"Doshi"/ Maratona e dëshmive 
 VIP rrëfimi i parë i Berishës

TIRANE- Një plan mafioz për vrasjen e deputetit të dikurshëm të PS Tom Doshi ishte diskutuar si thashethem në tavolina gazetarësh, apo ishte pohuar në mënyrë spontane dhe sipërfaqësore në studio emisioni, por në fakt askush se kishte marrë seriozisht.

Dikush mendonte se nuk ka vrasës ta prekte “bajraktarin e veriut” Tom Doshi, ndërsa dikush tjetër besonte dhe pohonte se plani për atentat ka qënë i vërtetë. Në fakt ky plan, që sipas prokurorisë ka qënë imagjinar dhe se qëllimi i tij ishte destabilizimi i jetës politike në vend, duke inicuar një proçedim penal për vrasje ndaj kreut të Kuvendit Ilir Meta, gumëzhinte prej kohësh në korridoret e kryeministrisë, ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit. Fillimisht thashethemi për vrasje është hedhur në veshin e Tom Doshit në muajin Gusht të 2014 nga deputeti kristiandemokrat, mik i Doshit, Mark Frroku.

Por lajmi për një plan mafioz vrasjeje është bërë publik nga vetë Tom Doshi në 2 mars 2015 kur ai është përjashtuar nga Partia Socialiste. Pas deklaratave për një plan vrasjeje të deputetit Doshi dhe Fufi, prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ku personi i parë që është pyetur në cilësinë e dëshmitarit ka qënë Ilir Meta. Pas tij ka dëshmuar kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, ministri Sajmir Tahiri, dhe shumë funksionarë të tjerë, deri tek shoferët personalë dhe kamarierët e një lokali në ish-bllok.

Kush ishte njeriu që ka njoftuar deputetin Tom Doshi, për një plan vrasje kundër tij?
Në muajin Gusht deputeti Mark Frroku, që tashmë ndodhet në burg për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, ka telefonuar Tom Doshin, duke i se kishte diçka urgjente për t’i thënë. Doshi ndodhen në Budva me familjen e tij dhe pasi është kthyer ka mësuar prej Frrokut gjatë një kafe në “Sheraton”, se kishte zbuluar një person që ishte vrasës me pagesë dhe që kërkonte të eliminonte Tom Doshin. Vrasja sipas Frrokut ishte porositur nga Ilir Meta, dhe se negociator për kryerjen e këtij krimi ka qënë Fatjon Skënderi, ose siç njihet ndryshe si “Toni i Kombinatit”.

Doshi ka marrë takim me vrasësin me pagesë Durim Bami, i cili ka rezultuar se më parë ka qënë shofer i Mark Frrokut.Biseda mes Doshit dhe Bamit,është rregjistruar me zë dhe figurë, ku Bami tregon se ishte paguar nga Fatjon Skënderi me një shumë prej 500 mijë euro për ta vrarë, ndërkohë 100 mijë euro i kanë dhënëpër deputetit e PD Mhill Fufi. Në dëshmi, Bami i tregon Doshit se prapa këtij skenari fshihet Ilir Meta.

Pasi është njohur me këtë plan si ka vepruar Tom Doshi, kë ka takuar dhe më cilin e ka ndarë këtë lajm?
Fillimisht ai lajmin për vrasjen ja ka dhënë Edi Ramën gjatë një takimi në Durrës. Më pas ka marrë disa takime me ministrin e Brendshëm, madje në dy takime ka qënë dhe Durim Bami, ku ka takuar Tahirin dhe Artan Didin.Pas këtyre takimeve, Doshi ka takuar dhe Ilir Metën dhe Mhill Fufin, duke i vënë në dijeni të këtij plani, por të dy kanë mbetur të habitur, kur kanë mësuar lajmin.

A është referuar ndonjë materiale nga policia në prokurori për këtë ngjarje?
Policia ka kryer një sërë veprimesh për të zbuluar këtë plan imagjinar për vrasje. Por pas shumë veprime hetimore, është konstatuar se nuk kishte një plan vrasje ndaj deputetëve dhe për pasojë nuk është çuar asnjë material në prokurori. Prokuroria ka nisur hetimet në datën 3 mars 2015, pas deklaratës së Tom Doshi, se kreu i kuvendit Ilir Meta kishte thurur një plan për vrasje.

Sa dëshmitarë janë pyetur për këtë ngjarje dhe sa ballafaqime janë kryer në prokurori?
Me nisjen e hetimeve në prokurori janë pyetur më shumë se 30 dëshmitarë, ku janë verifikuar thëniet e tyre dhe nëpërmjet ballafaqimeve ballë për ballë. Lista ka filluar me Ilir Metën, duke vijuar me kryeministrin Rama, Ministrin Tahiri, ish-kryepolicin Didi, deputeten Monika Kryemadhi dhe shumë dëshmitarë VIP, deri tek Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, Mhill Fufi, Sali Berisha, deputeti Mark Frroku, “Toni i Kombinatit” e disa kamarierë të një lokali në ish-bllok.

Vetëm mes Tom Doshit dhe Mark Frrokut është bërë një ballafaqim, ku Frroku ka mohuar ta ketë njoftuar Doshin për një plan vrasje. Ndërsa me Bamin, Doshi ka kryer dy herë ballafaqim në prokurori. Lidhur me këtë çështje vetë Doshi është paraqitur mbi 15 herë në prokurori.

Pas kryerjes së hetimeve për akuzën e vrasjes, si përfundoi çështja dhe kush u morr i pandehur?
Pas disa muaj hetime, prokuroria ka zbuluar se plani i vrasjes së deputetëve ka qënë imaxhinar.Hetuesit vendosën të marrin të pandehur deputetët Mark Frroku, Tom Doshi dhe shtetasin Durim Bami për akuzën e “Kallëzimit të rremë” dhe “Dëshmisë së rreme”. Çështja momentalisht është dërguar në Gjykatën e Lartë dhe se dosja do gjykohet nga Ardian Nuni.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan