TIRANE- Kompanitë telefonike ende nuk i janë përgjigjur kërkesës së prokurorisë së Tiranës, për caktimin e vendodhjes së shoferit të Sokol Olldashit, deputetit Igli Cara dhe disa prej dëshmitarëve të tjerë të kësaj dosje. Sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, hetimi për këtë çështje ka mbetur në qartësimin e vendodhjes së disa personave, në momentin kur është raportuar se i ndjeri Sokol Olldashi, kishte pësuar aksident në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.

Burimet shtojnë se ka përfunduar plotësisht procesi i marrjes së deklarimeve të personave që kanë dijeni për ngjarjen, ndërkohë janë në pritje të një analize teknike, që kryhet nga kompanitë telefonike, të cilat përdorin valët e antenave, për nxjerjen e vendodhjes së disa dëshmitarëve në datën 20 nëntor 2013. Deputeti Sokol Olldashi, në momentin e aksidentin ka qënë duke drejtuar mjetin tip “Benz” me një dorë, pasi me dorën tjetër mbante aparatin celular, me të cilin ishte duke komunikuar me shoferin e tij personal, të quajtur Blendi.

Pikërisht në këtë moment, automjeti i Olldashit ka hyrë në kthesën e fortë dhe si pasojë deputeti i Partisë Demokratike nuk ka mundur të kontrollojë shpejtësinë e automjetit, i cili ka vijuar lëvizjen drejt, duke dalë nga korsia e rrugës dhe rënë 14 metra poshtë.

Britmat e Olldashit janë dëgjuar nga shoferi i tij, Blendi, i cili më pas ka njoftuar deputetin Igli Cara dhe sallën operative të policisë. Sipas specialistëve të aksidenteve rrugore, të cilët janë ngarkuar nga policia dhe prokuroria për përpilimin e aktit të ekspertimit të këtij rasti, mjeti ka bërë vetëm 1 rrutullim dhe se ka pësuar dëmtime në pjesën e tavanit të kabinës dhe në pjesën anësore.

Shkrimi u publikua sot (9.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)