Demokratët Euroatlantikë nuk do të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nëse do i duhen votat e kësaj aleance politike pas zgjedhjeve të 11 Majit.
Kështu u shpreh nga studio e emisionit “Sot, Live në Shqipëri” në Report TV, Mirela Karabina, zëdhënësja e grupimit të ri politik të drejtuar nga Lulzim Basha dhe që janë ende në proces gjyqësor rekursi për vulën e PD-së.
E ftuar nga moderatori Nertil Agalliu, ajo u shpreh se pikërisht për shkakun se Rama kërkon të ketë përballë Berishën në zgjedhje, që ta ketë më të lehtë edhe fitoren e zgjedhjeve, “iu dha vula e partisë Berishës”.
Karabina theksoi se janë të hapur për bashkëpunim me alternativa që e duan vendin, që janë kundër korrupsionit dhe që nuk janë në një linjë me aleatët strategjikë të Shqipërisë, që mbështesin dhe nuk e sulmojnë drejtësinë e re.
“Shqiptarët duan alternativë njerëz të pakorruptuar. Të hapur për bashkëpunim me ata që duan vendin. Rama ia ktheu vulën Berishës, e do përballë atë në zgjedhje”, tha ajo.
E pyetur se edhe Basha ka qenë në drejtim të institucioneve në qeverisjen e PD, Karabina nënvizoi, duke bërë thirrje që shqiptarët të votonin alternativën e formacionit të tyre politik, Aleanca Euroatlantike:
“Nëse Basha do kishte bërë abuzime, Rama do ia kishte nxjerrë në 12 vjet në qeveri, kishte rastin më të mirë për ta hequr si rival të tij politik. Shqiptarët duan alternativa. Basha ka qenë i suksesshëm, heqja e vizave, Rruga e Kombit, ministër i Brendshëm, Bashkia e Tiranës. Basha është alternativë”.
Në lidhje me përçarjet në PD, Karabina pohoi se PD po zvogëlohet çdo ditë e më shumë si produkt i rrugës që ndoqi.
“PD erdhi duke u zvogëluar sepse s’iu përmbajt boshtit të saj. Basha do e kthejë PD-në në kohët e vitit 1992”, tha ajo.
Por mohoi kategorikisht një koalicion me Berishën pas zgjedhjeve.
“Koalicion me Berishën në PD nuk do bëjmë, absolutisht. Ne kërkojmë dhe mirëpresim partnerë me aleatët strategjikë, që duan luftë ndaj korrupsionit, drejtësi dhe zhvillim të vendit. Nuk mund të bëjmë koalicion me njerëz që janë ‘non grata’ nga aleatët tanë strategjikë apo nën akuzë për korrupsion”, vijon zëdhënësja e DA.
Në fund foli edhe për ftesën që Basha pati për ceremoninë e betimit të presidentit Donald Trump, i vetmi nga Shqipëria.
“Basha po zhvillon takime ndërkombëtare, ka qenë i vetmi i ftuar në ceremoninë e Trump, tur dyditor në SHBA me takime. Basha nuk shkon për foto atje dhe as i publikon ato. Reforma në drejtësi do jetë e mbështetur nga ata edhe në vijim. Populli nuk është budalla, por i mençur, të gjithë vuajmë tranzicionin e gjatë, 34 vite, nuk arrijmë të ndërtojmë shtet as në arsim, as në shëndetësi dhe kudo”, nënvizoi.
Dhe në fund Karabina i bën një thirrje elektoratit, brenda dhe jashtë vendit, e veçanërisht Diasporës:
“Votën t’ia japin Demokratëve Euroatlantikë. Në Diasporë po shkojnë ata që i larguan shqiptarët jashtë vendit. Po të kishin bërë më mirë gjërat këtu, gjërat do ishin ndryshe. Besoj se shqiptarët do votojnë njerëzit që duan ndryshimin, që punojnë për ta. Ata do votojnë Demokratët Euroatlantikë”, përfundoi zëdhënësja e grupimit politik.
Mirela Karabina, zëdhënësja e AD sot në Report TV
Demokratët Euroatlantikë do të jenë pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit me një koalicion partish opozitare me të cilat janë në bisedime.
Fakti që nuk janë të regjistruar ende si parti tre muaj para para zgjedhjeve sipas zëdhënëses Mirela Karabina nuk i pengon aspak, sepse ekzistojnë mekanizmat ligjore dhe konfirmoi se AD me në krye Lulzim Bashën do të regjistrohet për 11 Majin.
Gjithashtu shtoi se do vijojnë edhe betejën ligjore në gjykatë për vulën e PD-së, të cilën shprehet se “ia vodhën me pa të drejtë” Bashës. AD është në bisedime dhe e hapur për bashkëpunim me parti të tjera opozitare, teksa Karabina nënvizoi se detajet do bëhen publike së shpejti.
“Demokratët Euroatlantikë janë një realitet dhe forcë politike që më 11 Qershor me pa të drejtë iu është marrë vula. Kemi detyrim për ta çuar në fund betejën ligjore, për t’ia rikthyer PD-në aqtyre që i besuan asaj. Vulën e mori Rama dhe ia dha Berishës sepse është në vështirësi dhe nuk vjen dot në pushtet. Kështu ka krijuar perceptimin se nuk ka opozitë, opozita është e dërmuar. Rama është një ndër kryeministrat më të korruptuar dhe ai nuk është alternativa. 80% e shqiptarëve mbështesin SPAK, ata duan drejtësi, duan luftë ndaj korrupsionit. Nuk është as ilizuon dhe as perceptim, Rama i druhet ndër vite Lulzim Bashës, nuk do që ta ketë përballë. Rama korruptoi zyrtarë të FBI-së sepse rivalin e tij të vërtetë ka Lulzim Bashën, Basha është realitet politik. Sapo ka ardhur nga SHBA-të dhe qeveria amerikane ka prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe reformën në drejtësi”, tha Karabina.
Ajo u shpreh optimiste se beteja për vulën mund të fitohet edhe para zgjedhjeve, teksa flet për regjistrimin për zgjedhjet e 11 Majit edhe pse nuk kanë parti (duke huazuar një tjetër parti).
“Nëse fitojmë betejën ligjore para zgjedhjeve, pasi ne do vazhdojmë betejën ligjore për vulën, do ndërtojmë një tjetër politikë. Jemi në bisedime dhe të bashkuar me të gjitha forcat. Jemi parti e madhe, ne jemi PD-ja zyrtare, kemi bërë betejë ligjore. Do regjistrohemi, do gjenden sigurisht mekanizma ligjore, do jemi. Edhe me zotin Alibeaj, do bashkohemi edhe me ata që janë me partnerët tanë stategjikë, që mbështesin drejtësinë e re, janë kundër korrupsionit, janë në krah të shqiptarëve. Kemi kontakte me forca të tjera opozitare, me emra konkretë, në ditët në vijim do njiheni me këto, do jenë transparente. Demokratët Euroatlantikë dhe zoti Basha nuk ka halle me drejtësinë, të tjerët i kanë dhe po përballen me të, kanë halle të tjera, kanë halle në drejtësi. Kurse ne kemi hallin e shqiptarëve me programe ekonomike dhe sociale të llogaritura”, u shpreh zëdhënësja e AD ndër të tjera.