Mbi 1.05 miliardë lekë (gati 10.6 milionë euro me kursin aktual), dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezulton nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.

Dosja e AKSHI-t, të cilën Report Tv e disponon, është pasuruar në muajin shkurt të këtij viti, me 4 emra të tjerë personash që janë përfshirë në listën e të hetuarve. Konkretisht ish-nëndrejtori Daniel Shima, Arjola Koromani, administratorja e kompanisë ‘Soft&Solution’, në pronësi të Ermal Beqirit, krahut të djathtë të Ergys Agasit, si edhe Gentian Likaj dhe Emirton Suli. Përveç tyre edhe 7 kompani të lidhura me tenderët e AKSHI-t. Akuzat janë ato të “Shkelje e barazisë në tenderë” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Për Andis Papën pronar i ‘Fastech shpk’ dhe Gëzim Hoxhën, i ‘First shpk’, është shtuar akuza e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Hetimet e mëtejshme, kanë bërë që më 16 prill, situata të rëndohet për Agasin, Beqirin, Papën, Hoxhën, dhe Arjola Koromanin. Ndaj tyre është shtuar dhe vepra penale e korrupsionit.

Nën dyshimet për të njëjtën vepër penale që i bashkëngjitet akuzave ekzistuese, edhe Daniel Shima, ish-nëndrejtor i AKSHI-t, si dhe Mirlinda Karçanaj, ish-drejtuese e AKSHI-it, mbi të cilën tani rëndon edhe ‘pastrimi i parave’.

Listës i është shtuar dhe një tjetër sipërmarrës, Elision Jorgjis i kompanisë ‘Albascan’, i vënë po ashtu nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, i cili çoi në sekuestrimin e dhjetëra pasurive të Agasit, Beqirit dhe pronarëve të disa kompanive të tjera të lidhura me procedurat e tenderëve të Agjencisë që drejtohej nga Karçanaj, në të paktën një rast të dokumentuar, mbi 1.1 milion euro u dhanë pas kërcënimeve që Ermal Beqiri, pronar i kompanisë ‘Soft&Solution’, krahu i djathtë i Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.

Hetimet kanë zbuluar po ashtu, se dhe kantina e pasur me verëra të shtrenjta që u zbulua në vilën e Agasit në Equos Resort në Tiranë, ishte fryt i shpërblimeve, për  një vlerë prej mbi 950 mijë eurosh.

“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë “EA Solution" sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare”, thuhet në dosjen e GJKKO-së, sipas së cilës “ndërkohë që "EA Solution" ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si "Fastech", "First", AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate”.

Në dosje vlerësohet se “fatura tatimore është përdorur si instrument për të "legalizuar" vlerat korruptive të paguara, duke e futur atë në qarkullimin financiar si shpenzim të zbritshëm për operatorët fitues”. E gjithë kjo skemë për hetuesit krijon “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova mbi ekzistencën e elementëve të figurave të veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimit të produkteve të veprës penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të strukturuar kriminal”.

Vetëm një ditë më parë, SPAK sekuestroi 74 prona dhe llogari bankare vlerë 40 mln euro.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:03
DOSJA/ 'Je futur në një pishinë peshkaqenësh', kërcënimet nga Beqiri që detyruan AESS të derdhte 1.1 mln euro për Agasin

1776798367_beqiridheagasi.jpg

Gati 1.1 milionë euro (me kursin aktual) ose 100.840.264 lekë kaluan në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, pas kërcënimeve të Ermal Beqirit ndaj shoqërisë AESS shpk të shqiptaro-gjermanes Migena Schroeder, e cila ishte bërë pjesë e realizimit të projektit ‘SmartLab 2” në shkollat shqiptare, financuar nga AKSHI.

Historia nis që përpara se të niste procedura e prokurorimit. “Në muajt Shkurt-Mars të vitit 2022, më kujtohet që ka ardhur të më takojë shtetasi Daniel Shima, (nëndrejtor i AKSHI-t) i cili më ka thënë që e kishte dërguar "shefja”. Më sugjeroi që të bëhesha pjesë e një projekti që lidhej me implementimin "Smartlab 2", në shkollat”, ka treguar Schroeder. Sipas saj interesi i Shimës lidhej me faktin se shoqëria e saj kishte ekskluzivitetin e "Ruckus", kompani amerikane, nga më të mëdhatë në botë  e njohur për fibrën optike.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv, thuhet se Schroeder ka shpjeguar përpara hetuesve se bëhej fjalë për një procedurë prokurimi, që do të bëhej nga AKSHI-i që nuk ishte bërë ende, por se ishte paracaktuar. “Danieli më thotë që ky projekt është caktuar që do të realizohej nga shoqëria "Albascan", dhe se për këtë arsye duhet të takohesha me përfaqësuesin e kësaj shoqërie, Elision Jorgjis”.

Në dosje nuk jepen detaje të takimit, por lihet të kuptohet se AESS dhe Albascan e Jorgjit kishin rënë dakort për të bashkëpunuar për projektin. Por ndërsa realzimi nuk kishte përfunduar ende, në Janar të vitit 2024 “më erdhi në zyrë Elision Jorgjis, i cili më tha se Daniel Shima nuk do ishte më përgjegjës për çfarë ndodhte në AKSHI dhe se tashmë gjërat i kishte marrë në dorë një shtetas me emrin "Gysi”, ka rrëfer Schroeder, sipas së cilës Jorgji i kishtë thënë se “ai do më kalonte në llogari lekët dhe se unë duhet ti mbaja në llogari dhe ti kaloja me fatura të vogla nga pak e nga pak, por se deri në atë moment nuk e dija tamam se kujt duhej t’ia kaloja”.

Pas këtij episodi, Schroeder i ka thënë hetuesve se është ankuar te drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit i ka lënë të kuptohet se nuk kishte njohje me Jorgjisin, i cili, sipas saj ishte futur në lojë nga Daniel Shima, që në atë kohë kishte lënë detyrën si zëvendës drejtor i AKSHI-t.

Më vonë, Schroeder tregon se ndërsa ishte në një tjetër takim me Jorgjisin, i mbërrin një mesazh nga Karçanaj e cila i sugjeron një takim me Ermal Beqirin. “Ai më tha në vijim të bisedës që unë kisha hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe se ai ishte këtu "për të zgjidhur historinë”, ka rrëfyer Schroder, sipas së cilës po atë ditë, ajo shkoi në orën 18:00 në zyrën e Beqirit së bashku me kontratat, i cili i bëri të qartë se një pjesë të fitimeve do duhet t’ia kalonte kompanisë ‘EA Solution’ të Argys Agasit.

“Gjatë takimit më pyeti për vlerën e kontratës dhe aty më tha se sa lekë do të mbaja unë në llogari dhe se një pjesë të shumës së fituar, për të cilën do më kontaktonte një punonjësja e tij me emrin Gesta, me të cilën duhet të diskutoja për të bërë një kontratë shërbimi me shoqërinë EA Solution. Për këtë gjë, Emali më tha që duhet të kisha parasyesh që këto lekë nuk ishin të miat dhe se prandaj më kishte thënë që kisha hyrë "në një pishinë peshkaqenësh”, ka treguar Schroeder, e cila ka thënë se e ndjerë nën presion kishte kërkuar NIPT-in e shoqërisë ‘EA Solution’, dhe kishte dalë nga takimi.

Si përfundim, AESS shpk, nënshkruan një kontratë me kompaninën e Agasit për  shërbime të llojit projektim, konsulencë dhe trajnim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit. “Në faturën tatimore të shitjes të dorëzuar nga Migena Schroeder, dokumentohet se më datë 13.02.2024, ajo i ka prerë një faturë shoqërisë EA Solution, në vlerën 100.840.264 lekë”, shpjegohet në dosje.

Ora 09:54
DOSJA/ Si përfunduan në vilën e Agasit te ‘Equos Resort’, mbi 950 mijë euro verëra të shtrenjta

1776844533_kantinaeergysagasit.jpg

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se për verërat e shtrenjta të gjetura në kantinën që kishte në vilën e tij në mjediset e “Equos Resort” Ergys Agasi nuk rezulton të ketë paguar as edhe një qindarkë. Edhe ato kanë qenë një formë pagese shpërblimi që kompanitë Soft & Solution shpk e Ermal Beqirit; Fastech shpk e Andis Papës, First shpk e Gëzim Hoxhës dhe shoqëritë e tjera të lidhura me to, kishin kryer për tenderat që kishin fituar nga AKSHI, shpjegohet në vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të Agasit dhe drejtuesve të këtyre kompanive, të cilin Report Tv e disponon. Sipas hetimit, dyshohet se bëhet fjalë për një vlerë prej mbi 950 mijë euro.

Një faturë e gjetur mbi disa arka druri me shishe vere e shampanje në garazhin e vilës tjetër të Agasit në Qerret të Durrësit, ka çuar hetuesit në zbulimin e furnizuesit të pijeve të shtrenjta, të cilat vinin në Shqipëri, të paktën në këtë rast, me postën e shpejtë dhe të kushtueshme DHL. Fatura ishte në emrin e shoqërisë "Fast & Fresh'", në pronësi të shtetasit Andis Papës, pronar edhe i Fastech shpk, kompani e cila fitonte tendera te AKSHI.

Vetëm për periudhën Tetor 2024 - Nëntor 2025, "Fast & Fresh” kishte importuar pije në vlerën totale 1.130.265 Euro dhe për periudhën Nëntor 2024 - Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj “Fastech” shpk dhe "Soft & Solution" shpk shumën prej 94.423.883 lekë (ose mbi 950 mijë euro me kursin aktual).

Kjo rrethanë, sipas hetuesve, përputhet dhe me kontrollin e ushtruar në ambientet e "Equos Resort”, konkretisht në banesën e të hetuarit Ergys Agasi, gjatë kontrollit të së cilës, në ambientin e poshtëm të vilës, u konstatua një numër i lartë pijesh alkoolike (verë e kuqe), të cilat janë të ngjashme me ato të evidentuara nga këqyrja e praktikave doganore për llogari të subjektit "Fast & Fresh", në pronësi të shtetasit Andis Papa.

Në të vërtetë afro 600 shishet verëra të shtrenjta që u gjetën në vilën e Agasit, u zhdukën pa lënë gjurmë, pasi prokurorët ia lanë për detyrë Doganës që të bllokonte mallin i cili ishte pa pullë fiskale.

SPAK thotë se dyshimet që këto produkte janë paguar dhe porositur për llogari të të hetuarit Ergys Agasi, janë konfirmuar dhe nga shpjegimet e të hetuarit Andis Papa, sipas të cilit verërat e shtrenjta të importuara nga kompania e tij “kryesisht kanë qenë porosi të shtetases Arjola Kormani”. (administratore e Soft&Solution, në pronësi të Ermal Beqirit)

Papa i ka treguar hetuesve se “porositë i bënte direkt ajo por, në emrin e shoqërisë Fast & Fresh. Pagesat për këto produkte, bëheshin në këtë formë, pra ajo bënte porosinë, mua më vinte fatura nga shitësi dhe unë bëja pagesën me bankë nëpërmjet Union Bank. Më pas, Arjola i paguante verërat në varësi të likuiditetit, kishte dhe raste që lekët vinin nga shoqëria Soft & Solution, paraprakisht, me bankë dhe më pas kaluam në pagesa kesh. Kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies. Dua gjithashtu të sqaroj se shoqërisë Soft & Solution nuk i kemi shitur verëra me fitim, por gjithnjë me vlerën që i bleja, ky fakt edhe për shkak të bashkëpunimit dhe njohjes me Ermal Beqirin”.

Ora 09:41
DOSJA/ Mbi 9 milionë eurot që Agasi mori si ryshfet për tenderët e paracaktuar në AKSHI

1774905764_ergysagasi.jpg

Një seri transaksionesh mes viteve 2023 dhe 2025, i kanë çuar Ergys Agasit mbi 9 milionë euro, në formë ryshfeti për ndikimin e tij për paracaktimin e tenderave të AKSHI-t. Sipas vendimit të Gjykatës për sekuestrimin e pronave dhe pasurive të tij por dhe të Ermal Beqirit dhe të tjerëve të lidhur me procedurat dhe garat në AKSHI, përmes shoqërisë së tij “EA Solution”, Agasi “ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare nga operatorët ekonomike "Soft & Solution" sh.p.k., në pronësi të Beqirajt,  “Fastech" sh.p.k. të Andis Papës dhe "First" sh.p.k. të Gëzim Hoxhës.

Në dosjen që Report Tv e disponon, thuhet se këto përfitime kanë qenë sipas hetimit pagesë ryshfeti si rrjedhojë e paracaktimit të operatorëve ekonomik fitues në procedura prokurimi të zhvilluara nga AKSHI.

Ndërsa EA Solution, nuk rezulton të ketë kryer asnjë shërbim konkret, Andis Papa dhe Gëzim Hoxha, i kanë qëndruar deklarimeve të dhëna më herët, se këto pagesa i kanë bërë në favor të shoqërisë EA Solution, pasi një fakt i tillë i është propozuar nga Ermal Beqiri.

Konkretisht rezulton se shoqëria EA Solution, ka përfituar nga opëratorët ekonomikë “Soft & Solution" shpk; "Fastech" shpk dhe "First" shpk, 855.204.527 lekë (afro 8.9 milion euro me kursin aktual) si dhe 470 mijë euro.

Në total është kredituar shuma prej 100 148 000 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023 - 2025.

Në total është kredituar shuma prej 220 831 200 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2025.

Në total është kredituar shuma prej 470 441 Euro, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2024.

Në total është kredituar shuma prej 123 629 664 lekë, nga subjekti First shpk, përgjatë vitit 2024.

Më datë 28.01.2025 është kredituar shuma prej 174 834 120 lekë, nga subjekti Fastech shpk.

Nga kqyrja e të dhënave në sistemin CATS rezulton se subjekti EA Solution shpk ka faturuar shitje ndaj subjektit Fastech shpk për periudhën Dhjetor 2024 - Shtator 2025, shumën prej 235 761 543 lekë