Dosjet e korrupsionit, 50 ekspertë
gjermanë në Tiranë

Dosjet e korrupsionit, 50 ekspertë<br />gjermanë në Tiranë
TIRANE - Si asnjëherë më parë, Gjermania dhe Austria do të investohen me burime njerëzore, financiare dhe asistencë teknike për të luftuar korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri.

Ndërsa ligji për ngritjen e institucioneve të reja antikorrupsion, Byronë e Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, edhe pse ka hyrë në fuqi, ka “ngrirë” për shkak të bllokimit të Vetingut, Gjermania dhe Austria kanë një projekt konkret, më i madhi i këtij lloji në fushën anti-korrupsion, për shkundjen e dosjeve të korrupsionit.

Rreth 50 ekspertë gjermanë dhe austriakë do të zbarkojnë në Tiranë, të cilët në bashkëpunim me organet hetimore shqiptare, do të nisin një aksion 29 mujor, në kuadër të luftës anti-korrupsion. Drejtuesi i Projektit do të jetë Helmut Weichhart.

Për zbatimin e projektit, Bashkimi Evropian, do të hedhë 3 milionë euro. Rezultatet e pritshme nga ky projekt lidhen me përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për anti-korrupsionin dhe krijimin e një historiku me hetime, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion në nivele të larta, sikundër kërkohet në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Gjithashtu, projekti parashikon vendosjen e mekanizmave për zbatimin e ligjit të sinjalizuesve, i quajtur ndryshe ligji për spiunët në administratë, për zbatimin të të cilit ka pritshmëri të mëdha. Projekti konsiston edhe në mbikëqyrjen efektive dhe kontrollin e financave të partive politike, të cilat në të gjitha raportet ndërkombëtare, konsiderohen si themeli i kështjellës së korrupsionit në Shqipëri.

Integrimi
Qëllimi kryesor i projektit më të madh anti-korrupsion, i udhëhequr nga Gjermania dhe Austria, është avancimi i Shqipërisë në rrugën e integrimit. Dënimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion nuk është tashmë një kusht për çeljen e negociatave, por do të jetë kusht vendimtar për afrimin e Shqipërisë me BE, pas çeljes së negociatave.

“Më lejoni të jem i qartë, nuk do të kursehen përpjekjet për të hartuar politika dhe veprime konkrete për ta çrrënjosur plagën e korrupsionit. Ajo ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve në shumë drejtime.

Ajo ndikon në funksionimin e administratës publike dhe në cilësinë e shërbimeve. Ajo ka një efekt të dëmshëm mbi ekonominë. Ndaj kjo do të thotë në terma konkretë më pak shkolla, më pak spitale dhe më pak vende pune.

Ja pse jemi sot këtu. Ja pse ky projekt është i rëndësishëm. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është themelore për ta çuar përpara procesin e zgjerimit”, ka pohuar Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm i BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, gjatë prezantimit të projektit.

(er.nu/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin rrugor Pogradec-Lin, përplasen dy automjete

Aksident në aksin rrugor Pogradec-Lin, përplasen dy automjete