TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake për dosjen Veliaj, me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe  28 persona e shoqëri. GJKKO i dha mbrojtjes kohë që të njihet me aktet dhe vendosi që seanca e radhës të mbahet më datë 2 dhjetor. Në këtë seancë, mësohet se dy biznesmenët Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu kanë kërkuar pushimin e çështjes dhe jo gjykim të shkurtuar

Në seancën e kaluar, prokurori Altin Dumani prezantoi një material të përmbledhur prej 50 faqesh, duke kërkuar kalimin e dosjes për gjykim. Avokatja e biznesmenit Elman Abule kërkoi pushimin e çështjes, ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Ndërsa avokatët e personave të tjerë kërkuan kohë për t’u shprehur.

Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Prej 9 muajsh në burg, Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgimin e Durrësit.

Veliaj akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.