Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro para pak javësh bëri një status në Twitter, ku përdori një shprehje të regjisorit dhe aktorit amerikan, John Waters, për të nxitur të rinjtë drejt leximit të librave. Pikërisht shprehja e përzgjedhur bëri që portalet të ‘zienin’ duke interpretuar gjithçka sipas dëshirës së tyre, pavarësisht se ministrja Kumbaro sqaroi qëllimin e saj.
E ftuar në “Wake up”, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka replikuar me moderatoren Ori Nebijaj pikërisht për të njëjtën gjë.
“Unë kam marrë citimin e shkrimtarit të njohur John Waters, është copy-paste. Virale bëhen dëshirat negative, jo mesazhet pozitive,”- u shpreh Kumbaro.
Por Nebijaj vazhdimisht e pyeste ministren dhe kërkonte një arsyetim për mënyrën e përcjelljes së mesazhit, dhe Kumbaro e cilësoi si një cektësi interpretimin e moderatores e cila e mori shprehjen në kuptimin e parë të saj.
“Po më habisni pak me cektësinë e interpretimit tuaj. Waters shpreh një mesazh, se një njëri i rrethuar me libra është të bën më të mirë. Nëse lexon më shumë ju bën gazetare më të mirë, një shoqe më të mirë. Ky është edhe mesazhi që ju duhet të jepni në media,”- i tha Kumbaro.