëtarë të tjerë të stafit që kanë pasur kontakte me sanitare.

Ndërkohë, 2 raste të reja janë konfirmuar në spitalin e Ersekës. Bëhet fjalë për shoferin e një ambulancë dhe një infermiere, të cilët janë karantinuar në banesë. Pjesa tjetër e stafit deri tani nuk kanë shfaqur shenja.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok