Më 8 janar 1960, në një nga kampet e internimit në Fier, Osman Kazazi i shkruante një letër familjes, ku zbërthente thelbin e qëndresës së tij antikomuniste dhe të gjithë të burgosurve të tjerë si ai në Shqipëri, që po i bënin ballë regjimit me dinjitet në kushte të paimagjinueshme.
Pas periudhës së burgimit të parë, ai vijonte qëndresën e tij edhe në internim. Idetë dhe bindjet e tij nuk negocioheshin dhe, për këtë arsye, do ta riburgosnin pak vite më vonë për së dyti.
Por gjatë kësaj periudhe në internim, ai kishte mësuar nga familjarët e tij se njerëzit kishin nisur ta krahasonin me Mandelën, një figurë simbol të qëndresës në botë në atë kohë, por që, siç theksonte me të drejtë Osman Kazazi, Mandela e bënte qëndresën e tij në kushte komode, jo çnjerëzore si në Shqipërinë e diktaturës.
Mbesa e tij, Nesrete Bushati Jegeni, thotë se kjo letër, drejtuar familjes (pra nënës dhe motrave) nga internimi, ka vlera të rralla si dëshmi, por edhe si tregues i karakterit të papërkulur të Osman Kazazit.
“Më thatë se më quajnë Mandela i Shqipërisë. Mandela ka jetuar në mënyrë të ndryshme nga ne; atij s’i ka munguar asgjë, veç lirisë së daljes jashtë mureve të banesës, ndërsa ne kemi qëndruar të mbyllur, përveç dy orëve që dilnim në oborr për ajrosje, të shënuara në rregullore, se në realitet nuk zbatohej rregullisht. Na i hanin minutat, lëre më në festa ose kur kishte ndonjë turbullirë në vend apo ndërkombëtare, kur me ditë e javë nuk më nxirrnin fare në ajrosje. Bile disa ndër ne, që ishim në shënjestër, na izolonin në biruca ashtu siç ndodheshim, pa marrë asgjë me vete, as xhaketën, edhe pse ishte dimër, në çimento pa shtresë e mbulesë.
Ai kishte fjetjen si njeri, me të gjitha komoditetet e nevojshme. Ai kishte radio, televizor, bibliotekë, ndërsa ne flinim nëpër dhoma, herë-herë edhe të shtrënguar aq sa ju s’mund ta besoni. Më ka ndodhur edhe brenda 25-30 centimetrash për secilin dhe, kur ndonjëri donte të rrotullohej, qe të gjithë duhej të lëviznim për t’u kthyer në krahun tjetër.
Mandelës s’i mungonte asgjë, neve na mungonte gjithçka. Ai hante ç’i donte shpirti, ndërsa ne kishim ndonjë garuzhde supë në drekë dhe në darkë. Kjo filloi mbas rënies së Koçi Xoxes, se deri atëherë patëm vetëm 600 gram bukë në ditë. Racioni ditor ishte 40 gram makarona ose oriz, nganjëherë edhe fasule, që ishte gjë e madhe për ne; ia transmetonim lajmin njëri-tjetrit me kënaqësi. Racioni i vajit në rregullore ishte 7 gram në ditë për të dy vaktet, që në realitet bënte firo gjatë rrugës, derisa arrinte te konsumatori jo më shumë se 5 gram.”
Kthim në qelitë e burgut
Gjashtë vite pas kësaj letre, pasi kishte kryer internimin dhe ishte kthyer në Tiranë, në kushte ekstremisht të vështira përndjekjeje dhe survejimi, Osman Kazazi arrestohet për herë të dytë. Tashmë, gjatë kalvarit të tij të dytë, do t’i dëshmonte botës se modeli i Mandelës ishte kaq minor përballë qëndresës që ai dhe shokët e tij të burgosur përjetonin në Shqipërinë e diktaturës.
Jeta e tij në burgje, kalvari i vështirë i nënës dhe motrave të tij në përpjekje për ta ndihmuar, si edhe modeli i lartë shoqëror që ata përfaqësonin, do ta ilustronin më së miri këtë dallim mes tij dhe Mandelës.
Mbesa e tij, Nesrete Bushati Jegeni, vijon rrëfimin e saj në këtë linjë të historisë, ku Osmani, nëna e tij dhe motrat i bënin ballë me dinjitet një regjimi gjakësor që nuk reshtte së luftuari kundër tyre.
Nesrete Bushati Jegeni: Dua të kujtoj momentin kur është arrestuar daja herën e dytë, në 1966-n. D.m.th. unë isha 10 vjeçe në atë kohë dhe im vëlla ishte 7. Ka qenë, ishin këto, festohej, ishte Kongresi V i partisë, se kishin ato kongreset atëherë, por fillonin ato festimet disa ditë përpara, që kur fillonin e vinin delegacionet dhe nuk e harroj. Kishim, po shpërthenin në qendër të Tiranës fishekzjarret se ishte festë. Dhe unë po i shikoja në oborr. Daja, pak kohë më përpara, tha: po shkoj një çikë te këta kushërinjtë. Kishim përballë disa familje Kazazi. Dhe fillimisht, nuk e di nëse e keni dëgjuar, Cen Kazazin, që ka qenë një mjek popullor, ka qenë i yni dhe tha daja: po shkoj njëherë të rri pak atje dhe pastaj po kaloj te kushëriri tjetër më prapa. Kishim një deriçkë të vogël që komunikonin këto oborret me njëri-tjetrin. Edhe i thanë këto tezet që shko, por mos u vono shumë se me këto, një rrugë na ndante, nuk ishte larg, vetëm rruga, se me këto rrethanat kështu, kur janë këto festat e di ti, - i thanë, - që jemi shënjestër. Prandaj më mirë mos rri shumë, të kemi këtu, jemi më të sigurt. - Jo, jo, - d.m.th. përgjigjja e tij, - pak do rri, nuk vonohem. Edhe shkoi. Kaloi gjatë, nuk po vinte. Edhe më thotë njëra nga tezet që shko një çikë te xha Ceni dhe pyet, dhe shih a është daja aty. Unë: po, po, se 10 vjeçe dhe po shikoja fishekzjarret. – Po, po, ja sa të shikoj këto. – Po shko shpejt se duhet të shkosh tani, - tha tezja dhe shkoj. Shkoj dhe pyes. Tha: jo, ka kohë që ka ikur. Vij dhe u them këtyre të shtëpisë: ka kohë që ka ikur më tha xha Ceni. Këto po zienin nga brenda, sikur diçka po parandienin. Kur në këto momente vjen një kushërira jonë. I përkiste familjes ku daja kishte qenë për herë të fundit. Dhe në momentin që ajo po kthehej në shtëpi, kishte parë dajën që e kishin tërhequr për krahësh dhe e kishin futur në një “Xhip”. E kishin marrë që nga rruga ku kishte dalë ky nga shtëpia ku ishte për vizitë, e kishin kapur një copë rrugë kështu për krahësh, dhe pastaj e kishin hipur në një “Xhip”, afër kinema “17 Nëntorit”. Edhe vjen dhe thotë: më duket se e kanë arrestuar lalën, se kështu e kështu, pashë këtë skenë. Atëherë kam parë tezet e mia që i kanë rënë me duar kokës së vet, d.m.th. i binin dhe nëna ishte në kuzhinë dhe nuk dinte gjë akoma. Por edhe këto thoshin: si do t’ia themi? Pas disa orësh ka trokitur dera. Këto nuk ia kishin thënë akoma nënës, por nëna thoshte vazhdimisht që pse po vonohet, pse po vonohet? Ka trokitur dera dhe kanë ardhur ata të Sigurimit për kontroll në shtëpi.
Nesi tregon se prej atij momenti, të gjithë në shtëpi e kuptuan se gjithçka kishte marrë fund. Ajo së cilës i druheshin prej dy vitesh, tashmë kishte ndodhur.
Nesrete Bushati Jegeni: Aty nëna e mori vesh dhe humb ndjenjat. I ka rënë të fikët. Janë ngjitur lart. E kanë bërë shtëpinë, nuk di ç’them, çdo gjë u kthye mbrapsht. Imagjinoje tani, ishte vonë, unë me tim vëlla na mbështollën me batanije në oborr. Çdo gjë u kthye përmbys. Sa herë që vinin d.m.th. e kishin këtë. Edhe më përpara që vinin për kontrolle merrnin fotografi, libra, çfarë t’u vinte për mbarë. Edhe kanë ikur, nuk e di a 1 a 2 e natës ka qenë ora, edhe pasi kanë ikur ata ne kemi, kishim një, oborret tona një familje që ishim si të, si një familje, nuk bënim asgjë pa njëri-tjetrin. Por sa ishin ata të Sigurimit, nuk shkonim dot të flinim atje, se s’donim t’i fusnim edhe ata në. Kishim një derë që komunikonin dy oborret tona dhe sapo kanë ikur ata, ne kemi shkuar dhe kemi fjetur atje, unë me vëllanë, sepse nuk kishim ku të shtriheshim, duhej, ishte çdo gjë përmbys, duhej rregulluar shtëpia. Tërë natën pastaj, të tërë, familja aktivizohej të sistemonte shtëpinë.
Nesi tregon se, që nga ajo natë, por edhe në shumë net të tjera që pasuan, kur njerëzit e Sigurimit vinin për kontroll në shtëpinë e tyre, tezet dhe gjyshja ndiqnin një ritual të përhershëm: shpëtonin, me ndihmën e komshinjve, disa plaçka të vyera që mbanin në shtëpi.
Nesrete Bushati Jegeni: sidomos në momentin që arrestohej, ndodhte pothuajse çdo 2-3 net, kjo gjë. Edhe e kam të fiksuar një gjë që këta, se siç bëheshin atëherë, që bëheshin pajat e vajzave, dhe kishin gjëra me shumë vlerë në fakt, edhe të qëndisura, se njëra nga tezet, njëra nga motrat e Osmanit, kishte ndjekur shkollën e murgeshave dhe dinte të qepte shumë mirë, shumë bukur, dhe të qëndiste, por jo të qëndiste, të pikturonte, d.m.th. të qëndisurat e asaj ishin sikur ishin pikturë. Edhe kishte shumë gjëra të këtilla pra, të bëra me dorë, që ata po t’i gjenin i merrnin. Edhe e mbaj mend që ato i mbanin gjithmonë të lidhura kështu në bokshe, si i thonë, në çarçafë të vjetër dhe sapo binte dera, që trokitej në derë, se mënyra e të trokiturit të tyre ishte shumë e fortë, shumë çnjerëzore, shumë, nuk di si të them, kuptoheshin që ishin ata dhe nga dritarja i hidhnin të tëra bokshet në oborrin e familjes ku shkonim ne e flinim. Dhe ata kishin një bodrum, i merrnin këto dhe i fusnin aty poshtë që të mos i gjenin edhe nëse do të kontrolloheshin edhe shtëpitë rreth e rrotull. Edhe këtë dm.th. e kam të fiksuar gjithmonë sa herë që vinin ata, që thonin: të paktën të shpëtojmë çfarë të shpëtojmë nga këto. Ato kishin edhe vlerë shpirtërore më shumë sesa, se ishte një mund i derdhur aty, mund, talent, shumë gjëra bashkë.
Gjithsesi, që nga ajo natë dhe në netët e tjera të kontrolleve që pasuan, ata do të merrnin nga shtëpia e Osman Kazazit gjithçka që u zinte dora. Ky procesverbal i datës 4 shkurt 1967, i hartuar pas arrestimit të tij, dëshmon se deri në ç’pikë shkoi konfiskimi i pasurisë së Osman Kazazit. Dyzet e tetë pjata vendi, një makinë qepëse dhe një radio ishin “pasuria” kryesore e Osman Kazazit.
Nga ajo natë e arrestimit, Nesi kujton se gjyshja e saj u zhyt në një dëshpërim që askush prej tyre në familje nuk e kishte parë kurrë më parë.
Nesrete Bushati Jegeni: Nëna d.m.th. ka humbur ndjenjat dhe nuk është përmendur orë të tëra dhe e kam të fiksuar që kur është përmendur, ka qenë prapë natë edhe ka dalë në oborr. Kishte një gjë që ia admiroja, natyrë që sado t’i bëje keq nuk mallkonte kurrë, asnjëherë. Është i vetmi rast që e kam parë, që ka dalë në oborr, ka hequr shaminë e kokës dhe ka thënë: o Zot, e pafsha atë që ma bëri këtë gjëmë, e pafsha sa më keq të jetë e mundur. Edhe në fakt e pa. E pa shumë keq, e pa të braktisur atë njeri nga familja e vet, nga fëmijët, d.m.th. pati një fund që mblidhte edhe cigaret rrugëve se nuk kishte as për të blerë cigare. Edhe këtë e kam të fiksuar d.m.th.
Shtegtimi i vështirë i burgjeve
Burgosja e dytë e Osman Kazazit do të thoshte shkërmoqje, në një çast, e të gjitha shpresave që ata kishin thurur gjatë atyre dy viteve pas kthimit të tij nga internimi. Pas arrestimit, ai do të akuzohej për agjitacion e propagandë dhe do të dënohej me 10 vjet heqje lirie. Më vonë, po me këtë akuzë, do të ridënohej brenda burgut edhe me 10 vite të tjera.
Kështu, për dy dekada, jeta e tyre do të rridhte e tillë: ai në burgjet e Burrelit dhe Spaçit, ndërsa nëna e tij me motrat jashtë, por në përpjekje të pafundme për ta ndihmuar që ai të mbijetonte deri ditën kur do të dilte nga burgu.
Nesi tregon shumë episode të shtegtimit të dhimbshëm të grave të familjes Kazazi, të cilat përpiqeshin t’i bënin ballë jetës në këto kushte, me Osmanin në burg.
Nesrete Bushati Jegeni: Mbaj mend, që tregonin këta, kur shkonin në Burrel, që nuk i ndihmonin të mbanin, se sa herë që shkonin mendoje se sa të ngarkuar shkonin sepse e dinin që Osmani nuk hante asgjë vetëm. Pra çdo gjë Osmani do ta ndante me të tjerët. Përveç që e ndante me të tjerët, porosiste edhe ilaçe që u duheshin njerëzve që ishin në burg dhe s’kishin mundësi që familjarët t’u shkonin. Kishte familje që shkonin shumë rrallë se ishin nga jugu, ekstremi i jugut, që të shkoje deri në Burrel doje 1 ditë të shkoje e 1 ditë të ktheheshe. Nuk kishin mundësi dhe i porosiste motrat e veta që këto ilaçe më duhen
Nesrete Bushati Jegeni: Gjëja që donte gjithmonë mos t’i mungonte ishin hudhrat, për arsye se u jepte të tërë të burgosurve hudhra, që të ruanin pjesën e zorrëve dhe të stomakut ngaqë higjiena ishte për faqe të zezë, d.m.th. dihej si ishte higjiena atje dhe në tualetet e burgut. Dhe për t’i mbrojtur të burgosurit nga ndonjë infeksion që mund të merrnin në ato tualete skandaloze, u jepte të tërëve hudhra në mëngjes dhe ishte pjesë e pandarë e ushqimeve që paketoheshin për t’u çuar në burg, ishin vargjet e hudhrave. E mbaj mend si sot.
Por në këto udhëtime të gjata e të vështira, me sakrifica të mëdha për të gjetur dhe çuar çdo muaj ushqime, veshmbathje dhe ilaçe në burg, nëna e Osmanit dhe motrat e tij do të kalonin peripeci të pafundme.
Nesrete Bushati Jegeni: Në Burrel ishte një copë rrugë për të ecur nga vendi ku i linte autobusi e deri në burg. Askush nuk i ndihmonte, vetëm se ishin njerëzit e të burgosurve dhe kishte raste kur duhej që, u duhej të flinin aty dhe nuk i pranonin në hotel. Flinin jashtë. Ishte vetëm, më thonë tezet, më tregonin që ishte vetëm një, disa herë u ka ndodhur në fakt kjo gjë, ishte një që ishte rojë. Hotelet kishin një rojë në katin e parë, që kishte një kthinë të vogël.
Ai, se këto flinin në vendet ku kishte dritë dhe ku mund të ishin më të sigurt se tani ishin femra, mendoje të flesh jashtë. Dhe pas orës 12, ky roja i hotelit i fuste brenda në katin e parë, në korridor, që të paktën të flinin aty se thoshte: më përpara kam frikë se mos më shikojnë dhe më spiunojnë. Pas 12-s janë të gjithë në gjumë dhe e kam më të lehtë t’ju lejoj të paktën të flini këtu në hollin e katit të parë të hotelit. Dhe disa herë ky person e ka bërë këtë gjë.
Po ashtu, Nesi kujton një ngjarje të vështirë e delikate nga një prej vizitave që gjyshja e saj dhe e ëma i bënë Osmanit në burgun e Spaçit.
Nesrete Bushati Jegeni: Ndërsa në Spaç, e mbaj mend një herë, kur ka shkuar ime më me gjyshen për ta takuar dajën, nuk e kanë lejuar sepse e kishin dënuar dhe e kishin futur në qeli dhe thanë që nuk ka të drejtë takimi. – Po të paktën, - i thanë këto, - na fusni gjërat, ushqimet dhe të ikim. Mendoje nga Spaçi, nga rruga kryesore, ajo rruga e Spaçit në këmbë. S’shkonte makina atëherë deri atje, vetëm ata kamionët, por s’të merrnin, nuk të merrnin. Kamionë që ngarkonin mineralet. Dhe u thanë: prisni t’ju kthejmë përgjigje. Dhe nuk i kthyen përgjigje, i lanë aty derisa u errësua dhe ato ishin të detyruara të flinin aty. Dhe kanë fjetur të dyja në këmbët e një ure, ishte një si urë, janë futur te këmbët aty nga frika se mos, dhe nuk e harrojmë, - thonë, - dhe ia dimë për shumë faleminderit që njëri nga ata kamionët që po priste aty për t’u ngarkuar, se duhej të priste që të ngarkohej që në mëngjes herët, ai ka ndezur dritën e kamionit që t’i ndriçonte gjatë natës, që të mos kishin frikë. Kanë ndenjur tërë natën aty dhe të nesërmen në mëngjes u kanë marrë vetëm ushqimet, nuk u kanë lejuar takimin. U kanë marrë ushqimet dhe janë kthyer pa e takuar. Dhe raste të tilla kishte pa fund.
Dhoma bosh e Osmanit...
Për aq kohë sa Osmani mbahej i izoluar në burg, dega e vetme ku kapeshin motrat dhe nëna e tij ishte dita e lirimit. E përllogarisnin aq shpesh atë ditë, duke besuar se ajo do të vinte më shpejt. Por, për fat të keq, ajo do të largohej edhe më shumë.
Pasi mbaroi dënimin prej 10 vitesh, ndërkohë që e prisnin të kthehej në shtëpi, Osmanin e kishin ridënuar. Në ato ditë pritjeje kishin rregulluar çdo detaj në shtëpi për ta mirëpritur… por gjithçka do të rikthehej aty ku ishte: në një tjetër dhjetëvjeçar pritje.
Nesi kujton se, në gjithë këto vite pritjeje, vetëm diçka nuk ndryshonte në shtëpinë e tyre: dhoma e vogël e Osmanit.
Nesrete Bushati Jegeni: Shtëpia ka qenë me 2 kate, d.m.th. rrihej në katin e parë dhe flihej në katin e dytë dhe në katin e dytë ka qenë një dhomë e vogël, që quhej dhoma e Osmanit dhe askush nuk flinte aty. Ajo dhomë rrinte, pastrohej çdo javë njëlloj si pjesa tjetër e shtëpisë, por askush nuk jetonte. Ishte një dhomë që ishte gjithmonë në pritje të Osmanit. Dhe kishte edhe dollapin aty, edhe të gjitha. Vazhdimisht, të tëra kostumet ishin ruajtur, të gjitha, edhe këpucët, edhe kostumet, edhe, siç i kishte blerë në Itali, edhe kapele “republikë”, edhe kollaret, edhe çdo gjë ruhej dhe të tëra pastroheshin rregullisht çdo javë. Kur pastrohej dhoma, patroheshin edhe rrobat, edhe vareshin të mbështjella me një çarçaf. Kur ka dalë daja nga burgu, edhe jorgani i atllastë, ngjyrë blu e hapur pra midis bojëqiellit dhe blusë, se e mbaj mend si sot, ruhej. Ishte i Osmanit dhe ruhej. Ajrosej, ruhej çdo moment dhe në momentin që ka dalë nga burgu është shtruar urgjentisht krevati me çdo gjë që ishin të atij, me çarçafët, me jorganin blu, me të gjitha, me të gjitha, në moment, se kishin frikë të shkretat ta bënin këtë gjë më përpara, pasi shumë herë e kanë pritur dhe daja dënohej 10 vite, pastaj 10 vite të tjera ia jepnin në burg. Dhe kur këta prisnin që daja të vinte, daja dënohej dhe rrinte edhe 10 vite të tjera. Dhe këto, këtë gjë e kishin d.m.th. krevatin nuk e shtronin, se thonin: po e shtrojmë dhe nuk po na vjen. Dhe e kanë shtruar në momentin që daja ka ardhur.
Nesi kujton po ashtu një moment të trishtë nga ajo ditë kur daja i saj, Osmani, doli nga burgu.
Nesrete Bushati Jegeni: Ka pasur një histori të trishtë, them, në momentin që ka arritur sepse nuk, mendoje, vite pa e parë Tiranën, dhe nuk është orientuar dot për të gjetur shtëpinë. Kur ka ardhur në 1986-n, sepse na lajmëroi neve që do të, d.m.th. i çuan rrobat këto, ia çoi njëra nga tezet me gjithë tim vëlla, rrobat me të cilat do të dilte nga burgu, por ditën nuk e dinin. Edhe Osmani tha që do t’ju lajmëroj unë se kur, por nuk na lajmëroi, e bëri si surprizë. Daja është, u bë një amnisti atëherë dhe nga kjo amnisti fitoi vetëm 1 ditë. Dhe erdhi një ditë përpara sesa i takonte të dilte dhe nuk është orientuar dot në qendër të Tiranës dhe pastaj aty e ka ndihmuar dikush. Ka pyetur dikë dhe ai e ka sjellë deri në pragun e shtëpisë.
Nesi thotë se, në gjithë këtë histori dhimbjeje, ajo që vuajti më shumë ishte gjyshja e saj, Hatixhe Kazazi, ose “Nona Meje”, siç e quanin ata. Ajo, siç e përshkruan Nesi, “ishte gruaja më e veçantë dhe më e fortë që mund të njohësh. Buzëqeshte edhe pse dhimbja i kishte pushtuar shpirtin. Pesha e vuajtjeve, edhe pse tepër e rëndë për supet e saj, nuk e rrëzoi për asnjë çast. Dera e shtëpisë mbeti e hapur në çdo orë të ditës e të natës për këdo që i duhej një strehë; mikpritëse edhe pse në vështirësi, sepse përtej karakterit të saj ajo kishte edhe një rol të rëndësishëm dhe duhej të ishte e denjë për të: ajo ishte nëna e Osman Kazazit!”
Nesrete Bushati Jegeni: e ka vuajtur shumë faktin që Osmani ishte në burg, edhe, por ishte grua shumë e fortë. Edhe gjithmonë i jepte kurajë vetes dhe thoshte që ma ka çuar Zoti këtë hall sepse e di që unë e mbaj. Dhe nuk e theu kurrë fakti që Osmani ishte në burg sepse thoshte: unë e falënderoj Zotin që e kam gjallë, më jeton djali, vërtet që nuk është me mua por jeton dhe unë shkoj e shoh. Po sikur të mos e kisha fare? Dhe i jepte shumë kurajë vetes. Ajo që e theu pastaj dhe që nuk e përballoi dot më, ishte vdekja e njërës nga motrat e Osmanit, më 1988, nga fundi i 1988-s. Ajo e shkatërroi. Aty unë e kam dëgjuar atë që të kërkonte, t’i kërkonte Zotit ta merrte. Kur daja ishte brenda në burg, thoshte gjithmonë: o Zot, më jep jetë ta shikoj sa të hyjë në derën e shtëpisë dhe pastaj le të vdes. Kur daja doli nga burgu, thoshte: o Zot, më jep edhe pak jetë ta shijoj. Dhe ne bile qeshnim nganjëherë dhe i thoshim që po e tradhton fjalën e parë, lutjen e parë që i ke drejtuar Zotit. Por jetoi 3-4 vite d.m.th. nga 1986 deri në maj 1990.
Fundi i pjesës së dytë
Komente












OSMAN KAZAZI NDERI I KOMBIT....
Përgjigju