KORCE- Në gjashtë muajt e fundit, 8 të moshuar humbën jetën në vetmi... Një situatë që ka rikthyer vëmendjen tek izolimi dhe mungesa e kujdesit ndaj moshës se tretë.

Venera Bakalli, punonjëse sociale pranë Fondacionit “Emanuel” shprehet se numri i të moshuarve që jetojnë vetëm është në rritje, kryesisht si pasojë e emigrimit të të rinjve.

Vizitat në banesë, telefonatat apo kujdesi i përditshëm konsiderohen jetike për gjendjen e tyre psikologjike.

Rreth 200 të moshuar trajtohen në qendra ditore që janë në varësi të bashkisë. Ndërkohë, edhe 300 të moshuar të tjerë ndiqen në banesa përmes një projekti të Këshillit të Qarkut, ku ofrohet ndihmë me ushqime dhe medikamente.

Në Korçë mungojnë institucionet publike rezidenciale për të moshuarit. Aktualisht funksionon vetëm një azil privat me kapacitet 40 persona, çka nuk mbulon nevojat në rritje për moshën e tretë.

Sipas të dhënave nga Sigurimet Shoqërore, në qarkun e Korçës numërohen rreth 65 mijë pensionistë, por nuk ka evidenca te sakta për numrin e të moshuarve që jetojnë pa kujdes familjar.