DOSJA e 'arnuar'/ Zbardhen dokumentat, akuza s’ka prova të reja për Tahirin dhe Jaeld Çelën

DOSJA e 'arnuar'/ Zbardhen dokumentat, akuza s’ka prova të reja për Tahirin dhe Jaeld Çelën

Ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe ish-ministri u Brendshëm Saimir Tahiri

Përfundimi i hetimeve dhe marrja të pandehur të tre zyrtarëve të policisë në Vlorë dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri,nuk është shoqëruar me prova të reja nga ana e prokurorisë. Tre prokurorëve Vladimir Mara, Arenc Çela dhe Dritan Prençi i është dashur të mbledhin biseda të përgjuara në dy dosje të tjera, për t’i qepur ato në një dosje të vetme, siçështë ajo me katër të pandehurit e mësipërm të cilët akuzohen për “Trafikim të lëndëve narkotike” kryer në formën e “grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi kriminal. Për këto akuza prokuroria e Katanias ka hetuar Saimir Tahirin dhe ka vendosur të pezullojë hetimet, ndërkohë në Shqipëri prokuroria vendos të marrë të pandehur ish-ministrin e Brendshëm. Në fakt komunikimet në Chat kanë zbuluar se pjesë e grupeve kriminale në Vlorë, ishin edhe oficerët e policisë Sokol Bode e Gjergji Kohila për të cilët ka një sërë bisedash ku dalin zbuluar, duke komunikuar me trafikantët.

Ndërsa ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela implikohet nga prokuroria vetëm nëpërmjet një sms-je që i është dërguar për Vitin e Ri 2016, nga vëllai i Moisi Habilaj, Floriani. Ndërsa vetë Jaeld Çela ka ushtruar funksionin e drejtorit të policisë Qarku Vlorë nga muaji Tetor 2015 deri në 28 prill 2017. Këtij mesazhi Jaeld Çela, nuk i është përgjigjur, duke mos i shkruar asnjë lloj teksti. Por në dosjen përfundimtare, ku prokuroria i ka njohur me mbylljen e hetimeve katër të pandehurit Saimir Tahiri, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, duket qartë që ka bërë bashkimin e përgjimeve të dojes “Treblova” me dosjen e përgjimeve të kryera nga prokuroria e Katanias në Itali. Në materialin që disponon “Shqiptarja.com” vërehet qartë një miks përgjimesh të mbledhura nga dy procedime penale dhe të analizuara nga organi i akuzës në një dosje të vetme,ku tashmë i pandehur është ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri,ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Çela dhe dy drejtuesit e tjerë Sokol Bode dhe Gjergji Kohila. Këta dy të fundit në përgjime dalin dukshëm të implikuar me Moisi Habilaj dhe grupin e tij në Treblovë të Vlorës.Ndërsa për ish-ministrin Saimir Tahiri, prokuroria ka mbledhur disa të dhëna nga përgjigjet e letërporosive, disa informacione hyrje-dalje në kufirin me Greqinë dhe Malin e Zi, por dhe disa biseda spontane të bëra mes disa personave të arrestuar në Itali, ku përmendet emri i Saimir Tahirit.

Tahiri nuk del në asnjë moment duke biseduar me Habilajt, veç një rasti kur Artan Habilaj ka shkuar në Greqi dhe ka marë skafin e prishur, me të cilin kishte udhëtuar ish-ministri. Në këtë dosje, ka dalë dhe emri i biznesmenit Oresti Sota,i arrestuar pak kohë më parë me një sasi të madhe eurosh, i cili së bashku me shoferin e ish-ministrit Saimir Tahiri, Gentian Çeka, kanë pasur disa here komunikime me drejtorin e Vlorës Jaeld Çela. Nga të dhënat e dërguara nga kompania e telefonisë celulare, rezultuan njoftime për pronësinë e shtetasve Jaeld Çela, Gjergji Kohila etj., mbi 17 numra telefonikë. Nga tabulatet telefonike dhe qelizat e përdorura gjatë thirrjeve telefonike, të kryera nga numrat telefonikë celularë 069 88 17 XXX, 069 46 83 XXX dhe 069 38 96 XXX, të rezultuar të regjistruar në emër të shtetasit Jaeld Çela, njoftohet për nje sms nga Florian Habilaj, dhe komunikime me shoferin e ish-ministrit Tahiri,Gentian Çeka dhe biznesmenin e arrestuar dhe më pas liruar Orest Sota.

Mesazh urimi për Vitin e Ri

Habilaj i dërgoi një mesazh me tekst urimi, në datën 31 dhjetor 2016, por ndaj këtij mesazhi Jaeldi ka qëndruar indifferent dhe nuk ka kthyer përgjigje. Gjithashtu Jaeld Çela ka disa komunikime me shtetasin Gentian Çeka, duke përdorur ky i fundit numrin telefonik 069 88 83 XXX si dhe, komunikime me shtetasin Orest Sota, duke përdorur ky i fundit numrat telefonikë 066 20 20 XXX dhe 069 21 08 XXX. Jaeld Çela ka ushtruar funksionin e drejtorit nga muaji Tetor 2015 në 28 prill 2017.

Implikimi i Gjergji Kohilës me trafikantët

Ng tabulatet telefonike dhe qelizat e përdorura gjatë thirrjeve telefonike, të kryera tek 9 numrat telefonikë të rezultuar të regjistruar në emër të oficerit të policisë Gjergji Kohila, njoftohet për komunikime të kryera me Artan Habilaj, konkretisht Artan Habilaj, në datën 16 korrik 2016, me numrin telefonik 069 20 55 XXX, i dërgoi mesazh shtetasit Gjergji Kohila, në numrin telefonik 069 35 31 XXX. Nga tabulatet telefonike dhe qelizat e përdorura gjatë thirrjeve telefonike, të kryera nga pesë numrat telefonikë celularë ka rezultuar e regjistruar në emër të shtetasit Ermal Lulaj, se në datën 11 gusht 2016, Ermal Lulaj, me numrin telefonik 069 35 13 XXX, i telefonoi shtetasit Artan Habilaj, në numrin telefonik 069 20 55 XXX. Njëherësh Kohila në cilësinë e drejtorit të hetimit në Vlorë, fliste me trafikantin Taulant Haxhiraj dhe policing tjetër Renaldo Avdylaj, momentalisht në kërkim policor.

Implikimi i shefit të postës Sokol Bode e bisedat me Habilajt

Mes bisedave tëpërgjuara, ka dalë dhe emri i Sokol Bodes, që në atë periudhë ishte shefi i postës së kufirit në Dhërmi. Madje edhe pasi ishte transferuar nga Vlora në komisariatin e Pukës, sërisht Sokol Bode, ka qënë mjaft aktiv me trafikantët. Transferimi i tij në Pukë, ngjalli shqetësim mes disa prej trafikantëve, të cilët shpreheshin se kishin marë fund, i kishin këputur me këtë transferim. Gjatë kohës që po përgatitej trafikimi i një sasie të madhe droge anëtarët e grupit kriminal të Moisi Habilaj kanë bërë biseda telefonike dhe takime me qëllim trafikimin e saj në Itali. Në këto biseda del qartë dhe roli i Sokol Bodes, i cili ishte në shërbim të Moisi Habilaj. Në këto biseda dukshëm bie në sy prezenca e policisë në zonën ku vepronin anëtarët e grupit kriminal. Sipas prokurorisë në datën 26 shtator 2017 në mëngjes Moisi Habilaj ka telefonuar Sokol Boden dhe zhvillohet kjo bisedë:

Bode:Alo

Habilaj:Hë vëlla

Bode:Ika unë, jam në Roskovec mora dhe kamionin me bërsi

Habilaj:E more vetë

Bode:Jo jo erdhi shoferi vetë, i zoti i kamionit.

Habilaj:e mirë të keqen

Bode:Unë po iki me Fatjonin, mora dhe Çimin me vete

Habilaj:Kë Çim

Bode: (qesh) Çimin e Bodes, Çimin e Bodes

Habilaj:Hajt.

Ndërkohë në datën 15 tetor 2017 Sokol Bode ka telefonuar Florian Habilaj dhe është zhvilluar kjo bisedë telefonike.

Bode:Alo

Habilaj:po

Bode:Si je zoëtri mirë jeni

Habilaj:Mirë, faleminderit

Bode:Sokol Bode të shqetëson

Habilaj:Po

Bode:Po vij për dhjetë minuta në bazë

Habilaj:Ku të pres

Bode:Poshtë

Habilaj:A do të vij tek karburanti?

Bode:N’çole N’çole

Habilaj:Hajt se po vij aty

Mesazhet në CHAT

Sipas Aktit “Ekspertim Teknik i Telefonave”,aparati telefonik celular i markës “BlackBerry”, jep të dhëna për komunikime me sms dhe mesazhe “chat”, kryer nga i hetuari në dosjen “Treblova”, Taulant Haxhiraj, me persona të tjerë të paidentifikuar, në lidhje me kultivimin e lëndës narkotike. Gjatë komunikimeve rezulton se personat me të cilët komunikon, i japin informacione për qenien e tij në hetim nga krimet e rënda, për ekzistencën e përgjimeve të kryera nga “SHISH” (fjala për Shërbimin Informativ Shtetëror), për qenien në vëzhgim të vazhdueshëm etj., në lidhje me aktivitetin e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në veprimtarinë e tij, shtetasi Taulant Haxhiraj, sikurse rezulton nga hetimi i deritanishëm, ku gërshetohen përgjimet dhe vëzhgimet në terren, ka pasur lidhje me të hetuarin Renaldo Abdulaj, kunatin e tij Gjergji Kohila dhe Drejtorin e Policisë në Vlorë në atë kohë Jaeld Çela, konkretisht:

“Agushi” i dërgon sms “Xheku I”: “U pleksa me këtë legenin, kunat e GJ”

“Agushi” i dërgon sms “Xheku I”: “Po vlla ky GJ më thot mos dil”.

“Agushi” i dërgon sms “Xheku I”: “Dhe thash të pyesja njëherë ty vlla se kam hall se kërcënova atë që ti më thoshe mos u pleks”.

Inicialet e përdorura “R” dhe “GJ” dyshohet se i përkasin punonjësve të politikës Renaldo Avdulaj “R” dhe Gjergj Kohila “GJ”. Në funksion të fshehjes së identitetit të komunikuesve, janë përdorur gjithashtu: “Agushi”, “Fiati”, “Xheku”, “Adidas”, “Aliej” etj.

“Agushi” i dërgon sms “Alej”: “Atje e ka vllai me drejtorin”, dyshohet se njëri prej komunikuesve ka siguruar mbështetjen me shumë gjasa të vetë drejtorit të policisë.

“Agushi” i shkruan “Alej”: “O vlla vend ka po akoma s’kan marr garanci ata kushot e ministrit”, dyshohet se bëhet fjalë për sipërfaqe toke për kultivimin e bimës narkotike për të cilat pritet, me sa duket, marrja e garancisë nga vëllezërit Habilaj.

Mesazhet e shkëmbyera në datën 16 prill 2016 nga komunikuesit “Aliej” dhe “Agushi” i arrestuari Taluant Haxhiraj, njoftojnë se ky i fundit mori garanci nga strukturat e shtetit, për të gjetur toka në zonën e fshatit Kuç, Vlorë, për kultivimin e bimëve narkotike, konkretisht:

“Aliej: Andej, me garanci, ta morën përsipër, vlla?

Agushi: Po ma morën vlla.

Aliej: Apo në ajër?!

Agushi: Po s’ka garanci të saktë fare. Më thanë kaq pak do i mbroj?!

Aliej: Po të vëmë më, ka vend për të mëdha?

Agushi: Po të saktë fare s’e kam, se mos i lëvizin?

Aliej: Vlla, je marr vesh, vlla?!

Agushi: O vlla, vend ka po akoma s’kan marr garanci ata kushot e ministrit ... dhe them garant e të del ndryshe ... S’dua të të bëj garantin e të dal ndryshe, vlla.

Aliej: Të marr vesh, vlla.

Agushi: Më kupto se un e di si mendon ti, të hidhemi, po një garanci ta marr, vllai. Dhe më ka thën ai kushua jot, do sillte, do lidhej me njërin që ka baçe e garancinë me shtet e merrja un...se më ka dhën ok për këtej na fshati Kuç, vij më ka thën.

Aliej: Është dhe ai, aty ku je ti, në të njëjtën zonë.

Agushi: Po jo vlla, un i kam afër në Vlorë.

Aliej: Të marr vesh.

Agushi: Shteti ma jep garancin të plot në Kuç. Më jep këtë gjë po s’kam njeri atje. Atje e ka vllai me drejtorin, të sigurt.

Aliej: Ai ka për të ngrën zogj, a të keqen vëllai, si ka për të bër punë.

Agushi: Më tha ai në Kuç, vij sa të dush 30 për qind, këtyre dhe hajd t’i vem vlla, po s’po gjej tokë. Ka vajt një na Vlora në Kuç që ju ka dhën leje ky dhe, ai na Fr... që po bën të madhe. Pastaj kan vën pa leje. Po të gjejm tok atje vlla, të dal garant, vllai.

Aliej: të marr vesh vlla.

Agushi: Jo vetëm në Kuç, Bolen, Kallarat, Vranisht, kudo në këto të del vllai garant, të mbrojtur e të sigurt, si më kan thën.

Aliej: Po do fol me na një që ka tok, vlla. Po k’ta që dalin garant, sa përqind kërkojn vlla?

Agushi: 30 për qind.

Aliej: Po si i duan, gjëra apo lekë, vlla?

Agushi: Gjëra ça lekësh!

Aliej: Të marr vesh.

Agushi: Sot që po flasim, më kanë lënë 80 kile mua në shpi atë të tyren.

Aliej: Të marr vesh vlla”.

Mesazhet e shkëmbyera në datën 8 maj 2016 nga komunikuesit “Usta” dhe “Agushi” Taulant Haxhiraj, njoftojnë përcjelljen e shqetësimit të këtij të fundit për transferimin e një punonjësi të policisë nga Vlora në Shkodër, mbështetës i veprimtarisë së tyre. Duke e parë këtë njoftim në unitet me njoftimin e përftuar nga prova dokument, organika e Drejtorisë së Policisë Vendore Vlorë përmendur më sipër, rezulton se bëhet fjalë për shtetasin Sokol Bode, konkretisht:

“Usta: Çfarë po bën vëlla?

Agushi: Ja sa po shkruaj me atë vlla.

Usta: Ok, më thuaj që të të lëviz të paktën, vëlla.

Agushi: Të më vdes djali, nuk të gënjej, më tha, ja do të them kur të nisem, po lëviz ti vlla, le të presi ai me mua.

Usta: Ok.

Agushi: O vlla, e hoqën atë, na këputën. Në Shkodër e çuan.

Usta: O vëlla, e mora vesh.

Agushi: Na këputën fare”.

Mesazhet e shkëmbyera në datat 22 dhe 23 shtator 2016 nga komunikuesit “Agushi” dhe “AdidaS” njoftojnë dhënien e informacioneve, të marra nga punonjës policie, për hetimin nga krimet e rënda, për përgjimet e “Shik” (Shërbimi Informativ Shtetëror) dhe, për vëzhgimet në vazhdimësi, konkretisht më datën 22 shtator 2016:

“Agushi: O vlla, tani më erdhën, se jam në fshat...

AdidaS: Ça ke bër, si po kalon? Ça bëhet andej, ke marr vesh na një gjë, ça bëhet?

Agushi: O vlla qetësi. Këta jan zhduk të gjithë.

AdidaS: Atë e ke takuar më, kur ta takosh prap atë shokun...ça të tha, të të thot na një gjë tjetër, e të na thotë na një gjë, ça duhet të bëjm ça s’duhet të bëjm, si ta kapim fillin që të zgjidhim k’to ça jan. Ça kemi në dorë të bëjm?

Agushi: Fola sot me atë shokun, më tha duro dhe dy ditë, vlla, se po i mbyll ai.

AdidaS: Si po i mbyll ai? S’e kuptoj.

Agushi: Dhe do më jepni një drek, këtë më vuri gjobë, o vlla, di... ishte me këta ai të Tiranës.

AdidaS: Ku qe?

Agushi: Do ju lë vetëm Shikun tha, do t’i zgjidh unë.

AdidaS: Po ata s’po bëjn asgjë, ça jo kshu po ashtu!

Agushi: Në Vlorë o vlla, po kujt do i bëjn, kan ik të gjith.

AdidaS: Pse aty jan, mua më than jan aty.

Agushi: S’ka njeri fare,... ai tha, do të them, mos u duk dhe dy ditë, po ja se do mbyllen. Shiku do jet nëpër këmb, s’do takosh njeri. Kshu më tha të them vlla. Mase dhe jan o vlla, s’di gjë, ça më tha ky të them, vajti ky që rri un takoj atë që të thash, kushua jot.

AdidaS: Mirë o vëlla, mirë.

Agushi: Ça nuk i kish thënë!

AdidaS: Ça?

Agushi: Gjithë Vlora vlla, ky ka një foto me mua, ja kishin treguar. Po i din të gjitha o vlla!

AdidaS: Ça i kish thën, që thua, ça s’i kish thën?

Agushi: Ça ham, ku pim dhe, për mua për ty...

AdidaS: Si ça ham, ku pim? Po ça, thuami konkrete, o vlla. Po me ça merremi, ça bëj un ti, ke nis pun ku u kapën katër tonë. Me kë e ke nis. Po un kam frik mos ka fol ndonjë na ata në Itali. Se fiks mbas asaj erdhën këta. Po ata nuk faktojn dot gjë, than se nuk bëjn dot lidhjet tani.

Agushi: Po ku di gjë unë... vetëm se ka pas list në xhep ai që është kapur... E marr vesh, vetëm e din me fjal, me gjëra, me fakte s’bëjn dot gjë. Se asnjë nuk takon me njëri-tjetrin, kan thën. Se ti thua piva kafe, tel nuk ke, vlla, vetëm foto.

AdidaS: Po s’kam as tel as gjë, foto, vetëm s’e di.

Agushi: Ti je përgjegjës për vrasje dhe je në përgjim dhe të dolën këto.

AdidaS: T’i mbaj, të na i tregoj fotot ai, si si...?

Agushi: Kshu më tha ky i Vlorës, ti je në përgjim për një vrasje... në përgjim, tha, mund të jet gjith jetën.

AdidaS: Për ça vrasje, nuk sqaroj më shum, dhe ku i kam përgjimet, kur m’i vun, unë një muaj jasht!

Agushi: Më sqaroj, vlla, i ke gjith kohën vlla dhe kur ke qën Brenda, tel na burgu. S’po themi për tani vlla.

AdidaS: Po për ça nuk të thot më shum, për ça më përgjojn, për ça jo? Si mund t’i heqim këto gjëra.

Agushi: O vlla nuk i heq dot, nuk të ka policia, as duan t’ja din. Eshtë Shiku vlla, dhe raportojn me qendrën, tha, në Tiranë. Po mos u shqetësoni, tha, ata atë pun kan. Le të mbajn, i thash un, po të ri andej. Po do vi ai, tha, prap qepen, tha deri sa të lodhen, tha, se nuk ndërhyn dot ata, tha, jan spiuna, atë pun kan, ça dëgjojn e shkruajn, tha, ata shkruajn dhe për policin, tha.

AdidaS: Po kta, tani, jan na krimet e rënda apo është Shiku, se s’po e marr vesh tani?

Agushi: O vlla, jan na krimet e rënda. Po ata s’të njohin as ty as mua, asnjeri, jan oficerët e Shikut Vlorë, që i shoqërojn këta, janë operacionalia.

AdidaS: Po ky, ça tha ky tani, që do t’i rregulloj vet kto fotot, kto gjërat, unë, thotë? Po përgjimet ambientale ça kan? Si do t’i heqi ai?

Agushi: O vlla, ato s’i heq dot ai, po kemi ambientale te Shiku.

AdidaS: Po ça do bëj ai, ça do heqi? Si do ja bëjm, ça do bëhet? Po kemi apo s’kemi ambientale ne?

Agushi: Ai po anashkalon mua, ty dhe nja dy të tjerë, sa të mbyllet, vlla, se me Shikun, ma tha, do i keni na mbas, vetëm s’do të finalizohet operacioni të jemi dhe ne.

AdidaS: Po kta dy të tjerët, kush jan, i njom? Si s’do të finalizohet operacioni, të jemi dhe ne!!? Do ta bëjn për të bër operacionin, ça do bëjn?

Agushi: Do ta bëjn dhe s’do jemi, do ta mbyllin, po s’kan me kë, jan njoft të gjith, s’ka njeri fare.

AdidaS: Kur ta bëjn? Po si ta bëjn kur s’ka njeri pasaj?

Agushi: O vlla, po se di kujt i është prer fleta dhe pse s’i kapin. Se më tha, do bëjn arrestime dhe, tre oficer policie do arrestohen.

AdidaS: Arrestohen! Jo arrestohen! Hahahahahaha. Mirë ja do i shikojm. S’di ça të besosh e ça jo, tani.

Agushi: Po ashtu është, o vlla, s’e bëjm dot të fortin, o vlla, se s’kemi gjë në dor.

AdidaS: Për ça thua?

Agushi: O vlla, që mos të ruhemi na këto...

AdidaS: Ok, vëlla”.

Biseda e datës 23 shtator 2016

“Agushi: O vlla ça po bën?

AdidaS: Hiç ça do bëj tani, po dal. Ça bëre ti, mirë i gdhirët andej?

Agushi: Po mir o vlla, ja vajta çova djalin në kopsht, rastësi takova një të krimeve, më tha po ty të kan prer fletën, më tha. Jo i thash, ç’ne un! Ça thua, tha, ty. ...Jo, o vlla, më tha, u hapën që do priheshin, po as ti, më tha, as kushua nuk ju është prer gjë, tha, kur s’ka prova nuk mund të prihet asgjë, rrini të qet, më tha, kshu më tha kshu të them. Se un po lëviz nëpër Vlorë”.

Të njëjtat njoftime përftohen edhe në mesazhet e shkëmbyera nga komunikuesit “Agushi” dhe  “Xheku 1” në datën 19 shtator 2016 konkretisht:

“Xheku 1”: Ça bën, si je vlla?

Agushi: O vlla, si të kam? Suksese për punën e re! Na shpija mir i ke? Fola pak me “gj”. Më tha është një procedim, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ça të doli ty vlla, se më ka ik mendja keq fare. Të më falësh se u futa direkt në hallin tim, po qëkur ike ti më mori lumi mua, me këta legena që kan ngel këtu!

Xheku 1: Unë hiç vlla. Mirë për zotin, shtyu këtej. Po me kujdes aty!

Agushi: Po aty është më mir.

Xheku 1: Mos u hap shumë, mos dil shum vërdall! Po këtu mir vlla... Ti ça bëre andej, mir dole, apo nuk ke mbaruar akoma?

Agushi: Ma pren, o vlla.

Xheku 1: Ça thua, bobo!

Agushi: U pleksa me këtë legenin, kunatin e “gj”.

Xheku 1: Unë nuk kisha ndonjë gjë vlla, vet të kërkova.

Agushi: Dhe kan ruajt këtë dhe më kan hap problem gjith Vlora, atje te mua vetëm këtë pren.

Xheku 1: Po ça thua! Unë fola me atë shoqen qëparë. Po ç’farë halli kishte ajo, se s’kisha ku të flisja.

Agushi: Po vlla, ky “gj” më thot mos dil. Do të them un, thotë, se janë një grup në Vlorë.

Xheku 1: Po të mos gënjejnë, apo bëjnë kot ata, për t’u dhënë ndonjë gjë?!

Agushi: Dhe thash të pyesja njëherë ty vlla, se kam hall, se kërcënova atë që ti më thoshe mos u pleks “R”.

Xheku 1: Kë vlla?

Agushi: Dhe ai thot, ky është gati për arrest. Reni.

Xheku 1: Kërcen.

Agushi: Legeni!

Xheku 1: Ai?

Agushi: I thash dua lekët, se më morët në qaf!

Xheku 1: Të bën presion, o vlla, për këtë problem.

Agushi: Tani, më thon, na kan bër foto. Ka ardh Tirana, duan të të arrestojn. Ai është zhdukur. Reni.

Xheku 1: Lëre se gënjejnë, ça thua ti, s’ka shans!

Agushi: Se do ndalojn tre oficer policie, jam edhe un në këtë mes.

Xheku 1: Kush të tha ty për mua që erdha këtej?

Agushi: Po mir, më mir na këtu je, besoj. Po “gj”? Qëpar fola.

Xheku 1: Po ç’ne, ra muhabeti apo vet?

Agushi: Po më sqaronte, o vlla, ta dish ti sa ndere ju kam bër na ana jote jo vet, më tha, po me atë ke fol, se sa herë kërkonin nder përmendeshe ti dhe si përfundim ma futën... Bota është portokalle.

Xheku 1: Po thash, vlla, u bë keq aty, po të isha unë mase do kishim bërë ndonjë gjë. Se dhe ca shok që kisha unë mbaruan shpejt e shpëtuan, vlla. Se cave, tani në fund, i dogjën të gjith këta.

Agushi: Po vlla, un vajta, mblodha gjith Vlorën, te miku jot i parkuan.

Ustai: Unë me kamion, pa lidhje, për këta dhe ma pren mua për dy dit, mbaroja pun, e dogjën. Se mund ta kisha regulluar, po i vun flakën se un ju prikja pun, të pabes, vlla...”.

Mesazhet e shkëmbyera ndërmjet komunikuesve “Agushi” dhe “Fiati” ky i fundit dyshohet se përdorej nga Gjergj Kohilla, njoftojnë dhënien e informacioneve, nga ky i fundit, për hetimet e kryera, konkretisht:

“Agushi: O vlla si je, ça bëhet? Po lëviz, vllai, nëpër Vlorë, po thjesh me familjen, s’bëj asgjë, të dal normalisht vlla... se jan hap llafe, jan prer ca urdhër arresti, vlla, për mua, atë kusurin tim, e ca çuna të tjerë... apo llafe Vlore?

Fiati: unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ket prova që të priten urdhra arresti. Ju kan kapur gjë?! Po s’kan prova, s’ka urdhër arresti. Njerëzit ju din në burg. Po me këto intriga që bëre ti me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë.

Agushi: Ça intriga bëra un, o vlla?! Vetëm un s’bëj intriga. Të përshëndeta qëpar, s’më pe. Mua ma bën intrigën, më morën në qaf, po varja o vlla, po të jet ndonjë gjë, më thuaj të ndërhyj. Në Tiranë kam njerëz. Po ç’ne na din në burg, ne ça kemi bër apo baçja jon, ne përball i kishim, dhe është me 100 mijë rrënjë, nuk i shikojn, kjo jona dukej! Hahahaha.

Fiati: Hahahahaha.

Agushi: O vlla, të rri vllai i qet në shtëpi, se vetëm te llafi jot kam besim.

Fiati: Ri o vëlla. Unë kam sjell atë timin në punë. Po nuk është se dukej baçja. Dukeshit ju më shum se baçja. Sikur kishit 200 mijë.

Agushi: Ok vlla, ore të pyes ty un, pa atë s’e pyes më un, varja iku ajo, rëndësi ka të jemi të qetë tani, vlla”.

Bisedë e datës 28 shtator 2016

“Fiati: Ça bëre, mirë? Si ke qënë?

Agushi: Mir vlla si je ti, tani e pashë.

Fiati: Bëj kujdes nga nesër!

Agushi: S’po e kuptoj vlla?

Fiati: Se do kesh grupe nga nesër, nga pas!

Agushi: Ça ka ndodh?

Fiati: Kan ardhur këta të vëzhgimit, për atë që kishit...

Agushi: Ka ndonjë rrezik se un asgjë s’bëj më. Ça do vëzhgojnë ata!? Kur çoj djalin në kopsht, vlla.

Fiati: Po s’bën gjë. Ri në shtëpi, mos e vra mendjen.

Agushi: Po vlla, asgjë s’po bëj më, i kam bër stop gjithçka.

Fiati: Shko porosit ata djemtë që kishit lart, të ken kujdes, se do jen dhe ata në vëzhgim. Hiqu numrat e tel... Mos harro!

Agushi: Ok vlla, sa do zgjas kjo, po ata s’merren me asgjë, një punon kamerier, një në pik llotoje, jan me pak llafe, hallexhinj, vlla...

Fiati: E di, por thuaj të bëjn kujdes, s’ka problem. Kanë shkruajtur prap ata të Shikut.

Agushi: Po un të dal nesër, vlla, normalisht jetën e përditshme?

Fiati: Do keni ndonjë spiun brenda!

Agushi: Po për ça do spiunoj tani, o vlla, as me asnjë nuk po takohem, më...

Fiati: Ok, mos u thuaj me kë flet ti, se flasin në tel ata, e s’na thon më gjë neve ata.

Agushi: Të dal normal nesër un, vlla, jetën e përditshme apo të fshihem? Ok, pa merak, jo vlla, jo si e do i them.

 

Fiati: Dil normalisht, mos e vra mendjen, po s’bën gjë. Porositëm ata djemtë të rinë mirë! Hë, mos e vra mendjen fare.

Agushi: Ok vlla, jo jo vlla asgjë, po të bëja do ishe i pari do të thoja, vlla dhe, do të pyes kur të filloj pun.

Fiati: Ok”.

Bisedë e datës 2 tetor 2016.

“Agushi: Ç’ishte ky lajmi, po lexoja s’më pëlqeu, apo s’ka lidhje?

Fiati: S’ka lidhje vëlla, ky për baxhanakët....

Agushi: Ok vlla, për merak të pyeta vlla. Po vlla”.

Bisedë e datës 19 shtator 2016

“Agushi: O vlla, më ka bër merak ai... më jan shqetësuar ata në shpi, nusja rrezik dështimi... A mund ta di ça kam?... O vlla se ku s’kam pyet, s’ke gjë më thon.

Fiati: Ka një procedim... Tek Krimet e Rënda ... Keni qënë në përgjim.

Agushi: Po për ça o vlla... Për atë baçën?

Fiati: Jo për atë.

Agushi: Po ç’ne un për gjëra të tjera!

Fiati: Ai është çelur për disa persona nga Vlora... Për kultivim... Nga këta persona që unë akoma s’e di kush janë, keni dalë dhe ju.

Agushi: Dmth për kultivim... Jam.

Fiati: Nuk është ndonjë gjë serioze... Por për siguri pasi nuk dim gjë tjetër.

Agushi: O vlla, jam për kultivim, se ai më tha për vrasje... C’ne vllai!

Fiati: Se këtu ka grupe vëzhgimi.

Agushi: Me këto gjëra, qajnë natë-ditë në shpi, i ka pataks.

Fiati: Jo mor vlla, ça vrasje!

Agushi: O vllai im!

Fiati: S’ka lidhje, asnjë vrasje vëlla... Hajde në shtëpi ri, mos e vra mendjen!

Agushi: Po si i bëhet, o vlla?... Un jam bër si barbon!

Fiati: Unë i thash vetëm të pastrojë shtëpinë... Dhe tele... S’i kam thën gjë tjetër.

Agushi: Rrugve do vin të t’marrin, është prer fleta, nusja shtruar në spital... Më ka ik mendja.

Fiati: Jo mor vëlla, s’ka flet... Flitet që do arrestohen nja tre policë... Ngaqë të kan bër një foto me të kur i ke dhën lekët... I thash të të lajmëronte... Të bëjë kujdes...

Agushi: Mir o të keqen vllai dhe i thash jo këto lekët, s’ka gjë tha.

Fiati: Ktheu në shtëpi vëlla.

Agushi: Po mos na marin, o vlla!

Fiati: Po sikur i hoqëm të gjitha provat... Tek lekët... Vetëm aty mund të kapen.

Agushi: Po i dhash për makinën...

Fiati: Do ta justifikoni se keni shitur makin njëri-tjetrit.

Agushi: Po ore, vlla... Pse do na pyesin?

Fiati: Në tel keni folur... Apo keni qen të kujdesshëm?

Agushi: Ça të kujdesshëm... Ai ma lëshonte...

Fiati: Kshu ashu... po ça t’u them unë vëlla?!... Ju sikur jeni 5 vjeç. Mir ai që është budalla po dhe ti pas atij!

Agushi: Po un s’kam fol. Isha i rezervuar se kam një jet, o vlla. S’jam djeg njëherë. Këtij do ja ken bër kastile, hapej shum.

Fiati: Po më zuri goja lesh me të. S’kam ç’i bëj vëlla!

Fiati: Po përpiqem tani mos i mbyll...

Agushi: Po si i bëhet ku duhet të ndërhyj... Të vete në shpi, se ngela rrugëve...

Fiati: Shko në shtëpi!

Agushi: Po ça thua o vlla, ai të merr në qaf.

Fiati: I hoqe tel?

Agushi: Po vlla.

Fiati: As mos i fol më!

Agushi: Po ça thua, o vlla.

Fiati: As mos kontakto më me të.

Agushi: Lash fëmijët rrugve, isha mir...

Fiati: Po as këtë tel s’ja mësove dot, idiotit?!

Agushi: Po ku mer vesh ai, o vlla... Na mori lumi.

Fiati: Flet sikur ka mbjell domate... Qetësohuni! Kishe folur në fb me Fjorin? Ke bër gabim... Po ty të kan ngatruar me ato grupet e vëzhgimit...

Agushi: Dmth, në vend të atij, kan ruajt mua.

Fiati: Ka mundësi mos t’i flasësh më atij.

Agushi: Dmth, mos të ndërhy në asnjë vend?

Fiati: Jo vëlla, prit se do të them unë... S’jeni vetëm ju të dy. Jan disa persona. Kan ndërhyr ata.

Agushi: Ok vlla, mos të dal fare.

Fiati: të presim.

Agushi: Të ri dhe ca dit kshu deri sa të më thush ti!

Fiati: Po mir është të rish dhe ca dit.

Agushi: Ok vlla... Po me Xhekun ke fol, vlla?

Fiati: Po, e porosisja çdo ditë. Ku dija unë që ishte kalama ai. Po kam fol, ka ardhur në Tiran me punë...

Agushi: Po duhet gjë për të ndërhyr, më thuaj...

Fiati: Kujdes me tel...

Agushi: S’kam tel më, vetëm këtë kam, vlla.

Fiati: Hahahaha! Mir vëlla”.

Ish-ministri i Brendshëm zyrtarisht i pandehur

Tahiri: Drejtësia, krimi dhe politika bashkë kundër meje

Pas afro 16 muaj Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe këtë të enjte i ka komunikuar atij statusin e të pandehurit. Ai është njohur me tre akuza të ngritura nga Prokuroria për krime të Rënda. Tahiri u njoh me tre akuza, të trafikut të drogës, krijimit të grupit të strukturuar kriminal, dhe kryerja e veprës penale në kuadër të grupit kriminal.

Ish-ministri e quan një proces të komanduar, dhe sqaroi se kjo fjalë, nënkuptonte një lidhje të politikës, krimit dhe drejtësisë, në të njëjtën forcë lidhjeje sipas tij si: "Ati, biri dhe Shpirti". "Akuza ishte më e rëndë se kaq… ishte trafik droge, krijimi i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Unë besoj që, nuk më vjen ndërmend njeri tjetër, por pas Aldo Bares ndoshta, jam i dyti me këtë akuzë. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar, siç e nisi ashtu e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që ka nga brenda për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem me drejtësinë. Do të vazhdoj ta respektoj deri në fund drejtësinë. Prokuroria sic e nisi e bitisi atë punë. Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa s’është dhe Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh",tha Tahiri në një prononcim për mediat pai doli nga prokuroria.

Tha se ende nuk ka marrë asnjë provë të re në prokurori, pasi tha që do njihet më vonë me të. A ka frikë se prokuroria mund të kërkojë arrestimin e tij përsakohë ka ngritur këto akuza të rënda. Edhe kur sapo doli nga prokuroria për Krime të Rënda, u shfaq i buzëqeshur. Në të njëjtën dosje mbi Tahirin janë dhe tre ish-zyrtarë të lartë të policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Njeriu i protestave: 01/03/2019 13:41

    Po harrut ju qe ka nje vite qe Tahiri ka zhdukur te gjitha provat..pse u VRA SHOFERI I TI ..a u gjet i vrar

    Përgjigju
  • Njeriu i protestave: 01/03/2019 13:40

    Po harrut ju qe ka nje vite qe Tahiri ka zhdukur te gjitha provat..pse u VRA SHOFERI I TI ..a u gjet me plumb nebkoke mbrenda Garazhdit..apo harruat..ky eshte shteti krimit

    Përgjigju
    • goni: 01/03/2019 15:59

      u vra shoferi i xhafes.. o idiot

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'