Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 20 maj seancën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.
Vendimi për shtyrjen u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas kërkesës së prokurores Elida Kaçkini, e cila deklaroi se i nevojitet kohë për t’u përgatitur lidhur me prapësimet ndaj kërkesës së mbrojtjes. Seanca e radhës është caktuar më 20 maj, në orën 09:30.
Përmes avokatëve të tij, Beqaj ka kërkuar që masa e sigurisë të ndryshohet në “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje” ose në alternativë ka ofruar garanci pasurore në vlerën e 2 milionë lekëve, rreth 20 mijë euro.
Në argumentet e paraqitura në gjykatë, mbrojtja ka përdorur edhe vendimin e fundit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për masat e paraburgimit. Sipas këtij vendimi, masa “arrest me burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera më të lehta të sigurisë, ndërsa prokuroria duhet të argumentojë konkretisht nevojën për kufizimin ekstrem të lirisë.
Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAK, lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022-2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.
Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”. Dosja SASPAK ndodhet ende në seancë paraprake, ndërsa mbrojtja ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Komente











