Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë këtë të enjte (9 prill) seanca paraprake për dosjen e Arben Ahemtajt dhe 10 të pandehurve të tjerë. Gazetarja Keti Banushi bën me dije se gjyqtari Erion Çela i cili ishte caktuar gjyqtari i seancës paraprake ia ka kaluar çështjen Rudina Palloj, pasi ka qenë gjyqtarja që ka shqyrtuar çështjen mëmë të inceneratorit të Elbasanit.
SPAK e akuzon ish-zv.kryeministrin Ahmetaj, në arrati që prej verës 2023, për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash në 5 raste në bashkëpunim dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie në 15 raste. Mes pasurive te padeklaruara nga Ahmetaj, SPAK ka renditur edhe shumën prej 93 500 euro të shpenzuara në një kazino në Maltë në vitin 2019, shpenzim ky i padeklaruar në ILDKPI atë vit.
Ai akuzohet si propozuesi i inceneratorëve në qeveri dhe për lidhje të veçanta me sipërmarrësit e tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Dy biznesmenët gjithashtu akuzohen se kanë korruptuar Ahmetajn dhe bashkë me të kanë pastruar paratë e paligjshme. Sipas SPAK-ut në 5 raste të verifikuara, Ahmetaj ka marrë prej tyre në formë ryshfeti afro 700 mijë euro.
Përveç Ahmetajt, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 10 persona të tjerë përfshirë këtu ish-bashkëshorten Albina Mançka dhe bashkëjetuesen aktuale, Erjola Hoxha, të dyja të akuzuara për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Dosja hetimore ndaj Ahmetajt doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceneratorit të Elbasanit. Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









