Ishte viti 1970. Në kullën e allamënve në Mat, do t'ia behte furtuna e dytë.
Pas pushkatimit të dy vëllezërve Isuf dhe Dyl Allamani, dhe burgimeve të para të burrave të familjes, mes survejimeve dhe persekutimit të pandërprerë, fëmijët e tyre ishin rritur dhe kishin krijuar familjet e tyre. Ishin djem të rritur mes egërsisë më të rreptë të diktaturës. Historitë tragjike të vitit 1945-1948 e kishin vulosur fatin e gjithë pasardhësve. Kërcënimi i burgut, ishte i pranishëm në çdo ditë të jetës. Ata e dinin se rreziku bënte rojë mbi kokën e gjithëseicilit dhe vërtet viti 1970, derdhi mbi ta gjithë egërsinë e regjimit. I pari do të arrestohej Petrit Allamani, djali i Dyl Allamanit, pushkatuar në nëntor 1945, pas tij pak muaj më vonë do të arrestonin edhe Sherif Allamanin bashkë me Man Allamanin si dhe një mikun e familjes së tyre Isuf Tufën. Kjo ngjarje la shenjë të pashlyeshme tek Haliti, djali i Sherifit i cili nuk mund ta kujtojë pa u prekur, edhe sot skenën e 4 burrave të pafajshëm në atë sallë gjyqi, ku do të vendosej fati i tyre. Haliti ishte 16 vjeç atë kohë dhe nuk e dinte nëse do ta shihte më babanë e tij apo jo, pasi ta nxirrnin nga ajo sallë gjyqi...
***
Ishte muaji prill i 1970. Petrit allamani djali i Dyl allamanit i pushkatuar në nëntor 1945, i rritur per 25 vite pa praninë e të atit, i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap që hidhte, ishte arrestuar befas në Tiranë me një akuzë absurde për tentativë arratisje. Ishte 31 vjeç. Kishte krijuar famijen e tij dhe ishte bërë baba. Bënte kujdes në çdo hap që hidhte e në çdo fjalë që thoshte. Por Sigurimi i shtetit ishte betuar që ti vinte prangat....
Djali i tij Eduarti tregon rrethanat e arrestimit të tij...
Eduard Allamani: Im atë është datëlindja 1939, në 1944-n 5-6 vjeç; kushëriri i tim ati Sherifi edhe ai duhet të ketë qenë, është datëlindja, është pak më i madh, d.m.th. duhet të ketë qenë 10 vjeç. Pasi këta arritën të krijojnë familje, duke u, në vitin 1970, fillon goditja e dytë d.m.th.
Eduard Allamani: Para se të dënohej, të arrestohej, im atë punonte në ndërmarrje pyjore dhe natyrisht si çdo njeri kishte shoqërinë e vet të diskutonte, por nuk ishte si të thuash, si mund të themi, i marrë ose trim, për të qenë korrekt, që të shante sistemin hapur sepse dihej, për më tepër që familja jonë ishte nën vëzhgim 24 orë në 24.
Eduard Allamani: Natyrisht e mbronte veten d.m.th. edhe në diskutime dhe me shoqërinë dhe me të tjerët.
Eduard Allamani: Ime më ka qenë nga Maqellara. Maqellara është afër kufirit dhe sa herë shkonte në Peshkopi, natyrisht ishte nën vëzhgim. Si ishte nën vëzhgim? Pas 1990-s, njerëzit që kishin pushkë në atë kohë, dihej, ishin njerëz që i shërbenin shtetit dhe tregonin: ju keni fjetur të qetë brenda në shtëpinë tuaj, ne kemi qëndruar te qershia ose te mani gjatë gjithë natës se mos arratisej.
Eduard Allamani edhe shtëpitë e Allamanëve janë rrethuar disa herë se mos vjen Ahmeti nga Anglia dhe bën ndonjë gjë për këta.
Eduard Allamani: Një ditë të bukur në Tiranë ishte, te Sahati edhe i vënë prangat. I vënë prangat, e arrestojnë dhe e, natyrisht dalin dëshmitarë që ka sharë, do të arratiset, në një kohë që tentativë arratisje gjithmonë quhet kur je afër kufirit d.m.th., se si mund të arratisesh në mes të Tiranës?
Nga ajo ditë e arresitmti të petrit në familjen allamani prisnin me ankth për të çfarë i priste më tej. Halitit thotë se nuk do t ëkalonin shumë kohë dhe do të arrestonin e babanë e tij Sherifin, sikurse edhe kushëririn e tyre man Allamani, i cili do të rikthehej sërish në burg.
Halit Allamani: Në vitin 1970 ka rënë në burg Petriti, Petrit Allamani.
Halit Allamani: Petriti ka rënë në prill, atëherë në maj-qershor-korrik kanë arrestuar babanë tim Sherif Allamanin, Manin, Man Allamanin për së dyti. Sherifi punonte në Balgjaj, në shfrytëzim pyjesh, nuk ishte se ishte duke bërë ndonjë politikë, por ishte në shfrytëzim pyjesh. E kanë arrestuar atje. Manin e kanë arrestuar te shtëpia. Kanë ardhur e kanë arrestuar te shtëpia. Unë kam qenë në moshën 16 vjeç në atë kohë dhe kanë ardhur oficerët e Sigurimit të asaj kohe, erdhën te shtëpia dhe thanë: do të bëjmë një kontroll. – Po pse? – Kemi arrestuar Sherifin. I thoshte nëna, pastë rahmet, se nëna është bërë për rahmet tani. – Mirë. Shtëpitë tona kanë qenë muret 1 metër e 20 të mëdha, dhe patëm rregulluar shtëpinë. Gjyshi, pastë rahmet, me babanë. Kur patën rregulluar aty te penxheret, patën bërë me dërrasa dyshemenë dhe tavanin sipër me dërrasa, se nuk kishin, kështu i patën bërë në atë kohë, me dërrasa. Dhe aty filluan duke e shtypur dërrasën, me dorë kështu duke i rënë. Tha nëna: shqepe dërrasën, çfarë keni për të shqepur shqepeni, - i tha, - s’keni çfarë të bëni tjetër më, keni bërë boll, derisa keni futur babanë e 5 fëmijëve në burg keni bërë boll, më tepër s’keni çfarë të bëni. Si përfundim, nuk i prishën. Nuk i prishën ato. Gjetën ca fotografi të vjetra, të plakave të vjetra, i morën dhe nuk i kthyen më.
Halit Allamani: Kemi shkuar pastaj, jemi interesuar. Tha: Sherifi është në burg në Degë, t’i sillni materiale, veshmbathje, - tha, - pas ca ditësh. kemi shkuar, i kemi çuar rroba. Kanë bërë 9 muaj hetuesi, Sherifi. Por gjithashtu edhe Mani, por edhe Petriti, që ishin nga një fis,
Halit Allamani: Atë ditë që janë arrestuar këta, është arrestuar edhe një tjetër nga Peshkopia, që ka qenë usta aty te ne, e ka pas bërë gjyshi usta, që pati punuar aty, Isuf Tufën, i ati i Agron Tufës që ka qenë këtu në, që mund ta kesh dëgjuar. E kanë arrestuar edhe atë. Edhe në atë kohë, kur është bërë gjyqi pas 9 muajsh, 4 ditë është bërë gjyqi në Burrel.
Haliti e kujton me dhimbje ditët e atij gjyqi. Në atë sallë do të shihte e të dëgjonte gjëra që nuk i pranon llogjika sidomose një fëmije. Dëhsmi të rreme, akuza nga më të ndryshmet, rrënimi fisik dhe psiokologjik i të akuzuarve pas muajsh të gjatë hetuesie me tortura...Dhe ishin të 4 të pafajshëm!
Halit Allamani: Kam qenë vetë prezent 2 ditë në gjyq. Isha fëmijë, 16 vjeç, por mbaj mend që gjë më të rëndë nuk kishte, më fal se kam pak emocione, të shihje 4 burra në sallën e gjyqit, pa bërë asnjë gjë. Ishte shumë e rëndë. Nuk kam shkuar më në gjyq. Dhe pasi ka mbaruar gjyqi, ai që u ka dalë dëshmitar, ka pasur sa të duash që kanë dalë dëshmitarë aty, por ai që u ka dalë dëshmitar, është futur ndër gomat e makinës te Agjencia e vjeter, në të dalë të Burrelit këtej, se di që më ka thënë babai, i ka thënë prokurori: rri drejt dhe fol drejt se je para trupit gjykues. Se u vunë akuzat më të ndryshmet. Petritit: që ka dashur të arratiset, të dalë jashtë, agjitacion e propagandë. Babait tim i kanë vënë edhe një akuzë tjetër, që ka dashur të vrasë Enver Hoxhën.
Akuza për vrasjen e Envër Hoxhës lidhej me një vizitë që diktatori do të bënte në peshkopi pas tërmetitt të vitit 1967 atje.
Halit Allamani: Ka rënë një tërmet në Peshkopi, në atë kohë, dhe Enveri ka qenë duke ikur për në Peshkopi me rastin e tërmetit. Edhe babai me ca të tjerë kanë qenë duke shkuar në zbor, se bënin zborin në Burrel. Edhe ka dalë i ka përshëndetur me dorë, siç më thoshte babai. Edhe ka thënë babai me ata të tjerët: shihe. Ky e ka sharë në atë moment, i ka thënë: shihe sa trim qeni, se edhe Zogu që ka qenë trim nuk dilte ta përshëndeste popullin gjatë rrugës, ky shihe sa trim është që del na përshëndet dhe ikën, si nuk ka frikë se del ndonjë edhe bam vetes, vret atë vret edhe veten, i bie këtij dhe vret edhe veten. Edhe këtë ia kanë vënë babait, se ke dashur të vrasësh Enver Hoxhën. Një akuzë 10-vjeçare, agjitacion e propagandë.
Dënimet që do të jepeshin në atë sallë gjyqi ishin të rënda. Jo më kot kishin renditur disa akuza, në mënyrë që edhe dënimet që do të jepeshin të ishin s amë të larta.
Eduard Allamani: U bashkuan sepse donin ta dënonin maksimalisht. U bashkuan dënimet dhe nga 25 gjykata i la 20 për fat, sepse Prokuroria kërkoi 25 vite me sa kujtoj unë në atë vendimin e gjykatës.
Dhe vuajti gjatë gjithë periudhës në Burrel, natyrisht si burgu i Burrelit.
Eduard Allamani: Në 1970-n u dënua Sherifi me 22 vite, d.m.th. im atë 20 vite. Natyrisht i vuajtën të gjitha, im atë vuajti rreth 19 vite e 7 muaj. Sherifi vuajti pak më shumë. Im atë gjithë periudhën e burgimit ka ndenjur në burgun e Burrelit
Eduard Allamani: Më vonë kanë arrestuar edhe Shefki Allamanin, kushëririn tonë, vëllai i Manit. Edhe ky për agjitacion e propagandë dhe sabotim në ekonomi. Është dënuar.
Eduardi tregon se në atë periudhë prindërit kishin vnedosur ta largojnë nga Kurdaria Eduartin dhe ta dërgojnë pranë dajave të tij ën Maqellarë. Kjo për ta mbajtur larg hakmarrjes dhe vigjilencës që regjimi i kishte intensifikuar mbi familjen e tyre. Përsa kohë ishte i vogël ai nuk kuptonte shumë nga kjo hakmarrje por në adoleshencë ai do niste të rebelohej...
Eduard Allamani: Gjatë kësaj periudhe d.m.th., nëna ime, prindërit e mi bien dakord me tim atë që për hir të jetës sime d.m.th., të fillojë të, unë nuk shkova, ndoshta ata menduan më mirë për jetën time, nuk shkova që ta shoh, ndonjë vuajtje dhe këtë pjesën e ndarjes. Dhe faktikisht, deri nga mosha 14 vjeç, për të qenë korrekt d.m.th. me atë pjesën e asaj moshe, si fëmijë d.m.th. isha kritik ndaj tim ati, d.m.th. por realisht dhe nëna nuk foli keq kurrë, për të qenë korrekt jo se, as për, për tim atë, por është në burg për politikë. Nejse, duke qenë fëmijë edhe nuk e kuptoja dhe thashë ç’lidhje ka politika d.m.th., pse duhet të dënohet tjetri? Por në moshën 14-15 vjeç fillova të kuptoj realisht ç’është politika. 16 vjeç kam qenë d.m.th. kur vdiq
Eduard Allamani: Diktatori i asaj kohe Enver Hoxha dhe i thashë sime mëje realisht: shyqyr që vdiq. Madje, si çdo prind, duke e njohur fëmijën e vet, tha: mbylle gojën se do shkosh tek yt atë. D.m.th. kjo ka qenë e vërteta kur ka vdekur, ato ditë. Kthehem nga shkolla dh nëna, i thosha: na mori të keqen. Tha: ore mbylle gojën se do shkosh atje tek yt atë. Se im atë ishte akoma në burg.
Vitet e burgut ishin tmerrësisht të vështira si për babanë e Eduardit në Burrel ashtu edh epër të atin e halitit në Spaç, madje babai i halitit sherifi, kishte marrë edhe një ridënim ndërkohë që ishite i burgosur në Spaç.
Halit Allamani: Babai e ka bërë burgun në Spaç të Mirditës
Halit Allamani: Ishte atje në vitin 1973 është bërë një revoltë atje dhe ka marrë pjesë në revoltë, me shokë. E kanë dënuar për së dyti, nga 15 që e kishte dënimin, i ka shkuar 21 vite burg, atje. Shkojmë ta shohim ne, bënim takim, shkonim e shihnim sipas ekonomisë që kishim, shkonim e shikonim. Nuk e takojmë. Vetëm kemi lënë ushqimet. Ai kishte pas qenë në Tiranë, e kishin pas sjellë nga Spaçi në Tiranë, në Hetuesi këtej. Lëmë ushqimet atje ne. Kur kemi shkuar për ta takuar prapa, kishte pas mbaruar fare, vetëm se ishte si kufomë, rezistonte.
Halit Allamani: Më ka thënë babai: kur kam qenë në Spaç dhe kur kam ardhur herën e dytë në burgun e Tiranës, - tha, - na rrihnin, ishim të lidhur këmbë e duar, saqë kishin vënë aty afër karshi njërin, bërtiste. Më ka thënë njëri: bërtit more qyqar, - tha, - se do të të mbysin fare po s’bërtite. Tha: unë nuk bërtisja fare. Bërtit, - tha, - more qyqar, më ka thënë. Se, - tha, - dëgjoheshin birucat, dëgjonim. Bërtit, - tha, - se po s’bërtite do të të mbysin fare, s’ke për të dalë gjallë nga burgu. Edhe, - tha, - me të vërtetë ashtu, kur kam filluar duke bërtitur, - tha, - atëherë më kanë lënë rrahjet, torturat
Po ashtu edhe Eduardi, ka kuptuar përmes rrëfimëve të të atit se vitet e tij të burgut në Burrel ishin shumë të vështira dhe vetëm kujdesi i tij ekstrem për t ëmos rënë pre e provokimeve dhe disiplina spartane do ta ndihmonin të shpëtonte në ato rrethana terrori në atë burg.
Eduard Allamani: Gjithmonë, - thotë, - më provokonin me qëllimin që të më zgjatej burgu që të, por vullneti i hekurt ndoshta dhe ka shpëtuar. Madje tregon një rast, si mund ta themi, një byrazer i tim ati, një nga Gjirokastra, Avdyl Banushi quhet ai, ka vuajtur 36 vite d.m.th., ai ka pasur shumë tortura, siç tregonte ai. flas për këtë zotin Banushi. E mbajtën 11 muaj në arkivol d.m.th. ditën e lëshonin dhe natën flinte si në kuti, në arkivol për tortura, se ai erdhi nga Amerika d.m.th. dhe diskutohej se mos është misionar. Dhe thoshte një rast: e provokonin policët, gardianët, ky, - tha, - kurrë s’ua kthente përgjigjen. D.m.th. se çfarë do bëjnë, ata atë punë kanë, unë këtë punë kam, të rri i qetë që të paktën të kthehem një ditë te familja ime. Edhe Avdyli tha: unë ia ktheja, - tha, - sepse unë isha i dënuar përjetë, në burg të përjetshëm, - tha, - unë s’humbja gjë. Se tregonte Avdyli kur vinte te shtëpia jonë d.m.th. pas viteve 90.
Eduard Allamani: Natyrisht edhe nga ana shëndetësore ka pasur disa herë situata të vështira gjatë periudhës së burgut. Për fatin e mirë, i gjithë fisi Allamani, kushërinjtë e tim ati dhe këta, kanë kontribuar shumë për, gjatë periudhës që ka qenë Petriti, im atë, në burg, shumë, qoftë me ushqime duke qenë se për fat ishte edhe burgu afër me fshatin. Në këmbë, natyrisht në këmbë se 2 orë bëhej Kurdaria, fshati ynë nga Burreli dhe e mbanin me ushqime...
Terror dhe privime të trashëguara tek fëmijët
Pas kësaj vale burgimesh, mbi familjen Allamani u shtua presioni dhe dhuna psikologjike duke mos kursyer as fëmijët e shkollave. Eduardi i kaloi vitet fëmijërisë tek dajat e tij në Maqellarë. Peshën e vërtetë të persekutimit do ta ndjente në adoleshencë, kur do t ëkuptonte se e vetmja shkollë që i lejohej të ndiqte ishte e mesmja bujqësore. Ndërkohë në Kurdari, ku survejimi dhe persekutimi ishte më i rreptë, fmëijëve të fisit allamani ju mohohej edhe arsimi i mesëm. Siç tregon halitti, burgimi i babait rëndonte në çdo çështje të familjes.
Halit Allamani: 20 vite babai në burg, me 5 fëmijë. Mirë, ata u burgosën, por ata ishin në burg, ne ishim më keq sesa ata në burg. Se neve na lanë pa shkollë, nuk na linin të shkonim në shkollë të mesme, vetëm 8-vjeçare. Edhe aty bile ishte pak me zor, se edhe po mësove nuk ta jepte notën që meritoje. Nejse, vazhdoi, u rritëm, vumë punë. Në punë shkonim, mirë kjo ishte puna më e rëndë, por të diskreditonte edhe në mes të popullit. Si? Hajde, - thoshte, - lexim shtypi në mëngjes. Mirë. Bënin lexim shtypi dhe rrije aty. Thoshte: ngrihuni kulakët, - thoshte, - dhe dilni tani prej këtej, largohuni nga këtej. Kjo ishte një luftë me egër sesa, se të injoronte në mes të gjithë fshatit, të gjithë njerëzve
Halit Allamani: Nuk na linin vend të punonim në brigadën ku ishim, që kishim më afër. Na internonin nga ajo brigadë në një tjetër, si e si, me qëllim që mund të bësh ndonjë gabim ose. Si përfundim, ka arritur një fëmijë i një fisi tjetër aty, ishte fëmijë, ishte nxënës shkolle, i kishte thënë së ëmës, na e tregonte e ëma më vonë, tha: më tha: çfarë janë këta kulakët, a të hanë këta kulakët? Fëmijë shkolle, se duke dëgjuar nëpër mbledhje, se kulakët kështu, kulakët ashtu, - çfarë janë këta kulakët, - tha, - hanë njerëz këta kulakët?
Halit Allamani: Këtë, neve na kanë shkatërruar dhe dërrmuar, saqë kemi arritur që brezi ynë të mos shkollohet asnjë.
Haliti kujton me dhimbje dhe revoltë edhe një betejë personale që ju desh të bënte me Sigurimin e shtetit. Presionet ishin të atij niveli sa ai shpesh thotë se ishte i përgatitur për të hyrë në burg. E kishte zgjedhur rrugën e tij. Nuk do të bënte kurrë kompromis me të keqen.
Halit Allamani: Më ka luftuar Sigurimi nga të gjitha anët. Ka arritur operativi i Sigurimit dhe më ka thënë mua: pa t’i vënë hekurat ty nuk t’i lë. – E di, - i thashë, - derisa unë jam Allaman, dhe i biri i Sherif Allamanit, i mirëpres, i mirëpres hekurat, vetëm se të kesh një gjë parasysh që as popullit s’i kam bërë keq, nuk i bëj keq, as shtetit jo. Arsyeja ishte se pse ne nuk bashkëpunonim me, pse nuk i çonim të dhëna atij.
Haliti kujton se edhe kur u martua,u tregua i hapur me bashkëshorten, duke e paralajmëruar për rrezikun e burgut që i kanosej. Edhe ajo e kishte të atin të denuar me 10 vite burg dhe e inte mirë peshën e këtij rreziku...
Halit Allamani: Kur ka ardhur gruaja në shtëpi, i kam thënë,
Halit Allamani: Unë, të kesh çdo gjë parasysh që unë ose 2 ditë ose 2 vite ose 2 muaj se sa mund të shkojë, por jam për burg, prandaj në qoftë se je e zonja t’i përballosh jetës mund të rrish këtu ose nesër të dërgoj te vëllezërit e tu, të lë te vëllezërit. Merri parasysh këto gjëra se jam për burg. Tha: derisa kam ardhur, i kam marrë parasysh.
Halit Allamani: Në vitin tjetër ishim duke punuar në kooperativë dhe vjen korrieri. Ishin nusja, vëllezërit, motra. Vjen korrieri dhe thotë: urgjentisht të kërkojnë në zyrën e këshillit. Nejse, nuses i ra, u zverdh. Vëllezërit nuk e dinin se si ishte puna por, vetëm nëna e dinte, se nënës i kisha treguar se çdo gjë mund të ndodhë, unë jam për burg, se mund të ndodhë çdo gjë, prandaj të keni parasysh gjë kujt s’i kam bërë, nuk kam gjë me njeri, vetëm është propaganda e shtetit.
Haliti kujton se atë ditë ishte i bindur se do ta arrestonin. Madje rrethanat dhe ato çka i thanë në zyrën e këshillimit atë ditë ja përforcuan më tje këtë ide.
Halit Allamani: Shkoj atje unë, takoj dikë atje. – Ec rrugës, - thotë, - se të dalin vetë, - operativi i zonës. Të them të drejtë, thashë do më vënë hekurat, se çfarë nuk prisja, e prisja. Këtu, këtu e këtu. – Posi, - i thashë unë, - mund të bëni çfarë të doni, e keni në dorë, të gjitha janë tuajat, por unë jam ky që jam, nuk ndryshoj. Mua edhe babai më është dënuar për moskallëzim, për mos denoncim për arratisjen e Ahmetit, - thashë, - edhe unë se po denoncoj njeri, po raportoj njeri, bëri ky kështu e bëri ai, nuk jam. Ju mund të bëni çfarë të doni. Ndenja vonë, iki vonë, shkoj për në shtëpi. Kishte dalë vëllai përpara, pastë rahmet se ka vdekur, pse u vonova. Nëna e dinte, se nënës ia pata treguar të gjitha. takoj vëllanë në rrugë, pa shkuar te shtëpia dhe më thotë: hë vëlla? Thashë: nuk ka problem, kam pas kërkuar leje për punë, të hyja në punë shteti, më kanë kërkuar në zyrën e këshillit në Suç për këtë problem. Dhe nuk i rashë më gjatë se kisha edhe frikë që po të kallëzoja isha i arrestuar, po të dilte ndonjë fjalë. Edhe kam ikur në shtëpi. Nënës i thashë: këtu e këtu. Nënës ia tregova të gjitha, i thashë: prandaj nënë mos u bëj merak asnjë gjë nuk ka, gjë kujt s’i kam bërë, nuk, por problemi është ky që është.
Historia tregoi se Haliti iu bëri ballë këtyre presioneve dhe u rezervua dhe u ruajt aq shumë duke i shpëtuar burgut. Por shpesh ai mendonte se të jetuarit nën atë presion të ajshtëzakonshëm e të pandërprerë ishte edhe më i rëndë se vetë burgu.
Halit Allamani: Unë isha aq i tensionuar, aq i ngarkuar, aq i vrarë në shpirt që kudo që shkoja rrija me frikë, jo se kisha bërë ndonjë gjë, vetëm rrija me frikë se isha nën presionin e një shteti.
Halit Allamani: Isha në një presion saqë, por kam një gjë këtu, di që nuk i kam bërë keq kujt, as shtetit jo, por as popullit, asnjë njeriu. Kam ndenjur në hesapin tim, në punën time. Kam punuar më tepër se ç’duhej, se isha i detyruar të punoja, të rrisja një familje, të shihja edhe babanë në burg, por dhe të rrisja, se unë isha 16 vjç, sa kisha mbaruar shkollën, të tjerët ishin të gjithë më të vegjël sesa unë, 4 fëmijët e tjerë. Isha i detyruar të punoja dhe të jetoja. Prapëseprapë unë jam krenar që nuk kam poshtëruar fisin, por edhe babanë që ka bërë 20 vite burg, por edhe gjithë fisin. Po.
Halit Allamani: Prandaj ne, jo vetëm unë, por i gjithë fisi Allamani, një fis jo me tradita çnjerëzore, por një fis me tradita atdhetare, duke filluar qysh në 1912-n dhe ka vazhduar vazhdimisht, ka qenë fis i rregullt. Por neve, vetëm se nuk na kanë copëtuar si të thuash me sëpatë ose me thikë, se të gjitha janë bërë.
Po ashtu edhe për Eduardin rruga shkollore u ndërpre pas maturës. Arsimi i lartë ishte i ndaluar për të. I mbetej të nënshtrohej e të ndiqte rrugën e jetës nën diktatin e regjimit...
Eduard Allamani: Me mendimin që do vazhdoj...njeriu do ta ndërtojë jetën me ato situata që është, si të vijë. U përgatita për të mbaruar shërbimin ushtarak se s’kishte zgjidhje tjetër dhe më çuan natyrisht në xhenio pune. Bër 2 vite xhenio pune, pastaj në 1990-n, kur kanë kaluar tanket e para ose më saktë kur filluan ambasadat në korrik të 1990-s, kam qenë ushtar në Shijak, në xhenio. Edhe kam pasur një shok ushtrie në atë kohë, nga Peshkopia, dhe shkuam, unë shkova, morëm leje. Ai më tha: edhe unë do arratisem apo vjen me mua? Unë kisha ato ëndrrat e mia, natyrisht edhe presioni. Ai ishte familje tjetër, kishte me pushtet. – Jo, - i thashë, - nuk vij. Natyrisht fati im sepse e vranë në kufi atë. E vranë në kufi në atë periudhë edhe unë u ktheva në repart.
Eduard Allamani: Plasi në dhjetor, në 8 dhjetor ka qenë data, me sa kujtoj unë, sepse duke qenë reparti, e kishim te radiostacioni i Shijakut, kalonin tanket.
Eduard Allamani: E kuptova se këtu mori fund gjithçka, se deri tek ambasadat, nejse, u liruam, shyqyr u liruam mirë dhe shkoj në shtëpi d.m.th. im atë ishte akoma, s’ishte liruar. Shkoj në shtëpi gjej, më besoni për këtë që, gjej portretin e Enverit, se tani ajo periudhë ashtu ishte. Dajat e mbanin se, me të drejtë. E mora atë portretin, jo për mllef sesa për, thashë shyqyr që iku kjo periudhë, d.m.th. ishte me ato ëndrrat e njeriut. Hajt, - thashë, - më në fund do ketë një liri për të gjithë, edhe e dogja. E dogja me të drejtë dhe mëma: çfarë po bën? - më tha, - se do na marrësh në qafë e këtej, e andej. I thashë unë: morën fund këta.
Dhe vërtet gjithçka kishte marrë fund. Shqipëria po lirohej nga zgjedha e diktaturës. Një kohë e re po vinte me sfida të reja por me liri mendimi dhe veprimi. Fisi Allamani sikurse shumë familje të tjera të përndjekura shënoi fundin e një epoke të errët dhe nisjen e një tjetre me përpjekje për të vënë në vend çka mund të vihej dhe për tu integruar. Eduardi synoi menjëherë të vijonte shkollimin....
Eduard Allamani: Kam bërë 2 fakultete se fillimisht më çuan, duhet të shkoja po në profil bujqësor, se ishte akoma në 1991, ato kriteret e asaj kohe që duhej të shkosh në profil ku je. Pastaj u liberalizua dhe fillova Drejtësi. Sot kam një studio ligjore në Durrës.
Po ashtu përtej detit, në familjen e shpëtuar të patriotit të ekzekutuar Isuf Allamani, u formua një mjek i nderuar në fushën e epidemiologjisë, djali i Isufit, Allaman Allamani. Pasardhësit e tijrë luftojnë për ta ngritur lart emrin e fisit të tyre për të dëshmuar historinë siç qe dhe për të vënë në vend të drejtën e mohuar.
Komente












