Gjykata e Lartë në Glasgow të Skocisë ka dënuar me 10 vjet burg 32 vjeçarin shqiptar Liridon Kastrati, pasi ky i fundit ishte përpjekur të vriste një efektiv policie me sharrë elektrike, një ngjarje që gjyqtari i çështjes e përshkroi si një film horror.
Ngjarja e frikshme ka ndodhur më 6 maj të vitit 2024 në qarkun Renfrewshire të qytetit Glasgow. Kastrati bëri një aksident duke u përplasur me një automjet policie. Fillimisht ai u largua nga vendi i aksidentit, por më pas u kthye, hapi bagazhin e makinës dhe mori një sharrë elektrike. Ai e ndezi mjetin dhe, duke bërtitur me të shara ndaj policisë, nisi të ndiqte oficerin Gary Cowan përgjatë rrugës.

Liridon Kastrati me sharrë në dorë duke ndjekur policin.
Gjyqtari William Gallacher tha se ishte i habitur nga fakti i përdorimit të një sharre elektrike si armë, por duke komentuar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dhe celularët e kalimtarëve, tha se gjithçka ishte horror i vërtetë. Oficeri u detyrua të vraponte për një distancë të konsiderueshme, nga frika se shqiptari ‘do t’i priste gjymtyrët’ nëse do ta kapte.
Dënimi prej dhjetë vitesh është llogaritur duke filluar nga maji i vitit 2024.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Kastrati reagoi me agresivitet në sallën e gjyqit, duke goditur bankën e të akuzuarve dhe duke e sharë gjyqtarin, fillimisht në shqip dhe më pas në anglisht. “Ti je një terrorist dreqi” i tha ai gjykatësit, përpara se të shoqërohej jashtë nga efektivët e sigurisë.
Komente








