'Dosja K'/ Kritikat e Enverit për Nikë Marashin: E di gjeniu i matematikës vijën e Partisë

Nikë Marashi, në vitin 1960 jetonte një jetë të qetë, në Palaj Shosh të Dukagjinit. Ishte fëmija i madh i familjes Marashi. Ishte inteligjent përtej çdo përfytyrimi. Por askush nuk e ksihte vënë re aftësinë e tij të pazakontë me numrat.

Madje as Nika vetë nuk e dinte se zotëronte një dhunti që të tjerët nuk e kishin. Sepse në atë fshat të veçuar, e të prapambetur informacioni nuk depërtonte e Nika s’kish me kë të krahasohej…

Nika nuk e dinte se çfarë ndodhte përtej majave të bjeshkëve që shihte nga pragu i shtëpisë së tij. Çfarë ndodhte në botën matanë? Çfarë ishte radio, telefoni, televizori???? Çfarë mësonin fëmijët në shkollë?

Në fshatin e tij ende nuk kishte një shkollë…Por ditën që në fshat do të vinte zotni Gjeto, për Nikën do të ndryshonte jeta katërcipërisht…

Mes atyre fëmijëve të moshave të ndryshme në klasën kolektive që kishte krijuar, mësuesi, do të dallonte mendjen e bukur të Nikës, që s’dihet se si dhe pse, Zoti e kishte projektuar pikërisht në këtë fshat mes maleve.

Zbulimi i këtij xhevahiri të rrallë do të rrëmbente më tej vëmendjen e gjithë drejtuesve të regjimit dhe rretheve shkencore. Prej këtij shkaku, historia e mëvonshme e mësuesit, do të qe thellësisht dramatike. Ai s’do të mund ta jetonte suksesin e plotë të zbulimit, brumosjes dhe shkëlqimit të këtij gjeniu… Pasi do të arrestohej e do të vuante burgjeve dhe internimeve…Por edhe rrugët e jetës së Nikës së vogël nuk do të ishin të lehta…

***
Nika sot është 64 vjeç. Jeton në Shkodër. Profesionet dhe pasionet që ia kanë mbushur shpirtin ndër vite janë shumë. Por ai nuk u bë një gjeni në fushën e matematikës. Sepse rruga e jetës së tij ishte po aq e pazakonte sa edhe dhuntia e tij me numrat.

Nika do të na rrëfejë gjithë hapat e jetës së tij po më së shumti, do të na shpjegojë për ndjesitë dhe përjetimet e tij mbi këto dhunti…

Jetën e vështirë e të izoluar në fshatin e tij Nika e përshkruan me dy fjali…

“Ishte një fshat ku s’bëhej fjalë të kishte dritë elektrike apo rrugë. Ishte një jetë si e para 300 viteve. Ishte një varfëri ekstreme sepse edhe vetë ambienti natyral i atij fshati është i varfër. Nuk ka toka, një fshat i vështirë për të jetuar. Pastaj nuk kishte asnjë mundësi, asnjë mjet informacioni. Nuk dinim se ç’ishte radioja, telefoni. Pra, ishte një fshat krejtësisht i izoluar…”

Në këtë ambient me rrëfimet e gjyshërve, i brumosur me histori të moçme e filozofike, Nika e kishte stërvitur dhuntinë për të dëgjuar, kuptuar e analizuar… Kur e pyes se kur ishte ekzaktësisht koha kur ai kuptoi që zotëronte aftësi të veçanta në fushën e matematikës Nika nuk është në gjendje t’i referohet një kohe të caktuar.

“Kjo nuk mund të ketë një cak që njeriu kupton. Mua nuk më bënte përshtypje pse dija të shumëzoja, dija tabelën e shumëzimit pa hyrë në shkollë. Në fakt, edhe babai im ka qenë autodidakt, por lexonte. Ishte i fortë në matematikë, bënte llogari. Në shtëpinë time kjo nuk quhej ndonjë gjë e madhe ngaqë isha fëmija i madh e nuk krahasohesha me të tjerët. Nuk bënte ndonjë përshtypje të madhe. Isha një fëmijë i shkathët, çapkën, që donte të dinte gjithçka, konceptet e ndryshme “sipër”, “poshtë”, “para”, “pas” etj., të cilat fëmijët i mësojnë në një moshë të caktuar. Mua më dukeshin si gjëra shumë të kaluara. Por, mua nuk më bënte përshtypje, më dukej si diçka shumë normale që duhej ta dinte gjithkush”.

Ditën në në fshatin e tij erdhi mësuesi Gjet vocaj Nika dhe gjtihë fëmijët e tjerë të fshatit e përjetuan si një ditë të veçantë. Për ta do të hapej një botë e re, do të dëgjonin histori të panjohura e do të nisnin të shkelnin të shtigje të reja të dijes… Nika e kujton kështu kohën kur nisi të shkojë në shkollë.

“Në moshën 6-vjeçare, ngaqë isha fëmija i madh i familjes, gjyshi kërkoi të më çonte në shkollë, të paktën, thjesht si dëgjues. Edhe i vogël fizikisht isha, edhe 6 vjeç. Fillova shkollën, kur, te ne shkolla ishte me katër klasa kolektive. Mësuesi e fillonte punën me klasën e parë, bënte nga një gremç, siç i thoshim ne, në fletore, vazhdonte me klasën e dytë një punë më të avancuar, me të tretën edhe pak më shumë. Pastaj, kryesisht merrej me klasën e katërt, sepse ata do të shkonin në ciklin e lartë të tetëvjeçares. Kishte punë më tepër për mësuesin. Meqenëse mësuesin im, zotni Gjetoja, siç i kam thënë unë, ishte i fushës së matematikës, ai vetë i jepte më shumë rëndësi lëndës së matematikës.

 …Pas pak kohësh në shkollë, unë fillova të ngre dorën për të komunikuar me mësuesin. Sigurisht që ai nuk e kuptonte se unë doja të përgjigjesha për ndonjë problemë të klasës së katërt. Por, kur unë i jepja përgjigjen, fillimisht më pyeste me habi se për çfarë e kisha fjalën. Unë i jepja përgjigjen e problemës dhe ai më pyeste se kush ma kishte treguar. Kush të ma tregonte? Fëmijët e tjerë s’e dinin. Kush do ma thoshte mua? Kur e pa se diçka kisha, falë edhe përkushtimit të vet që kishte, shumë i rregullt, shumë sistematik, kishte filluar të mbante shënime në një ditar. Në një zonë ku nuk kishte asnjë mundësi argëtimi apo kalimi të kohës së lirë, ishte fati im që ai kishte kohë të merrej me mua, të bënte një lloj studimi…”

Pikërisht në këtë periudhë mësuesi Gjet Vocaj kishte shkuar artikullin në gazetën “Mësuesi ku tregonte mbi aftësitë e pazakonta të dukagjinasit të vogël. Ai tashmë kishte dëshmuar aftësi të rralla në fushën e matematikës. Artikulli i zotni Gjetos kishte trazuar gjithë kryeqytetin. Nga kupola më e lartë e regjimit ishte dhënë urdhër të shkohej në atë fshat të largët malor e të zbulonin si qe e vërteta rreth atij fëmije…

Ishte dimër. Fshatin e Nikës së vogël e kishte mbuluar dëbora tej për tej. Çdo gjë ishte e bardhë, në çdo kënd të horizontit. 

“Bëhet fjalë për dimrin e vitit 1962, një dimër shumë i acartë që mbahet mend. Dhe ata, megjithëse bënte shumë ftohtë dhe rrugë nuk kishte…

Sigurisht, që kur ishte shkruar artikulli nuk ishte marrë parasysh se mund të ndodhnin gjëra të tilla. Atje ishte një shqetësim shumë i madh, qoftë për drejtoritë e shkollave, për arsimtarët, se edhe po të vinte vetëm drejtori i arsimit, që në atë kohë quhej shefi i arsimit, ishte mjaft. Jo të vinin edhe nga Tirana dhe të shikoni gjithçka në shkollë. Njëri me shaka më thoshte: “Mor Nik ça i bane vedit, na ke qit tanve n’pik t’gazepit”. Plus këtyre ishte dhe ngarkesa shumë e madhe që kishte mësuesi im, zotni Gjetoja, sepse kishte frikë se isha një fëmijë 6 vjeç, që mund të emocionohesha, mund të mos flisja fare. Ai nuk kishte frikë se unë mund të mos isha në nivelin për të cilin ai kishte shkruar, sepse unë kisha ecur dhe përparuar gjatë kësaj periudhe sa u botua shkrimi e sa u morën masat për të ardhur komisioni në qendrën e lokalitetit.

Me mua mësuesi bënte një punë të diferencuar dhe unë kisha përparuar shumë më tepër, zgjidhja problemat e klasës së pestë në aritmetikë, të cilat kanë qenë shumë të vështira. Pra, nuk kishte frikë për nivelin tim, por për moshën se isha 6 vjeç e mund edhe të qaja e të doja të kthehesha në shtëpi. Por falë aftësive që kishte Bedri Dedja, që ishte babai i psikologjisë e i pedagogjisë për fëmijët e vegjël, m’i hoqi emocionet duke luajtur me domino, shah. Njëkohësisht duke luajtur shah studionte edhe kujtesën time. Kur filluan pyetjet unë isha në fushën time dhe i çliruar nga emocionet. Më dukej vetja mes miqsh e shokësh. Pyetjet e para ishin shumë të thjeshta, pastaj u rrit niveli. Partia ishte e shqetësuar, prandaj morën në telefon sekretarin e parë të Shkodrës, që quhej Sul Baholli dhe i thanë që isha shumë më mirë nga çfarë shkruhej në artikull. Dhe ai kërkoi që të shkonim në Shkodër, të më njihnin edhe atje.

Shkuam në Shkodër. Këtu ka edhe një histori të bukur, sepse Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Beqir Balluku ishte në Shkodër. Më takon edhe ai në zyrën e sekretarit të parë dhe ndër disa pyetje që më bëri, po tregoj për njërën. Më pyeti: “Sa vetë jeni në familje?”. Unë i them: “11”. Më thotë: “Çdonjëri ha treçerek buke. Sa bukë hani ju?”. Unë i them me shumë seriozitet: “Vëllai im është 6 muajsh, nuk ha bukë”. “Mirë”, - më tha, - “do të vij unë mik në vend të vëllait”. Unë i them: “8 bukë e një çerek”. Që unë të kisha konceptet e çerekut e të gjysmës, atyre u bëri përshtypje. Më pyeti: “Si e gjete?”. Kur më pyesnin për përgjigjet se si i gjete, unë kisha përshtypjen se të tjerët nuk i dinin se si i gjeja. U mundova me të gjitha mënyrat që t’ia shpjegoja: “11 nga treçerek, bëjnë 33 çerekë. Por buka ka 4 çerekë. 33-shi nuk pjesëtohet me 4. Marrim një çerek buke dhe e fusim në xhep. Tani, 32-shi pjesëtohet me 4 dhe dalin 8 bukë. Mos të harrojmë edhe çerekun që kemi në xhep”. Ata, nga mënyra se si e shpjegova unë dhe nga pasioni që unë kisha, u shkrinë së qeshuri dhe u rrit edhe më tepër kurioziteti dhe vlerësimi…”

Vula e Enver Hoxhës në fatin e Nikës
Nika ishte një fëmijë me dhunti të jahstëzakonshme. Por jetonte në një vend, me një sistem, ku nuk mund të shkëlqente më shumë se një diell. Ai diell ishte Enver Hoxha dhe si i tillë edhe në zbulimin dhe përparimin e Nikës së vogël ai do të vinte vulën e tij. Ditën që mësuesi i Nikës, u takua me Enver Hoxhën, në prani të Ramiz Alisë dhe Bedri Dedjes, në atë zyrë të Komiteitt Qendror ishte bërë një bisedë e gjatë. Aty ishte vendosur përfundimisht për fatin e Nikës. Enver Hoxha siç e përshkruan imtësisht në librin e tij Gjet Vocaj e nisi takimin me pyetje rreth zbulimit të Nikës.  “Si u zbulua ai fëmijë? Ku i kishte marrë ato njohuri?” Dhe shpejt kishte shtuar:

“Zbulimi i tij si fenomen ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ai nesër mund të bëhet shkencëtar në shërbim të popullit. Por nuk duhet të publikohet më tej. Mos të harrojmë se armiqtë i kemi shumë afër. Ata mund të synojnë ta eleminojnë edhe fizikisht, ndaj duhet bërë vigjilencë e madhe...”

Dhe pak më vonë diktatori kishte shtuar:
“Ky fëmijë 6-vjeçar me zhvillim të parakohshëm, i cili është në gjendje të bëjë të tilla llogaritje përmendësh, që edhe një maturant nuk i bën dot, a ka njohuri për vijën e drejtë politike të partisë tonë? A i njeh ai me emra anëtarët e byrosë?

Mësuesi i Nikës ishte treguar i sinqertë. I kishte thënë: “jo, veç, do t’i mësonte së shpejti…”

Por kjo qe një përgjigje që diktatori nuk e pranonte. Ai kishte ndërruar qëndrim dhe kish nisur të fliste për rëndësinë e edukimit të fëmijëve dhe veçanërisht të Nikës me frymën e shëndoshë të Partisë dhe mandej i kishte porositur, se mbas takimit, në zyrën e Ramiz Alisë do të merrnin direktivat e qarta për vijat kardinale të punës që do të bëhej për formimin ideopolitik të Nikës së vogël…

Për të ardhmen e Nikës diktatori kishte vendosr aty për aty në atë takim të çuditshëm. Me akrobacitë e tij tipike, në një monolog që s’mbaronte, ai iu kishte thënë të pranishmve në zyrë se kishte dy rrugë që mund të ndiqnin për të ardhmen e Nikës. E para: ai dhe gjithë familja e tij të vinin në Tiranë e të kishte një përkujdesje më shkëncore e të specializuar për të dhe rruga e dytë Nika dhe familja e tij të qëndronin në fshat edhe për ca kohë me një kujdes të vecantë. Hoxha i trembej rrugës së parë, sepse Nikës së vogël 6 vjeç mund t’i rritej mendja. Do të pyeste si ndryshoi jeta e tij, dhe njerizit do ti flisnin atij për dhuntitë e tij dhe... “Mendjemadhësia është fundi i njeriut, apo jo shoku Ramiz..” - kishte vijuar monologun diktatori.

Dhe ca më poshtë kishte diktuar rëndësinë e rrugës së dytë, pra një trajtimi disi të diferencuar, por atje në fshat dhe pa e kuptuar ai se shteti kishte interes të veçantë për të….

Por vërtet? Çfarë peshe mund të ketë fama për një fëmijë të rritur në këto kushte e me këto dhunti të jashtëzakonshme? A e dinte vallë Nika se çfarë po ndodhte në jetën e tij? A s’do të qe më mirë që ai të ndërgjegjësohej për aftësitë e tij dhe me psikologë e sociologë të përgatitej për një realitet të ri e të trajtohej si çdo rast i tillë i rrallë në botë?

Ja si e kujton Nika përballjen e tij me famën:
“Filloi një bujë e madhe. Më quanin gjeni, rast i jashtëzakonshëm. Unë s’kuptoja asgjë dhe as që më bënte ndonjë lloj përshtypje sepse as që e kisha idenë se ç’ishte fama. Për mua ishin gjëra krejt normale dhe më vinte çudi që habiteshin kur unë shumëzoja 14 me 37. Pas pak kohe fillova të shumëzoj numra me dy shifra me ata me tre shifra. Çdo njeri që më takonte më bënte ndonjë pyetje, ushtrim me numra ose problema logjike. Problemat logjike ishin nga më të thjeshtat, p.sh. “Në një kishë, po të kemi 10 qirinj të ndezur dhe fikim 2, sa qirinj mbesin?” Unë e kisha kuptuar që mua nuk më pyeste njeri “sa bëjnë 10 heqim 2”, sepse e kisha kaluar atë fazë. Atëherë më duhej të vrisja mendjen se përse ma bënë atë pyetje dhe kur i thashë “mbeten 2”, ata që ishin rreth e rrotull thanë: “Gjynah, është i vogël, mos e ngacmoni”. Ai që më pyeti më kërkoi që t’u tregoja atyre se përse mbeteshin 2? Unë i them: “2 sepse 8 të ndezurit shkrihen, 2 të fikurit mbeten”. Pastaj kalonin në supervlerësime. Problema të kësaj natyre kishte shumë. E gjithë dita ishte shumë e ngarkuar. Kudo që shkonim me mësuesin, sa na shihnin, thoshin: “Ky është ai fëmija”. Secili donte të më pyeste.

Pastaj u kthyem nga Tirana. Më bënë të kaloja dy klasë njëherësh. U dukej absurde që unë të vazhdoja shkallë-shkallë. Mësuesin tim e ngarkuan që të ishte drejtuesi im, mbështetësi im. Më sollën në shkollën 8-vjeçare “11 Janari”, në qendër të Shkodrës, që ishte shkolla më e mirë. Unë kisha problemet e dialektalizmave sepse vija nga një zonë e thellë. Kisha hallin se mos bëja gabime ortografike, ndërsa në matematikë e lëndët e tjera shoqërore nuk kisha asnjë lloj problemi. Isha një tip që dëgjoja me shumë vëmendje shpjegimin e mësimit dhe sapo mbaronte shpjegimi, unë isha gati për të ripërsëritur gjithçka, pa asnjë lloj problemi. Pra, nuk kisha asnjë lloj ngarkese në kuptimin e kryerjes së detyrave. Por kisha nevojë të ingranohesha në mes të një qyteti me kulturë e tradita, siç është Shkodra. Vija nga një fshat krejtësisht i humbur. Duhej të isha më i miri edhe në fusha të tjera. Merresha shumë me lexime.

Kujtoj që kur kanë ardhur në Dukagjin herën e parë, më kanë sjellë tre libra. Ne s’kishim libra atje, as që bëhej fjalë të lexonte njeri. I mbaj mend titujt: “Zogu i vogël prej argjili” ishte njëri; “Petja.......”, se ishte fryma sovjetike në atë kohë, bëhet fjalë për vitin 1962; dhe një libër fantastiko-shkencor i Zhyl Vernit. Kur erdha në Shkodër i’u futa leximit sepse ishte e vetmja mënyrë për të eliminuar gabimet ortografike. Leximi më ndihmoi që të bëja hartime të mira, edhe nga ana logjike, pra të bëhesha nxënës i mirë në të gjitha lëndët e jo thjesht vetëm në matematikë…”

Nika e kujton me nostalgji kohën e bukur që kalonte me mësuesin e tij. Ishtë një fëmijë i përshtatej shpejt çdo ambjenti. Edhe pse dukshëm atë e trajtonin në mënyrë krejt të pazakontë. E çonin në plazh vetëm më mesuesin e tij e jo me grupet e pionerëve të tjerë, kishte orarin e tij të studimit dhe punës individuale me mësuesin e tij personal, e mbanin në rrethe të përzgjedhura dhe kjo periudhë qe më të vërtetë e artë. Nika thotë se emocionalisht e ka superuar më së miri këtë fazë të zhvillimit të tij pasi përshtatej lehtë.

“Nuk më ka bërë ndonjë përshtypje të madhe ajo që isha një fëmijë jo i zakonshëm e që trajtohesha ndryshe, që shkoja në plazh vetëm me një mësues, ndërkohë që të tjerët ishin në grupe prej 25 pionierësh dhe vetëm me një udhëheqës. Nuk më bënin përshtypje as fjalët e mëdha që thuheshin e as shkrimet që bëheshin. Qoftë për mirë, qoftë jo për mirë, jam një tip që përshtatem…”, thotë Nika.

Fataliteti i mësuesit të Nikës
Por do të vinte një kohë që ai do të ndahej nga zotni Gjeto dhe kjo fazë do të shënonte mbase goditjen më të madhe psikologjike tek ai, sepse Gjoto ishte për të, jo vetëm një mësues i rrallë që e frymëzonte, por ishte edhe prind edhe shok edhe psikolog… “Në qoftë se tek unë ka pasur diçka prej gjeniu, një pjesë e mirë e kësaj i takon zotni Gjetos. Ka qenë pikërisht ai, që e ka evidentuar atë çfarë kisha, me inteligjencë dhe e ka trajtuar gjithmonë. Ishte një njeri shumë i rregullt, shumë i programuar dhe ishte jashtëzakonisht kënaqësi që të punoje me të. Njëkohësisht ishte edhe një njeri shumë i hapur, shumë i shoqërueshëm, shumë i sinqertë dhe në atë kohë këto gjëra kushtonin. Jo çdo njeri mund ti shprehej siç I shpreheshim ne njani-tjetrit. Rrinim deri në 3 të natës në krevat, në shtëpinë e tij dhe flisnim. Diskutonim për Stalinin e të tjera gjëra, por ishim ne të dy, që faktikisht ishim një. Gabimi i tij ishte që ishte i hapur dhe kishte besim te shumë njerëz, gjëra që ndikuan për keq. Plus këtyre ishte edhe ajo që nuk vinte nga radhët e njerëzve të besueshëm të Partisë. Biografia e tij kishte hije. Dhe kur këto gjëra mblidheshin bashkë bënin që të drejtoheshin shigjetat. Dhe kur të drejtoheshin shigjetat në atë kohë, nuk ishte fare e vështirë që të gjenin atë që donin. Secili nga ne, po të futej në kornizën e Sigurimit e kishte të hapur derën e burgut. Ne të gjithë ishim të pakënaqur, kush më shumë e kush më pak. Të gjithë ishim të persekutuar, e shikonim që na mungonte liria në të gjithë kuptimin e fjalës, por ruheshim, mundoheshim të mos ngjallnim dyshime. Gjeto ra viktimë. Gjithkujt në Shkodër i vinte çudi se si kishte mundësi të ndodhte një gjë e tillë me një njeri shumë të ëmbël, shumë të sjellshëm, shumë të kulturuar, me një fjalë pas asnjë cen.

Unë nuk e kam besuar. I kam thënë hetuesit: “Si e merrni në hetuesi atë e s’më keni thirrur mua?”. “S’kemi nevojë”, - më tha. Kur është fejuar mësuesi im, të fejuarës së tij i kam thënë që isha djali i tij, kaq i lidhur isha me të. Edhe shumë njerëz të tjerë mendonin se unë isha i tij. Ne ishim të lidhur si binjakët siamezë. Ai quhej mësuesi i Nikës, unë quhesha nxënësi i Gjetos. Asnjëri nuk prezantohej me emrin e vet në opinion. Edhe njerëzit thoshin: “Ky është ai fëmija i Gjetos”, ose “Ky është mësuesi i Nikës”. Ne ishim simbiozë. Më vinte shumë çudi se si mund të dënohej ai pa më marrë mua në pyetje. E quaja absurditet. Por nuk ndodhi. Kurrë nuk më ka pyetur njeri. Normalisht që më erdhi jashtëzakonisht keq. Ishte një dramë, që edhe njerëzit e tjerë që s’kishin afërsinë që kisha unë, çuditeshin e shprehnin keqardhjen. Më pyesnin rrugës se si dhe çfarë kishte ndodhur, por unë kisha fare informacion. Dashakeqët në atë kohë e kishin mundësinë dhe kishin pleksur dy-tre gjëra të vogla kundër tij. I shkatërruan jetën në vitet më të mira sepse në atë kohë ishte rregulluar. Pati shansin që, prej meje, të largohej nga malësia dhe në vend që ta gëzonte këtë gjë e ta shijonte, iu krijua ky problem”…

Zbehja e pasionit për matematikën
Në të vërtetë nga ana profesionale, Nika dhe mësuesi i tij ishin ndarë që pas mbarimti të shkollës tetëvjeçare. Në gjimnaz Nikës i vunë një tjetër mesues për të mbikqyrur ecurinë e tij. Ndërsa zotni Gjeto do të interesohej së largu edhe për shumë vite të tjera për nxënësin e tij të rrallë! Por më vonë, për çudinë e të gjithëve, Nika do të ndërronte drejtim. Pak nga pak ai do të shfaqte interes gjithnji në rritje në fusha të tjera si letërsi apo arte, dhe pasioni i tij në fushën e matematikës do të niste të zbehej…

“Erdhi një periudhë kohe që, çfarëdo problemi apo gjëje që bëja unë në matematikë, sadisfaksioni ishte zero. Asnjeri nuk më thoshte më “të lumtë”. Thoshin: “Po e dimë. Ky i ka bërë që 6 vjeç”. Filloi kështu një velje, një negativitet. Mungesa e sadisfaksionit dhe problemat pa zgjidhje ishin dy gjëra që më goditën shumë. Problemat pa zgjidhje ishin me humor, p.sh. “Në 7 hunj do të lidhim 43 gomarë, por në çdo hu do të ketë numër çift gomarësh”. Në atë kohë, isha 6 vjeç, unë nuk i dija rregullat e matematikës, që numër tek shumëzim me numër tek, del numër tek. Rrija gjithë natën duke u rrotulluar në krevat të gjeja mënyrën se si ishin lidhur gomarët numër çift, pra 7 shumëzim me çiftet të dilte 43, që ishte numër tek. Mësuesi interesohej, shqetësohej për mua, më shihte me shumë vëmendje se unë s’po flija atë natë. Ishim në plazh. Kishe hall se mos isha djegur nga dielli. U detyrova t’i tregoja për problemën. Isha menduar për 2-3 orë e nuk më zinte gjumi nëse nuk e zgjidhja. Më tha se ishte me shaka. Këto dy gjëra tani, problemat pa zgjidhje dhe mungesa e vlerësimit për atë që bëja, ma thyen vullnetin. Kur kisha ndonjë problem realisht të vështirë, nëse nuk e zgjidhja dot shpejt, më shkonte mendja se mund të ishte pa zgjidhje. Isha fëmijë i vogël dhe nuk mund të arsyetoja thellë. Sa më shumë kalonte koha, unë e ndieja se te matematika nuk kisha asnjë sadisfaksion. Bëja ndonjë shfaqej estrade, ndonjë krijim apo luaja ndonjë gjë, merrja vlerësime. Luaja futboll ose pingpong ose shah dhe kur luaja mirë ose fitoja më thoshin “bravo”, bëja matematikë thoshin “e dimë këtë që e bën”. Nuk kisha asnjë objektiv për të arritur, as nuk kisha sadisfaksion rreth vetes që po bëja diçka. Këto dy gjëra dhe mungesa e kushteve të tjera më goditën.

Nuk çoheshin në atë kohë jashtë vendit studentë për matematikë. Filluan të çonin pedagogët e mi, pasi kishin mbaruar universitetin. Kjo ndodhte sepse një profesor i nderuar i kishte thënë Enver Hoxhës të mos çonte studentë për të studiuar matematikë në Francë sepse do të diskreditonte vendin, në kuptimin e disnivelit që kishim, pasi matematika franceze dhe ajo ruse ishin dy matematikat më të forta në botë. Prandaj ata që studiuan jashtë vendit për matematikë shkuan pasi kishin mbaruar universitetin këtu dhe faktikisht shkëlqyen atje. Pra unë nuk e kisha këtë objektiv për ta arritur, që të punoja e studioja shumë se do të shkoja me studime jashtë. Nuk ekzistonte asnjë lloj perspektive.”

“Nuk ishte faji i askujt, e tillë qe koha…”
Nika nuk fajëson askënd për fatin e tij. Mund të bënte një jetë krejt të pangjashme me jetën që bën sot. Por rrethanat ishin të tilla. Një gjeni nuk mund të shkelqente në një vend ku sundonte uniformiteti. Sado që interesi i Bedri Dedjes vijonte të ishte i dukshëm, e po ashtu zotni Gjeto e ndiqte për së largu dhe e këshillonte edhe pse vetë ishte nën trysninë e survejimit të vazhdueshëm të Sigurimit të shtetit, Nika ishte një i ri që duhej stimuluar orientuar, i duhej ndihmë për të kanalizuar dhuntitë dhe energjitë, i duhej trajtim i veçantë sidomos në thellimin shkencor.

 “Pavarësisht se dikush mund të ketë shumë talent, i duhet patjetër një trajtim ndryshe. Edhe me mua ndodhte e njëjta gjë. Nuk kishte as pedagogë, as institucione të përgatitura që të trajtonin raste të veçanta. Kështu që nuk i vë faj askujt. E tillë ishte koha, ashtu siç u punua, ashtu edhe shkoi. Mbetet gjithmonë në kuadrin e hipotezave. Mund të ishte arritur diçka. Talente ne kemi shumë. Kemi shembuj plot nga ata që kanë ikur jashtë dhe janë trajtuar, e kanë treguar veten, kanë shkëlqyer, siç është rasti i vëllezërve boksierë nga Bulqiza, që në Gjermani u bënë kampionë. Po të ishin këtu në kohën e Enverit do të shtynin vagonë me mineral si gjithë të tjerët, e asgjë më tepër. Pra, problemi është se nuk mjafton thjesht një bimë e mirë, por duhet edhe toka e mirë, edhe plehu i mirë, edhe klima e mirë për t’u realizuar. Nëse unë do të kisha ikur jashtë ndoshta mund të arritur diçka, ndoshta jo. Por nuk ishte faji im e as i njerëzve që kisha pranë. Kështu na e sollën kushtet historike që të jetonim një periudhë të tillë si ajo”.

Nika e braktisi Universitetindy herë. Herën e parë ishte në vështirësi ekonomike. Nuk kishte ndihmë nga askush. Pastaj u rikthye me një ndërhyrje të zotni Gjetos. Dhe sërish do të dilte diçka që do ia ndërronte rrjedhën e jetës. Një histori dashurie, me Lilin, që sot e ka bashkëshorte në krah, behet shkas që ai ta braktisi për së dyti Universitetin. Familjarët e të dashurës nuk e aprovonin lidhjen e tyre dhe ai e rrëmben vajzën bukuroshe e shkon në familjen e tij. Për këtë shkak “në formë ndëshkimi” e dërgojnë ushtar. Më tej e gjen mënyrën t’i përfunduar studimet dhe punon për shumë vite mësues matematike në malësi…Por edhe këtë profesion do ta braktiste më vonë…

“E thashë që për mua nuk kishte asnjë interes matematika, por e kisha si një borxh për të shlyer. Punova si mësues matematike disa vite. Mësuesi në malësi duhej të punonte 10-15 vjet pastaj mund të ikte prej andej. Unë atje isha me gjithë familjen sepse edhe gruaja ime punonte në arsim. Jetoja në një dhomë aty në shkollë me gruan e djalin. Isha jashtë liste për të lëvizur prej andej. Për t’u larguar prej andej, ika edhe nga arsimi. Fillova të merrem me tregti, me punë të tjera të ndryshme. Nuk kam lënë profesion pa provuar. Më vonë, pas rëies së regjimit mora edhe Juridikun sepse punoja si ekonomist në firma private dhe më duhej të njihja edhe ligjet që të isha në rregull.”

Nikë Marashi nuk ka keqardhje për rrjedhën e jetës së tij. Ai ka investuar tek familja. Dy djemtë, shkëlqyen në shkollë dhe janë sot dy profesionistë të spikatur në fushat që kanë zgjedhur. Ndërsa Nika vijon ta shohë jetën si eksplorim në të gjithë drejtimet e saj. Ai është i bindur se në kontekstin e kohës u bë aq sa mund të bëhej…

Por Nika nuk qe prezent atë ditë dimri të 1962 në zyrën e diktatorit, në atë takim që rezultoi fatal për mësuesin e tij Gjet Vocaj por që do të shenjonte njëkohësisht edhe jetën e Nikës së vogël… Sepse atë ditë, në atë zyrë, në Komitetin Qendror, ndërsa bluante me mend dy rrugët nga ku mund të ecte në jetë dukagjinasi i vogël, Enver Hoxha e vulosi njëherë e mirë fatin e atij fëmije. Diktatori, zgjodhi për të, rrugën e dytë, e cila diktonte që Nika të qëndronte në provincë, të forconte partishmërinë, e më tej, vit pas viti si pa u vënë re, t’i shuhej pak nga pak shkëlqimi atij dielli të vogël, i cili kurrësesi s’mund të ndriçonte gjatë në Shqipërinë ku duhej të kish vec një diell, Enver Hoxhën…

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave