Gjykata e Posaçme nuk arriti as këtë të hënë të lexojë pretencën në procesin ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos,të tre të pandehur të dosjes “Meta-Kryemadhi” që po gjykohen me procedurë të shkurtuar. Ndryshe nga seanca e shkuar kur munguan avokatët e Ema Çokut, shkaku kësaj here për shtyrjen e seancës u bë mungesa e mbrojtësve të Pirro Xhixhos, duke e bërë të pamundur vijimin e procesit.

GJKKO caktoi seancën e radhës për më 15 qershor 

Pas vendimit të 11 majit, kur gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar  të tre të pandehurit po gjykohen veçmas Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. E ëma, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, për korrupsion.

Ndërkohë, në të njëjtën dosje, ish-bashkëshortët Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të përballen me një proces të zakonshëm gjyqësor. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, akuza që i kanë mohuar vazhdimisht, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

Ilir Meta mbahet në burg që prej 21 tetorit 2024, ndërsa hetimi ndaj tij përfshin çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur origjinën e tyre përmes familjarëve dhe personave të afërt.

Lajmi në përditësim