Dosja 'Çapja' ja tmerri i policëve të
operacionales:Ata qëlluan pa pushim

Dosja 'Çapja' ja tmerri i policëve të<br />operacionales:Ata qëlluan pa pushim
Çapjat kanë qëlluar me pistoletë drejt efektivëve të policisë dhe pse ata janë prezantuar me zë të lartë dhe me jelekun me mbishkrimin policia.

Këtë e bënë të ditur prokuroria e krimeve të rënda e cila ka kërkuar arrest me burg për Florenc Çapjen, Ardian Çapjen dhe Bledar Muçën.

Këto masa sigurie janë dhënë gjatë fundjavës për Florencin dhe Bledarin ndërsa këtë të dielë masa ndaj Ardian Çapja është komunikuar në spital.

Gjithçka ka nisur pasditën e 8 Qershorit 2016 në rrugën ‘Emin Matraxhiu’ pranë hotel Univers në pronësi të Çapjave ku ata i janë afruar automjetit të forcave operacionale dhe i kanë bërë shenjë të hap krahun.

Sapo ka ulur pak shpejtësinë mjeti i policisë ka qenë Ardian Çapja që ka qëlluar disa herë me pistoletë drejt tyre dhe këto qitje kanë qenë tejshpuese por fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima në radhët e policisë.

Dhe pse efektivët janë prezantuar thotë prokuroria zjarri nga automjeti Ml me targë AA 007 MZ s’ka ndalur dhe në këtë moment policët janë kundërpërgjigjur me armën automatik të shërbimit.

Pas ndërhyrjes së forcave të ndërhyrjes së shpejtë policia sekuestroi një arsenal armësh në pronën dhe oborrin e banesave të Çapjave, ndërsa para hetuesve ata i kanë mohuar akuzat e kundërshtimit me armë të punonjësve të policisë.

INFORMACION, PROKURORIA PËR KRIME TË RËNDA
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 3 persona, të dyshuar për “vrasje të punonjësit të policisë” në tentativë dhe "arrest me burg" me afat 40 dite per 5 të tjerë, te dyshuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, lidhur me konfliktin e armatosur pranë hotel “Univers” në Elbasan, ndërmjet disa persona dhe dy punonjësve të policisë, me detyrë vëzhgimi. Per personat qe eshte kerkuar mase me afat, Prokuroria eshte ne pritje te ekspertimeve perkatese, per te percaktuar rolin e tyre ne ngjarje lidhur me veprat per te cilat dyshohen. Kerkesat e Prokurorise u pranuan nga Gjykata per Krime te Renda.
Ngjarja ka ndodhur në datë 08.06.2016, dhe, në bazë të akteve të administruara deri në këtë moment nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, dyshohet se anëtarët e familjes Çapja, pronarë të “Univers” kanë qëlluar me armë në drejtim të dy punonjësve të policisë, të cilët ishin në mision vëzhgimi, pas përplasjeve të shpeshta të kohëve të fundit të Çapjave me persona të tjerë.
Në bazë të informacionit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit dhe veprimeve proceduriale të kryera nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se:
Në datë 08.06.2016, rreth ores 18.50, mjeti tip ”YYYYY” në të cilin udhëtonin shtetasit X1 dhe X2. punonjës të forcave operacionale (FO)  kanë qenë në lëvizje në rrugën “ Emin Matraxhiu”.  Ata kishin detyrë mbajtjen nën vëzhgim të pjestarëve të familjes Çapja, për shkak të një ngjarjeje të ndodhur dy ditëve më parë në Elbasan.
Rreth 800 metra nga hotel “Univers” ne drejtimin perëndimor të rrugës, ndërsa mjeti ku gjendeshin oficerët e policisë ka qënë në lëvizje, drejtuesi i tij X1 ka vënë re se mjeti tip “Benz”  me targë AA 007 MZ, i cili ishte dhe mjeti që ata duhej t’a mbanin në vëzhgim, i ka shoqëruar nga pas për një kohë të shkurtër dhe më pas ua ka bërë me shenjë me drita që duhej të ndalonin. Efektivi X1 ka hapur paksa krahun, për të kuptuar se cfarë kërkonte nga ata drejtuesi i mjetit tjetër. Ndërkohe ka konstatuar se pasagjeri që ndodhej në vendin e parë pranë shoferit ka kthyer kokën nga pas tek sedilja e pasme dhe dikujt ja ka bërë me shenjë. Ndërsa mjeti ka qënë thuajse akoma i pandaluar mire, nga dera e pasme e mjetit tip “BENZ” ka dalë një person i veshur me pantallona xhins dhe bluzë me mëngë të shkurtëra ngjyrë jeshile, i cili ka marrë në sedilje një pistolete dhe ka qëlluar drejtpërdrejte në xhamin e pasëm të mjetit “xxxxxxx”. Këto qitje kanë thyer xhamin e pasëm dhe, pasi kanë përshkruar tej e për tej mjetin,  kanë dalë nga xhami i përparmë.
Efektivët e forcave operacionale i janë kundërpërgjigjur personit, i cili i pozicionuar në pjesën e pasme ka lëvizur në të dy krahët e mjetit “Mazda” duke qëlluar intensivisht. Ky veprim ka vazhduar për disa kohë dhe më pas është larguar në anën lindore të rrugës. Mjeti “Benz”, i cili gjatë kohës që po kryhej ky shkëmbim zjarri ka lëvizur paralelisht me mjetin e policëve tashmë të ndaluar. Pasi ka përshkruar rreth 30 - 40 metra në anën perëndimore është kthyer, duke u vënë tashmë përballë punonjësve të policisë. Ndërkohë që ata janë afruar pranë tyre, drejtuesi i Benzit ka qëlluar me pistoletë drejt punonjësve të policisë. Efektivi X1 i ka paralajmëruar më zë të lartë dhe ka treguar dhe nje bluzë të uniformës me stampimin “POLICIA”. Duke parë se dhe pas këtyre paralajmërimeve, ata nuk kanë reaguar,shtetasi X1 dhe kolegu i tij X2. u janë pergjigjur më zjarr duke përdorur armën e shërbimit automatike,  e cila ndodhej në mjetin e tyre.
Ky shkëmbim zjarri ka vazhduar për pak dhe më pas mjeti tip ”Benz” është larguar drejt “Hotel Univers” ku kanë ardhur shërbimet e F.N.SH – se, të cilat ishin njoftuar për situatën. Është gjetur në vendngjarje mjeti “Benz”, ku në vendin e shoferit ishte shtetasi Ardian Çapja, i cili gjatë dinamikës së ngjarjes rezulton të ketë qënë në vëndin e pasagjerit deri në momentin kur mjeti është larguar nga vendi ku dhe ata qëlluan shërbimet policore.
Pas kryerjes se veprimeve të para hetimore, sekuestrimit të kamerave të disa prej lokaleve dhe ambienteve që kanë patur në fushëpamje ngjarjen, dyshohen si autorë të ngjarjes së mësipërme shtetasit Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça.
Pas kapjes në flagrancë të shtetasit Ardian Çapja  nga FNSH, në ambientet e hotelit si dhe  për rreth janë bërë kontrolle të imtësishme  ku janë sekuestruar më cilësinë e provës materiale 1 pistolete, një krëher me 7 fishekë, një automatic mod-56 2 krëhëra me fishekë,72 fishekë “model 54”, 855 fishekë, 73 kapsolla detonatore, sende këto të kundraligjshme, të cilat dyshohet se janë tentuar të fshihen në momentin e shkëmbimit të zjarrit nga shtetasit Jetmir Shehu, Fiqiret Mece, Kastriot Peqini, Ambri Sinakolli dhe Serxhio Hakilja.
Për sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë, te cilat u pranuan te gjitha nga gjykata, si vijon:
 
"Arrest ne burg", si të dyshuar për “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, dy herë:
 
1. Ardjan Çapja
2. Florenc Çapja
3. Bledar Muça
 
"Arrest ne burg" me afat 40 dite, si të dyshuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”
 
1. Jetmir Shehu
2. Fiqiret Meçe
3. Kastriot Peqini
4. Ambri Sinakolli
5. Serxhio Hakilja.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)