TIRANË, 3 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/-. Dita botërore e njerëzve me aftësi të kufizuar, 3 Dhjetori, konsiderohet si një ditë për t`i kushtuar më shumë vëmendje personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë ditë u bëhet apel të gjithë aktorëve për të kushtuar më shumë vëmendje ndaj nevojave dhe shqetësimeve të personave me aftësi të kufizuara.
Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si edhe personat jo me aftësi të kufizuara, kanë nevojë për imunizim, depistim të kancerit,etj. Por, ata gjithashtu janë më të prekshëm nga një sëmundje apo një problem shëndetësor, si për shkak të varfërisë, për shkak të përjashtimit social, gjithashtu për shkak se ata mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet sekonadre, të tilla si plagë apo infeksionet e traktit urinar.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1992 e shpalli 3 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar. Përcaktimi i kësaj dite finalizoi iniciativat e hershme të Kombeve të Bashkuara për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar, për të njohur dhe përfshirë personat me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e jetës. Ndërkohë që Shqipëria bëhet pjesë e Konventës për të Drejtat e Njeriur para 25 vjetësh, sot personat me aftësi të kufizuar kërkojnë akoma më shumë të drejtat e tyre për të qënë të përfshirë dhe përfaqësuar në shqoëri.
Data 3 dhjetori synon të mobilizojë të gjithë botën për vëmendje më serioze në lidhje me nevojat, shqetësimet dhe aspiratat e më shumë se 600 milion personave me aftësi të kufizuara në të gjithë botën.
Mesa duket ndërgjegjësimi i shoqërisë, është rritur me kalimin e viteve, pasi dhe koncepti për aftësinë e kufizuar ka ndryshuar por ende ka shume pune per t'u bere.
Deri në fund të viteve '80 aftësia e kufizuar ose përkufizimi i aftësisë së kufizuar kanë qenë një çështje e debatit në Evropë dhe në botë. Në diskutimet botërore njohuritë, hipotezat dhe mënyra si mendohej aftësia e kufizuar janë grupuar në disa modele, si:
Gjatë viteve 60-70, aftësi ae kufizuar si një nevojë për ndihmë dhe mëshirim. Sipas këtij modeli personat me aftësi së kufizuar janë për tu mëshiruar për të ardhur keq dhe kanë nevojë për ndihmën tonë,simpatinë,dhembshurinë, asistencë në mënyrë që të ecin para.
Gjatë viteve 70 - 80, ky model ndryshoi, duke u konceptuar si problem mjekësor. Gjatë këtyre viteve personat me aftësi së kufizuar konsideroheshin pacientë me probleme fizike, dhe këta individë duheshin mjekuar, trajtuar apo ndërhyrë, për të zgjidhur problemin individual. Sipas këtij modeli për tu përshtatur duhet të ndryshojnë këta njerëz dhe jo shoqëria.
Më vonë në kohë, përgjatë fundit të viteve `80 dhe fillimit `90, aftësi ae kufizuar shihej si një koncept social. Sipas të cilit personat me aftësi së kufizuar konsiderohen të jenë të tillë si rezultat i barrierave sociale që i ndalon ata të marrin pjesë në shoqëri, pra është një problem i krijuar nga shoqëria duke mos ja atribuar atë individit
Por, menjëherë pas viteve `90, në shoqëri u përqafua mendimi se personat me aftësi të kufizuar janë të ndryshëm dhe është shoqëria ajo që duhet ti mbështesë dhe t'i respektojë ata. Personat me aftësi të kufizuar janë qytetarë të barabartë dhe prandaj duhet të gëzojnë të drejta dhe përgjegjësi të njëjta.
Ndërkohë pas viteve 2000 modeli i aftësisë ndryshoi sërish. Tani, personave me aftësi së kufizuar duhet t'u jepet mundësia të ushtrojnë kapacitetin e tyre të vërtetë, të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të zgjedhin jetën e tyre.
Në qershor të 2012 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 69 "Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë", sipas së cilit, shkollimi i fëmijëve me aftësi të kufizuar të institucioneve arsimore të specializuara është përgjjithesisht e përkohshme.
Manuali "Jam mes jush" i publikuar ditën e sotme nga World Vision në bashkepunim me Ministrinë e Arsimit, është një përmbledhje njohurish, këshillash, praktikash për t'u ardhur në ndihmë të gjithë mësuesve të Shqipërisë, të cilët kanë nxënës me aftësi të kufizuar në klasat e tyre. Këtë muaj manuali është futur për akreditim në Komisionin e Akredimit të Trajnimeve, pjesë e Ministrisë së Arsimit për t'u njohur zyrtarisht si një mjet përgatitjeje për mësuesit.
Por, ajo që është më shqetësuese për këtë kategori është fakti se njerëzit me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në aksesin për shërbime shëndetësore dhe rehabilituese për të cilat ata kanë nevojë për më shumë ambiente. Sipas Bankës Botërore dhe OBSH në raportin e vitit të kaluar, persona me aftësi të kufizuar ka në çdo vend të botës dhe në të gjitha nivelet e çdo shoqërie. Numri i personave me aftësi të kufizuar në botë është i madh dhe në rritje. Mbi një miliard njerëz, apo rreth 15% e popullsisë së botës, kanë një formë të aftësisë së kufizuar, nga të cilat mbi 200 milionë janë fëmijë. 110 milion deri 190 milion njerëz kanë vështirësi të konsiderueshme në funksionim.
Aftësia e kufizuar në Shqipëri
Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuar janë identifikuar me terma të ndryshëm si, invalidë, të paaftë, handikapë, para-tetraplegjike, persona me prapambetje mendore, të verbër, etj.
Në përputhje me terminologjinë e Kombeve të Bashkuara dhe konceptet e Mundësive të Barabarta të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në përputhje me kategorizimin ndërkombëtar të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), termi "person me handikap" është zevendësuar me termin "Person me Aftësi të Kufizuar". /a.ke/