Me qëllim rritjen e kapaciteteve kundër trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së rikonstruktoi dhe pajisi me makineri, qendrën e çaktivizimit të armëve të zjarrit në Mullet, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
“Ky është një hap i rëndësishëm në punën tonë të përbashkët në mbështetje të sigurisë publike në Shqipëri”, tha Michel Tarran. Ambasador i OSBE në Shqipëri.
Në ceremoninë e dorëzimit, ministri i Brendshme Besfort Lamallari, e cilësoi investim drejt rritjes së sigurisë në vend.
“Dorëzimi i Qendrës së Çaktivizimit dhe pajisjeve për funksionimin e saj është një hap konkret që forcon sigurinë publike, rrit standardet tona profesionale dhe afron Shqipërinë edhe më shumë me praktikat dhe standardet europiane në këtë fushë kaq të ndjeshme”, tha Lamallari.
Për kryepolicin Skënder Hita, kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe brezave të ardhshëm.
“Armëmbajtja mbetet një kërcënim serioz për sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe luftën kundër krimit të organizuar, ndaj kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe të brezave të ardhshëm”, tha Hita.
Qendra e Mulletit merret me shkatërrimin teknik të armëve të zjarrit, si pistoletat, kallashnikovët dhe armët e llojeve të tjera, duke i bërë ato të papërdorshme përgjithmonë për të parandaluar trafikimin dhe përdorimin kriminal të tyre. Pasi kapen armet, dhe mbaron hetimi për ta, çohen aty dhe shkatërrohen.
OSBE ndihmon policinë edhe përmes projektit për forcimin e kapaciteteve të njësive të qenve K9 në zbulimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet që lidhen me përhapjen dhe keqpërdorimin e armëve.
Foto: Skënder Hita
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla e të Lehta dhe pajisjeve për funksionimin e saj.
Hita e cilësoi këtë ceremoni si një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për të gjitha institucionet që kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe luftën kundër përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta.
“Mbi të gjitha, ky moment lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi, çka përbën prioritetin më të lartë në punën tonë të përditshme. Bashkëpunimi prej më shumë se 4 vitesh me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë sot po konkretizohet me ngritjen e kësaj qendre moderne”, tha Hita.
Ai theksoi se ky investim përfaqëson një hap konkret në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke dhënë sipas tij, një kontribut të drejtpërdrejtë në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.
“Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe çdo forme të kriminalitetit që cenon sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Paralelisht, përmes strukturave tona të Policimit në Komunitet, ne vijojmë fushatat sensibilizuese, veçanërisht me të rinjtë dhe në shkolla, për të parandaluar rrezikun që sjell mbajtja e armëve, fushata këto të mbështetura fuqishëm nga OSBE-ja dhe partnerët e tjerë të Policisë së Shtetit.
Në aleancë të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ne do të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve globale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në vend, në rajon e më gjerë”, tha Hita.
Komente










