Vështirë të pritej ndonjë gjë e re nga analiza që Kryesia e PD do të bënte për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, e parë kjo nën prizmin e faktorëve që çuan në këtë humbje historike. Në fakt nuk kishte mbetur qime floku pa u trazuar e skutë pa u zhbiruar që prej trokitjes së 26 Prillit, kur u përvijua trendi i rezultatit. Do të mbahet mend kalërimi grotesk nga entuzsiazmi për “fitoren historike brenda kutive”, në “prisni sa të fillojë hapja e kutive tona!..” dhe mbyllja me akuzën se “mazhoranca kishte kryer një masakër elektorale!”. Një eklektizëm tipik dhe i përsëritur për sjelljen e lidershipit të PD, si edhe për raste të tjera. Në 12 qershor 2021 Kryetari Basha siguroi qëndrimin në krye të PD duke “triumfuar” ndaj konkurentëve!.. Më pas duket që, më shumë se sa bërja e një analize produktive për faktorët që sollën humbjen e zgjdhjeve, Kryesinë e PD e shqetësonte hartimi dhe miratimi i një dokumenti platformë që të përligjë vijën sjelljes së ashpër. E gjithë kjo që në sytë e opinionit vendas, por sidomos atij ndërkombëtar, të justifikojë veprimet e dhunshme dhe anarshiste që krahu i forte i PD do të demostrojë në vijim. Pra vërtet analiza e kryesisë nuk solli asgjë të re, por ia arriti që krahut të fortë të sajë ti japi një platformë ku të mbështetet në veprimtarinë destruktive; që me gjasë do të nisë me fund vjeshtën 2021.
Kryetari dhe kryesia e kishin detyrim ndaj krahut të fortë dhe prodhuan një dokument me 13 pika. Dokumenti me 13 pika është si violina e nastradinit, avazin e të cilit do ta dëgjojmë më pas për shumë e shumë herë. Grupi Parlamentar i PD këtë dokument do ta mbajë si hajmali për ta treguar sa herë do ti duhet të prishij seancat parlamentare apo të gjenerojë tension e dhunë në sallën e Parlamentit. Krahu i fortë apo krahu i dhunës në PD do tiu kërkojë të gjithë demokratëve që mbi këtë dokument të betohen si mbi kuran dhe ti ndjekin nga pas në pogromet e tyre. Lulzim Basha dhe Kryesia e PD, ia kishte detyrim krahut të fortë për ti dhënë këtë dokument. Krahu i fortë iu siguroi paprekshmërinë e lidershipit në PD dhe këta i dhanë dokumentin platformë. Tashmë u sigurua vazhdimësia në PD dhe këtu bëhet fjalë për vijën e sjelljes politike të sajë. PD e humbi shansin për të ndryshuar, sigurisht se e humbi me dashje. Gjithçka do të jetë si edhe më parë, deri sa vetë PD të arrijë pikën e rrjedhjes. Në kët pikë rrjedhja nuk mund të ndalet sepse proceset janë të pashmangshme, ato zhvillohen sipas ligjësive kokëforta. Kështu PD ngadalë, kohë pas kohe, do të rrudhet në një grusht njerëzish të cilët janë betuar se do të mbeten atje deri tek demokrati i fundit. Dhe këta jo për të mirën e PD por për hallin e tyre!. Iu duhet një strehë dhe kjo është PD.