Akuza për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” ka një problem themelor ligjshmërie (nuk ka sesi te vjedhesh dike nese ai ta jep pasurine e vet me pëlqimin e tij)
Në procesin penal lidhur me koncesionin e “menaxhimit të integruar të instrumentarit kirurgjikal”, për veprimet dhe mosveprimet e mia si ministër i Shëndetësisë, akuzohem për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, sipas nenit 135 të Kodit Penal.
Kjo akuzë ngre një problem themelor: çfarë quhet “vjedhje” sipas ligjit penal shqiptar?
Neni 134 i Kodit Penal aktual, që flet për vjedhjen, nuk jep një përkufizim të sjelljes së ndaluar. Ai parashikon vetëm dënimin. Pra, ligji nuk thotë qartë se cili veprim konkret përbën vjedhje.
Në një shtet të së drejtës, ligji penal duhet të jetë i shkruar, i qartë dhe i parashikueshëm. Askush nuk mund të dënohet mbi:
- nënkuptime,
- perceptime publike,
- interpretime të zgjeruara,
- komentare juridikë,
- precendente,
- te drejte zakonore,
- apo mbi një kuptim të supozuar të fjalës “vjedhje”.
Kur ligji penal nuk e përcakton qartë sjelljen e ndaluar, qytetari nuk mund ta dijë saktësisht se për çfarë po akuzohet dhe nuk mund të përgatisë në mënyrë të plotë mbrojtjen e tij.
Kam konsultuar 18 kode penale të vendeve europiane, prej të cilave 15 janë vende anëtare të Bashkimit Europian. Në të gjitha këto kode, vjedhja përkufizohet si sjellje konkrete: marrja ose përvetësimi i një sendi të luajtshëm që i përket dikujt tjetër, pa pëlqimin e pronarit ose poseduesit, me qëllim përfitimi të padrejtë.
Elementi thelbësor eshte mungesa e pëlqimit. Pa marrje ose përvetësim pa pëlqim, nuk ka vjedhje.
Nevojën për përkufizimim e sjelljes së ndaluar duket se e ka pranuar edhe projekti i Kodit të ri Penal, i hedhur për konsultim publik në korrik 2025. Në nenin 874 të projektit, vjedhja përkufizohet për herë të parë si: “Përvetësimi i një sendi në pronësi apo posedim të viktimës, me qëllim për të mos e kthyer më, i kryer për përfitim material, për vete apo të tjerë, dënohet me burgim deri në tetë vjet.”
Pra, edhe hartuesit e Kodit të ri Penal kanë parë nevojën që vjedhja të mos mbetet thjesht një fjalë e përdorur në ligj, por të përkufizohet si sjellje konkrete penale.
Historia e legjislacionit shqiptar e tregon edhe më qartë këtë problem.
Në Kodin Penal të vitit 1928, vjedhja përkufizohej në nenin 446 si “Kushdo që me qellim përfitimi merr posedimin e një sendi të lujtëshëm të tjetërit, tue e heq nga vëndi ku gjindet, pa pasun hirin e të zotit, ndeshkohet me burgim të randë nga një muej deri në tre vjet dhe me gjobë të randë.”. Ne kete perkufizim eshte me rendesi shprehja “pa pasur hirin e te zotit”. Thënë ndryshe, vjedhje do te thote marrja “me pahir”, pra pa pëlqimim e të zotit.
Ne Kodin Penal te vitit 1952, vjedhja (neni 185) perkufizohet “Vjedhja, dmth pervetimi ne menyre te fshehte ose te hapet e pasurise se tjetrit, denohet me burgim nga nje gjer ne pese vjet.” Edhe pse ishte vendosur diktatura e proletariatit, ne 1952 u miratua nje perkufizim per vjedhjen.
Ndërsa Kodi Penal i vitit 1977 nuk e përkufizoi më vjedhjen, sepse athere vendoste partia shtet. Ai vetëm parashikonte dënimin: “Vjedhja e pasurisë së tjetrit dënohet…”. Kjo mënyrë formulimi është trashëguar edhe në Kodin Penal në vitin 1994 e deri ne ditet e sotme.
Pra, Shqipëria ka pasur përkufizim të vjedhjes në vitin 1928 dhe në vitin 1952, por e ka hequr në vitin 1977. Tani, me projektin e Kodit të ri Penal, duket se po rikthehet nevoja për ta përcaktuar qartë këtë vepër penale.
Ky nuk është debat teorik. Është debat për lirinë e njeriut. Për ligjshmërine e akuzave dhe dënimeve penale.
Mund të ketë njerëz që pyesin: “A po sfidohen kështu dënimet e dhëna për vjedhje në këto dekada?” Jo. Nuk po kërkoj të sfidoj drejtësinë penale të vendit tim. Po kërkoj diçka shumë më themelore: të mos dënohem pa ligj të qartë.
Mund të ketë edhe nga ata që thonë: “Ilir Beqaj po pretendon se nuk e di çfarë është vjedhja.” Jo. Pikërisht e kundërta. Po them se vjedhja, në të drejtën penale europiane, ka një kuptim të qartë: marrje ose përvetësim i pasurisë së tjetrit pa pëlqim dhe me qëllim përfitimi të padrejtë.
Në rastin konkret, koncesionari ka marrë pagesa nga FSDKSH mbi bazë kontrate të ligjshme, me faturë, pranim shërbimi dhe kalim përmes Thesarit. FSDKSH ka pakesuar pasurinë e vet me pëlqimin e vet. Për koncesionarin nuk ka akuzë për vjedhje.
Nëse nuk ka vjedhës, si mund të ketë vjedhje? Ligji penal duhet të jetë i shkruar, i qartë dhe i parashikueshëm. Kur ligji nuk e përkufizon sjelljen e ndaluar, akuza humbet bazën ligjore.
Prandaj akuzat sipas neneve aktuale 134 dhe 135 cenojnë parimet e ligjshmërisë.
Vende të BE qe e perkufizojnë vjedhjen në Kodin Penal janë Gjermani, Spanjë, Rumani, Itali, Portugali, Bullgari, Suedi, Hungari, Poloni, Kroaci, Greqi, Francë, Danimarkë, Belgjikë, Austri.
Vende të tjera europiane qe e përkufizojnë vjedhjen në Kodin Penal janë Kosovë, Mbretëri e Bashkuar, Turqi.
Komente






