TIRANË- Erion Çela do të jetë gjyqtari i seancës paraprake për dosjen e Arben Ahemtajt dhe 10 të pandehurve të tjerë të cilët u dërguan për gjykim nga SPAK një ditë më parë. Çela do të vendosë nëse dosja e Ahmetajt do të kalojë ose jo për gjykim.

SPAK e akuzon ish-zv.kryeministrin Ahmetaj, në arrati që prej verës 2023, për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash në 5 raste në bashkëpunim dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie në 15 raste. Mes pasurive te padeklaruara nga Ahmetaj, SPAK ka renditur edhe shumën prej 93 500 euro të shpenzuara në një kazino në Maltë në vitin 2019, shpenzim ky i padeklaruar në ILDKPI atë vit.

Ai akuzohet si propozuesi i inceneratorëve në qeveri dhe për lidhje të veçanta me sipërmarrësit e tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Dy biznesmenët gjithashtu akuzohen se kanë korruptuar Ahmetajn dhe bashkë me të kanë pastruar paratë e paligjshme. Sipas SPAK-ut në 5 raste të verifikuara, Ahmetaj ka marrë prej tyre në formë ryshfeti afro 700 mijë euro.

Transaksione financiare, pagesa fiktive, shitje-blerje pasurish të patundshme të bëra në mënyrë fiktive për të humbur gjurmët e pronësisë fillestare te ajo fundore, të gjitha të shtrira në vitet 2016-2020, janë faktet në të cilat SPAK mbështet thelbin e akuzave.

Përveç Ahmetajt, SPAK ka dërguar me gjykate dosjen dhe për 10 persona te tjetër përfshirë këtu ish-bashkëshorten Albina Mançka dhe bashkëjetuesen aktuale, Erjola Hoxha, të dyja të akuzuara për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Dosja hetimore ndaj Ahmetajt doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceneratorit të Elbasanit. Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.

Të pandehurit dhe akuzat
Arben Ahmetaj - “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë” 9 herë, “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” 15 herë, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Albina Mançka - “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” 6 herë.
Erjola Hoxha - “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” 4 herë.
Mirel Mërtiri - “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në 5 episode.
Klodian Zoto - “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në 5 episode.
Andi Boni - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Elda Dinaj - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Gerian Kuka - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Helidon Begaj - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Sonila Goxhaj - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Sokol Meqemeja - “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë