Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, po zhvillohet seanca e radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’ teksa po dëshmon biznesmeni Elton Kila.

Kila ka treguar për rastet që kanë tentuar t’i djegin apo shkatërrojnë biznesin e tij, konkretisht shitblerje makinash, në vitet 2017 dhe 2018. Nga i biri i rojes së biznesit, Kila thotë se dëgjoi që autor i zjarrit të ketë qenë Eljo Bitri, që në atë kohë rrinte shumë afër biznesit me të cilin nuk kanë pasur asnjëherë kontakte.

Ende sot për zjarrin e vendosur në biznesin e tij, nuk ka autor si dhe vetë Elton Kila thotë se nuk ka dijeni se kush fshihet pasi ai vetë nuk ka pasur konflikte të mëdha, por vetëm raste pa interes.

Dëshmia e Elton Kilas:

Kam qenë i dëmtuar nga një akt kriminal, ngjarje e ndodhur në 2017 dhe 2018. Kam një biznes prej 25 vitesh, në fushën e automjeteve. Në 2017 ka pasur një tentativë për shkatërrim prone, nuk është zbuluar rasti, ne 2018 është tentuar shkatërrimi totalisht i biznesit në Bradashesh, Elbasan. Unë e kam nisur në vitin 2003 si biznes dhe hap pas hapi kam hapur 4 biznese. Në 2013 kam hapur një bazë fikse aty ku vazhdoj dhe sot, edhe pas shkatërrimit. Përpara se të merresha me këtë biznes, kam jetuar jashtë, pastaj u riktheva. Kam drejtuar edhe biznese të tjera. Kam qenë në Francë, Gjermani dhe Zvicër, jam marrë gjithmonë me automjetet. Vetëm për këtë punë njihem në qytet. Përveç kësaj pune, në 2006 kam hapur një palestër, ku përflitet edhe rasti i Emiljano Ramazanit. Në 2010 kam hapur një lokal në qendër të Elbasanit. Në 2017, ku ndodhi tentativa e shkatërrimit të biznesit, unë ndodhesha në shtëpi. Kisha mbyllur punën si zakonisht, kam pasur edhe roje.

Më thanë ka rënë zjarr, shkova fikëm zjarrin jashtë servisit. Zjarrin e shoi zjarrfikësja, dëmi ishte gati 18 milionë lekë, u dogjën 3 automjete. Kam patur në atë kohë rreth 13 cope, kisha 2-3 punëtorë. Në kohën e ngjarjes ishte vetëm roja aty. U mbajt një procesverbal për këtë ngjarje, me pyeten të gjithë nga policia për ngjarjen. Është ngjarje pa autor, nuk mora përgjigje se kush e bëri. Pati një zjarrvënie sërish ne 2018, në atë kohë kam qenë i arrestuar një kohë të shkurtër për makinat që sillja jashtë. Kam qenë i ndaluar deri sa erdhën dokumentet pas 45 ditësh nga Itali. Veprën penale e kreva në Itali, periudha në 2009, kam pas bashkëpunuar po në lidhje me automjetet. Pas tre ditësh ndalim, vendosën zjarrin në biznesin tim.

Ngjarjen e mora vesh përmes televizorit sepse isha i paraburgosur. Pasi dola nga burgu u interesova në polici. Sot e kësaj dite them që nuk kam asnjë lidhje me asgjë. Ka qenë një roje dhe një kompani sigurimi kur ndodhi ngjarja. Nga roja dëgjova diçka nga i biri, Arbër Ramollari i cili tha që ka qenë Eljo Bitri me dy të tjerë. Eljo Bitri s’ma merrte mendje sepse rrinte shume afër punës time. E njihja, frekuentonim të njëjtin lokal, kaq asgjë tjetër. Pasi më tha Arbri, nuk desha ta bisedoja me Eljo Bitrin thjeshtë u distancova. Nisa vëzhgimin vetë të mësoja kush e bëri. Emrat e tjerë që mi tha Arbri nuk ishin persona të njohur prej meje dhe nuk i mbaj mend emrat. Rrethi im shoqëror aso kohe ishte shumë i gjerë, Genc Muço është shoku im i ngushtë. Bashkë na lidhte puna. Unë s kam patur kurrë konflikt me njeri.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:37
Dosja ‘Plumbi i Artë’/ Dëshmia e biznesmenit në GJKKO: Nuk kam pasur konflikte me Nuredin Dumanin! Më është shkatërruar jeta

1762863833_eltonkila.jpg

Biznesmeni Elton Kila tregon se nuk ka pasur asnjëherë konflikte me Nuredin Dumanin ndërsa thotë se me Emiljano Ramazanin ka pasur njohje prej vitesh. Lidhur me Talo Çelën, Kila thotë se e njeh shumë pak.

Elton Kila thotë se këto ngjarje i kanë shkatërruar jetën. Ai është interesuar në polici, por nuk ka marrë përgjigje ndërsa thotë se nuk është ndjerë asnjëherë i kërcënuar, por vetëm i shqetësuar.

“Nuk kam patur konflikte me Nuredin Dumanin. Emiljano Ramazanin e njoh prej vitesh, që nga fëmijëria. Ka qenë klient i imi kur kam patur palestër. Kam përdorur motor prej shumë vitesh. Me Emiljanon kam folur për motorët. Palestrën e hapa në 2006, e kam administruar vetë. Ditën që është vrarë Emiljano Ramazani nuk më kujtohet ku kam qenë. Erjon Alibej nuk ka blerë ndonjëherë automjet te unë. Para shumë vitesh kemi patur komunikim. Nuk jemi konfliktuar ndonjëherë fizikisht bashkë. Në biznesin tim nuk ka ndodhur ngjarje kriminale. Në 2018 u dogjën 10 automjete dhe 10 motomjete, kur ndodhi ngjarja në biznesin tim. U dogjën edhe kamerat e sigurisë. Nuk dyshohej te askush. Talo Çelën e njoh pak, nuk kam patur marrëdhënie shoqërore. Talo banon ne Bradashesh. Nuk e kam strehuar ndonjëherë sepse nuk kemi patur marrëdhënie shoqërore bashkë.

(Pyetja vjen ne kuadër te deklarimeve te Nuredin Dumanit)

Kila: Më kanë shkatërruar familjen. Kam një shtëpi në fshat, jetojnë prindërit e mi. Të gjithë e dinë që kam banesë ne fshat, nuk e kam sekret. Në mars 2022 unë kam banuar në Elbasan. I kam dërguar letër SPAK , jam interesuar për vetën time pas këtyre ndodhive. Përveçse i shqetësuar, i kërcënuar nuk jam ndjerë. Kur u vendos zjarri, biznesi ka qenë në sekuestro preventive. Çelësa i ka patur policia”, tha Elton Kila.

Ora 14:19
Dëshmia e Elton Kilas në GJKKO: Jam takuar me Suel Çelën pas atentatit! Erjon Alibej është askush për mua

Elton Kila tregon se pasi në media u publikua lajmi se Suel Çela ishte ai që urdhëroi vrasjen e tij, është takuar me Suelin në prani të vëllait dhe babait. Nga ai moment e tutje nuk ka pasur më diskutime për këtë ngjarje, thotë ai.

Lidhur me masakrën e Bradasheshit, Kila thotë se ka qenë në burg dhe se asnjë prej personave të vrarë nuk ishte i njohur i tij.

Elton Kila flet dhe për njohjet që ka me të pandehurit e dosjes ‘Plumbi i Artë’.

“Në gazetë doli lajmi që ka paguar Suel Çela për mua. Shkova te tregu ushqimor dhe takova familjarët e Suelit. Ishte dhe i vëllai i Suelit Marjo dhe i ati i Suelit, Astriti. Vërtetë më thanë je bërë merak? Më gjuajtën te shpatullat. Unë isha i qetë. Me Suel Çelën jam takuar në vitin 2015 për herë te fundit. Nuk ndodhi asnjëherë takim mes nesh apo telefonatë për atë ngjarje. Atë kohë kam qenë i distancuar nuk kam patur kontakte. Luan Tabakun e njoh, kam 30 vite njohje që fëmi. Luan Tabaku është funksionar shteti, ka qenë në doganë… shok i vëllait tim ka qenë. Lajmin për mua e nxorën të gjitha mediat. Ka patur interes nga ana ime për të takuar gazetarët, kam takuar Artan Hoxhën. Me Artan Hoxhën kam folur për lajmet lidhur me mua. Kam folur me disa gazetarë për lajmin që doli. Kam folur me gazetarin e emisionit “Uniko”. U interesova të hiqeshin lajmet sepse nuk isha unë i përfshirë.

Ditën qe ndodhi vrasja në Bradashesh në dhjetor 2018 me tre të vrarë, unë kam qenë në burg. Ditën që dola nga burgu shkova në shtëpi sepse ishin 50 vetë që më prisnin. Të nesërmen e mora vesh, asnjëri prej viktimave nuk ishte i njohur për mua. Erjon Alibej e njoh, është askushi për mua. Nga të pandehurit njoh Gentjan Sharrën, Xhuljan Hoxhën, njoh Erjon Alibejn.

Jam takuar me Erjon Alibejn më përpara. Nuk kam shkëmbyer mesazhe me Erjon Alibej në kohën kur kam qenë në burg. Gjatë kohës që isha në burg, ishte dhe Erjon Alibej aty, në ambiente të ndara. Unë nuk dilja sepse nuk doja të përzihesha me njeri. Lulzim Bitrin e kam njohur. Kur është vrarë, unë kam qenë te një karburant vend që e frekuentoj sot e kësaj dite. Lulzimi është vellai i Eljo Bitrit, e njihja si emër. Me Eljon kam qenë i afërt”, tha Kila.

Ora 14:02
Dosja ‘Plumbi i Artë’, biznesmeni në GJKKO: Nuk e besoja të isha shënjestër e Dumanit! Suel Çelën e njoh që kalama, me Çapjan kam pasur konflikte

Ndaj biznesmenit Elton Kila në vitin 2018 ishte organizuar një atentat me të dyshuar si urdhërues Suel Çelën dhe vrasës Nuredin Dumanin. Atentati dështoi dhe rrugës për të ekzekutuar urdhrin, mbeti i plagosur Nuredin Dumani.

Kila në dëshminë e dhënë në GJKKO, tregon se nuk ka asnjë njohje me Dumnin ndërsa tregon se nuk e besonte se ai ishte shënjestër e një atentati. Në atë kohë, Kila tregon se iku jashtë shteti në Gjermani dhe më pas u rikthye përsëri në Shqipëri.

Biznesmeni thotë se nuk ruhej aspak pasi nuk ka pasur konflikte me njeri. I pyetur për Suel Çelën, Kila thotë se e ka njohur që njeri dhe se bashkë kanë pasur marrëdhënie pune. Ai shton se konflikt ka pasur me Franc Çapjan.

“Që nga 2018 nuk kam as roje, as polici private asgjë. Nuk dyshoja te ndonjë person. Ditën që mora vesh që kane ardhur për të më vrarë atë dite kam ikur ne 7 të mëngjesit. U njoha me lajmet që kishte ngelur i plagosur një person, Nuredin Dumani dhe që ishte arrestuar. Në atë kohë kam qenë me familjen ika jashtë me avion në Gjermani. Më pas u ktheva me makinë. Atë kohë me thanë që shënjestër isha unë, nuk e besoja me thënë drejtën. Pas dy muajsh doli lajmi që atentati ishte për mua. Ma kanë thënë dhe policët vërdallë që flitej që u bë për mua. Nuredin Dumanin nuk e njihja, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Unë këtë rast se nuk e lidhja me veten. Familjarët e mi më pyesnin a ke ndonjë problem, më pas kuptuan që vërtetë nuk kam lidhje me asnjë nga këta. Nuk kërkova të dija se për çfarë ndodhi dhe familja më kërkoi të ikja jashtë. I thash familjes nëse kane diçka le të vijnë se unë nuk kam frikë.

Unë nuk ruhesha fare, kam patur vetëm konflikte të vogla pa interes. Konflikte të tjera jo. Jam pyetur dhe në polici për këtë ngjarje. Unë isha në pritje që të dilte e vërteta. Nuk mësova asgjë. Po përlitesha shumë dhe kërkova te marr vesh diçka. Kur u arrestova unë kërkova të rrija vetëm. Kishte disa persona në paraburgim që ishin të njohur për mua. Nipi i Ardjan Çapjas ishte në paraburgim, ai nuk jeton më. Është vrarë. Ai ka qenë në konflikt me Fadil Memën. Kam paur konflikt me Florenc Çapjan. Suel Çelën e njoh që kalama. Me Suel Çelën kam patur marrëdhënie pune, me vëllain e tij dhe me të atin me lidhte puna. Kemi qenë komshinj, dyert përballë. Marrëdhënia ka qenë korrekte, disa here kam udhëtuar edhe me babain e Suelit. I ati i tij merrej me fruta-perime, unë me automjetet. Për ngjarjet që më ndodhën, Sueli dhe Marjo Çela nuk mu gjendën pranë sepse unë kam qenë i distancuar dhe nuk doja të diskutoja me askënd. Dhe me vëllezërit e mia nuk diskutoja”, tha Elton Kila.