Dokumenti/ Ja marrëveshja me Italinë për emigrantët, harta ku do ngrihet qendra e emigrantëve në Gjadër të Lezhës

Konferenca e kryetarëve e mbledhur sot (23 nentor 2023)) vendosi që seancën e fundit për këtë sesion në 21 dhjetor do të shqyrtohet në parlament marrëveshja me Italinë për ngritjen e qendrës së pritjes së azil kërkuesve në Gjadër. Mësohet se i vetmi përfaqësues i opozitës që mori pjesë ishte Dashamir Shehi.

Ndërkohë sot në mesditë deputetët e grupit të Bardhit dhe të Berishës pas takimit në kryesinë e kuvendit njoftuan se do të ankimonin marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt me qëllim ngrirjen e ratifikimit të saj.  I vetmi që ka qenë kundër ka qenë deputeti Tritan Shehu, mëson shqiptarja.com dhe Report Tv. 

Në faqen zyrtare të parlamentit është bërë publike dhe përmbajtja e marrëveshjes e cila përbëhet nga 17 faqe dhe ka dy anekse.  

I pari identifikon hartën e saktë të tokës që nëpërmjet këtij protokolli të kërkuar nga pala italiane, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë merr përsipër t’i vendosë në përdorim të përkohshëm qeverisë së Republikës Italiane. Bëhet fjalë për një sipërfaqe 77  700 metra katrorë truall ndërtimi ndërsa gjurma së ndërtimit të objekteve 1936.9 m2, në Gjadër të Lezhës. Bashkangjitur është plani i rilevimit për punimet kadastrale si dhe objektet që parashikohen të ndërtohen. 

"Sipërfaqja pjesore e pronës (Truall ndërtim) që do të përdoret për pritjen dhe akomodimin e emigrantëve në kuadër të marrëveshjes është 77 700 m2. Sipërfaqja e gjurmës së ndërtimit të objekteve 1936.9 m2 (Objekte të rrënuara). Te zona ushtarake sipërfaqja pjesore që do ti vendoset në dispozicion palës italiane është përfshirë dhe sipërfaqja e nevojshme për strukturat e policisë së shtetit" shkruhet në aneksin 1

Sipërfaqja, pasuri shtetërore, do të jepet për t’u përdorur nga Italia për ngritjen e strukturave, ku fillimisht do të identifikohen e më pas do të akomodohen migrantët e parregullt të ardhur nga Afrika.

"Sipërfaqet në fjalë janë dhe mbeten pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë, duke iu dhënë vetëm në përdorim të përkohshëm autoriteteve italiane" thuhet në nenet 3 dhe 13 të protokollit.  

Gjithashtu pala shqiptare ruan të drejtën që të ripërtërijë ose jo protokollin në fund të afatit pesëvjeçar të saj, si dhe ta zgjidhë/denoncojë atë.

Detyrimet 
Në një sërë dispozitash, parashikohet se të gjitha shpenzimet për zbatimin e kësaj sipërmarrjeje i përkasin palës italiane, e cila do duhet të paguajë edhe çdo kosto që i vjen palës shqiptare, si pasojë e këtij protokolli. Detajet për mënyrën e shlyerjes së këtyre kostove nga pala italiane janë përcaktuar në aneksin dy protokoll financiar, që miratohet si pjesë e pandarë e këtij protokolli.

Brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të protokollit, pala italiane krediton shumën 16.5 milionë euro në llogarinë e posaçme të thesarit me emërtimin "Fondi për rimbursimin e shpenzimeve të kryera në zbatim të protokollit italo-shqiptar, në kuadër të forcimit e bashkëpunimit për çështjet e migracionit". 

Brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të protokollit, pala shqiptare i komunikon palës italiane nëpërmjet kanaleve diplomatike të dhënat e plota të identifikimit të kësaj llogarie si dhe mënyrat me të cilat evidentohen hyrjet dhe daljet.

Rimbursimi

Pala italiane rimburson palën shqiptare për kostot e parashikuara më poshtë:

-100% të shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimeve të kujdesit spitalor, të ofruara realisht në përputhje me manualin zyrtar të kostove të kujdesit shëndetësor, të parashikuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi. Pala shqiptare dokumenton administrimin faktik të trajtimeve spitalore për të cilat kërkon rimbursimin;

-100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore e të barnave, përfshirë, me kërkesë të palës italiane, vaksinat, për të cilat pala shqiptare dokumenton përdorimin efektiv për qëllimet e parashikuara nga protokolli. Kontratat e blerjes i vihen në dispozicion palës italiane sipas kërkesës së saj;

-100% të kostos së blerjes, të aprovuar më parë nga autoritetet italiane, të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në këtë protokoll.

-100% të shpenzimeve të dokumentuara, që rrjedhin nga përdorimi i personelit të forcave policore nga blerja e karburantit për automjetet e shërbimit të përdorura dhe shpenzime të tjera që lidhen drejtpërdrejt me shoqërimin e migrantëve;

-100% të shpenzimeve për blerjen, të aprovuar paraprakisht nga pala italine, të automjeteve apo mjeteve të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve

Nisma dhe propozimi fillestar për lidhjen e këtij protokolli kanë ardhur nga qeveria italiane thuhet në relacionin shoqërues.

Në protokoll është parashikuar detyrimi i palës italiane për t’i akomoduar emigrantë me shpenzimet e saj, vetëm brenda strukturave të ngritura në sipërfaqen e caktuar, si dhe për t’u kujdesur dhe garantuar se ata do të mbeten brenda këtyre strukturave. Në të njëjtën linjë parashikohen mënyrat e ndërveprimit ndërmjet autoriteteve respektive të palëve, në rast daljeje të paautorizuar të migrantëve, me qëllim rishoqërimin e tyre pranë strukturave të ngritura dhe administruara nga pala italiane.

Në çdo rast, nëse hipotetikisht nuk do të respektohen detyrimet nga pala italiane, pala shqiptare ka të drejtën e denoncimit dhe zgjidhjes së protokollit në mënyrë të njëanshme. 

Pala shqiptare ruan të drejtën që të ripërtërijë ose jo protokollin në fund të afatit pesëvjeçar të saj, si dhe ta zgjidhë/denoncojë atë, por duke lajmëruar 6 muaj më pare para afatit të përfundimit të afatit 5 vjeçar.

Numri i migrantëve që mund të strehohen në të njëjtën kohë në territorin shqiptar është i kufizuar dhe nuk mund të kalojë 3 mijë veta.

Harta ku do ngrihet qendra e emigrantëve në Gjadër të Lezhës 

(Kliko këtu për të parë marrëveshjen me Italinë për emigrantët)

(Kliko këtu për të parë relacionin e ratifikimit të marrëveshjes Shqipëri - Itali)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:12
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Berisha dhe Bardhi: Do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese! Një deputet i opozitës kundër (Emri)

Rithemelimi ka paralajmëruar se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e përkohshëm emigrantëve nga Afrika.

Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së thirrur nga Gazment Bardhi, tha se marrëveshja do të çohet në Gjykatë Kushtetuese pasi ka probleme serioze e të drejtave të njeriut.

“Do përgatitet teksti për në Gjykatën Kushtetuese pasi mendojmë se ka shkelje serioze të kushtetutës firma e Edi Ramës. Mendojmë se ka probleme serioze të të drejtave të njeriut. Duke mbajtur qëndrimin tonë, opozita do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen”- u shpreh Berisha.

Edhe Gazment Bardhi pohoi se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët me Italinë.

‘Qeveria ka propozuar në Kuvend ratifikimin e protokollit për marrëveshjen me Italinë. Ky protokoll bie ndesh me Republikën e Shqipërisë. Përmbajtje protokollit mes dy qeverive do t’i nënshtrohet protokollit kushtetues nga Gjykatën Kushtetuese. Rruga më e drejtë në rastin konkret është që kjo marrëveshje ti nënshtrohet kushtetutshmërisë. Disa kolegë patën kundërshtime, por më pas nuk ka pasur asnjë kundërshtim.’- tha Bardhi.

I vetmi deputet që ka qenë kundër çuarjes në Gjykatë Kushtetuese të marrëveshjes ka qenë Tritan Shehu, mëson shqiptarja.com dhe Report Tv.

Sipas nenit 52 të Kushtetutës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend nuk mund të çohen në gjykatën Kushtetuese. Kështu që grupi i Berishës dhe Bardhit pritet që ta çojnë tekstin në Gjykatën Kushtetuese përpara datës 21 dhjetor kur do të mbahet seanca për ratifikimin e marrëveshjes me Italinë. Në një rast të tillë, kjo do ta ngrinte procesin e ratifikimit në Kuvend deri në një përgjigjie të  Gjykatës Kushtetuese. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së saj në Gjykatën Kushtetuese. 

Kujtojmë se në datë 16 nëntor, numri 2 i qeverisë italiane Antonio Tajani telefonoi ish-kryeministrin Sali Berisha të cilin e kritikoi mbi qëndrimet e tij të mbajtura sa i takon marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë për emigrantët dhe ngritjen e një qendre për strehimin e përkohshëm të tyre në Shqipëri, derisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Pas kësaj telefonate nga Tajani, Berisha u shpreh se nuk do të protestonte kundër marrëveshjes ndërsa sot njoftoi se përmbajtja do t'i shkojë Gjykatës Kushtetuese. 

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Marëveshja kaloi dje në qeveri dhe do të kalojë në kuvend për tu ratifikuar.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrante: 23/11/2023 15:05

    Turpi i Shqiperise marreveshja fashiste Meloni-Rama! Mos burgosni njerez te pafajshem qe nuk kane bere asnje krim ne Shqiperi! Mos burgosni emigrant per llogari te italianve, mos e beni kete turp, eshte kriminale eshte gjynah nga zoti !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën