Dorëzimi i dosjes Veliaj në Strasburg është një vendim i drejtë pasi mbajtja në qeli e kryetarit të Tiranës është veprim i nxituar e i ndaluar, sipas analistit Bujar Nallbani. Në një bisedë në ‘Studio Live’ në Report Tv, ai shprehet se punët publike të kryeqytetit nuk presin, ndërsa burgosjen e Veliajt e sheh si një veprim të ndërmarrë për “inate personale.”

“U bë goxha kohë që kjo punë e njëanshme nga ana e drejtësisë sepse mbajtja në qeli e kryetarit të zgjedhur me votë të bashkisë së Tiranës është një veprim aq sa i nxituar, aq edhe i ndaluar. Të mbash kryeqytetin e Shqipërisë në kolaps total sa u përket punëve publike që nuk presin dhe duan kryetarin e tyre, të cilin e kemi parë, ka qenë njeriu më punëtor dhe drejtësia e re që për mua është drejësia e xhaketave të vjetra e konvertuar në të re dhe duke i dhënë fuqi të jashtëzakonshme pushtetit gjyqësor, me mbajtjen në qeli është një akt sa burracak, aq i nxituar sepse mbajtja e tij ka të bëjë me një kontradiktë të prokurorit të SPAK-ut për mosdhënien e një lejeje ndërtimi dhe ky kryetar u bë objekt i sulmit, denigrimit dhe mbylljes në qeli. Mendoj që është diçka e mirë çuarja e kësaj çështjeje në Strasburg dhe lirimi i tij i menjëhershëm”, tha Nallbani.

Mbajtja në qeli e kryebashkiakut është “absurde” dhe duhet të ishte zgjidhur tashmë me një vendim gjykate e të mos pengohej drejtimi i qytetit, shton Bujar Vreto.

“Nëse një individ mbahet padrejtësisht në qeli është një problem në mënyrën si është ndërtuar dhe funksionon drejtësia. Drejtësisë do t’i kërkoja që patjetër zyrtarët e lartë, si Erion Veliaj apo të tjerë, duhen me patjetër të paraqesë provat dhe të jepet vendimi i gjykatës. Nuk mund të lihet kryeqyteti dy vjet pa kryetar bashkie. Qeveria e parlamenti duhet t’i kishin dhënë zgjidhje politike”, tha Vreto.