Nuk kanë të sosur telashet me Drejtësinë për Belinda Ballukun. Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të mërkurë se me kërkesë të saj Gjykata ka vendosur sekuestrimin e një tjetër vile, në Palasë, “në pronësi faktike” të saj, por të fshehur edhe këtë herë nën emrin e ish futbollistit të njohur të kombëtares, Igli Tare. Vila, sipas Prokurorisë së Posaçme, është marrë në këmbim të të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese bashkë me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milion eurosh (me TVSH) per lotin 7 të Unazës së madhe të Tiranës.
Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parashë, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshejes së pasurisë”.
Vila e dytë e sekuestruar sot nga SPAK,gjendet në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Ajo ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.
Më herët Spak i kishte sekuestruar një vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, edhe kjo e rregjistruar në emër të Tares. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme kishte shpjeguar se ajo kishte qenë fryt I një ryshfeti, në këmbim të një tenderi që ajo kishte dhënë për rindërtimin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur kishte drejtuar këtë institucion.
Në njoftimin e SPAK-ut, shpjegohet se për të fshehur vilën në Palasë, “Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, në shumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë”.
Më tej në lojë ka hyrë Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, fituese në tenderin e Unazës së Madhe, i cili sipas Spak ka marrë përsipër pjesën tjetër të investimit “vlera e të cilit varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro”.
Kur gjithçka ka përfunduar “Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025”.
Për këtë rast nën akuzë ka përfunduar sipërmarrësi Abazi, i dyshuar për “Korrupsion aktiv”, si dhe kompania e tij. E po ashtu dhe Igli Tare, sërish i dyshuar për ‘pastrim parash”.
Në muajin korrik, BKH kishte kryer kontrolle te vila në palasë si dhe në zyrat e Abazit dhe Tares. Ky i fundit u thirr në Spak dhe 10 ditë më parë, ku u mor në pyetje, për më shumë se 3 orë.
Për Ballukun janë në fuqi dy masa sigurie, ‘ndalim për të dalë jashtë vendit’ dhe ‘pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike’. Fillimisht Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e vitit 2025 vetëm për tunelin e Llogarisë, tender me vlerë 190 milionë euro. Më pas SPAK njoftoi se e akuzonte zyrtarisht ministren e asaj kohe edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërkohë që vijonte hetimet për të gjithë këtë projekt madhor.
Për të shtata procedurat tenderuese të Unazës së Madhe, SPAK ka biseda të Belinda Ballukut me vartësit e saj, të gjetura kryesisht nga telefoni i kreut të ARRSH Ervis Berberi.
SPAK thotë në dosje se nga provat ka rezultuar se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse formalisht kompetencat ia delegonte vartësve të saj, i ndiqte personalisht procedurat e tenderave, nga faza përgatitore, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, e deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorët ekonomik fitues.
Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”.
Njoftimi i SPAK:
SPAK thellon hetimin dhe zbulon fakte te reja penale per procedimin penal 136 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, për faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për kryerjen e veprave penale:
A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:
1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).
2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.
3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.
4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”. 5.“Ndërtimi i Unazës sëJashtme Tiranë, Loti 4”.
6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.
7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.
8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;
B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, nëngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.
Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.
Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77, 80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.
Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.
Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.
Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.
Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma“a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.
Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:
-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:
-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).
Prokuroria e Posaçme vijon që të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për këtë procedim penal, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve penale që janë objekt i këtij hetimi.
-------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
-
akoma nuk e kan arrestuar kete 5 fytyreshe, dhe mbajn ne burg njerez qe kan ndertu nje banjo jasht shtepis pa leje,, turp qeveri e korruptume deri n fyt baraz me qeverin e salih berishovic
Përgjigju -
Prania besa....
Përgjigju










Komente
Komento