Historia e përgjimeve të motrës së Ismail Kadaresë: Me veprat e Enverit s’shkoj as në tualet! Dosja e Sigurimit: Shteti harxhon miliona të përkthejë broçkullat e udhëheqësit

Historia e përgjimeve të motrës së Ismail Kadaresë: Me veprat e Enverit s’shkoj as në tualet! Dosja e Sigurimit: Shteti harxhon miliona të përkthejë broçkullat e udhëheqësit

Kadrie Kadareja, ajo itelektualja kurajoze, e dashuruar si rrallëkush me librin, gardiania e papërsëritshme e pastërtisë së gjuhës shqipe, luftëtarja pa kompromis e progresit dhe lirisë, e njohur në mjediset e atyre viteve si motra e Ismail Kadares, në shkëlqimin e vet, ka qënë objekt i Sigurimit të Shtetit dhe është përndjekur e përgjuar në fshehtësi për një kohë të gjatë.

Fillimisht, ka qënë target i shërbimeve të fshehta për lidhje të dyshimta me agjenturat e huaja që operonin në Tiranë e madje është ndjekur për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe udhëheqësve të partisë e të shtetit komunist. Në dokumentin që publikojmë sot rezulton se në kohën kur punonte redaktore në Degën e botimeve në Istitutin e lartë bujqësor është marrë në përpunim aktiv 2A(30.11. 1976) në fillim si agjente e e mundshme e zbulimit sovjetik e në vijim për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe udhëheqjes komuniste.

Dosja e ministrisë së Brëndshme konfirmon faktin që Kadarjeja për këto është këshilluar zyrtarisht e paralajmëruar nga autoritetet më 3.8.1978, por përsëri ka vazhduar veprimtarinë e saj duke folur kudo me fjalët më të rënda e fyese për regjimin e veçanërisht për udhëhqësin kryesor (Enver Hoxha) Në dosjen secrete janë dokumentuar me hollësi raportet e agjentëve “Pisha” e “Çajka” që e ndiqnin këmba këmbës dhe të informatorit “Inteligjenti”, ku bie në sy qasja e Kadrie Kadaresë kundër rendit socialist e komunizmit dhe bindja e saj e patjetërsueshme se Stalini ka qënë një diktator tiran dhe një vrasës I pashpirt.

Në optikës e specialistëve të sigurimit, pjesa më e rëndë në rrëfimet e saj, mbetej shpjegimi që ajo bënte për zhdukjen e njërit prej miqve të hershëm të Enver Hoxhës. “… Sa të pashpirt e të padrejtë janë këta, nënvizohet në dosje deklarata e Kadaresë, që nuk prononcohen zyrtarisht për vrasjen e Galip Hatibit. Këtu ka diçka që s’vete, Galipi me siguri do të ketë qenë në dijeni të ndonjë të fshehte të dikujt nga kryesorët, prandaj duhej zhdukur”.

DOKUMENTI

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Ekzemplar nr.2

Drejtoria e Punëve të Brendshme

Nr. 4228 Tiranë, më 1.4.1978

Informacion

Mbi Kadrie Halit Kadarenë

Shokut Simon Stefani

Degës VIII të Drejtorisë së Parë

Ju informojmë rreth të dhënave që disponojmë në ngarkim të Kadrie Kadaresë. Kadrie Kadareja është e bija e Halitit dhe Hatixhesë, lindur në vitin 1935 në Gjirokastër, banon në Tiranë, e pamartuar, e pa organizuar, e padënuar ndonjëherë, me arsim të lartë. Rrjedh nga një familje nëpunësish të ulët, me punë redaktore në Degën e Botimeve të Institutit të Lartë Bujqësor. Qëndrimi politik i prindërve të saj gjatë regjimit të Zogut dhe okupacionit fashist ka qenë indiferent. Nga të afërmit e saj kanë marr pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare një teze dhe një dajë. Mbas çlirimit qëndrimi i tyre ka qenë i mirë.

Kadria është marr në ndjekje aktive nga ana jonë më datën 30.9.1976 si agjente e mundshme e zbulimit sovjetik dhe më datën 4.2.1977 i është ndryshuar tendenca në agjitacion e propagandë armiqësore. Nga të dhënat e agjentëve “Pisha” dhe “Çajka” dhe të informatorit “Inteligjenti” rezulton se Kadria u ka propaganduar atyre për jetën gjoja të mirë që bëhet në shtetet kapitalisterevizioniste, për privilegjet që ka punëtori atje etj. Po kështu, u ka folur edhe për librat e ndryshme me përmbajtje dekadente dhe armiqësore që ka lexuar si p.sh., libri që ka shkruar vajza e Stalinit dhe Kadria, duke folur me gjuhën e saj e nxjerr Stalinin si diktator dhe vrasës.

Kështu ka folur për gjendjen gjoja të mirë të gruas në vendet e perëndimit, për muzikën, letërsinë dhe artin e tyre, duke i ngritur lart atë dhe në të njëjtën kohë ka nënvleftësuar dhe ka përçmuar muzikën dhe letërsinë tonë, se këtu te ne nuk ka realitet, duhet të gënjesh etj. Gjatë kësaj kohe, Kadria ka pasur shoqëri të ngushtë me gra sovjetike që punonin në Institutin e Lartë Bujqësor e veçanërisht me Larisa Çelën që ndiqej aktivisht si agjente e zbulimit sovjetik, e cila në vitin 1971 u largua nga vendi ynë. Me këtë Kadria ka pasur korrespodencë të shkurtër mbas largimit nga Shqipëria. Gratë ruse të arrestuara si Zoja Gulina, Nadjezhda Sidorova e Natasha Pengili i kanë thënë b.p “Shqipe” se nga të gjithë shqiptarët mendohet se Kadrie Kadareja është e mirë, por ajo në fakt është armike e këtyre, sepse sa herë që ne kemi folur me të, Kadria ka folur më shumë se sa ne. Po ashtu, b.p “Inteligjenti” Kadria i ka thënë: “Të gjitha sovjetiket nuk i duronin dot normat dhe zakonet tona. Unë kam qenë shumë herë në shtëpinë e Larisa Çelës (Begasovës), ato mbledhjet i bënin kudo që takoheshin, nëpër shtëpitë e tyre. Kryetare grupi nuk ishte Larisa, por Natasha Pengili. Veprimtaria e tyre si agjente u zbulua kur doli grupi i Beqir Ballukut, se edhe Nadja Sidoroven në fillim kur e arrestuan e dënuan 3 vjet për modë dhe më vonë i bënë gjyq dhe e dënuan si agjente, por burri i Larisës- Burhani nuk e dinte faktin që e shoqja ishte agjente”.

Duke u nisur nga fakti se Kadrie Kadareja vinte nga një familje me përbërje të mirë politike, më datën 2.3.1978 u thirr në Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe u këshillua nga zëvendësdrejtori. Kadria pranoi këshillimin që iu bë dhe falënderoi organet tona, por nuk shpjegoi faktet mbi veprimtarinë e saj armiqësore, vetëm se unë këto mund t’i kem bërë në mënyrë të pandërgjegjshme, por këtej e tutje do të jem korrekte dhe do të kontrolloj në çdo hap veten time që të mos bie në gabime të tilla.

Nga të dhënat e grumbulluara mbas këshillimit, rezultojnë të kenë dalë këto materiale:

1. Agjentja “Shigjeta” ka raportuar se Kadria ka lidhe të ngushte me Asamble Hatibin dhe me disa gra të tjera, të cilat kur mblidhen sëbashku zhvillojnë aktivitet armiqësor me agjitacion dhe propagandë. Në disa takime që ka pasur direkt agjentja “Shigjeta” me Kadrie Kadarenë dhe Asamble Hatibin, Kadria është shprehur: “Shteti ynë derdh valutë për përkthimin dhe botimin e veprave të udhëheqësit kryesor të Partisë dhe romaneve të vëllait tësaj jashtë shtetit. E ku pyet bota jashtë për veprat e udhëheqësit kryesor të Partisë dhe librat e tim vëllai. Unë, kish thënë Kadria Asamblesë, me veprat e udhëheqësit kryesor nuk shkoj as në …”.

“… Vëllai im është aq i zgjuar saqë me romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe’ diti t’ia hedhë udhëheqësit kryesor dhe e gjeti pikën e tij të dobët. Vëllai edhe pas një ndryshimi të sistemit do të mbretërojë përsëri, sepse është tepër i aftë”.

“…Është varfëruar jeta e secilit aq shumë saqë ti kot që mërzitesh për djalin që të kanë arrestuar, ai atje në burg ka me siguri një copë bukë dhë një vend për të fjetur dhe po aq kanë të tërë ata që janë jashtë. Ne jemi matufepsur”.

“…Sistemi socialist dhe komunizmi është një doktrinë që mbështetet në baza jo reale, përderisa njeriu që fëmijë kur mban diçka në dorë dhe e shtrëngon fort e nuk të lë t’ia marrësh, si mund të besosh se kur të bëhet i madh nuk do të rritet me porcione akoma më të mëdha interesi personal! Është absurd të besosh se mund të ekzistojë një shoqëri e tillë kur vetë njeriu është me të meta. Si mund të besosh atëherë se u dashka vënë interesi i përgjithshëm mbi atë personal?!”.

“…Stalini ka bërë krime të rënda, në fillim vrau shokët e tij dhe prapë kohë mbas kohe eleminoi të tjerë me radhë. Stalinit i kishte hyrë frika në palcë dhe 15 vjetët e fundit jetoi në një dhomë pa dritare”.

“… Një sistem i tillë nuk mund të ndërtohet në asnjë kohë dhe në asnjë vend se s’ka asgjë njerëzore. Sot, ka diferenca në mënyrën e të jetuarit, ato nuk eleminohen po sa vinë e thellohen, ç’janë ato gjepura që trumbetohen se gjoja u vënka interesi i përgjithshëm mbi atë personal, këtë s’e ha as bufi”.

“…Sa të pashpirt e të padrejtë janë këta, por nuk pronocohen zyrtarisht për vrasjen e Galip Hatibit. Këtu ka diçka që s’vete, Galipi me siguri do të ketë qenë në dijeni të ndonjë të fshehte të dikujt nga kryesorët, prandaj duhej zhdukur”.

“…Unë tani jam në moshë të madhe, jam plakur dhe po të pi, kushedi se çfare do të më nxjerrë goja, nga ata që të më fusin brenda”.

Mbas arrestimit të Asamble Hatibit, Kadrie Kadareja b.p “Shigjeta” i është shprehur: “Jemi tmerruar të gjithë në Institutin Bujqësor, këtë gjë po diskutonim vazhdimisht, po çmendemi. Ti për dy vizita që ke bërë tek Asambleja dhe s’ke faj që shqetësohesh, po ne që kemi 15 vjet që frekuentojmë atë shtëpi, që kemi hyrë e kemi dalë edhe veças edhe 2-3 shoqe bashkë, ç’të bëjmë ne?! Mbrëmë në orën 23:00 për pak vendosa të shkoj me Zigurin dhe të them çdo gjë vetë, nuk pres dot, nëçdo çast presim të vine e të na thërrasin në pyetje, por unë nuk e bëra këtë dhe nuk mendoj ta bëjë për arsye se mendoj se duke vajtur duhet thënë çdo gjë qëështë biseduar në këta 15 vjet, ndërsa shpresoj akoma që ajo të jetë arrestuar për ndonjë gjë tjetër dhe jo për bisedat që ka bërë me ne.

Përse atëherë të hap unë një kapitull të rëndë?! Si thua ti, bisedat që kemi bërë vesh më vesh edhe po i pranoi Asambleja, a mund t’i mohoj unë, mbasi biseda vesh më vesh kemi bërë gjithmonë. E për çfarë nuk kemi folur ne me Asamblenë jo vetëm në fushën politike, por edhe për gjëra intime, çdo gjë është e dënueshme. Ne mblidhemi në intimitet dhe bëjmë plane se çfarë të themi ose kemi biseduar kur të na thërrasin, për politikë keq, për moral keq, për libra keq dhe nuk dimë si t’ia bëjmë. Asambleja atë rreth krijoi jashtë, po të nevrikoset do të me marrë me vete brenda.

Unë edhe sikur të vete të denoncoj, prapë dënohem se kam biseduar 15 vjet me radhë. Unë jam implikuar edhe me një ruse, nga Larisa, e cila edhe kohët e fundit më ka dërguar një letër. Kam një dosje në sigurim, tani kushedi sesa do të jetë bërë. Unë jam ngatërruar keq nga njëra anë me agjenten e huaj sovjetike dhe nga ana tjeter 15 vjet aktivitet armiqësor me Asamblenë. Një nga shoqet e Institutit që po vdes nga tmerri është dhe Ana Negovani, (gruaja e Kiço Negovani me punë nëndrejtor në histrocentralin e Fierzës). Ajo po vdes nga frika. Këta edhe sikur të mjaftohen me një diskreditim në qendrën e punës, për ne të gjitha është vdekje, pa le pastaj arrestimi dhe marrja në pyetje. Me vjen tmerr kur kujtoj bisedat vesh më vesh dhe them mos vallë aty ka pasur ndonjë manjetofon dhe atëherë sa pare bënë që unë të mohoj”.

2. Agjenti “Pisha” ka raportuar se në biseda Kadria iështë shprehur: Pardje jemi shqyer gazit, ishim në Kinostudio për të parë filmin, skenarin e te cilit e ka bërë Elena. Tema e filmit ishte rrahur dhe stër rrahur: sesi heroina rrethohet nga gjermanët, sesi çan rrethimin etj., që shtë bërë bozë. Boll me temat e Luftës Nacionalçlirimtare, i pamë e stërpamë, kaq e pati dhe ajo, a ka ndonjë gjë të re? Unë jam kurioze të di që çfarë do të ndodhi tek ne mbas vdekjes së udhëheqësit kryesor, mbasi edhe të moshuar dhe të sëmurë janë. A do ta mbajnë vallë lindjen të tillë apo do të devijojnë?! Dhe po t’a kesh vënë re me vdekjen e njerëzve të mëdhenj ndryshojnë situatat. Vdiq Stalini, ndryshoi vija, vdiq Mao Ce Duni, ndryshoi situata.

Populli po popull është, ku merr vesh se ç’bëhet, udhëheqësit i dinë gjërat, të lidhemi me këtë apo të prishemi me atë. Unë mendoj se shtetet e mëdha nuk do të rrinë pa na u afruar se kanë interes për pozitën tonë strategjike. Do të na afrohet ndonjë, do të na bëjë lajka dhe ne do të afrohemi, pastaj prapë do prishemi me ta. Nuk e di, nuk e di, por se si do të bëhet mbas vdekjes së udhëheqësve tanë, unë nuk e imagjinoj dot. Pa lëre pastaj për komunizmin që unë nuk e besoj fare, më duket se komunizmi është një frazë e thjeshtë, ku arrihet të edukohet ndërgjegja e njerëzve ashtu siç thuhet.

…Unë kam frikë se do më arrestojnë se do tregojë Asamble Hatibi, unë atë kam patur shoqe dhe kemi folur mbarë e prapshtë, edhe për çështje politike, madje une i jam afruar Larisa Çelës, asaj sovjetikes.

3. E arrestuara Asamble Hatibi në hetuesi në ngarkim të Kadrie Kadaresë deri tani ka deponuar se kjo e fundit në biseda iështë shprehur: “Organet e Sigurimit e kanë shumë inat vëllanë tim, por atij nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Shumë punonjës të ndryshëm i kanë shkruar letra udhëheqjes së Partisë të revoltuar nga përmbajtja e romanit ‘Dimri i madh’, por udhëheqësi ka thënë: ‘Lëreni djalin të punojë rehat’. Në roman udhëheqësi kryesor del mbi te gjithë, mëi pastri, sikur ishte sipër një piramide dhe vetëm si i shikonte gjërat, më drejtë dhe më qartë nga të tjerët (me ironi).

Unë i thashë se udhëheqësi kryesor kënaqet me ngritjen e figurës së tij, pra ‘Zeusit’ (kështu e ka quajtur Asambleja udhëheqësin kryesor) i pëlqejnë homazhet dhe ngritja që i bëhet në roman. Kadria më dëgjonte pa më kundërshtuar. Po kështu, Kadria më ka thënë se komunizmi nuk ka për të arritur kurrë, ku do të jetë në sistem interesi i përgjithshëm, kjo për faktin se kur fëmija ështëi vogël po t’i japësh diçka në dorë e shtrëngon dhe nuk e lëshon që t’ia marrësh e jo më pastaj kur të rritet, që përmasa e interesit personal rritet dhe nuk mendohet për interesin e pergjithshëm. Kjo tregon se komunizmi nuk ka për të arritur kurrë ndonjëherë”. Stalini ishte gjeorgjian dhe atë nuk e deshën rusët.

Nga materialet e mësipërme të vërtetuara arrijmë në konkluzion se Kadrie Kadareja zhvillon aktivitet armiqësor dhe është shumë e frikësuar nga arrestimi i Asamble Hatibit. Duke nisur nga fakti se kemi të bëjmë me një element që ka përbërje të mirë politike dhe është këshilluar njëherë, në këto momente mendojmë që të analizohetqëndrimi që duhet mbajtur ndaj saj, duke i thënë që ta nxit atë të vijë të denoncojë se përndryshe do të arrestohet. Mandej, ta pyesin në gjendje të lirë rreth aktivitetit të saj armiqësor.

Kadria, rebele që refuzonte ndihmën e mbiemrit

Veçanërisht në vitet ’70-’80, Kadrie Kadareja u bë mjaft e njohur, jo vetëm për faktin se ishte motra e shkrimtarit të madh, por edhe se ishte “tip” i veçantë që tërhiqte vëmendjen. Gjithë jetën “single”, një qenie e lirë, që nuk ngjante me gratë e kohës së vet. Nuk njohu kurrë autocensurë.

Madje, dhe politikisht mbeti e lirë. Të tillë e përkufizon atë arkitekti i njohur dhe miku i shtëpisë Kadare në Gjirokastër, Agron Doraci, konstruktori që ka ringritur vitet e fundit shtëpinë e shkrimtarit të shquar në qytetin e ngurë. Ai, si ish-komshi i familjes Kadare, thotë se Kadrija ishte e vetmja nga familja që mbante lidhje me gjithë lagjen, pasi prindërit dhe vëllezërit rrinin disi të ngurtë në raportet me të tjerët. Doraci kujton vitet e gjimnazit, ku Kadria shkëlqeu, jo vetëm në mësime, por sidomos në veprimtaritë kulturore, kryesisht ato me librat e kohës.

Pjesa tjetër e jetës në Tiranë ku vazhdoi studimet, ka qenë një kapitull më vete që i dha emër dhe famë në fushën e saj, shton Doraci. Ai shprehet se e gjithë përkujdesja e saj ishte që mos të përfitonte nga fama e të vëllait Ismailit. Jam Kadria nga Gjirokastra, thoshte, dhe më vlerësoni për këtë që jam dhe atë çfarë bëj./Panorama

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë