Në Shqipërinë e pasluftës, ndëshkimi politik nuk përfundonte me një pushkatim. Nuk mbaronte as me një burgim, as me ridënime që vinin njëri pas tjetrit. Ai trashëgohej brez pas brezi. Familje të tëra shpalleshin armike dhe jetonin për dekada nën damkën e biografisë. Burrat pushkatoheshin ose dërgoheshin në kampet e punës së detyruar, gratë mbeteshin të vetme në betejën për mbijetesë, ndërsa fëmijët rriteshin mes mungesës, frikës dhe përbuzjes zyrtare.
Një prej këtyre familjeve ishte familja Bushati në Shkodër. Në ditët e para të diktaturës, Shyqyri Bushati do të përjetonte pushkatimin e të vëllait, Qazim Bushatit. Më pas do të vinte burgosja e tij dhe e vëllait tjetër. Shkak u bë strehimi i një antikomunisti të vendosur, Sulçebeg Bushatit. Por goditja nuk do të ndalej aty. Hakmarrja e regjimit do të zgjaste deri në ditët e fundit të diktaturës.
Pas ekzekutimit pa gjyq të Qazimit, persekutimi do të vazhdonte me vuajtjet në kampin famëkeq të Maliqit, më pas me internime të gjata në fshatra të humbur, me humbjen e të drejtës së banimit në qytet dhe do të përfundonte me një brez fëmijësh që duhej të justifikonin ekzistencën e tyre përpara shtetit.
Në këtë rrëfim të rrallë, Nesrete Bushati Jegeni kujton fatin e xhaxhallarëve, babait dhe nënës së saj. Një familje që nga pasuria dhe dinjiteti i dikurshëm u shty drejt mjerimit, por jo drejt nënshtrimit.
“Në 1945-n, xhaxhanë tim e kanë pushkatuar. Ishte te të 50-at, me 4 fëmijë. E kanë pushkatuar dhe atë natë janë pushkatuar pa gjyq, 22 veta në Shkodër”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Ishte koha kur shumë qytetarë të Shkodrës u eliminuan pa procese ligjore. Emri i Qazim Rustem Bushatit do të mbetej në kujtesën e familjes si simbol i asaj nate terrori. Por drama nuk përfundoi me pushkatimin e tij. Brenda së njëjtës ngjarje, regjimi goditi edhe pjesën tjetër të fisit.
“Është arrestuar babai, meqë në momentin, prezent aty ka qenë xhaxhai, ka qenë babai dhe një nga xhaxhallarët e tjerë, se unë kam pasur 4 xhaxhallarë dhe 2 halla. Dhe e kanë marrë, e kanë pushkatuar, por këta, këtyre në fakt, në momentin që u tërhoqën gjermanët, shpërtheu një depo në Perash të Shkodrës edhe u dogj shtëpia e këtyre dhe disa shtëpi të tjera rreth e rrotull. Dhe këta u detyruan të shkojnë të jetojnë te dajat e vet. Dhe kështu që është arrestuar në shtëpinë e dajave”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Familja kishte humbur shtëpinë nga lufta. Tani do të humbiste edhe lirinë. Në vend të rindërtimit të jetës, i priste burgu.
“Xhaxhai u pushkatua ndërsa babai dhe xhaxhai tjetër që kishte një fëmijë 9 muajsh, u dënuan me 15 vite burg, por në fakt 5 vite bënë, dhe e kryen dënimin në Maliq, në tharjen e kënetës së Maliqit”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Këneta e Maliqit ishte një nga simbolet më të errëta të punës së detyruar, gjatë periudhës së parë të regjimit komunist. Aty dërgoheshin qindra të dënuar politikë. Mes baltës, urisë dhe sëmundjeve, shumë prej tyre lanë jetën. Për familjen Bushati, aty nisi një tjetër kapitull.
“Aty ishte edhe daja. Por daja pak ka qëndruar aty. Aty u njohën. Daja pastaj shkoi në Burrel, ndërsa shoku i ngushtë i dajës, që ishin vëllezër gjaku, kishin pirë gjak me njëri-tjetrin, edhe ai ka studiuar për Farmaci njëlloj si daja, pra kanë qenë bashkë gjatë tërë viteve të shkollës, edhe në Itali bashkë. Ai e vazhdoi pjesën tjetër të burgut aty bashkë me tim atë dhe me xhaxhanë. Dhe kur ka dalë nga burgu, ai ka ngulur këmbë që mami të fejohej me tim atë. Daja e ka aprovuar sepse i ka pëlqyer të dy, aq kohë sa ka qëndruar në Maliq me ta, i ka pëlqyer, edhe familja dhe kanë qenë dakord. Edhe kjo ka qenë arsyeja që mami dhe babi u martuan bashkë”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Pikërisht nga kjo mblesëri do të ndryshonte edhe fati i nënës së Nesretes, Mahmudijes, njëra prej motrave të Osman Kazazit dhe e vetmja do të linte më pas dy pasardhës Nesreten dhe vellanë e saj Shpetimin, mbesa dhe nipi i vetëm i Osman Kazazit. Kjo mblesëri dëshmonte se edhe në kampet vdekjes, jeta kërkonte me ngulm të vijonte.
Miqësitë, besa dhe lidhjet njerëzore mbijetonin aty ku shteti kërkonte t’i shkatërronte. Nga ai ferr, lindi edhe martesa e prindërve të Nesretes.
“Por babi nuk kishte të drejtën e të jetuarit në Shkodër. Komplet familja e tim ati, jo vetëm babi, komplet. Edhe i dërguan për të jetuar aty ku kishin çifligjet e tyre, gjoja që ju i keni torturuar dhe i keni keqtrajtuar bujqit, tani me këta do të punoni edhe ju”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Pas burgut, nuk vinte liria. Vinte internimi ose dëbimi, vinte survejimi dhe prëndjekja, diskreditimi shoqëror dhe lufta e klasave. Familja e nesretes u dëbua nga qyteti dhe u kthye në fshat, në tokat që dikur i zotëronte dhe si ndëshkim regjimi kishte menduar pikëtrisht punën e detyruar në ato toka ku dikur ishin zotër.
“Sigurisht që babi punonte në bujqësi, se ku do ta fusnin? Edhe mbaj mend, një periudhë kohe kishte si detyrë që të përdorte këto qerret, i thoshin atëherë, me dy qe, dhe unë shkoja vetëm në verë atje, unë dhe im vëlla, shkonim vetëm në verë, gjatë tërë kohës rrinim në Tiranë. Dhe e mbaj mend që m’u tek mua një ditë dhe qaja, në mëngjes herët çohej ai dhe merrte këto të korrurat që kishin bërë një natë përpara, i bënin të korrurat në fushë edhe i mblidhnin dhe ky duhej të shkonte t’i mblidhte dhe t’i çonte ku ishte destinacioni. Edhe mua më hipi dhe qaja me të madhe që dua të iki edhe unë me babin dhe më merr babi me vete. Duke ecur, kalon një nga këta anëtarët e partisë, të fshatit, edhe i thotë: ah more bej, dikur ishin të tjerë që punonin për ju, tani je ti që po punon për të tjerët. I tha: tani po të shoh ty duke tërhequr qerren. – E, - i tha ai, im atë, nuk e harroj këtë përgjigje. Tha: s’ke faj, ke të drejtë, - i tha, - se në kohën time d.m.th. se ai i tha në sensin që ju i keni keqtrajtuar dhe tani urdhëro, edhe ju po punoni njëlloj me bujqit tuaj. Dhe babi iu përgjigj, tha: eh, s’ke faj, se në kohën time e skuqe vezën me gjalpë dhe tani e ha bukën me shëllirë. Dhe e kam të fiksuar megjithëse kam qenë 8-9 vjeçe, jo më shumë, e kam të fiksuar këtë përgjigje”, tha Nesrete Bushati Jegeni.
Në pak fjali, ai kishte kthyer përmbys gjithë propagandën e kohës. Ishte përgjigjja e një njeriu që regjimi ishte munduar ta rrëzonte në rang social por pa mundur ta rrëzonte atë moralisht.
Por mes varfërisë dhe internimit, ai do të merrte edhe një vendim të vështirë, që do t’u ndryshonte jetën fëmijëve të tij, por do tia shtonte dhimbjet e shpirtit. Ai do ti largonte herët fëmijët nga shtëpia në fshat, që ata të mos rriteshin në baltë.
“Sapo bënim ne 3 vjeç, ngulte këmbë që ne të mos jetonim në fshat dhe bile kur kam bërë unë 3 vjeç, ka ardhur në Tiranë bashkë me mamin dhe me mua, dhe u kërkoi leje, nëse kishin mundësi të na mbanin. Tha: unë nuk dua që vajza ime të rritet në fshat, në ato kushte. Po patët mundësi. Ato nuk e diskutuan, bënin për të huajt, jo për ne. Pastaj e njëjta gjë ndodhi edhe me tim vëlla kur mbushi 3 vjeç. Kështu që na kanë, sidomos babi, se mami pastaj pasi u nda babi nga jeta erdhi në Tiranë dhe ishte ok me ne, por babi na ka dëshiruar shumë.
Bëri një sakrificë të jashtëzakonshme vetëm që ne të kishim një jetë tjetër, sado me vështirësitë e tjera, por nuk u rritëm në baltë, u rritëm në asfalt, kur i thuhet fjalës. Atje të shkoje në shkollë, duhej të ecje 1 orë. Xhaxhai tjetër p.sh. që ka qëndruar aty, fëmijët e tij janë torturuar duke shkuar 1 orë në mes të dëborës, derisa edhe ai krijoi mundësinë për t’u shkëputur pastaj dhe për t’u vendosur në Shkodër, me shumë vështirësi, por e arriti shumë vite më vonë”, vijoi më tej Nesrete Bushati Jegeni.
Nesi tregon se jeta e tyre do të rridht e tillë, me babanë në atë fshat të humbur, ata në Tiranë e shpesh në kampe internimi ku gjyshja ndiqte dajën e saj osmanin dhe nënën e saj q ëendej sa në fshat në tiranë e në kampe për të parë vëllanë.
“Jeta e sime mëje në fshat ka qenë, nuk di si të them d.m.th., për të qarë, kur i thonë, sepse pjesa më e mirë e shtëpisë ishte, jetonin në shtëpinë e tyre, me një fjalë në shtëpinë që kishin, shtëpi verimi. Pjesën më të mirë të shtëpisë ishin detyruar ta shisnin për të jetuar dhe bile njëra nga hallat më thoshte që kemi shitur kaq shumë gjëra, edhe për të mbijetuar, se çdo gjë, edhe u dogj shtëpia, edhe u shkatërrua çdo gjë, por pastaj për të mbijetuar, u detyruam pjesën që mbeti ta, të shesim edhe gjëra me vlerë që të mbijetonim, sepse gjyshi dhe gjyshja ime nga babi kanë vdekur shumë herët, d.m.th. i kanë lënë të rinj këta fëmijët. Kështu që ishin të detyruar të jetonin në pjesën e shtëpisë që ata e përdornin si magazinë.Unë e mbaj mend, dhoma ku jetonte ime më, kishte vetëm tra, nuk kishte tavan. Edhe një çimento jo të lëmuar, një çimento, ishte shumë keq”, u shpreh Nesrete Bushati Jegeni.
Nesi tregon më tej se e ëma ishte e detyruar të përballonte një jetë tmerrësisht të vështirë në atë fshat. Ajo që ishte rritur dhe shkolluar në Tiranë, e formuar me kulturën e një familjeje qytetare, ku vëllai kishte studiuar Farmaci në Itali, e rritur në një shtëpi të bukur në zemër të kryeqytetit, tashmë duhej t’i bënte ballë jetës mes baltës, të ftohtit dhe mungesave pa fund. Ishte një realitet i egër, krejt i kundërt me gjithçka kishte njohur deri atëherë, një jetë që kurrë nuk do ta kishte imagjinuar.
“Nuk kishte ujë dhe ime më shkonte 2 orë, duhej të ecte, ishte një pus, ishin disa fshatra, që kishte vetëm një pus i vetëm. Dhe duhej të çoheshin që në 4 të mëngjesit për të mbajtur radhën, duhej të ecje 2 orë gati për të shkuar dhe për të mbushur. Mbushte 2 boilerë të mëdhenj, mendoje, për të. E rritur në Tiranë, mendoje çfarë jete ka bërë. Në fshat pak ka punuar sepse ka qenë astmatike dhe nuk e përballonte shumë, d.m.th. disa muaj në vit punonte. Dhe kryesisht në dimër nuk dilte në punë. Punonte pranverë, verë, vjeshtë. Vinte shpesh në Tiranë sepse e vuante jashtë mase mungesën tonë dhe d.m.th. e mbaj mend gjithmonë, sa herë që vinte, dhe kur largohej qante. Qante shumë. E kam parasysh kur i hipte autobusit, në dritaren e autobusit që i shkonin ata lotët ose kur shkonim ne dhe largoheshim”, u shpreh Nesrete Bushati Jegeni
Për nënën e saj çdo ardhje në Tiranë ishte një gëzim i shkurtër. Çdo largim, një plagë tjetër. Ndërsa I ati do ta vuante edhe më shumë mungesën. E vetmja periudhë kur ai qëndroi më gjatë me fëmijët e tij isht efundi I jetës, kur I sëmurë u zhvendos në tiranë në shtëpinë e dajës Osmanit. Nesi tregon se nga ajo sëmundje i ati vdiq herët. Ihste një ditë tetori e 1968, kur ajo ishte vetëm 12 vjeç.
“Ne e kemi përjetuar shumë keq, të dy, me tim vëlla, ikjen nga babi, se ndodhi edhe në Tiranë. Edhe ai u nda me një sëmundje të keqe në mushkëri, edhe muajt e fundit i kaloi këtu në Tiranë te gjyshja, sepse kishte nevojë për përkujdesje. Edhe d.m.th. ne e pamë të dy atë moment, edhe e kemi përjetuar. Ishim të vegjël dhe e kemi përjetuar goxha. Edhe e donim, e donim shumë, jo vetëm sepse ishte babai por ishte njeri shumë i qetë, nuk e shikoje kurrë të ngrinte zërin, por i zinte vend fjala d.m.th. Të thoshte një fjalë, i zinte vend fjala. Kishte një humor aq të hollë dhe të lezetshëm saqë, kishte vlera goxha edhe ai, por jetën e pati shumë të vështirë”, u shpreh Nesrete Bushati Jegeni.
Por edhe pas vdekjes së tij, historia e familjes nuk mbaroi. E shkuara vazhdonte të ndiqte fëmijët. Biografia e nxirë prej regjimit hidhte hije edhe në regjistrat e zyrave të shtetit.
“Që neve nuk na bënin pasaportizimin në Tiranë. D.m.th. unë kam jetuar pa pasaportizim deri në vitin 1983. Dhe jemi detyruar të bëjmë një manovrim, më 1981, në atë kohë kishte dalë mami në pension dhe thanë që nuk është më problem për pasaportizim për time më, se si pensioniste mund të jetojë kudo, nuk ka të drejtë pune d.m.th. se ka pension, pensionin e babit merrte, një pension të vogël që na u lidh kur vdiq im atë dhe pastaj e mori mami kur mbushi moshën. Por na thanë: problem jeni ju të dy, dhe thanë: mundohuni që njëra nga tezet të adoptojë vëllanë sepse e ka më të vështirë si mashkull të bëjë pasaportizimin dhe është më e lehtë për ty, se ti mund të bësh edhe një fejesë e një martesë, se kështu ishte atëherë. Dhe më 1981, njëra nga tezet është detyruar të birësojë tim vëlla, i cili ishte ushtar në atë kohë, dhe pastaj më 1983 më është bërë pasaportizimi mua dhe m’u dha e drejta për të bërë një kurs infermierie dhe mbarova Infermierinë. Pra, deri më 1983 unë kam qenë pa pasaportizim në Tiranë”, u shpreh Nesrete Bushati Jegeni.
Mes privimeve të shumta ishte edhe shkollimi, një e drejtë që sikurse shumë fëmijëve nga familjet e persekutuara do ti mohohej edhe Nesit. Për fëmijët e “biografisë së keqe”, çdo hap duhej fituar me lutje, me ndërhyrje, me frikë.
“Shkollën e bëra unë, gjimnazin, të mesmen, shkollën mund ta bëje sepse kishte një gjë. Edhe atje në fshat nuk kishte të mesme. P.sh., fëmijët e xhaxhait tim e bënin në Shkodër shkollën e mesme. Rrinin te halla, se s’kishte atje gjimnaz. Pra problemi ishte vetëm regjistrimi në klasën e parë, i cili u bë një çikë me mik, në fakt. U bë me mik dhe pastaj vazhdonte, se transferoheshim nëpërmjet dëftesës. Dhe kështu që kjo qe arsyeja pastaj, bile unë jam regjistruar me vonesë në shkollë, në klasën e parë. U futa me vonesë pak, disa ditë, sepse ishte një çikë i vështirë regjistrimi ngaqë s’kisha pasaportizim dhe u bë me një lloj miqësie. Dhe pastaj vazhdoi normalisht ajo, por të drejtë shkolle për të vazhduar pas së mesmes nuk pata, për shumë arsye pastaj. Edhe për arsye politike, edhe pasaportizimi nuk më bëhej për arsye politike.
Kushedi sa herë më kanë marrë, nuk e harroj, më thërrisnin këta të kryesisë së Frontit, dhe më thoshin që daja yt është armik i popullit, babi yt ka qenë fashist bile më thoshin. Im atë s’është marrë fare me politikë, të them të drejtën. Thanë: babi yt ka qenë fashist dhe ti duhet të shkosh në fshat, duhet të kthehesh prapë atje.
Mendoje, unë isha, sapo kisha mbaruar gjimnazin, edhe në një tavolinë të gjatë aty, gjithë ata burra aty, oficerë kryesisht, që ishin të kryesisë së Frontit dhe që i thoshin një vajze 18-vjeçare që...”, u shpreh Nesrete Bushati Jegeni.
Që prej natës së vitit 1945, kur familjes Bushati iu pushkatua një prej burrave të saj, e deri në fundin e diktaturës, kjo familje provoi pothuajse çdo formë ndëshkimi komunist: pushkatim, burg, kamp pune, internim, dëbim, varfëri, mohim të të drejtave dhe poshtërim të përditshëm.
Por kujtesa e Nesrete Bushati Jegenit dëshmon se mes gjithë kësaj errësire mbijetoi diçka që regjimi nuk arriti ta shkatërronte kurrë: dinjiteti njerëzor.
Komente











