Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, avokati mund të kryejë hetimet dhe verifikimet e tij, ndërsa i pandehuri mund të aksesojë provat, tha kryeministri Rama.

“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të kryejë hetimet e veta, të marrë dokumente, të kryejë verifikime dhe të angazhojë ekspertë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë, para se çështja të dërgohet në gjyq. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë fajtorin”, tha Rama.

Kushdo që thirret si person në dijeni do të ketë të drejtën e thirrjes së një avokati. Çdo deklarim i marrë nën torturë, do të jetë i pavlefshëm, vijoi kryeministri.

“Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat e garanci, kushdo do të ketë në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë e figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë saktësisht si e ka respektuar dinjitetin e tij. Për herë të parë, shprehet në letër se deklarimet e marra nën torturë apo nën trajtim çnjerëzor, janë të papërdorshme”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live