Muharrem Dosti do të jetë trajneri i ri i Elbasanit, pas dorëheqjes së dhënë nga ish-tekniku Ilirjan File, i cili mori vendimin drastik pas humbjes së skuadrës së tij 5-1 përballë Teutës, në ndeshjen e zhvilluar në Peqin. Lajmin për emërimin e Dostit në vend të Files e bëjnë të ditur burime pranë klubit elbasanas. Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, ka gjetur menjëherë timonierin e ri të skuadrës së tij, e cila ka humbur në të tre takimet e para. Mësohet gjithashtu se Dosti është emëruar përkohësisht në drejtimin e stolit verdheblu, por në rast se rezultatet do të jenë pozitive, atëherë ai mund të përfundojë sezonin në Elbasan. Rrugëtimi i Dostit në pankinën e verdhebluve do të nisë në ngjitje, pasi përballë do të jetë Tirana, 24 herë kampione e Shqipërisë, që deri më tani eshte në krye të klasfikimit me shtatë pikë, po aq sa edhe Kukësi. /ATSH/