Domart Konjari, personi që solli përplasjen e ambasadës franceze me drejtësinë shqiptare, do të gjykohet në Shqipëri. Megjithëse ai u lirua nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, një vendim i dytë i dhjetorit 2016 ka vendosur në mungesë rikthimin e Konjarit në qeli.

Nga dhjetori, Domart Konjari është shpallur në kërkim prej prokurorisë, por ende nuk është arrestuar nga Policia e Shtetit. I pandehuri akuzohet se ka krijuar organizatë kriminale në Francë, aktiviteti i së cilës ishte trafikimi dhe shitja e lëndës narkotike heroinë. Ky shtetas u arrestua fillimisht në 18 janar 2016 në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në Korçë, pasi iu gjetën dokumenta të falsifikuara me emrin Arben Lazri dhe, për këtë arsye, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.

Në bazë të veprimeve proceduriale, u identifikua se ky shtetas ishte Domart Konjari, për të cilin kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar nga autoritetet franceze, pasi ai ishte dënuar me një vendim jopërfundimtar me 10 vjet burgim. Autoritetet franceze u kishin bërë gjithashtu një kërkesë autoriteteve shqiptare që, nëse arrestohej, gjykimi ndaj tij të zhvillohej në Shqipëri. Sot gazeta “Shqiptarja.com” boton të plotë dosjen e autoriteteve franceze, që kanë dokumentuar të gjithë aktivitetin e grupit të Konjarit.

Dënimi i Konjarit me 10 vite burgim
Autoritetet e Drejtësisë Franceze, përkatësisht Prokuroria e Lartë e RENNES, ka zhvilluar hetime për një organizatë kriminale, në përfshirje të së cilës bëjnë pjesë disa persona, ndër të cilët dhe shtetasi Domart Konjari, shtetas shqiptar, për kryerjen e një sërë veprash penale në fushën e trafikimit të lëndeve narkotike, pastrimit të parave të trafikut të lëndëve narkotike dhe kontrabandë mallrash të ndaluara, parashikuara si vepra penale nga Kodi Penal francez. Në përfundim, shtetasi shqiptar Domart Konjari, me datë 13 nëntor 2015 është dënuar në mungesë nga Gjykata e kundravajtjave penale e Rennes, me një dënim 10 vjet burgim, si dhe dënime të tjera plotësuese, vendim i cili nuk ka marrë formë të prerë. Autoritetet e Drejtësisë Franceze kanë kërkuar, nepërmjet ndihmës juridike në fushën penale, që Autoritetet Shqiptare të ushtrojnë ndjekjen penal ndaj shtetasit Domart Konjari, për veprat penale të kryera në Shtetin e Francës, për të cilat akoma nuk ka një vendim të formës së prerë.

Kapja e 28 kg kokainë në makinat eskortë
Nga hetimet e realizuara në Republikën e Francës ka rezultuar se, nga përgjimi i datës 7 tetor 2011 rreth orës 0:00, shërbimet e doganës proceduan me kontrollin e një automjeti MITSUBISHI COLT me targa BP-006-AE në pikën e pagesës së autostradës të ndodhur në BENESSE MAREMNE (40) në [autostradën] A63. Ky automjet drejtohej nga Ilir GASHI, me shtetësi shqiptare dhe banim në periferi të NANTES (44). Kontrolli i mjetit do të çonte në sekuestrimin e 28 kg e 260 g, të fshehur në një hapësirë të posaçme krijuar në sediljet e pasme. Hetuesit zbuluan disa shenja biologjike në automjet dhe në veçanti një shenjë ADN që i përket Genc DERVISHIT në nivelin e dorezës së derës së përparme djathtas. Ilir GASHI u arrestua dhe iu gjet në posedim një telefon të markës LG kushtuar transportit të lëndëve narkotike, i cili përmbante vetëm 2 numra në repertorin e tij që ishin numra telefonikë spanjollë. Një nga këto dy numra ishte i regjistruar me emrin “Qen”. Nga analiza e tabulateve të këtyre dy numrave doli një lidhje e ngushtë në lëvizjet e tyre, karakteristike e një lëvizjeje në kolonë prej 2 automjetesh, numri “Qen” përdorej nga hapësi i rrugës. Në momentin e arrestimit në Landës, numri “Qen” ndërroi papritur rrugë dhe u drejtua nga jug-lindja e Francës, duke kryer thirrjen e fundit në orën 03:44 në POUSSAN. Në të njëjtën ditë (7 tetor 2011) në orën 12:44 nga një kabinë telefonike në CIOTAT (13) u kontaktua telefoni i zakonshëm i Ilir GASHIT. Telefoni ndodhej në shtëpinë e tij në NANTES dhe ishte inaktiv që prej datës 27 shtator 2011. Në të njëjtën kohë, një kartë telefonike Intercall përdorej në po këtë kabinë. Verifikimet e mëpasshme do të tregonin që kjo kartë ishte përdorur shumë shpesh në rajonin e Nantës gjatë muajve të kaluar dhe antenat telefonike që aktivizoheshin nga këto kabina telefonike aktivizohesh njëkohësisht dhe në shumë raste edhe nga numri i zakonshëm i Genc DERVISHIT. Pasi e kundërshtoi përgjatë gjithë hetimit, Genc DERVISHI do të pranonte në seancë që ishte në fakt ai përdoruesi i kësaj karte Intercall, të futur në kabinën telefonike në CIOTAT ditën e arrestimit të Ilir GASHIT. Ky rrëfim ishte i mjaftueshëm për të konfirmuar se ai ishte përdoruesi i numrit “Qen”, të përdorur nga makina hapëse e rrugës që u arratis drejt MARSEILLE pas ndërhyrjes së doganave dhe sekuestrimit të lëndëve narkotike. Ky element përputhet plotësisht me praninë e profilit gjenetik të Genc DERVISHI në dorezën e derës së makinës “mbajtëse” të lëndës narkotike dhe përkon me nevojën e tij për të kërkuar informacione për pasojat e kontrollit të Ilir GASHI, që ishte edhe mik i tij, i cili mund të ishte rikthyer në NANTES. Më tej, hetimet teknike (numër D 451 të riprodhuara në vijim) vinin në dukje një lidhje gati identike mes aktivitetit të telefonit të zakonshëm të Genc DERVISHI dhe të atij të Ilir GASHI, pasi efektivisht, mes muajit mars dhe tetor 2011, të dy aparatet janë lënë inaktiv në NANTES në të njëjtat periudha kohore disa ditore dhe konkretisht në 5 raste mes datës 20 dhe 31 mars, mes datës 23 prill dhe 4 maj, mes datës 5 dhe 9 korrik, mes datës 11 dhe 27 gusht, mes datës 26 shtator dhe 7 tetor. Këto konstatime krijonin dyshime të forta për lëvizje të kryera rregullisht nga Ilir GASHI dhe Genc DERVISHI së bashku, pa telefonat e tyre të zakonshëm. Ilir GASHI nga ana e tij pranoi gjatë hetimit se transportonte kokainë për llogari të një të ashtu quajturi “Tani”, shqiptar që jeton në MADRID dhe që i ishte prezantuar në NANTES nga një individ, identitetin e të cilit ai dëshironte të mbante të fshehur. Ilir GASHI konfirmonte gjithashtu se karvani përbëhej nga një makinë hapëse që përdorte numrin “Qen”, si dhe që ai kishte bërë 3 udhëtime të ngjashme drejt Spanjës, duke u nisur nga NANTES. Ky fashikull i dosjes është u bë objekt i një veçimi të parë dhe një dërgese të Ilir GASHI në JIRS [Gjykata e Specializuar Ndër-Rajonale] të RENNES. Me vendimin e datës 14 prill 2015 Gjykata e Apelit e RENNES dënoi, me dënim kryesor, Ilir GASHI me 7 vjet burgim.

Kapja e 3.3 ton drogë në jahtin nga Venezuela
Ndërkohë, më 28 qershor 2012 hetimet që pasuan interceptimin e parë të lëndës narkotike në datën 7 tetor 2011 evidentuan vijimin e aktiviteteve kriminale të organizatës dhe pjesëmarrjen e shumë individëve të tjerë të lidhur me Genc DERVISHI. Ky i fundit mbante kontakte shumë të shpeshta në NANTES me Kadir PILAVCI, që ftohej në mënyrë të rregullt për t’u paraqitur në banesën e Genc DERVISHI, i cili shkonte shpesh në MARSEILLE dhe AUBAGNE, vende të qëndrimit të Domart KONJARI dhe Gilbert SLIK. Gjatë udhëtimeve të tij në MARSEILLE, Genc DERVISHI merrej në stacionin e trenit “Saint Charles” nga një automjet, që përdorej nga Gilbert SLIK dhe që ishte marrë me qira nën emrin e vajzës së Moïse KISRAOUI. Më 16 maj 2012, Domart KONJARI, Gilbert SLIK dhe Genc DERVISHI u kontrolluan nga policia spanjolle në qytetin e ALCOBENDAS, në periferi të MADRIDIT, në shoqërimin e Juan PONSODA. Por, sipas autoriteteve spanjolle, ky i fundit (Juan Ponsoda] ishte arrestuar më 26 gusht 2006 nga marina mbretërore, në drejtimin e një jahti 24 metra të gjatë, emërtuar SPES NOSTRA, i cili transportonte 3.300 kg kokainë nga MARGARITA (Venezuela) drejt Europës pas një ndalese të gjatë në ANTIGUA. Gjithashtu, përgjimet telefonike do të nxirrnin në pah faktin e çuditshëm që Genc DERVISHI i drejtohej Domart KONJARI vetëm nëpërmjet vëllait të tij, Ridvan DERVISHI, me banim në LONDËR. Hetimi do të çonte në evidentimin e një transporti të ri kokaine që implikonte të gjithë protagonistët….

“I ndrroni shtëpinë kaprollit”
Më 27 qershor 2012, në orën 11 e 50 minuta, Gilbert SLIK kontaktoi Moïse KISRAOUI për t’i dhënë “sinjalin e nisjes” drejt Spanjës duke i thënë në gjuhë të koduar që duhej t’i “ndrronte shtëpinë kaprollit”. Më pas, dhe përsëri në seancë gjyqësore, Moïse KISRAOUI pranoi që kjo fjali do të thoshte që duhej të shkonte në MADRID për të ngarkuar kokainën e Domart KONJARIT për ta sjellë në NANTES. Faktikisht, më 27 qershor në orën 13 e 28 minuta, telefonat e zakonshëm të Gilbert SLIK dhe Moïse KISRAOUI lidheshin për herë të fundit në afërsi të banesës së Gilbert SLIK ndodhur në PENNE SUR HUVEAUNE, për të mos lëvizur më pas. Duke filluar nga ora 10 e 30 minuta të datës 28 qershor, hetuesit interceptonin në telefonat kushtuar trafikut bisedime të shumta në lidhje me një lëvizje në karvan, në veçanti kishte informacione të sakta rreth pranisë së forcave të policisë në pikat e pagesës së autostradave dhe në kufirin franko-spanjoll. Këto biseda u dëgjuan në seancë dhe si Gilbert SLIK si Moïse KISRAOUI pranuan që ishin biseda të zhvilluara mes tyre dhe që ata qarkullonin në karvan, Moïse KISRAOUI ishte në timon të makinës mbajtëse të drogës, ndërsa Gilbert SLIK të asaj hapëse të rrugës. Ky karvan u interceptua dhe policët arrestuan Moïse KISRAOUI në timonin e makinës “SUZUKI SEIFT” me targa BQ-221-PB që mbante 14 kg kokainë të fshehur në një vend të njëjtë me atë të MITSUBISHI COLT që drejtohej nga Ilir GASHI 6 muaj më parë. Sa për Gilbert SLIK dhe Genc DERVISHI, ata u arrestuan në makinën hapëse, një GOLF të zi marrë me qira nën emrin e Laëtitia KISRAOUI, vajza e Moïse KISRAOUI. Përveç provave, të gjithë elementët e hetimit konfirmonin importimin e kokainës nga këta tre të pandehur. Automjeti SUZUKI SEIFT ishte blerë më 3 janar 2012 posaçërisht për këtë përdorim. Ish-pronari i tij njohu mbi bazë fotografie se KISRAOUI dhe SLIK ishin blerësit e makinës, të cilët e kishin paguar 7.200 euro me para cash në dorë. Kjo makinë kishte kryer, që nga blerja e saj, 19.000 km, që i korrespondonin disa udhëtimeve MARSEILLE-MADRID-NANTES. Kontrata e marrjes me qira të Golfit të zi konfirmonte përdorimin e emrit të Laëtitia KISRAOUI mbi dokumentet. Kjo e fundit pohoi përpara hetuesve se kishte pranuar, me kërkesë të të atit, që të merrte me qira automjete për llogari të Gilbert SLIK.

Pendimi i korrierit që u përzgjodh nga Konjari
Moïse KISRAOUI rrëfeu menjëherë faktet gjatë marrjes në pyetje dhe e mbajti këtë qëndrim përgjatë gjithë hetimit dhe përsëri në seancë gjyqësore, edhe pse ai insistonte mbi situatën “e vështirë”, në të cilën e vendosnin këto rrëfime kundrejt bashkëpunëtorëve dhe porositësve, nga të cilët ai ishte haptazi i frikësuar. Ai pranoi se ishte rekrutuar nga Gilbert SLIK në cilësinë e shoferit për organizatën pas “humbjes” së Ilir GASHI në tetor 2011. Ky i fundit i propozonte një pagesë, e cila do të shlyente borxhet, që ai [Moïse KISRAOUI] kishte për një investim në një bar në MARSEILLE, që nuk kishte ecur. Duke menduar se profili i tij, si një burrë relativisht i moshuar dhe me paraqitje të mire, do të “ngjallte më pak dyshime” sesa shoferët shqiptarë të rinj, ky propozim rekrutimi ishte miratuar nga Domart KONJARI. Moïse KISRAOUI tha se kishte transportuar kokainë me SUZUKI SEIFT, në të paktën 4 raste, disa herë drejt MARSEILLE dhe disa herë drejt NANTES. Gilbert SLIK dhe ndonjëherë Genc DERVISHI gjendeshin tek makina hapëse marrë me qira nën emrin e vajzës së tij. Ai pranonte, gjithashtu, se me siguri kishte sjellë me makinë para në sasi të mëdha, si dhe kishte transportuar, me tren, 3 kg kokainë nga MARSEILLE drejt NANTES dhe ja kishte dhënë “një shqiptari”. Ky version rrëfyer hetuesve ishte i njëjtë me atë, që ai i tha vajzës së tij në rastin e një bisede zhvilluar në ambientet e pritjes të burgut në datën 3 dhjetor 2012. Ai e mbajti këtë version edhe në seancë gjyqësore. Rrëfimet e Moïse KISRAOUI konfirmonin elementët dhe faktet e mbledhur gjatë hetimit, dhe në veçanti: lidhja mes fikjeve të celularëve të zakonshëm të Moïse KISRAOUI dhe Genc Dervishi; prania në NANTES të Moïse KISRAOUI nën emra të rremë në disa hotele; afërsia mes prurjeve të lëndës narkotike në NANTES dhe thirrjeve mes Genc DERVISHI dhe Kadir PILAVCI.
 
“Genc Dervishi “nëna ime” do më sjellë 14 dhurata”
Më tej, përgjimet e shumta telefonike tregonin qartazi aktivitetet e importimit të kokainës të kryera nga grupi i të pandehurve. Kështu, Genc DERVISHI, edhe pse veçanërisht i kujdesshëm gjatë bisedave, bëri një gabim në datën 26 maj 2012, në orën 17 e 13 minuta. Një bisedë mes Genc DERVISHI dhe një personi tjetër, që gjendej në atë moment bashkë me të, u regjistrua gjatë kohës që ai po i telefononte Hatem BELHAJALA dhe ky i fundit nuk po e ngrinte telefonin. Fjalët e thëna nga Genc DERVISHI nuk lënë asnjë dyshim mbi aktivitetin e tij të trafikantit të kokainës: “…Ke të bësh me Hatemin? Kështu unë të jap mallin më 28 ... unë ta jap me 40 dhe ai me 48 ... A të ka telefonuar për këtë…?” Nga ana e tij, Kadir PILAVCI tradhtohej në shumë raste kur bisedonte me Laurent FERRERO, i burgosur i dënuar me 4 vjet burgim për trafikim lëndësh narkotike dhe i njohur se kishte lidhje me Genc DERVISHI, gjatë një hetimi, që çoi në 2006 në një dënim të këtij të fundit me 5 vjet burgim, për mos justifikim të ardhurash. Kështu, Kadir PILAVCI deklaronte në raste tejet të shumta se ai priste me padurim kthimin e Genc DERVISHI, që ai e pranonte se e thërriste nën termin “nëna ime”, veçanërisht sepse i duhej të furnizonte një mik, “të cilit do t’i prishej makina”, ose për të zgjidhur konflikte në raport me “pjesën tjetër të parave të postës, që mbeten për tu paguar në lidhje me makinën”, duke saktësuar se Genc DERVISHI ishte “më tolerant në lidhje me disa gjëra”. Por, mbi të gjitha, disa ditë pas arrestimit të datës 28 qershor 2012, me rastin e një bisede të dëgjuar në seancë, Kadir PILAVCI informonte Laurent FERRERO për arrestimin në flagrancë të Genc DERVISHI së bashku me “dy miq të tjerë të mirë të tij”. Ai thoshte disa herë se ishte i “neveritur”, duke saktësuar se për të ishte sikur të “kishte qenë vetë në makinë”. Ai shtonte se 14 kg lëndë narkotike ishin nisur për tek ai pasi Genc DERVISHI duhej t’i sillte “15-16 dhurata”. Nuk kishte asnjë dyshim se kjo bisedë i referohej arrestimit të datës 28 qershor, pasi Kadir PILAVCI i thoshte Laurent FERRERO se ai mund të informohej në internet duke kërkuar “emrin e filmit”.

“Një Clio blijeni 37 mijë euro”
Kadir PILAVCI shqetësohej shumë për ardhjen më vonesë në NANTES të “tezes” ose “hallës”, që vinte për të marrë paratë e këtij transaksioni. Realisht, vëllai i Genc DERVISHI shkoi në datën 10 korrik në NANTES me një fluturim LONDËR-NANTES. Ky presion i Ridvan DERVISHI çoi Kadir PILAVCI që të kërkonte me çdo mënyrë që të mblidhte para pranë individëve që furnizoheshin me kokainë nga Laurent FERRERO. Ky i fundit kishte pranuar se furnizohej me kokainë pranë “…rrethit shqiptar të Nantës…” dhe pranonte se personi, të cilit Kadir PILAVCI i referohej si “nëna ime”, ishte në të vërtetë Genc DERVISHI. Ai thoshte, gjithashtu, se, që nga çështja e vitit 2006, ai detyrohej shuma të mëdha parash dhe që “njerëzit e të njëjtit rrjet” e kishin detyruar që të rifillonte tregtimin e lëndëve narkotike për të shlyer këto detyrime. Ai pranonte se Kadir PILAVCI vinte dhe i kërkonte paratë e shqiptarëve dhe që ai “ishte i kapur për fyti”. Djali i Laurent FERRERO, Marlon ROCHE, edhe ai trafikant lëndësh narkotike, pranonte gjithashtu se 2 burra, një nga të cilët ishte Kadir PILAVCI, i kishin kërkuar 20.000 euro parapagim mbi një borxh prej 74.000 eurosh, që babai i tij u kishte shqiptarëve. Kjo shumë përkonte me një bisedë mes Kadir PILAVCI dhe Stephane EON, klient i Laurent FERRERO, gjatë së cilës Kadir PILAVCI i propozonte Stephan EON blerjen e “një Clio për 37.000 euro”. Ky i fundit pranoi përpara xhandarëve se bëhej fjalë për blerjen e një kilogrami kokainë me çmim 37.000 euro. Stephan EON tha gjithashtu se edhe atij i ishte “bërë një kërkesë” në VANNES nga Kadir PILAVCI dhe ai i kishte dhënë 20.000 euro në para cash për të paguar një borxh për lëndë narkotike.

Argumentat për mohimin e akuzave
Gjatë hetimit dhe studimit të dosjes, Genc DERVISHI mohoi plotësisht të gjitha faktet. Ai mbajti të njëjtin qëndrim në séance, duke u shprehur se nuk kishte asnjë lidhje me organizimin e një trafiku lëndësh narkotike. Ai pranonte se ishte mik i Domart KONJARI, bashkatdhetar i tij, të cilin e njihte që prej arratisjes nga Shqipëria në 1990. Ai shpjegonte si një koincidencë rastësore takimin e datës 16 maj 2012 në ALCOBENDAS me këtë të fundit, Domart Konjarin, Gilbert SLIK dhe Juan PONSODA. Ai thoshte se ishte gjithashtu rastësi që ishte takuar me Gilbert SLIK në MADRID në qershor 2012, ku kishin rastisur të dy në një “nga restorantët e paktë që ka ai qytet” dhe që ai kishte përfituar nga vajtja në NANTES [e Gilbert SLIK] për të bërë rrugën me të, pasi nuk kishte para dhe dëshironte të shihte djalin e tij. Ai nuk shpjegonte pse përkonin periudhat pa aktivitet të telefonit të tij me ato të protagonistëve të tjerë të kësaj çështjeje dhe në veçanti Ilir GASHI. Ai thoshte se nuk kuptonte pse atij dhe Gilbert SLIK u ishin gjetur çelësa identikë, të cilët rezultonin të lidhur me apartamentin ku qëndronin trafikantët në MADRID. Ai pretendonte, gjithashtu, se Kadir PILAVCI, të cilin ai e përdorte si shofer, ishte tepër i parëndësishëm që ai t’i shiste 14 kg kokainë, edhe pse ai pranonte se i kishte dhënë “borxh” para në cash për një vlerë që shkonte nga 10.000 në 38.000 euro. Gilbert SLIK mohoi, gjithashtu, faktet gjatë hetimit, studimit të dosjes dhe gjykimit. Ai thotë se ishte mirëfilli koincidencë, që ishte gjendur në ALCOBENDAS më datë 16 maj 2012 në të njëtin lokal (lokal Häagen Dass) me Domart KONJARIN, Genc DERVISHI dhe Juan POSODA dhe se nuk u kishte folur atyre. Ai pretendonte se thëniet e Moïse KISRAOUI ishin akuza pa asnjë bazë. Duke qenë se ishte i papunë dhe jetonte me ndihmë sociale, ai nuk justifikonte dot stilin e jetesës, në veçanti zotërimin e një vile me pishinë në LA PENNE SUR HUVEAUNE e vlerësuar rreth 700.000 euro. Ai u mundua të justifikonte mbajtjen e një ore ROLLEX, që iu gjet në dorë në datën 28 qershor, si një hua dhënë nga një mik argjendar, që ja paska dhënë për ta shitur. Ai u mundua të justifikohej me faktin se kishte disa kursime, që buronin nga pjesa që i kishte takuar nga sulmi me armë i një autoblinde transportuese parash. Ky sulm kishte ndodhur në qershor të vitit 1984 dhe ishin vjedhur 200 milion franga të vjetra, shumë e cila ishte ndarë mes 4 keqbërësve dhe që nuk ishte gjetur kurrë. Gjithashtu Kadir PILAVCI mohoi gjithashtu faktet. Ai tha se nuk kishte “prekur kurrë as edhe një gram kokainë” dhe shpjegoi se bisedat e shumta, që e implikonin rëndë si një pjesëtar aktiv të trafikimit në zonën e NANTES dhe SAINT NAZAIRE, ishin vetëm “delire” [gënjeshtra], që ai ua thoshte për t’ia rritur vlerat vetes përpara bashkëbiseduesve. Ai pranoi se ishte mik i Genc DERVISHI dhe se kishte pranuar “hua” prej tij në formën e parave cash për të bërë investime në pasuri të paluajtshme në NANTES dhe TURQI. 

Dënimet në Francë, trafiku vijonte sërish
Me vendim të datës 21 tetor 2014, Gjykata e Specializuar Ndër-Rajonale të RENNES dënoi, me dënim kryesor, Moïse KISRAOUI me 5 vite burgim, nga të cilat 2 vite me kushtin e vënies në provë për një periudhë 24-mujore, Kadir PILAVCI me 7 vite burgim. Ata nuk e apeluan këtë vendim. Me vendim të datës 2 qershor 2015, Gjykata e Apelit e RENNES dënoi, me dënim kryesor, Genc DERVISHI me 10 vjet burgim dhe Gilbert SLIK me 7 vjet burgim. Arrestimet e DERVISHIT, SLIK, KISRAOUI dhe PILAVCI nuk i dhanë fund aktiviteteve të organizatës kriminale, që vijonte furnizimet e saj prej SPANJËS dhe më pas prej HOLANDËS në drejtim të disa vendeve të shitjes dhe, në veçanti, në drejtim të qytetit të TOULOUSE, MARSEILLE dhe DESIO (ITALI). Në këto vende të ndryshme, hetuesit do të evidentonin rolin përkatës të secilit të pandehur.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com