Qeveria ka propozuar javën e shkuar në Kuvend ligjin e ndryshuar për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në thelb të draftit është rishikimi i metodikës së vlerësimit të tokës. Sipas këtij propozimi, sipërfaqja do të vlerësohet sipas zërit kadastral që toka ka pasur në momentin e shpronësimit. Pra në rast se toka gjatë periudhës së diktaturës komuniste ka qenë livadh, por pas vitit 1991 është shndërruar në tokë bujqësore apo truall, vlera e saj do të llogaritet si tokë livadh.

E njëjta gjë do të ndodhe me ish-tokat bujqësore, të cilat pas vitit 1991 janë kthyer në troje, vlera e tyre tashmë do të jetë si tokë bujqësore. Kjo do të ulë ndjeshëm shumën e parave që një subjekt do të kërkojë për kompensimin. Një tjetër pikë e rëndësishme e projektligjit është dhe rivlerësimi i të gjitha vendimeve që janë dhënë më parë qoftë për njohjen por dhe për ata ish-pronarë që janë kompensuar me vlerë financiare apo dhe me kompensim fizik. Në projektligj parashikohet që këto vendime do të rivlerësohen në bazë të metodikës së re. në rast se subjekti pretendon se ka ende tokë për tu kompensuar do të bëhet dhe llogaritja e kësaj prone të pretenduar. Shuma do të krahasohet me vlerën që ka marrë më parë subjekti. Vetëm në rast se ka diferenca do të vijohet me kompensimin.

Në rast të kundërt subjekti do të konsiderohet i kompensuar. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me pronarët që kanë përfituar nga ndarja e tokës sipas ligjit 7501. Sipërfaqja e marrë do të zbritet nga toka e pretenduar.

Për sa i përket ish-pronarëve që ende nuk kanë bërë një kërkesë për njohjen e pronës, ata do të kenë dy muaj afat, pas miratimit të ligjit të ri, për të dorëzuar dokumentet. Në të kundërt do tu hiqet e drejta. Sipas projektligjit të ri, subjektet e shpronësuara nuk do të kenë më të drejtën as të kërkojnë në gjykatë rivendosjen në afat. Në këtë mënyrë, procesi paraqitjes së kërkesave të reja do të konsiderohet I përfunduar.

Ndërsa Agjencia e Trajtimit të pronave do të ketë detyrimin të vijojë punën me vlerësimin e dosjeve që kanë mbetur ende pa u shqyrtuar prej vitesh. Në projektligj është saktësuar se ATP do të ketë 3 vite afat për të nxjerrë nga arkivat dosjet e mbetura dhe dhënien e vendimeve përfundimtare për to. Burimet kanë bërë të ditur se janë rreth 8 mijë dosje të ish-pronarëve që ende nuk janë shqyrtuar nga ekspertët e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. por do të jetë ATP që do të marrë në dorëzim dosjen dhe nisjen e procedurave për dhënien e vendimit përfundimtar.

Veç kompensimit financiar, ATP do të nisë procesin dhe për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Në draftin e ri është kërkuar rishikimi dhe i skemës së kompensimit fizik. Ku subjektet e shpronësuara do të kenë të drejtën e futjes në ankand. Në rast se do të jenë fitues, vlera e tokës së pa kompensuar do të zbritet nga vlera e tokës që ka dalë në ankand. Ndërkohë që fondet që do të mblidhen nga privatizimet do të shërbejnë për kompensimin financiar të ish-pronarëve.

*Shkrimi u botua ne gazeten print Shqiptarja.com

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)