Drejt bashkimit doganor, pa kontrolle për festa e në fundjavë, porti tregtar dhe lehtësim të procedurave për studentët... 19 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë

Në nisje të takimit të përbashkët të qeverive, kryeministri Rama foli për rritje të bashkëpunimit ekonomik, teksa nuk ngurroi të jepte edhe një përgjigje për skeptikët. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme, ishte ajo e prezantuar që në nisje, që do të lehtësojë procedurën e kalimit në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

‘Prej 1 qershorit deri me 30 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore, në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë në qarkullimin e qytetarëve të të dy anëve', tha Çuçi.

Jo vetëm qytetarët, por lehtësira qeveritë lajmëruan edhe për biznesin. Ministrat e Financave të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave për realizimin e të drejtës për pension, kërkesat për kontrolle mjekësore së një qytetari. Pra do të zbatohet marrëveshja që tregjet e dy vendeve të bashkohen dhe të ketë edhe lëvizje të lirë të fuqisë punëtore.

Edhe ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto-Romano dhe lidhja e tij me Portin e Thatë në Prishtinë, duke përdorur hekurudhën Durrës-Prishtinë, ishte projekti ambicioz i prezantuar përpara dy qeverive nga kompania holandeze Royal Hackoning.

Marrëveshje u nënshkrua edhe për gjendjen civile, ku do të bëhet shkëmbim në kohë reale ndërmjet dy vendeve. Mes 19 marrëveshjeve, Shqipëria e Kosova nënshkruan edhe ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë me bashkëfinancim, që do të kushtojë rreth 1 milionë e 980 mijë euro.

Në kushtet e krizës, Shqipëri-Kosovë nënshkruan marrëveshje edhe për Tecin e Vlorës, nga i cili të dyja palët do të përfitojnë gazin natyror, por edhe marrëveshjen për shkëmbimin e energjisë.

Në mesin e 19 marrëveshjeve u njoftua se skema e sigurimeve shoqërore do të hyjë në fuqi prej 1 korrikut, rrugët në fshatrat ndërkufitare do investohen në të dyja anët e kufirit, mjekët do kenë mundësi punësimi, licencat e avokatëve do të njihen nga të dyja vendet, projekti madhor në albanologji do të bëhet me bashkëfinancim, ndërsa jashtë këtyre marrëveshjeve, kryeminstri Rama deklaroi se do të kërkohet abetare e unifikuar për shqiptarët në vendet e tjera të Rajonit.

Marrëveshjet dhe memorandumet ndërqeveritare të firmosura në mbledhjen e përbashkët

1-Marrëveshje bashkëpunimi për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
2-Protokoll për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë/Kukës
3-Protokoll për regjimin e trafikut lokal të kufirit në zonat kufitare ndërmjet kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
4-Memorandum bashkëpunimi për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkim doganor
5-Marrëveshje administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore
6-Memorandum mirëkuptimi për sektorin e energjisë
7-Memorandum bashkëpunimi për bashkëpunim mbi zhvillimin e terminalit të Vlorës.
8-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural
9-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e gjendjes civile.
10-Marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim përvojash në proceset teknike
11- Marrëveshje bashkëpunimi për vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë.
12-Marrëveshje bashkëfinancimi për studimin e fizibilitetit dhe projekt – idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
13- Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë për shërbimin e ndërsjelltë ndërkufitar
14-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore
15-Marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik.
16-Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e rinisë.
17-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e kërkim shpëtimit malor dhe ujëra territoriale.
18-Deklaratë e përbashkët e Ministrave të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
19-Marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji enciklopedia shqiptare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, Muzhaqi: Më të përbashkuar nëse bëjmë bashkë të rinjtë tanë

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës janë zotuar të bashkëpunojnë në fushën e rinisë, në mbështetje të politikave dhe programeve të përbashkëta, si dhe të nismave rajonale dhe evropiane, në mbledhjen e tetë mes dy qeverive, të hënën e 20 qershorit. 

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, u shpreh se është hartuar një plan i mirë sa i përket angazhimit të të rinjve në dy vendet respektive, me qëllim fuqizimin e tyre në vendimmarrjen qendrore dhe vendore, nëpërmjet politikave më të mira për ta.

“Kjo marrëveshje krijon ura bashkëpunimi edhe për aktivitetet tona të përbashkëta që përfshijnë rritjen e mundësive për shkëmbime rinore duke filluar nga të rinjtë tanë artistë e sportistë, por edhe në evente të tjera kulturore, në kuadër të edukimit joformal apo aktiviteteve të ndryshme që organizojmë bashkërisht”, deklaroi Muzhaqi.

Element i rëndësishëm në këtë bashkëpunim do të jetë dhe mbështetja në zhvillimin e karrierës dhe aftësive profesionale të të rinjve, sipas ministres. “Ne besojmë fort se duke bërë bashkë të rinjtë tanë, edhe ne si vende do të jemi më të përbashkuar”. 

Gjatë mbledhjes, Qeveria e Kosovës ravijëzoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka punuar ngushtë me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Republikën e Shqipërisë, për të thurur të gjitha modalitetet për një bashkëpunim të thelluar mes të rinjve dhe të të dy vendeve. 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, deklaroi se kjo nismë po ndërtohet mbi një bashkëpunim të suksesshëm dhe në një linjë të përbashkët me mekanizmat rinor në rajon dhe në Evropë.

Me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës në fushën e rinisë, qeveritë e dy vendeve u angazhuan të vijojnë nismat e ndërmarra në përputhje me Deklaratën e Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritetit Strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënshkruar në Prizren, më 14 janar 2014.

Ora 12:59
Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë: Njohja e licensave të avokatëve dhe zbatimi i dënimeve alternative që japin gjykatat

1655722642_Screenshot11.jpg

Ministrat e Drejtësisë, të Kosovës dhe Shqipërisë kanë prezantuar marrëveshjen për njohjen reciproke të licensave të avokatëve, ndërmjetësve dhe zbatimin e dënimeve alternative që japin gjykatat e dy vendeve.

"Ne e kemi një marrëveshje në fushën civile dhe tregtare që u përgëzua nga parlamentet tona. Në Shqipëri do të hyjë në fuqi më 30 qershor 2022 dhe do të kemi efektet e para për qytetarët tanë në zgjidhjen e çështjeve civile.

Sot jemi dakordësuar që bashkëpunimin në fushën e drejtësisë ta shtyjmë drejt njohjes reciproke të licensave të avokatëve, ndërmjetësve por edhe njohjen reciproke të jurisprudencës, por më e rëndëishmja njohja dhe zbatimi i dënimeve alternative që japin autoritetet gjyqësore në të 2 vendet.

Do të ngrihet një grup i përbashkët pune por edhe për një mekanizëm ndërshtetërore", thanë ministrat.

Ora 12:52
Marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë për krijimin e qendrës së përbashkët të kërkim-shpëtimit, ministrat: Emergjencat nuk përballohen vetëm

1655722137_Screenshot5.jpg

Ministrat e Mbrojtjes, të Kosovës dhe Shqipërisë kanë prezantuar marrëveshjen për krjimin e një qendre të përbashkët të kërkim-shpëtimit.

"Reagimi i shpejtë për të mirën e populit, sidomos në kërkim-shpëtim. Ka ardhur koha të kemi 2 ushtri të forta.

Edhe për shkak dhe pas agresionit rus në Ukrainë, e kuptojmë që rajoni jonë është i brishtë, ndaj e kuptojmë rolin që kemi për mbrojtjen e ruajtjes së integritretit territorial. Për këtë aryse kemi intensifikuar kontaktet.

Sot kemi marrëveshje për kërkim shpëtimin malor dhe të ujërave territoriale. Duam të shkojmë drejt krijimit të një qendre të përbashkët të kërkim-shpëtimit. Kemi dhe ambicien për të zgjeruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor sepse emergjencat nuk përballohen vetëm", thanë ministrat.

Ora 12:49
Mbledhja e dy qeverive, marrëveshje bashkëpunimi për të rinjtë të dy vendeve

1655721872_Screenshot4.jpg

Në mbledhjen e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi edhe për të rinjtë.

‘Do të mbështesim karrierën në fushën profesionale të të rinjve. Ne besojmë se duke bërë të rinj bashkë, do të jemi dhe më të përbashkuar.

Kemi bashkëpunuar për të rinjtë ndërmjet dy vendeve tona. Interesat tona qendrojnë të linjëzuara ndërsa kemi shkëmbyer përvoja për të rinjtë. Takimi kishte shumë studentë pjesëmarrës, të cilët me hir dhe zgjuarsi. Vepruam si urë lidhëse mes të rinjve tanë.’- u shprehën ministrat.

 

Ora 12:42
Marrëveshja për platformën digjitale të turizmit: Të krijohet hartë me itinerare të përbashkëta Kosovë-Shqipëri

1655721565_Screenshot1.jpg

Ministrat e Turizmit të Shqipërisë dhe Kosovës kanë prezantuar marrëveshjen për platformën digjitale të turizmit.

"Do i paraqesë dy shtetet tona si një cak i përbashkët, do u shërbejë qytetarëve të dy vendeve dhe do të informojë vizitorët e huaj që shpesh po zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipërinë. Marrëveshja e sotme është sipërmarrje konkrete në fushën e turizmit dhe zotohemi sot për punën që na pret.

Shqipëria nuk ka veç detin, por edhe malet. Kemi të përbashkëta bjeshkët dhe detet Adriatik e Jon. Duhet ta konsiderojmë hartën turistike si një hartë të përbashkët ku kufiri nuk ka kuptim, prandaj që ta mbështesim këtë dhe duke konsideruar që turizmi është perspektivë shumë e rëndësishme për turizmin, na duhet të krijojmë itinerare të përbashkëta që turistët të kenë më shumë mundësi sidomos për tregun turistik që vjen prej së largëti. Ata nuk vijnë vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin dhe krijimi i një platforme digjitale informacione për të parë se ku do të qëndrosh të vijojë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas", thanë ministrat.

Ora 12:35
Takimi i dy qeverive Shqipëri-Kosovë/ Marrëveshje për punësimin e mjekëve në dy anët e kufirit! Krijohet korridor mbështetjeje për shkëmbimin e barnave të rralla

1655721231_Screenshot3.jpg

Shkëmbimi dhe punësimi i mjekëve dhe profesionistëve të shëndetit në funksion të trajtimit të rasteve specifike në dy anët e kufirit është në fokus të marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, të nënshkruar nga ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministry Rifat Latifi në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës që po zhvillohet në Prishtinë.

Ministrja Manastirliu tha se kjo marrëveshje do të mundësojë ofrimin e shërbimit shëndetësor në zonat kufitare të dy vendeve me cilësi dhe standarde falë shkëmbimit të mjekëve.

“Duke formalizuar këtë marrëveshje ne krijojmë mundësinë që mjekët tanë të punësohen në periudha të caktuara pranë spitaleve tona. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne garantojmë që profesionistët e shëndetit të dy vendeve tona mund të punësohen nëpërmjet pikërisht kanaleve që ne tashmë formalizojmë dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, edhe në spitalet tona në vend. Do e fillojmë me ato ndërkufitare, pra me spitalin e Kukësit, atë të Gjakovës dhe Prizrenit e më pas për t’u shtrirë edhe në spitalet e tjera”, bëri me dije Manastirliu.

Një tjetër marrëveshje mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës ka të bëjë më mbështetjen e ndërsjellë për shkëmbimin e barnave të rralla, testeve apo produkteve mjekësore, përmes krijimit të një korridori mbështetjeje.

“Marrëveshja e dytë bëhet me qëllim për një zhvillim në tregun farmaceutik duke qenë se dy Agjensitë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të vendeve tona respektive nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të kenë mundësi për unifikimin e protokolleve të farmako-vigjilencës. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ne arrijmë dhe garantojmë pikërisht korridoret e shpejta të furnizimit me barna të rralla. Nëse e ka një vend do t’i ketë dhe vendi tjetër, pra nëse i ka Kosova do t’i ketë Shqipëria; nëse i ka Shqipëria do t’i ketë dhe Kosova. Nga ana tjetër eksplorojmë dhe mundësinë për të vlerësuar dhe për të parë se çfarë fuqie negociuese ne të dyja si vende mund të kemi për të aksesuar barnat e rralla  Gjithashtu mekanizmat e kontrollit që ne do të ngremë nëpërmjet të dy Agjensive dhe laboratorëve që do të shërbejnë në funksion të njëri tjetrit do ta garantojnë këtë gjë”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve, Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi tha: “Me kënaqësi po raportoj sot se përmes nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve në fushën e shëndetësisë do të hapim rrugën për bashkëpunime edhe më të mëdha edhe më konkrete midis dy Ministrive tona të Shëndetësisë, të cilat do të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit mjekësor dhe shkencor si edhe do të rrisin cilësine e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë”.

Marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve parashikojnë ngritjen e një komiteti të përbashkët ndërmjet dy ministrive të shëndetësisë së dy vendeve, për të hartuar protokollin për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të specializuara nga mjekët e Shqipërisë dhe Kosovës në zonat kufitare. Lidhur me urgjencat mjekësore dhe shërbime të specializuara, do të ketë trajtim të ndërsjelltë në spitalet e Kukësit, Gjakovës dhe Prizrenit, për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, bazuar në protokollin e bashkëpunimit. Shkëmbimi i mjekëve dhe profesionistëve në funksion të menaxhimit sa më të mirë klinik të rasteve specifike në dy anët e kufirit, do të jetë një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të shërbimit shëndetësor në këto zona.

Palët do të angazhohen të krijojnë një korridor mbështetje në rast nevojë, në shkëmbimin e ndërsjelltë të barnave të rralla, testeve apo produkteve mjekësore. Forcimi i bashkëpunimit në fushën farmaceutike do të formalizohet mes marrëveshjes së përbashkët mes dy agjensive të barnave në lidhje me sigurinë dhe kontrollin e cilësisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore, duke shkëmbyer eksperiencat mes profesionistëve, por edhe duke vënë në dispozicion laboratorët e kontrollit të barnave për ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e farmakovigjilencës në dy vendet.

Në Prishtinë është duke u zhvilluar mbledhja e 8 mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ku po nënshkruhen disa marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes dy vendeve tona.

Ora 12:30
Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, marrëveshja për bashkëfinancimin: 1 milionë euro i mbulon Shqipëria, 980 mijë euro Kosova

1655719553_Screenshot9.jpg

Ministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës të Kosovës dhe Shqipërisë kanë prezantuar marrëveshjes për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.

"Marrëveshja e bashkëfinancimit vjen në vijim të bashkëpunimit 2 palëshe mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Kosovës. Synon përcaktimin dhe ndarjen e kostove. Fondi i përcaktuar për të gjithë projektin është 1 milion e 980 mijë euro, kështu që Shqipëria do të mbulojë 51% të këtij financimi dhe pjesa tjetër nga Ministria e Mjedisit të Kosovës. Ky studim tejkalon një projekt infrastrukturor. I përket një projekti kombëtar të shumëpritur që ka të bëjë me ndërtimin e portit të Durrësit dhe integrimin e ndërtimit të hekurudhës në projektin e madh.

Kjo linjë hekurudhore është nisja e një korridori të ri duke qenë se një nga problematikat që kemi hasur është përjashtimi i Shqipërisë më shumë se ai i Kosovës nga korridoret qendrore të Europës duke dhënë mundësi që ky mjet transporti shumë efikas të kthehet në një nga më të rëndësishmit për qytetarët shqiptarë në dy anët e kufirit.

Është sfidë që të njihet si korridor", thanë ministrat.

Ora 12:29
Nënshkruhet marrëveshja, ndërtim i përbashkët i rrugëve ndërmjet fshatrave mes kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës

1655719983_mbledhjaaa.jpg

Në mbledhjen ndërmjet dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e përbashkët të rrugëve në fshatrat që ndodhen në anë të ndryshme të kufirit midis dy vendeve. Në marrëveshje parashikohet e njëjta kompani të ndërtojë rrugët në të dyja kahet.

‘Nuk kemi pasur asnjë hezitimit për komunikim të rregullt dhe një bindje që të gjitha këto marrëveshje do të realizohen shumë shpejt. Marrëveshja është e rëndësishme pasi bëhet fjalë për zona të thella malore, ku e kanë kufirin në mes. Kur është vendosur ky kufij Shqipëria është dashur të ndërtojë qytete të reja. Shumë prej këtyre fshatrave i kanë më afër përtej kufirit sesa qendrën ku duhet të shkojnë. Marrëveshja që lehtëson kalimin ndërkufitar është e ngjashme edhe me këtë. Na duhet një koordinim mes dy ministrive do të mundësoj që kompanitë ta realizojnë të dyja segmentet. Pra një kompani të realizojë të dyja anët e rrugës.’- tha ministri i Kosovës.

‘Në përmes kësaj marrëveshje do të ngremë një komunitet të përbashkët, i cili ka për qëllim rehabilitimin e rrugëve ndërmjet qyteteve. Të njëjtat kompani të ndërtojnë rrugët në të dyja kahët. Duhet të studiohen të dyja zonat dhe më pas të ndërmerren aksione të përbashkëta. Me ngritjen e komunitetit do të nisim menjëherë nga puna.’- u shpreh ministrja e Shqipërisë.

Ora 12:17
Prezantohen marrëveshjet për programet e mbështetjes për bujqësinë dhe çmimet e produkteve

 

Ministrat e Bujqësisë, të Kosovës dhe Shqipërisë kanë prezantuar marrëveshjet në fushën e bujqësisë.

Sot do të nënshkruajmë 2 marrëveshje të tjera, marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillim rural si dhe marrëveshjen për shkëmbim përvojash në proceset teknike.

Sa i përket shkëmbimit të përvojave në proceset teknike në fushën e statistikave ku përfshihen rrjeti i kontabilitetit në fermë, raportimet vjetore për bujqësinë, për çmimin e produkteve bujqësore, shkëmbimin e përvojave për zhvillimin e zonave rurale përmes avancimit të shërbimeve këshillimore dhe ngritjes së kapaciteteve të këshilluesve publik dhe privat

Marrëveshja e dytë ka të bëjë me ndarjen e informacioneve në kohë reale të çmimeve për produktet bujqësore. Marrëveshje që ngre një sistem të integruar informimi bujqësor mes dy ministrive, shkëmbimin për të dhënat statistikore që të kemi sistem bashkëkohor dhe më pas ngritjen e rrjetit të të dhënave të kontabilitetit të fermës.

Ora 12:11
Nënshkruhen dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës në sektorin e energjisë: Diversifikim për burimet energjisë, përmirësim për kushtet e gazit

1655719553_Screenshot9.jpg

Në mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë dy Ministritë e Energjisë kanë nënshkruar dy marrëveshje në sektorin e energjisë. Një ka të bëjë me shkëmbimin e energjisë, ndërsa marrëveshja tjetër ka të bëjë me mundësinë e bashkëpunimi për ndërtimin e infrastrukturës për gazin natyror në terminalin në Vlorë.

‘Është të nënshkruajmë dy marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin energjisë. Marrëveshja e parë ka të bëjë me mundësitë e bashkëpunimit nga ndërtimi të infrastrukturës për gazin natyror. Do të angazhohemi për diskutime teknike. Synojmë që përmes kësaj marrëveshje të diversifikojmë burimet tona të energjisë. Ndërtimi infrastrukturës merr shumë kohë, por kemi një mundësi të mirë të kontraktojmë kapacitet për të blerë gaz natyror në Vlorë.'- u shpreh ministrja e Energjisë në Kosovë.

'I pari është memorandumi i mirëkuptimit. Kemi vështirësi në tregun e energjisë për shkak të luftës në Ukrainë. Për këtë arsye dhe duke pasur parasysh të gjitha projeksionet ne kemi nisur nga puna për të pasur një protokoll të rëndësishëm bashkëpunimi. Ne kemi nisur shkëmbimin e energjisë ku Republika e Shqipërisë depozitoi në Kosovë dhe u shkëmbye më pas në pranverë. Do të nisim dhe një memorandum ndërmjet dy ministrive për sa i përket zhvillimin të Terminalit në Vlorë. Kjo ka të bëjë më shumë me furnizimin me gaz.’- u shpreh Balluku.

Ora 12:00
Shkëmbimi i të dhënave për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore, çfarë parashikon marrëveshja për skemën e sigurimeve shoqërore

1655718901_Screenshot7.jpg

Ministrat e Financave, të Shqipërisë dhe Kosovës do të nënshkruajnë marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave për realizimin e të drejtës për pension, kërkesat për kontrolle mjekësore së një qytetari. Pra do të zbatohet marrëveshja që tregjet e dy vendeve të bashkohen dhe të ketë edhe lëvizje të lirë të fuqisë punëtore.

"Skema në Shqipëri, e  sigurimeve shoqërore do të përfshijë përfitimet në para për barrëlindje, për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe të punëdhënësit. Përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale dhe pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe atij familjar për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësit.

Skema në Kosovë përfshin të drejtën për pension, kontribut, pagues të moshës, të drejtën për pension invaliditor të punës, të drejtën për pension familjar, nga fondi i kursimeve personale individuale", thanë ministrat.

Ora 11:54
Drejt bashkimit doganor, Shqipëria dhe Kosova firmosin memorandumin e mirëkuptimit

1655718901_Screenshot7.jpg

Bashkëpunim doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është qëllimi i dy qeverive. Me një marrëveshje që firmoset sot ngrihet një grup pune që do të bëjë gati planin.

Grupi do të japë koston dhe përfitimin e një bashkimi doganor. Pra, palët do të punojnë për hartimin e studimit që do të prezantohet në nëntor.

Ora 11:54
Nënshkruhet marrëveshja, shkëmbim informacioni në kohë reale ndërmjet dy vendeve për ndryshimet në gjendjen civile

1655718142_Screenshot2.jpg

Dy ministrat e Brendshëm, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për gjendjen civile. Pra në rast se një shtetas kosovar i cili do të martohet në Shqipëri, gjendja civile në Kosovë do të njoftohet në kohë reale për këtë ndryshim.

‘Shkëmbimin në kohë reale të të dhënave për gjendje civile të shtetasve të cilët janë martuar. Një shtetas i Kosovës çdo shtetas që martohet në Shqipëri do të njoftohet në kohë reale gjendja civile në Kosovë. Kjo për t’i ndërprerë rrugën çdo manipulimi që i shfrytëzojnë këto mundësi për t’ju shmangur drejtësisë.

Ky është një  nga protokollet që do të shkëmbejmë të dhënat në kohë reale për të gjitha çështjet që mbulojnë dy qeveritë respektive. Do kemi marrëveshje të tjera në të njëjtën.’- u shprehën dy ministrat

Ora 11:44
Hiqen kufizimet për pranimin e studentëve në Shqipëri dhe në Kosovë, ministrat e Arsimit nënshkruajnë marrëveshjen

1655718142_Screenshot2.jpg

Është nënshkruar marrëveshja ndërmjet ministres së Arsimit në Shqipëri dhe ministrit të Arsimit në Kosovë për pranimin e studenteve në universitetet e dy vendeve. Kjo marrëveshje do të heqë të gjitha kufizimet

‘Hiqen të gjitha kufizimet në pranimin e studenteve në institucionet publike ndërmjet dy vendeve. Më gëzon fakti që po nënshkruhet në prag të afateve për pranim të studentëve dhe mund të zbatohet nga ky vend.’- tha ministri i Arsimit në Kosovë.

‘Një nga lajmet më të mira të kësaj mbledhje, ne sot u japim mundësi të barabarta dhe kushte të barabarta të gjithë të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova për të studiuar në universitet tona. Do të unfikojmë të gjitha proceduarat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studenteve. Duke filluar nga ky vit të rinjtë e dy vendeve mund të konkurojnë në mënyrë të barabartë me njëri tjetrin. Ne do ta zbatojmë menjëherë’- tha ministrja e Arsimit Evis Kushi.

Ora 11:43
Protokolli për shmangien e trafikut: Gjatë sezonit veror, në fundjavë dhe për festa zyrtare, qytetarët kalojnë kufirin Kosovë-Shqipëri pa u regjistruar

1655718385_rama.jpg

Ministrat e Brendshëm, të Koosovës dhe Shqipërisë kanë bërë me dije se do bëhen lehtësira të kalimit kufitar. 

"Prej 1 qershorit deri me 30 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore, në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë në qarkullimin e qytetarëve të të dy anëve", tha Çuçi.

"Herën e fundit kur isha në Shqipëri, polici kufitar në Vermicë më uroi udhëtim të mbarë", tha ministri i Brendshëm i Kosovës.

Kryeministri Edi Rama ndërhyri duke bërë një batutë që shkaktoi të qeshura në mbledhje.

"Mund t'jua kurseni këtë urim qytetarëve dhe kur kalojnë të mos kenë policë fare që i kurojnë dhe të ketë thjesht ndalime të rastësishme për cdo 500 makina. Mund të ndodhë kjo apo duhet patjetër që policët të përshëndesin të gjithë. E kam thënë që mbledhjen e parë, vetëm ministrat e brendshëm do të firmosin një marrëveshje të tillë. Shpresoj që në korrik, qytetarët të vijnë pa ia uruar policia mirëseardhjen", tha Rama.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur