TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha e ka cilësuar si një gjyq politik seancën e zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën Penale ndaj ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji dhe të akuzuarit e tjerë të dosjes 'Babale'. Në reagimin e tij, kreu i PD-së ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për dy prokurorët e e kësaj çështje Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, si të korruptuar që janë përdorur nga kryeministri.

"30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit", shkruan Basha.

Ndër të tjera, Basha shtoi se PD-ja do të vijojë luftën e tyre në atë që e quan luftë për drejtësi, për t'i dhënë fund lidhjeve të qeverisë me krimin.

"Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur", tha Basha.

Organi i akuzës kërkoi ditën e sotme dënimin me 3.6 vite burg për Albert Veliun, i njohur ndryshe si Babalja, 3 vite për Fredi Alizotin, 1.6 vite burg për ish deputetin Ervin Salianji dhe 1 vit për gazetarin Jetmir Olldashi.

Postimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha