TIRANE, 20 Mars /ATSH-E.Xhajanka/- Shqipëria është lider në prodhimin dhe eksportimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, që zënë rreth 500 hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin. Vendi ynë është i pasur me këto resurse natyre dhe është aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare në këtë lloj sektori që përbën një biznes të veçantë. Më shumë mbi thesaret natyrore të Shqipërisë, bimë të egra mjekësore dhe aromatike që gjenden në sasi të mëdha në fusha dhe male, krijojnë mundësi punësimi për rreth 100,000 familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. E nëse natyra i ka falur Shqipërisë bimët e egra, kultivimi i bimëve mjekësore në vendin tonë ka nisur rreth 4 vjet më parë. Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor. Gjatë vitit 2013 Shqipëria eksportoi përafërsisht 11,221 tonë bimë mjekësore me vlerë 23,761,115 Euro. Eksporti i bimëve mjekësore për 2013 përbënte 19% të eksporteve totale të vendit. Treguese ky që shunuar rritje progresive gjatë vitit 2014 e në vazhdim.
Tradicionalisht Shqipëria eksporton bimë mjekësore të egra, të papërpunuara, të cilat eksportohen për t'u trajtuar dhe paketuar jashtë vendit. Këto bimë të përpunuara përdoren në industrinë ushqimore për çajra bimorë, në përgatitjet ushqimore të ndryshme, në formën e erzave për gatim, si ekstrakte për vajra esenciale, apo në industrinë e pijeve, produkteve të shëndetësisë, kozmetikës si dhe parfumeve.
Sherebela - Mbretëresha e Bimëve Mjekësore
Bima e sherebelës është krenaria e Shqipërisë, së bashku me timusin, trumzën e rigonin, të cilat eksportohen jashtë vendit në sasi të mëdha. Shqipëria është një ndër eksportuesit kryesorë të kësaj bime në Shtetet e Bashkuara ta Amerikës.Sherebela është mbretëresha e bimëve mjekësore shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria mbulon 70 % të nevojave të tregut Amerikan për sherebelë. Bimët mjekësore shqiptare furnizojnë gjithashtu tregjet franceze, gjermane dhe italiane.
Sipas Xhevit Hysenaj, Kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Esencave dhe Kultivuesëve të Bimëve Mjekësore, rreth 15 % e sherebelës shqiptare rieksportohet nga Gjermania, Turqia dhe shtete të tjera.
Bimët mjekësore në Shqipëri rriten kryesisht në Malësi të Madhe, Shkodër, Skrapar, Elbasan, Korçë, Berat, Përmet dhe Durrës. Pjesa veriore e vendit është e njohur për prodhimin e sherebelës me cilësi të lartë, ndërkohë që pjesa qendrore dhe jugore e vendit është e specializuar në prodhimin e rigonit dhe timusit. Zakonisht bimët aromatike dhe mjekësore mblidhen nga familjet që jetojnë në zonat rurale. Pjesëtarë të këtyre familjeve mbledhin bimët e egra, të cilat më tej dorëzohen në pikat e grumbullimit të rreth 30-40 kompanive vendase. Gjatë 10 viteve të fundit, si pasojë e rritjes së kërkesës për produkte shqiptare në tregjet ndërkombëtare, sektori është rritur si në sasi të produkteve të eksportuara, ashtu edhe në cilësinë e tyre. Kompanitë shqiptare, furnizues të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare kanë forcuar pozicionet e tyre në këto tregje, kanë fituar eksperiencë dhe kanë krijuar një rrjet të fuqishëm lidhjesh.
Migracioni-potenciale të mëdha shfrytëzimi mbeten ende të paprekura
Shpopullimi i zonave rurale, veçanërisht atyre malore, si pasojë e lëvizjes së popullsisë drejt qyteteve ka bërë që rajone me potenciale të mëdha shfrytëzimi mbeten ende të paprekura. Ndërkohë si pasojë e nevojës së së konsoliduesve për të ruajtur në norma konstantë sasisë e produkteve, rajone të tjera janë shfrytëzuar mbi kapacitete.
Mungesa e praktikave të duhura gjatë mbjelljes dhe pas mbjelljes shumë shpesh dëmton produktet dhe ndikon në uljen e cilësisë së tyre. Shpesh herë kapacitetet e pamjaftueshme në ambjentet e tharjes ndikojnë në uljen e cilësë dhe standardeve. Rritja e kërkesës për bimë mjekësore dhe aromatike është një sfidë për industrinë e prodhimit të këtyre bimëve, të cilave u duhet të menaxojnë sasinë e kërkuar kundrejt cilësisë.
Standardet ndërkombëtarë të cilësisë përbëjnë një nga sfidat më të rëndësishme, sepse një pjesë e mirë e produkteve të mbledhura prej popullsisë së zonave rurale përmban gurë dhe barishte. Konsoliduesit duhet të investojnë në përftimin e njohurive të duhura dhe teknologjisë që do të ulte sasisë e mbetjeve dhe do të rriste cilësinë e produkteve të tregtuara.
Shpesh herë mbledhësit e bimëve mjekësore dhe aromatike nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi biologjinë e rritjes dhe të zhvillimit të këtyre bimëve apo mbi fazën e duhur biologjike, atëherë kur bimët kanë arritur pikën më të lartë të vajit esencial.
Investimet- ushqim për rritjen e sektorit
Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor në Shqipëri, e hartuar nga Ministria e Bujqësisë, thekson nevojën e mbështetjes së sipërmarrësve dhe bizneseve të reja në këtë sektor, planifikimin e biznesit, menaxhimin e projekteve, marketingun dhe informimin, për të nxitur rritjen dhe zhvillimin e këtij sektori. Aktorët kryesorë kanë investuar në mënyrë konstante në rritjen e biznesit, thelbësore në përmbushjen e nevojave të tregut në rritje. Investimet janë fokusuar përgjithësisht në ndërtimin apo përmirësimin e ambienteve të magazinave apo pikave të grumbullimit, përmirësimit të makinerive dhe arritjes së standardeve ndërkombëtare për produktet e tregtuara. Mbështjetja nga skemat kombëtare të granteve dhe fondeve nga donatorë të ndryshëm si skemat e granteve nga Bashkimi Evropian apo agjencitë ndërkombëtare si USAID kanë luajtur rol thelbësor në rritjen e biznesit.
Vasel Muçaj, është një sipërmarrës i suksesshëm në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Biznesi i tij është bazuar në Bajzë, Malësi e Madhe. Ai u mbështet nga organizata lokale e këshillimit Creative Business Solutions me aplikimin për grante nga Skemat e Mbështetjes Kombëtare, të cilat mbuluan një pjesë të investimit në ndërtimin e një magazine të re. Ky investim e ndihmoi Mucaj të ndërtonte ambiente të reja për ruajtjen e produkteve dhe në saj të këtij investimi biznesi u rrit me 20 punonjës më shumë, në krahasim me një vit më parë.
Një histori tjetër suksesi është ajo e Xhevit Hysenaj, i cili merret me përpunimin e bimë Medicinale dhe Vajrave esencialë. Nëpërmjet ndihmës së agjencisë USAID, Hysenaj, është pozicionuar me sukses në tregun shqiptar dhe atë të eksporteve. USAID e ndihmoi Hysenaj të sillte në biznesin e tij tre inxhinierë të cilët e këshilluan mbi dizajnin, ndërtimin dhe veprimtarinë e një distiluesi për vajra esencialë me kapacitet të madh dhe efektiv në kosto. Kjo teknologji e re ka sjellë rritje të prodhimtarisë dhe shitjeve, rritjen e punësimit lokal, e gjithashtu rritjen e të ardhurave për kultivuesit dhe mbledhësit lokalë të bimëve të egra.
Harta e re e produkteve rajonale do të ndihmonte procesin e mbështetjes së investimeve në bujqësi. Nëpërmjet kësaj harte Qeveria shqiptare do të sugjerojë fermerët mbi kulturat specifike që ata duhet të prodhojnë, bazuar në kushtet e tokës, kushtet klimatike në zonën e tyre apo kushte të tjera specifike si dhe do të garantojë suport nëpërmjet skemave kombëtare të subvencioneve.
Investimet në ndërtimin apo rindërtimin e pikave të grumbullimit për bimët medicinale, investimet në linjat e reja të standardizimit dhe investimet në mjetet e transportit të specializuara për bimet medicinale janë ndër prioritetet kryesore të Skemave Kombëtare të Granteve për vitin 2015, që këtë vit kanë nisur më 9 Mars.
/f.n/












