ROME- Dorëheqja e njoftuar e Silvio Berluskonit, që ka si qëllim të shmangë përhapjen e krizës së borxhit në Itali, i siguroi për një kohë të shkurtër tregjet, që ranë sërish menjëherë, për shkak të idesë së tratativave të gjata politike në Romë, kur zona euro ndodhet në mes të trazirave.

Pasi u hap pozitivisht, Bursa e Milanos ra me më shumë se 4% rreth orës 10:15 GMT, nga frika se "dorëheqja e ngadaltë", sipas termave të "Corriere della Sera"-s, e Berluskonit do të ndodhë brenda një periudhe luhatjesh, aspak të përshtatshme për miratimin e masave jopopullore.

Po ashtu, pasi u hap në rritje, Bursa e Parisit ra me 2,19%, ajo e Frankfurtit me 2,04%, e Londrës me 1,37%, e Madridit me 2,62% rreth orës 10:18 GMT.
Interesi i obligacioneve italiane me maturim 10 vjeçar i kaloi të 7% në mesditë, një përqindje e vlerësuar në përgjithësi si e papërballueshme në planin afatgjatë nga financat e një vendi, ndërkohë që ato, gjithashtu, ishin shtendosur disi gjatë natës duke gdhirë e mërkurë, sapo u mor vesh dorëheqja e ardhshme e Silvio Berluskonit.

Kavalieri 75 vjeç do të largohet me shumë gjasa në fund të nëntorit, pasi parlamenti të ketë miratuar një seri masash buxhetore dhe ekonomike që i janë premtuar Bashkimit Evropian në samitin e tij të fundit më 26 tetor.

"Italia ka nevojë urgjente për një qeveri të cilës t'i referohen", nënvizonte e përditshmja kryesore italiane "Corriere della Sera".
Disa ekspertë ishin të shqetësuar se Italia mund të bjerë në të metat e vjetra të së shkuarës: tratativa pa fund për krijimin e një qeverie, ndërkohë që zona euro është në mes të stuhisë, me tregje gjithmonë e më të shqetësuara për aftësinë e saj për të rimbursuar borxhin e saj të madh prej 1 900 miliardë eurosh.
Sapo të largohet Berluskoni, do të jetë presidenti Giorgio Napolitano që do të bëhet zot i lojës politike. Ai ka thënë tashmë se do të fillojë konsultimet me të gjitha partitë e shumicës së djathtë dhe të opozitës së majtë dhe të qendrës që mund të zgjasin një javë.
Më pas, tre skenarë përvijohen në horizont: ose presidenti do të tentojë pistën e një qeverie të re të qendrës së djathtë të zgjeruar me përfaqësues të qendrës dhe të drejtuar për shembull nga krahu i djathtë i Berluskonit, Gianni Letta.
Ose do të jetë pro një qeverie të unitetit kombëtar të mbështetur nga opozita dhe një pjesë e shumicës së deritanishme dhe të kryesuar nga një pesonalitet mbi partiak, sipas shembullit të ish-komisionerit evropian, Mario Monti.

Kjo është zgjidhja e preferuar e investitorëve që urojnë një shumicë parlamentare të fuqishme, të aftë të rimëkëmbë financat italiane.
Në mungesë të krijimit të një shumice, Napolitano mund të shpërndajë parlamentin dhe zgjedhjet duhet të organizohen në një afat prej 70 ditësh.
Sipas shtypit, ai do të përpiqet ta shmangë këtë opsion, duke vlerësuar se vendi nuk mund t'ia lejojë vetes një periudhë të gjatë boshllëku institucional, që do të thellohej nga fushata elektorale.

Berluskoni militon nga ana e tij për zgjedhje që në janar ose shkurt, sepse "nuk shikon shumicë alternative" ndaj të tijës, të bazuar në aleancën mes partisë së tij PDL dhe Ligës së Veriut, siç i deklaroi ai ekskluzivisht gazetës "La Stampa".

Kavalieri përsëriti gjithashtu se në rast zgjedhjesh, ai nuk do të jetë më kandidati i qendrës së djathtë dhe nxori në skenë benjamimin e tij, Angelino Alfano, sekretar i përgjithshëm i partisë së tij PDL (Populli i Lirisë).

"Ai është me të vërtetë i mirë, shumë më tepër nga sa mund të mendohet dhe lidershipi i tij është pranuar nga të gjithë në PDL", siguroi ai.
Në mënyrë të çuditshme, asnjë gazetë italiane e të mërkurës nuk fliste për "fund të mbretërimit" as për "rrëzim" të Kavalierit, që mban rekordin e jetëgjatësisë në pushtet pasluftës: afro 10 vjet në total që prej vitit 1994.

Disa, madje, dyshojnë edhe për premtimin e bërë solemnisht nga Berluskoni përpara presidentit të Republikës që, fakt i pazakontë ky, e shkroi e zeza mbi të bardhë në një komunikatë zyrtare.

Për James Walston, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin amerikan të Romës, Berluskoni ka mbërritur "në pikën ku duhet të largohet, sepse nuk ka më mbështetje".

Kuota e popullaritetit të manjatit karizmatik ra në tetor në 22%, ose në nivelin e tij historik më të ulët, e prekur edhe nga një seri skandalesh seksuale dhe akuzash për korrupsion, që kanë prekur sferat më të larta të PDL-së së Berluskonit.

Një editorialist i "La Stampa"-s tallej të mërkurën duke imagjinuar një Itali "pa B.", e duke uruar që ajo të jetë më në fund "paksa e thinjur dhe e mërzitshme" dhe të ketë "një regjim pa shaka dhe vulgaritete" për t'u bërë "një demokraci e shëndetshme dhe e kënaqur me veten e saj".
Burimi atsh