Ermal Beqiraj, krahu i djathtë i Ergys Agasit, është arrestuar në Francë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme kishte lëshuar ndaj tij masën e arrestit me burg për dosjen e AKSHI-t.

Arrestimi i Beqirit ka ndodhur të shtunën pasdite, në rrethana të çuditshme dhe misterioze. Sipas mediave franceze ai ka qenë duke pilotuar një avion të vogël, i cili ra në sy duke “fluturuar mbi termocentralin bërthamor Penly në Seine-Maritime. Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3,500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturim mbi vende të ndjeshme”.

Situata ka alarmuar autoritetet franceze. “Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze dërguan një avion për të shoqëruar drejt aeroportit Albert në rajon e Somme aeroplanin që ishte në shkelje. Sapo zbriti në pistë, ai u arrestua menjëherë dhe u dërgua në paraburgim.

Një tjetër element i pazakontë ka rënë në sytë e autoriteteve franceze pas arrestimit të Beqirit. “Gjatë një kontrolli trupor, oficerët e zbatimit të ligjit gjetën tre AirTag të fshehura në rrobat e tij. Këta gjurmues të vegjël GPS, të prodhuar nga Apple, lejojnë identifikimin dhe gjurmimin e kujtdo që mban një të tillë”. Sipas mediave franceze “ky detaj, po e çon hetimin drejt teorisë se piloti mund të ketë vepruar nën presion nga dikush që porositi fluturimin”.

Edhe përgjigjet që Beqiri ka dhënë para autoriteteve nuk kanë qenë aspak bindëse. Sipas mediave franceze, “ai kishte pretenduar se kishte bërë një gabim me lartësinë e tij dhe u tha hetuesve se ishte "në telefon me nënën e tij" gjatë fluturimit mbi termocentralin bërthamor”.

Edhe vetë itinerari dhe plani i fluturimit të Beqirit “ka nxitur shqetësime. Duke u nisur nga qyteti i vogël i Albert, piloti fluturoi në veri drejt Calais përpara se të kalonte Brittany dhe në fund të kalonte mbi termocentralin bërthamor Penly”.

Beqiri mund dhe t’ia kishte hedhur paq, nëse gjatë verifikimeve për emrin e tij, nuk do të kishte dalë në dritë fakti që është në kërkim nga autoritetet shqiptare. Sipas mediave franceze, atij “iu dha një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7,000 eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral. Ai u dorëzua më pas në Zyrën Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri”.

Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.

Ermal Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese, një jaht luksoz, automjete të tjera si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve. Biznesmeni kishte vendosur jahtin 'Predator 50 Skyfall' me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions". Në sy bien edhe trualli në resortin "Green Coast" dhe vila luksoze në "Rolling Hills".

Beqiraj dyshohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë i është shtuar dhe akuza e korrupsionit.

Objektet e sekuestruara
Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë;
Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë;
Ndërtesa dhe truall nr. 5/3;
Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë
Apartament në Golem, Kavajë;
Mjet lundrues Yacht “Skyfall”;
Subjekti “S.S” sh.p.k.;
Subjekti “H” sh.p.k.;
Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”;
Automjete dhe motomjete sipas regjistrave;
Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.