TIRANE-Gjykata e Posaçme pranoi sot (20 dhjetor 2024) kërkesën e SPAK dhe kaloi për gjykim dosjen ndaj Ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve publikë ne lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës.
SPAK e akuzon ish deputetin socialist Alqi Bllako se është i përfshirë në dy raste korruptive për të favorizuar biznesmenin Klodian Zoto mbi procedurat e ndërtimit të inceneratorit.
Alqi Bllako gjykohet në një proces tjetër gjyqësor, të veçuar nga 12 të pandehurit e tjerë mes tyre dhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka për të cilët më 13 dhjetor 2024 GJKKO kaloi edhe për ta dosjen për gjykim. Ndërkohë po këtë datë, në një seancë tjetër gjyqësore GJKKO vendosi lehtësimin e akuzës ndaj tij në ‘korrupsion i nëpunësve publikë’, duke pranuar kështu kërkesën e mbrojtjes që argumentuan se pozicioni i sekretarit të përgjithshëm të ministrisë nuk përfshihet te zyrtarët e lartë.
SPAK dërgoi për gjykim Alqi Bllako, më 17 nëntor 2024, për inceneratorin e Tiranës. Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste dhe përfitoi 119,755 Euro si pagesë për makinerinë e verërave të të atit.
Kujtojmë se Bllakos i është bërë një kualifikim i tillë i veprës penale edhe në dosjen për inceneratorin e Fierit, gjyq në të cilin ai u dënua me 2 vite e 8 muaj burg, por çështja u rikthye për gjykim nga Apeli i GJKKO-së .