TIRANE-Në përfundim të një procesi të gjatë e të hollësishëm hetimor dhe gjyqësor dhe pasi u dëgjuan dëshmitë e dëshmitarëve dhe personazheve të tjerë që kishin dijeni për ngjarjen, organi i prokurorisë ka gjetur fajtor ish-deputetin Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi si organizatorët e inskenimit e audiopërgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish – ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Prokurorët Genc Qano dhe Kolë Hysenaj paraqitën sot para gjykatës përmbledhjen e të gjitha konstatimeve hetimore, duke argumentuar se “Të 4 të pandehurit kanë fabrikuar prova të rreme me qëllim përfitimi financiar apo politik”. Sipas tyre “Salianji i ka premtuar 200 mijë euro Albert Veliut, i ashtuquajturi “Babale”, nëse i sjell një regjistrim që penalizon vëllanë e ish ministrit Fatmir Xhafaj”.

Në përfundim të këtyre konkluzioneve, dy prokurorët në pretencën e tyre kanë kërkuar nga gjykata deklarimin fajtor të pandehurit Ervin Salinji për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kallëzim i rremë”, parashikuar nga nenet 305 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim.

Në lidhje me këtë të pandehur, prokurori Genci Qama (ndryshe nga prokurori Kolë Hysenaj) kërkon që në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal të bëhet pezullimi i ekzekutimit të vendimi për një periudhë 3 vjeçare, duke urdhëruar të pandehurin që të mbaj kontakte me shërbimin e provës.

Gjithashtu prokurorët në pretencën e tyre kanë kërkuar deklarimin fajtor të pandehurit gazetarit Jetmir Olldashi për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kallëzimi i rremë”, parashikuar nga nenet 305 e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Edhe për këtë të pandehur në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, ata kërkojnë pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i pandehuri Jetmir Olldashi të përmbushë një punë në interes të publikut për një kohë prej 200 orë.  Prokuroria kërkoi po ashtu dënimin me 3.6 vite burg për Albert Veliun, i njohur ndryshe si Babalja, 3 vite për Fredi Alizotin.

Gjithashtu të pandehurit përveç dënimit penal, si palë humbëse dhe fajtore kanë tashmë edhe detyrimin e përballimit të shpenzimeve të hetimit dhe atyre procedurale. Më konkretisht shpenzimet procedurale në shumën prej 50000 mijë lekë dhe 13547 paund të kryera gjatë hetimeve paraprake, si dhe shpenzimet gjyqësore në masën që do të përcaktohet nga gjykata do ti ngarkohen të pandehurve.

Pretenca per dosjen Babale

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:08
Salianji reagon sërish për vendimin e Prokurorisë: Askush nuk më ndal dot

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar për të dytën herë për vendimin e Prokurorisë që kërkoi 1 vit e gjysmë burg për çështjen 'Babale'. Salianji shkruan se pavarësisht këtij vendimi, ai nuk do të ndalet në atë që quan betejën tij kundër korrupsionit.

"Askush nuk më ndal dot! Lufta pa kompromis për të vërtetën dhe të drejtën përherë triumfon siç ndodhi dhe në këtë rast me largimin e ish Ministrit të Brendshëm Xhafaj, burgosjen e nje trafikanti Xhafaj dhe largimin nga vetingu të tre prokurorëve Osmani, Kulluri, Bajrami dhe dy gjyqtarëve të krimeve te renda Baku dhe Përnoca qe mbajtën në këmbë këtë farsë që pamë sot!

Hilet, tradhtitë, pabesitë dhe joshjet me para, pushtet apo kalim vetingu janë shumë të përkohshme. Beteja të tjera na presin", shkruan Salianji.  

Ora 14:49
Prokuroria kërkoi 1 vit e gjysmë burg/ Salianji: Nuk i druhem dënimit! Janë sulme politike

Ish-deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se nuk i druhet dënimit duke i quajtur akuzat sulme politike. Salianji tha se pala e akuzuar kishte të njëjtin qëndrim me prokurorinë. Ai tha se do të kërkojë arrestimin e dy prokurorëve të çështjes.

"Nuk i druhem dënimit. E kam thënë në shumë raste kur kam dalë në publik. Janë sulme politike. Asnjë intrigë nuk mund të mposhtë dot të vërtetën. Pati vetëm një devijim nga dënimi për trafik droge i vëllait të ish ministrit të brendshëm, drejt një gjasme pretence ku Prokuroria në këtë rast bëhet pjesë me llumin, po pa diskutim që asnjë intrigë, pabesi tradhti nuk ia del që të mposhtë të drejtën dhe të vërtetën.Prokuroria lexoi fiks atë që tha kryeministri e avokati i Xhafajt.  Nuk tërheqim asnjë provë nga ato që kemi paraqitur jo vetmë për Xhafën por edhe për arrestimin e dy prokurorëve të çëhtjes. Këto janë prokurorë të drejtësisë së vjetër. Do të shihni që e vërteta është ajo që ne kemi deklaruar. Dënimi im është kërkuar që kur unë kam bërë publik këtë rast", tha Salianji.

Ora 14:34
Spaho për pretencën e dhënë nga Prokuroria: Po përpiqen të dënojnë denoncuesin

Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho  nga Gjykata Penale ka reaguar në lidhje me pretencën e dhënë nga Prokuroria për Ervin Salianjin, Albert Veliun dhe Fredi Alizotin, të cilët i akuzon për “kallëzim të rremë” të kryer në bashkëpunim.

"Përpiqen të dënojnë denoncuesit. Ata që sakrifikojnë edhe integritetin personal" ka thënë ndër të tjera Spaho.