me anë të ministrisë së krijuar për diasporën. Sipas Majkos, janë 3 faktorë kryesorë se pse shqiptarët largohen nga Shqipëria. I pari dhe më i rëndësishmi, thekson Majko, është faktori ekonomik. Ai evidenton se mungesa e kushteve elementare në disa zona si uji, energjia elektrike, strehimi por dhe mundësitë e pakta të punësimit shkaktojnë largimin e shqiptarëve.
Një faktor tjetër që përshkruan ministri Majko është gjendja e institucioneve, që sipas tij janë të dobëta ku krimi i organizuar dhe korrupsioni paralizon punën normale të tyre. Ndërsa në dokumentet e mëparshme qeveritare, largimi nga vendi është trajtuar kryesisht në kuadrin e masave kundër trafikimit dhe menaxhimit të kufijve. Ky fenomen mund të trajtohet, sipas strategjisë Kombëtare të Diasporës të përgatitur nga Pandeli Majko, me metoda afatgjata të përqendruara në shkaqet e migracionit në një këndvështrim praktik.
Humbja e të arsimuarve, në dëm të Shqipërisë
Në raportin e ministrit Majko, të dhënat e migracionit tregojnë një humbje të madhe të qytetarëve të kualifikuar me cilësi të veçanta. Në 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga vendi. Ky fenomen vazhdon të ndodh dhe është i përmasave të mëdha, vlerëson Majko.
Largimi i ‘trurit’ nuk përfshin vetëm akademikët, apo personat e kualifikuar të fushave të tjera. Një numër i madh i studentëve shqiptarë shkojnë në Itali e Greqi dhe më pas ‘truri’ i vendit largohet në drejtim të Kanadasë, SHBA-së dhe Gjermanisë. Sipas ministrit Pandeli Majko, humbja e personave të kualifikuar dhe të arsimuar është në dëm të zhvillimit socialo- ekonomik të një vendi, pasi ata janë forca drejtuese e çdo vendi. Për këtë, ministri i shtetit për diasporën, Pandeli Majko, arsyeton se në plan veprimin e diasporës dhe migracionit, studentëve do t’u ofrohen bursa për studime të mëtejshme jashtë dhe mundësi për të marrë pjesë në programe me shkëmbim eksperiencash, me detyrimin për t’u kthyer.
Struktura e Ministrisë së Diasporës Shqiptare
Pandeli Majko i ka propozuar qeverisë që të ngrihet Komiteti i Diasporës dhe Migracionit, i cili do të ketë kompetenca këshillimore për Këshillin e Ministrave dhe do të ketë detyrimin ligjor të mblidhet një herë në gjashtë muaj. Ndërsa grupin e punës për strategjinë në këtë ministri do e drejtojë zëvendëskryeministrja Senida Mesi bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, të Brendshme, të Ekonomisë dhe Financave, të Kulturës, etj. Në plan veprim,rol kyç në Ministrinë e Diasporës do të ketë Këshilli Konsultativ i Diasporës Shqiptare.
Ky këshill do të drejtojë bashkëpunimin e politikës shtetërore me diasporën dhe migracionin. Qëllimi i tij është krijimi i një rrjeti të organizuar të komuniteteve shqiptare në shtetet mikpritëse. Ministria e Diasporës do të ketë Agjencinë e saj, e cila do të merret me konceptimin dhe koordinimin e politikave për migracionin dhe diasporën. Drejtuesi i Agjencisë do të propozohet nga Kryeministri Edi Rama dhe do të votohet në Kuvend.
Agjencia Kombëtare e Diasporës ka si qëllim: angazhimin e strukturave shtetërore për informimin dhe mbështetjen e diasporës; organizimin e një baze të të dhënave funksionale për diasporën; marrjen e masave koordinuese për realizimin e të drejtës së votës së diasporës në zgjedhje; nxitjen e transparencës për sjelljen e investimeve; organizimin e dhomës ekonomike të diasporës; koordinimin e programeve për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare si dhe nxitjen e përdorimit të mediave të reja sociale nga studentët. Një tjetër rol të rëndësishëm në këtë Ministri të re do të ketë edhe Regjistri i Diasporës. Regjistri do të jetë në bazë të dhënash edhe për mbledhjen e informacionit për kapacitetet profesionale që gjenden në radhët e diasporës, si dhe do të ndihmojë në procesin e të drejtës së votës.
Ndërkaq, Majko ka propozuar që Diaspora të ketë një gazetë të sajën elektronike, ku do të punësojë gazetarët më të mirë.
Faktorët kryesorë janë:
-Faktori ekonomik: Shqiptarët largohen kryesisht për arsye ekonomike siç janë- mungesa e mundësive të punësimit,- kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi.
-Siguria publike: Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personave të kualifikuar me kushte të mira ekonomike janë larguar nga vendi për një të ardhme të sigurt për veten dhe familjet e tyre. Kjo dukuri ka ndodhur veçanërisht pas trazirave të vitit 1997 e cila u shoqërua me një valë tjetër largimi.
-Institucionet e dobëta çojnë në mungesën e besimit te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Institucionet e dobëta dhe vështirësitë në zbatimin e ligjit gjithashtu ndikojnë në përpjekjet e emigrantëve për t’u kthyer dhe vendosur në vend, veçanërisht kur ata hasin vështirësi në ndërtimin e aktiviteteve private apo në marrëdhënie me administratën publike.
-Një rast i veçantë janë largimet për shkak të traditës së “gjakmarrjes” të cilat kanë një ngarkesë sociale dhe kulturore të veçantë në zonat veriore të vendit.
Masat kryesore të planit të veprimit:
-Krijimi i Komitetit për Politikat e Diasporës dhe Migracionit;
-Krijimi i Agjencisë së Diasporës dhe Migracionit;
-Themelimi i Këshillit Konsultativ të Diasporës;
-Krijimi i grupit të punës ndërinstitucional për regjistrimin e diasporës dhe migracionit;
-Ngritja e një skeme të plotë të Bursave për shqiptarët jashtë kufijve;
-Krijimi i një skeme Monitorimi Dixhital të rrjeteve migracioni;
-Krijimi i një gazete elektronike ndërkombëtare me një bord të gazetarëve më të mirë shqiptarë në komunitetet shqiptare në botë;
-Krijimi i rrjeteve të Ambasadorëve të Kombit në diasporë;
-Hapja në Muzeun Kombëtar një pavion kushtuar migrimit dhe diasporës;
-Fillimi i prodhimit nga Posta Shqiptare e ‘partive të pullave’ me tematikën e historisë së diasporës dhe migrimit;
-Përkujtimi i 18 dhjetorit si Dita Ndërkombëtare e Migracionit;
-Krijimi i Rrjetit të Grave të Diasporës.












