Tiranë - Zgjedhësit shqiptarë vijojnë të mbështesin Partinë Socialistë për një mandat të katër në pushtet. Të dhënat e sondazhit të fundit të Eduart Zaloshnjës në bashkëpunim me Report tv, të publikuara mbrëmjen e 16 janarit 2025, në emisionin "Frontline' tregojnë se për PS sot do të votonin 50.5% e qytetarëve, 31.3% për PD, 16% për partitë e reja dhe 2.2% për partitë e vjetra. Ajo që vihet re është rritja e mbështetjes për socialistët në muajin janar me 2.4% krahasuar me dhjetorin. 

Aktualisht edhe për PD ka një rritje të lehtë me 0.3%. Nga anketimi rezulton se edhe diaspora do tja jepte sot votën Edi Ramës me 52.9% mbështetje. Krahasuar me muajin dhjetor këtë vit duket se partitë e reja pëlqehen më pak nga elektorati, me një rënie të votimit me 3%. Ka një rritje të lehtë për partite e vjetra.

Pyetjes se cilin nga dy politikanët kryesorë kanë opinion më pozitiv, sondazhi tregon se shqiptarët zgjedhin pa hezitim Edi Ramën me 52.2% të votave. Madje në janar kryeministri ka një rritje të mbështetjes me 3.1%. Ndryshe rezulton Sali Berisha i cili ka vetëm 30% të mbështetjes, megjithëse me një rritje me 0.9% në janar. Rama sot sfidon Berishën edhe me votën e emigrantëve me një pëlqyeshmëri të 56.1% tyre. Ndërsa lideri demokrat pëlqehet 30.2%, 17.6% janë për asnjërin prej tyre.

Sa i takon arritjeve të qeverisë, në përgjithësi shqiptarët si brenda dhe jashtë shprehen pesimistë me 47% të votave, megjithëse ka një tendencë rritjeje me 2.3% të opinionit pozitiv gjatë muajit të parë të këtij viti.

Zgjedhësit u pyetën nëse i shohin normale sharjet dhe shpifjet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit. 79.4% thonë se jo, ndërsa 11.2% i shohin normale, pjesa tjetër prej 9.4% janë të dyzuar.

Marrëdhëniet me SHBA-në 
Në pritje të betimit si president të Donald Trump më 20 janar, shqiptarët jashtë dhe brenda vendit mendojnë se nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Ramës me SHBA. Për 50.3% të qytetarëve raporti i Ramës me Trump do të mbetet po njësoj, 19.3% mendojnë se do përmirësohen. Nga ana tjetër, 25.2% thonë se marrdhëniet do përkeqësohen, ndërsa 5.2% shprehen se janë të dyzuar.

Trafiku

Lidhur me trafikun në Shqipëri krahasuar me vendet përreth, zgjedhësit e prirur për të votuar shprehen se trafiku në vendin tonë është më i rënduar. 55.7% mendojnë se është më i rënduar, 25.2% thonë se është më pak i rënduar, ndërsa 19.1% janë të dyzuar.

Metodologjia e sondazhit

Kampioni: 2401 zgjedhës të prirur për të votuar; 1801 në territorin e Shqipërisë, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara proporcionalisht në çdo qark, si edhe 600 zgjedhës nga emigracioni, të kontaktuar përmes miqve/të afërmve këtu.

Kampioni u ripeshua statistikisht për ta përfaqësuar elektoratin sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht.

Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Plus/minus 3%.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:52
Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

1737064423_6.JPG

Në sondazhin e Frontline zgjedhësit e vendosur për të votuar qysh sot u pyetën edhe për kë do votonin. Sipas sondazhit PS merr më shumë se 50% të votave, duke lënë prapa PD-në me 31.3%.

Partitë e reja marrin 16%, ndërsa parti të tjera të vogla marrin vetëm 2.2%. sa i përket zgjedhësve të gatshëm për të votuar që jetojnë në Shqipëri, PS merr diçka më pak se 50% i votave, PD me 31.8%, partitë e reja me 15.9% dhe partitë e vogla të tjera me 2.6%.

Shqiptarët e Diasporës japin më shumë vota për PS-në me 52.9%, PD me 29.8%, partitë e reja me 16.3% dhe partitë e vogla janë më pak të preferueshme me 1%.

Ora 22:43
Sondazhi i Frontline/ Rama më i pëlqyer se Berisha! Diaspora preferon më shumë kryeministrin se zgjedhësit në Shqipëri

1737063839_5.JPG

Në sondazhin e Frontline të zhvilluar në datat 14-15 janar, qytetarët u pyetën edhe për opinionin që kanë për dy liderët kryesorë të politikës shqiptare Sali Berisha dhe Edi Rama. 52.2% kanë opinion më pozitiv për Edi Ramën, 30.2% shprehen më pozitivisht për Berishën, ndërsa 17.6% janë për asnjërin prej tyre.

Sa i përket vetëm shqiptarëve në Shqipëri, Rama ka avantazhin e 50.9%, Berisha pëlqehet me 30.6% dhe 18.5% janë për asnjërin nga ata.

Kurse për shqiptarët e diasporës Rama ka një avantazh edhe më të madh, me 56.1% pëlqyeshmëri, Berisha me 29% dhe 14.9 janë për asnjërin.

Ora 22:28
Sondazhi/ Puna e qeverisë, 47% kanë opinion negativ! Shqiptarët e diasporës më pak të dyzuar

1737062957_4.JPG

Në sondazhin e 'Frontline', zgjedhësit e prirur për të votuar u pyetën edhe për opinionin e tyre lidhur me punën e qeverisë. 42.3 % mendojnë pozitivisht, 47% shprehen negativisht për punën e qeverisë dhe 10.7% janë të dyzuar.

Sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri 41.3% mendojnë se puna e qeverisë është pozitive, 47.3% e shohin negativisht punën e qeverisë dhe 11.4% theksojnë se janë të dyzuar.

Shqiptarët që jetojnë në emigracion e shohin pak më pozitive punën e qeverisë, megjithatë 46.1% kanë opinion negativ, ndërsa 45.3% kanë opinion pozitiv për punën e qeverisë. 8.6% janë të dyzuar.

Ora 22:10
Sondazhi i Frontline/ Trafiku në Shqipëri, më shumë se 55% e shohin më të rënduar se në vendet fqinje

1737061874_3.JPG

Në sondazhin e Zaloshnjas dhe Frontline, zgjedhësit e prirur për të votuar u pyetën edhe për opinionin e tyre lidhur me trafikun në Shqipëri krahasuar me vendet përreth.

55.7% mendojnë se është më i rënduar, 25.2% thonë se është më pak i rënduar, ndërsa 19.1% janë të dyzuar.

Shqiptarët e Shqipërisë e shohin në 58.9% më të rënduar, 23.7% më pak të rënduar dhe 17.4% janë të dyzuar.

Diaspora e mendon në 46.1% më të rënduar, 29.7% më pak të rënduar dhe 24.2% është e dyzuar.

Ora 21:37
Sondazhi/ Sharjet dhe shpifjet e politikanëve, 79.4% nuk i quajnë normale! Diaspora më kundër shpifjeve se shqiptarët këtu

1737059921_2.JPG

Në sondazhin e Frontline dhe Eduard Zaloshnja zgjedhësit e prirur për të votuar u pyetën nëse i shohin normale sharjet dhe shpifjet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit. 79.4% thonë se jo, ndërsa 11.2% i shohin normale, pjesa tjetër prej 9.4% janë të dyzuar.

Shqiptarët e Shqipërisë në 76.8% nuk i konsiderojnë normale sharjet dhe shpifjet e politikanëve, 12.3% i shohin normale, ndërsa më shumë se 10% janë të dyzuar.

Sa i përket shqiptarëve në emigracion të prirur për të votuar në zgjedhje, më shumë se 87% nuk i shohin normale sharjet dhe shpifjet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit, 7.9% i shohin normale dhe 4.9% janë të dyzuar.

Ora 21:07
Sondazhi në Frontline/ Ardhja e Trump, më shumë se gjysma mendojnë se marrëdhëniet SHBA-Rama do mbeten njësoj, 25.2% shohin përkeqësim

1737058099_1.JPG

Në sondazhin e sotëm të zhvilluar nga Frontline dhe Eduard Zaloshnja, qytetarët shqiptarë u pyetën lidhur me ardhjen e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, nëse do të ndryshojnë marrëdhëniet e SHBA-së me kryeministrin Rama.

Më shumë se gjysma 50.3% mendojnë se marrdhëniet SHBA-Rama do mbeten njësoj, 19.3% mendojnë se do përmirësohen. Nga ana tjetër, 25.2% thotnë se marrdhëniet do përkeqësohen, ndërsa 5.2% shprehen se janë të dyzuar.

Sa i përket shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, 49.2 % thonë se do mbeten njësoj, 19% se do përmirësohen. 26% mendojnë se do përkeqësohen, ndërsa 5.8% janë të mendimit se do përkeqësohen.

Kurse shqiptarët në emigracion, 53.6% thonë se do mbeten njësoj, 20.2% janë të mendimit se do përmirësohem, 22.8% shohin përkeqësim dhe 3.4% janë të dyzuar.