Drejt standarteve të BE për azilin

TIRANE - Ofrimi i strehimit, ky zakon i vjetër është respektuar më së mirë edhe në traditën shqiptare, të mikpritjes, duke hapur kufijtë dhe pranuar personat, të cilët ndiqeshin për shkak të racës, besimit fetar, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në grupin e veçantë shoqëror apo pikëpamjes politike. Kujtojmë  këtu Luftën e Dytë Botërore, ku  me rritjen e Gjermanisë naziste një numër i hebrenjve gjermanë dhe austriakë u strehuan në Shqipëri.

Madje deri në vitin 1938 autoritetet shqiptare në Berlin kanë vazhduar të lëshojnë viza për hebrenjtë, në një kohë kur asnjë vend tjetër europian nuk ishte i gatshëm për t’i pranuar ata, për të vazhduar më pas me pritjen dhe bujtjen e popullit të Kosovës gjatë konfliktit të vitit 1999.   Edhe Shqipëria si të gjitha ato vende të botës që  promovojnë dhe nxisin vlerat themelore njerëzore ka të parashikuar në sistemin e saj, sistemin e azilit, duke krijuar kuadrin ligjor, infrastrukturor dhe burimet e nevojshme për sistemin e azilit.
 
SITUATA JURIDIKE PËR AZILIN NË SHQIPËRI

Shqipëria është  Shtet Palë në Konventën e vitit  1951 lidhur me Statusin e Refugjatëve dhe Protokollin e 1967 që nga viti 1992. Ajo ka ratifikuar gjithashtu, edhe Konventën e vitit 1954 lidhur me Statusin e personave pa shtetësi, si dhe Konventën e vitit 1961  për Reduktimin e Pashtetësisë, duke  pranuar edhe disa  instrumente ndërkombëtare dhe rajonale mbi të drejtat e njeriut, të cilat gjithashtu kanë rëndësi për mbrojtjen e refugjatëve. Kushtetuta, akti themeltar i Shtetit shqiptar ka parashikuar se “të huajt kanë të drejtën e strehimit në Republikën e Shqipërisë sipas ligjit.

"Akti kryesor mbi azilin në Shqipëri është ligji “Për Azilin”, si dhe ligji  i vitit 2003 “Për integrimin dhe bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë”. Legjislacioni është ndryshuar pas këshillimeve të gjata me ekspertë të huaj nga Bashkimi Europian e vende të tjera, duke futur koncepte të reja si ato për të miturit e pashoqëruar, flukset masive, etj në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian. Si rrjedhim, Shqipëria ka një kuadër ligjor kombëtar të konsoliduar, plotësuar nga një varg aktesh nënligjore. 
 
OBJEKTIVAT STRATEGJIKË DHE MASAT NË TË ARDHMEN NË POLITIKËN E AZILIT

Republika e Shqipërisë ka tashmë një sistem azili për të cilin po punohet gjithmonë e më shumë, për t’iu afruar standardeve  europiane,  duke bërë funksionimin e plotë të procedurave  në përcaktimin e Statusit të Refugjatit për personat që kërkojnë Azil.Ministria e Brendshme ka si qëllim kryesor  atë të krijimit të  një  terreni të  përshtatshëm  ligjor, në drejtim të procedurave për shtetas të huaj që kërkojnë azil në Republikën e Shqipërisë.
 
Objektivat kryesorë që duhen pasur parasysh për një funksionim  të gjithë hallkave të këtij sistemi, janë:
Konsolidimi dhe zhvillimi i procedurave ekzistuese  për  azlikërkuesit dhe refugjatët në Republikën e Shqipërisë.
Zbatimi i legjislacionit vendas në përputhje me standardet e Konventës  së Gjenevës të vitit 1951 dhe Protokollit të New  York-ut 1967.
Krijimi i një kuadri të plotë në menaxhimin e çështjeve të Azilit, si çështje të një rëndësie të veçantë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe vepruese.

Rritja e efiçencës së institucioneve.
Zbatimi i parimit të Non – Refoulement (moskthimit) dhe i të drejtave të tjera  të azilkërkuesve dhe refugjatëve.
Sigurimi i të drejtave të udhëtimit të personave  që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë.
Trajtim i njëjtë me shtetasit e vendeve të treta  që qëndrojnë ligjërisht në territorin shqiptar.

Gjithashtu Neni 80 i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit përcakton se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në këtë fushë, do të përqendrohet në zbatimin e legjislacionit të brendshëm për përmbushjen e standardeve të Konventës së Gjenevës të vitit 1951 dhe Protokollit të New Yorkut të vitit 1967, për të siguruar në këtë mënyrë respektimin e parimit të mos-kthimit të individit në atë vend që përbën kërcënim për jetën e tij, si dhe të të drejtave të tjera të azilkërkuesve dhe refugjatëve.
 
MUXHAHEDINËT NGA IRAKU
 
Në vazhdën e traditës së saj humanitare për mbështetjen e personave në nevojë dhe kontributin në parandalimin apo shuarjen e konflikteve që prekin të drejtat themelore dhe liritë e personave, sidomos atyre që diskriminohen, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ka marrë vendimin e saj human e bujar për t’i ofruar strehim një grup prej 210 personash, me nevoja të ngutshme, nga kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin e tyre në Shqipëri, duke u solidarizuar me thirrjen e Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar të gjithë ata që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, konfliktit dhe persekutimit, gjithashtu, ky vendi i Qeverisë Shqiptare ka ardhur edhe në përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Shqipëria ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Irak.

Në funksion të qasjes së një qëndrimi praktik për zgjidhjen e konflikteve dhe arritjes së paqes, ne besojmë se ofrimi i strehimit të banorëve të ish-Ashraf jashtë Irakut është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme duke ndihmuar rajonin drejt konsolidimin e paqes. Dhe sot në këtë ditë,  gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje të gjithë vendeve të tjera të ndjekin shembullin  humanist për të ofruar atyre që gjenden në nevojë ndihmë dhe strehim për mbrojtje ndërkombëtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima