Dosje të plota të ardhura nga disa vende evropiane, kryesisht Anglia, Spanja apo Belgjika, i dhanë ndihmën vendimtare Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë për të goditur grupet kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, që mbytën kontinentin me kokainë ndërsa miliardat i pastronin në Shqipëri në bashkëpunim me Artur Shehun, Ilir Shtufi, Orges Birçajn apo Orest Sotën.
Vetëm vendimi i GJKKO për 20 masat e sigurisë rezulton të jetë 855 faqe, që nis me takimet e dokumentuara të boësëve të drogës në vende si Antverp Belgjikë, Majorka Spanjë apo edhe në më të famshmin prej të gjithevë, ‘samiti’ në ishullin e Arubas në antilet holandeze.
Në takimet, të cilat janë zhvilluar në vitet 2018-2021, kryesisht sipas SPAK është bizeduar në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime në Shqipëri. Në këto dy foto të mëposhtme tregohet në dosje takimi në Aruba, ku kanë marrë pjesë ndër personazhet më të njohura, të lidhur me krimin shqiptar në botë.
“Një hetim evropian i vitit 2019 mbi aktivitetet e një "Klani OSMANI me seli në Majorka zbuloi disa vëzhgime të bëra gjatë takimeve, duke përfshirë:
-në ishullin e Arubas (Antilet Holandeze), nga 24 deri më 31 janar 2019, ku morën pjesë ISMAILAJ Arben, MEMETI Elton, RAMA Adrian, SHEHU Artur dhe SHEHAJI Bujar;
-në Antëerp midis 12 dhe 14 shkurtit 2019, midis RAMA Adrian, MEMETI Elton, ISMAILAJ Arben dhe HAMZAI Alfredo, të cilët dyshohet se u transportuan nga Zaventem në Antëerp me Ford Kuga të KULAJ Indrit.
Sipas provave të pjesshme të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike. Megjithatë, nga ky hetim i vazhdueshëm nuk mund të dalë asnjë siguri në lidhje me lidhjen midis këtyre individëve, shumica e të cilëve nuk janë ndjekur penalisht, dhe importeve të drogës në Belgjikë që janë objekt i ndjekjes penale”, thuhet në dosje.

Në takim është edhe Bashkim OSMANI, një personazh me shtetësi kosovare që ka qenë i hetuar nga disa shtete në Evropë për trafik drogë, ndërkohë që duken Artur Shehu, i njohur së fundmi për pronat në Zvërnec apo Adrian Rama, nipi i ‘Mirit të Xhikës’, pjesë e rrjetit të Hamzai-Koçeku të trafikut të drogës. Në foton tjetër duken personazhe si Toni LIPAJ, Artur SHEHU, apo Arben Ismailaj. SPAK thotë se aty kanë qenë edhe vetë Alfredo Hamzai me anëtarë të tjerë të grupit si Elton Memeti, Erjon Rama, Bujar Shehaj etj.
Fotoja tjetër tregon një tjetër takim të rëndësishëm, atë të 12 shkurtit 2019, në Antverp të Belgjikës. Fotoja në dosjen e SPAK tregon Alfredo Hamzain me anëtarë të grupit të tij, Arben Ismailaj, Elton Memeti dhe Adrian Rama.

Nga dosjet e ardhura nga jashtë, pamje dhe kryesisht biseda në SKYECC prokuroria thotë se është arritur të provohet një rrjet i madh trafiku droge, me një shtrirje ndërkombëtare dhe në tonelata të konsiderueshme, si edhe qarkullimin e shumave të mëdha të parave.
Gjithashtu SPAK thotë se ka prova të konsiderueshme që vërtetojnë se trafikantët kanë drejtuar dhe kryer një sërë veprimesh noteriale mbi blerje të pasurive të paluajtshme, investimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të fshehur pas subjekteve ndërtuese të njohura në aktivitetin e ndërtimit dhe të cilat përfitojnë lehtësisht leje zhvillimi dhe ndërtimi si investitor strategjik.
Në dosje ka një paragraf të veçantë që i referohet Artur Shehut, që citon një vendim të gjykatës së Belgjikës për grupin e Alfredo Hamzait, ku thuhet se Shehu mban një pozicion drejtues brenda organizatës.
Super dosja hetimore e SPAK nisi nga një hetim pasuror për Denis Matoshin i njohur si Eldi Dizdari, i cili u kap në vitin 2020 teksa bënte lëvizje për një sipërfaqe toke prej 500 m2 pranë stadiumit “Air Albania”.
Më 12 qershor SPAK njoftoi 20 masa sigurie për dy grupet që fusnin tonelata droge nga Amerika Latine në Evropë, kishin kontroll absolut të çdo hallke të trafikut të kokainës, nga burimi e deri të transporti, ndërsa paratë i pastronin në Tiranë, sidomos në ndërtim, ku në mënyrë të veçantë evidentohet ndërtuesi Ilir Shtufi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Orest Sota, i prangosur me urdhër të SPAK pak ditë më parë, pas një operacioni për goditjen e grupve kriminal të trafikut të drogës, të vëllezërve Koçeku dhe Alfredo Hamzait, ka pasur një rol të rëndëishëm në të gjithë aktivitetin kriminal.
Në vendimin 855 faqësh të gjykatës për masat e sigurisë të paktën 50 faqe i dedikohen vetëm bisedave të tij me krerët apo anëtarët e grupeve.
Sota ka komunikime pa fund me Alfredo Hamzain, i cili e furnizonte atë me lëndë narkotike, në vende të ndryshme, si Greqi, Angli dhe Itali.
“Orest Sota i ka marrë pagesa të ndryshme nga grupi kriminal dhe iu siguron informacione policore në lidhje me faktin nëse ndaj tyre ka të dhëna. Në komunikimin mes personave nën hetim Orest Sota dhe Alfredo Hamzai flitet gjithashtu për ardhjen e prokurorëve belg në Shqipëri lidhur me hetimet e "Toyota Yaris". A
Orest Sota është përfshirë gjithashtu dhe në transportin e parave cash nga jashtë në drejtim të Shqipërisë.
Pjesë nga DOSJA
Në datën 08.06.2020, Alfredo Hamzai (7B9F5E) i dërgon disa foto Orest Sotës (A9C3A8), ku evidentohen disa foto të shkrepura në një vend me kontenierë. Në vijim të fotos, Hamzai shkruan "Direkt nga vinxhieri villa, Roterdam villa; Po villa nje pune e vogel; 115".
Nisur nga fakti se i Hamzai e konsideron si një "punë të vogël trafikimin e një sasie prej 115 kilogramësh lëndë narkotike, kjo rrethanë mund të shihet si një tregues i qartë i fuqisë, aftësisë dhe predispozitës së tij për të realizuar trafik në sasi shumë më të mëdha.
Në datën 30.06.2020, Alfredo Hamzai i shkruan Orest Sotës dhe i tregon se është në Stamboll. I pyetur nga ana e Orest Sotës nëse ka bërë ndonjë punë të mirë në Samboll, Alfredo Hamzai i përgjigjet me një foto ku duken një sasi e madhe pakosh, që dyshohet të jetë "kokainë", për të cilat Hamzai shprehet se do nisen së shpejti.
Në datën 03.08.2020, Orest Sota pyet Alfredo Hamzain lidhur me një sasi dhe ky i fundit e informon se janë bllokuar nga dogana për çështje dokumentacioni, por që kanë shpresa se do t'i nxjerrin.
Një fakt tjetër me interes që evidentohet nga biseda është se, Orest Sota kërkon me patjetër të mbledhë para, pasi i duhen për një leje "dhe sa lek mundesh te me besh vet per kete m** leje se po paguaj penalitete dhe babit i mora ato ateeher lash nam o vlla",
Në komunikimin e datës 31.08.2020 evidentohet përfshirja e shtetasit Orest Sota në trafikun e lëndëve narkotikë në Mbretërinë e Bashkuar. Nga analiza në tërësi e komunikimit, del në pah fakti se Orest Sota e merr lëndën narkotike nga shtetasi Alfredo Hamzai dhe më tej e shet në Angli. Kjo mbështetet në mesazhin që Orest Sota i dërgon Alfredo Hamzait "ku te vej ti marri ky ato ne londer: dhe me sa ti them; jan te lara apo jo po me pyet?; o vlla per ne londer; do vej njeriu ti marri ato vella; dhe 100 eshte gati njeriu te vej ti marri: ????dhe mallin do te vej ta marri qe sot ky, i thash jan 3 copa; dhe me pyet me sa, a eshte i lare, dhe nga vjen ?; mu pergjigj pak o vlla; se jan njerezit ne pritje andej".

Në dosjen e SPAK për megaoperacionin që zbuloi 2 grupe trafiku droge dhe pastrimi parash në Shqipëri bien në sy të gjitha kodet e llogarive të krerëve të grupit në SKYECC.
Ja lista e plotë


Në dosjen e trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në Shqipëri ka një paragraf të veçantë që i referohet Artur Shehut, personazhit kontrovers që jeton në SHBA, dhe i përmendur së fundmi për pronat në Zvërnec. Në dosjen e SPAK citohet një vendim i gjykatës së Belgjikës për grupin e Alfredo Hamzait.
“Duket qartë se Artur Shehu mban një pozicion drejtues brenda organizatës. Kjo për shkak se: -Ai është në kontakt të drejtpërdrejtë me HAMZAI Alfredo dhe duket se e ka takuar atë në Antverp, Belgjikë, më 12 shkurt 2019, gjatë një takimi me Arben ISMAILAJ, Adrian RAMA dhe Elton Memeti;-Ai udhëton nëpër botë për të marrë pjesë në takime për të organizuar trafikimin; Ai duket plotësisht i vetëdijshëm për investimet në pasuri të paluajtshme, por është qartësisht i lidhur me trafikimin e kokainës, me shumë mundësi duke mbikëqyrur rrjetin”, thuhet në vendim.

Alfredo HAMZAI e ka pranuar para Gjykatës belge trafikun e drogës por mohon disa episod. Gjykata, duke iu referuar llojeve të pullave të përdorura dhe mesazheve të ndryshme të shkëmbyera para dhe pas këtij sekuestrimi, arriti në përfundimin se nuk kishte dyshim se i pandehuri e kishte porositur edhe një ngarkëse në mbërritur në portin e Antverpit më 3 qershor 2021. Të gjitha komunikimet e tij SKY dhe Signal si dhe mbikëqyrja e shpeshtë e zonave të portit, veçanërisht ato të dedikuara për shkarkimin e fuçive, vërtetojnë mjaftueshëm se ky aktivitet ishte një dukuri e përditshme për të, si në Belgjikë ashtu edhe jashtë vendit.
Alfredo Hamzai pranon se ka ripaketuar dhe përpunuar narkotikë të rikuperuar nga anijet. Ai gjithashtu pranoi se ka shitur narkotikë: ai pretendon se ka vepruar si ndërmjetës në importim, duke marrë një komision në narkotikë, të cilat më pas mund t'i shiste në emër të tij.
Kjo shpjegon shumën prej afërsisht 200,000 eurosh të gjetura në rezidencën e ish-gruas së tij.
“Identifikimi i Alfredo Hamzait në një rol udhëheqës rrjedh nga hetimet fillestare pas kontrollit më 30 shtator 2020. Në veçanti, përgjimet e bisedave midis Xhesi Islamës dhe Indrit Kulajt sugjerojnë se ai mbikëqyrte ekipet e ndryshme të punës. Është e arsyeshme të konsiderohet se ai mbante një pozicion udhëheqës brenda organizatës të paktën që nga momenti kur Indrit Kulaj u ndalua në Spanjë më 19 janar 2020. Gjatë kësaj periudhe, i pandehuri ishte i përfshirë në të gjitha fazat e operacionit, duke vepruar si koordinatori qendror: eksport, transport, ryshfet, nxjerrje, ruajtje, përpunim dhe paketim në laborator, dhe rishitje në Belgjikë dhe në të gjithë Evropën”, thuhet në dosje.
Përvec parave dhe sendeve me vlerë që iu gjetën në shtëpi në vendimin e gjykatës belge evidentohet se Hamzai kishte investime të luajtshme dhe të paluajtshme të kryera në Shqipëri, duke përfshirë një jaht Ferretti, me vlerë të papërcaktuar dhe një bar-restorant-klub, me një sipërfaqe prej 9944.7 m2, i vendosur në Ujin e Ftohtë në Vlorë, që e operonte gjoja si qiramarrës Leonard Bishaj, ndërsa pronar me letra ishte Artur Shehu.
Çfarë iu gjet në shtëpi Alfredo Hamzait
Shuma parash në total prej 198,450 € në një një kapak të vidhosur mbi xhakuzi në banjo, në dhomën e gjumit të të birit Arten Hamzai; Citroën BERLINGO; bizhuteri; Tetë kuti orash luksoze bosh në garazh; gjashtë diamante me certifikata të gjetura në një komodinë, një orë dore Rolex, me një vlerë të parashikuar prej 50,000 €.

Për zbardhjen e aktivitetit kriminal të grupit të Alfredo Hamzait, SPAK u ndihmua në mënyrë të posaccme nga dosja e autoriteteve belge për trafikantët shqiptare e quajtur “Black Eagle”.
Në dosjen që Report Tv e disponon thuhet qartë se nga komunikimet e konstatuara nga ana e autoriteteve belge, por dhe të ndodhura nga këqyrjet e aparateve të telefonit vërtetohet se një personazh me emrin Indrit Kulaj, i dnëuar në Belgjikë, ka komunikime të shumta Alfredo Hamzai në SKYEcc
“Nga data 19/10/20 deri në 08/03/21 rezulton se shtetasi Indrit Kulaj, i cili ishte arrestuar në Spanjë në lidhje me trafikimin e një sasie prej 441 kg kokainë përfitonte nga kontaktet e tij në burg në Spanjë për të krijuar një rrjet të ri importimi të kokainës me nisje nga Paraguai, ku një pjesë e tyre mund të kalonte nëpër rrugë diplomatike që parashikon transporte detare nëpërmjet transportit të sojës, karbonit dhe mishit, që mund të furnizonin në shkëmbim ekstazi, hashash dhe arme, që do përdornin avione private dhe do kishin pilote në dispozicion, që do ishin aktive si në shitje, transformim dhe transport nga porti të substancave narkotike, që do të punonin në shumë porte në Evropë dhe do të kishin bashkëpunëtore të brendshëm, që shoqëritë e Lazaros Kiritsis do të përdoreshin për të pastruar para, që do kishin depo për të transformuar mallin dhe vende të ndryshme për ta ruajtur”, thuhet në dosje.
Kulaj u përgjua edhe në qelinë e tij në burgun "SaintGilles" në Belgjikë, shumë biseda të rëndësishme për hetimin u kapën; që ai ka thënë që për atë puna është e thjeshtë sepse korrierët janë të gatshëm, që ka njerëzit dhe që ka akoma pune jashtë.
“Që gjatë kontrollit të kryer në "Padresse Gallifortleri" (selia e shoqërisë Mondovi dhe banesa e të dashurës së Indrit Kulaj) u gjet nje vend i fshehur pas një muri në katin përdhe; që ai përmbante 6 armë kryesisht me silenciator, një shume prej 29875 euro, 12 blloqe kokaine me një peshe totale prej 11,995 kile, 3 qese kokaine me peshe 5 kile, tre kuti që përmbanin pengues valësh telefonike, dy kuti që përmbanin një varkë gome Zodiac me motor dhe bateri (që përdorimi i një varke te tille është konfirmuar nga përgjimet dhe observimet në kuadër të eksportit të lëndëve narkotike); që një shume prej 18650 eurosh është gjendur në një dhomë në kat të tretë dhe një shumë prej 20400 eurosh, dy ora Rolex dhe disa bizhuteri në një vend të fshehtë brenda një tavoline në kat të dytë”, veçon SPAK.
Me gjykatën belge u përballën Alfredo Hamzai, Kiritsis Lazaros, Xhesi Islama, Erik Islama, Arten Hamzai, Alfonso Uribe Mejia, Paris Dedej, Ilir Licaj, Dorjon Kalemaj, Jurgen Kalemaj, Mohamed Bouchal, Rosalino Mosquera Caicedo, Reshat Godo, Geron Zenjelaj, Amarildo Hodaj alias Amarildo Mandi, Gazmir Vladi, Miguel Carabali, Donis Hoxha, Klodian Bacja, Diego Velasco Sarria.
Por SPAK kujdeset të thotë se për Hamzain ka fakte të reja që nuk janë gjykuar në atë proces, për të cilin thotë SPAK edhe në gjyq nuk e mohonte rolin udhëheqës.

Super dosja hetimore e SPAK me emra shumë të njohur të trafikantëve të drogës që kanë pastruar qindra milionë euro në Shqipëri nisi nga një hetim pasuror për Denis Matoshin i njohur si Eldi Dizdari, një personazh shumë i përmendur në grupet e trafikut të drogës.
Ishte viti 2020 thotë SPAK kur nisi hetimin pasuri ndaj tij pasi mësoi se Dizdari kishte përfituar një tokë 500 m2 katrorë si dhuratë nga Qefsere e Eqerem Grori si dhe Osman Dervishi në një prej zonave super të shtrenjta të Tiranës, në rrugën Dervish Hima pranë stadiumit “Air Albania”. Kjo pasuri aktualisht është e konfiskuar.
Që atëherë SPAK kishte kërkuar informacion nga Kadastra dhe kishte rënë në gjurmët e Artur Shehut dhe Elton Memetit, të cilët sipërfaqe të tëra toke në këtë zonë ia kishin dhuruar njëri-tjetrit duke filluar nga vitit 2015 e deri në vitin 2022.
Një fakt interesant është se në momentin kur këto personazhe morën vesh veprimet e SPAK për ta konfiskuar pronën filluan të lëviznin duke kërkuar informacion në Angjencinë e Kadastrës, ndërsa anulohen edhe kontrata zhvillimi të bërë me një kompani.
“2.2.5 Gjatë kohës që çështja ishte në hetim (maj të vitit 2022) dhe kohë që përkonte me paraqitjen pranë Gjykatës të kërkesës për konfiskim të pasurive të shtetasit Eldi Dizdari, grupi kriminal ka filluar lëvizjet e tij, duke përdorur edhe institucionin shtetëror të Agjensisë së Kadastrës, në përpjekje për të marrë të dhëna nëse pranë Prokurorisë së Posacme ka patur çështje ndaj tyre, kohë kjo që përkon edhe me operacionin e kryer në Belgjikë në kuadër të çështjes "Black Eagle"", dosje për të cilën është përftuar informacion përgjatë hetimeve. Hetimet janë zhvilluar në mënyrë paralele dhe për të cilat autoritetet përkatëse kanë dërguar edhe letërporosi pranë autoriteteve reciproke, në mënyrë të pavarur, duke u lidhur më pas me njëra-tjetrën.
Pranë Prokurorisë së Posçcme është paraqitur një kërkesë nga shtetasit Myzejen Rama, Besnik Rama dhe Andi Grori (bashkëpronarë të truallit) duke kërkuar dhënien e pëlqimit për zhvillimin e pronës dhe po këto ditë nga Agjensia e Kadastrës Jug Tiranë është kërkuar informacion, nëse për personin nën hetim Artur Shehu, po zhvilloheshin hetime, pasi në këtë zyrë ishin paraqitur dy kontrata dhurimi të lidhur ndërmjet shtetasit Artur Shehu (dhe shtetasve Xhesika Dodaj (bashkëjetuese e shtetasit Fation Kola) dhe Malvina Canaj, (bashkëjtuesja e shtetasit Ervis Çela), (ky i fundit i arrestuar për veprën penale të trafikimit të lëndës narkotike), të cilave ai iu dhuronte sipërfaqet e tokës të së njëjtës Zonë Kadastrale të përfituara nga dhurime të mëparshme.
Përgjatë kësaj kohe kanë filluar revokimet e kontratave të lidhura me shoqërinë "A@AMIV" sh.p.k., dhe në vitin 2022 nëpërmjet përgjimeve të komunikimeve të bashkëpronarëve, por edhe personit nën hetim Adrian Rama, është mësuar se ishte ky i fundit, i cili qëndronte dhe orientonte veprimet me pronën dhe pas shkresës së dërguar në SPAK, nga Agjencia e Kadastrës, ku kërkonte informacion mbi personin nën hetim Artur Shehu, duke krijuar kështu indicie për lidhje të mundshme të tyre mes njëri-tjetrit”, thuhet në dosje.
Komente










