Drejtësia e re/ Si do shpërblehen prokurorët e SPAK-ut që godasin zyrtarët e lartë

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare. Kështu parashikon ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut. Në një kohë kur përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar përmes 7 mesazheve se pushtetarët e korruptuar dhe bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti. Ndërkaq rregullorja e miratuar nga KLP, e cila shërben si standard, parashikon hetimi i çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion. Sipas rregullores së KLP, ‘çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte’ konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik, të cilat kanë një numër të madh të pandehurish ose një numër të madh veprash penale, që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha etj.

Mbrojtja e veçantë dhe eskortë
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, pavarësisht arritjeve në detyrë, gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, bashkë me familjet, por edh pasi të dalin në pension. Ligji për statusin parashikon që magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit. Ndërkaq, një vendim i qeverisë, i miratuar disa ditë më parë, parashikon që në raste të veçanta dhe me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorit të SPAK i sigurohet mbrojtje për banesën dhe eskortë. Komisione të posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, si dhe të banesave të tyre.

Shtëpi nga shteti
Prokurori i SPAK-ut ka të që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes së tij, i cili jeton në të njëjtën banesë me prokurorin e posaçëm, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Në rast se në një familje janë dy persona kanë të drejtë të përfitojnë kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, do të përfitohet vetëm nga një prej tyre.

Paga
Prokurorët e SPAK-ut do të marrin një pagë trefish më të lartë se paga aktuale e prokurorëve që nuk kanë kaluar Vetingun. Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të bëhet nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin. Kjo vlen edhe për të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vetingun. Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e prokurorit të SPAK-ut apo e çdo prokurori që kalon Vetingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Por, nuk mbaron me kaq. Prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.

Kontrolli i bisedave
Fillimisht, para se të emërohen, prokurorët e posaçëm duhet të firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. Edhe familjarët e tyre duhet të firmosin të njëjtën deklaratë me shkrim. Ata kanë vetëm nga një telefon celular, vetëm nga një numër telefoni dhe vetëm një adresë poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, në të kundërt provokojnë shkarkimin nga detyra. Ndërkaq, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kryejë vëzhgimin periodik të të gjitha telekomunikimeve të prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë stafit të Byrosë së Hetimit. Hetuesi që vëzhgon bisedat e prokurorëve specialë do të zgjidhjet me short. Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje. Por, edhe vetë oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit që monitoron komunikimet, është nën monitorim. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm, i cili drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë.

Kontrolli i pasurisë
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave cakton një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të prokurorëve të posaçëm dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Personi që kontrollon lëvizjet në llogaritë bankare ndryshohet një herë në dy vjet. Ai duhet të sinjalizojë për çdo lëvizje të dyshimtë. Ndërkaq, të gjitha lëvizjet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyren nga një oficer përgjegjës, konkretisht hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta. Oficeri përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm lidhur me çdo lëvizje të dyshimtë të parave. Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në transaksione të mëdha financiare, modele të pazakonta transaksionesh financiare, transaksione financiare nga burime të pazakonta apo kriminale apo në ekzistencë llogarish financiare, të cilat nuk janë deklaruar.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjyqtari: 06/09/2019 09:30

    Te gjithe ata qe do te punojne ne keto organe duher te jene njerez te padegjuar sepse po shohim qe keto organe po plptesohen me njerez qe kane punuar ne sisremin aktual qe eshte sot te tjere qe kane dhene doreheqjen nga frika e vettingut i sheh te punojne si notere apo avokate qe per mendimin tim nuk duhet te jene sepse sic thote nje fjale e urte ujku qimen e nderron por zakonin se harron.

    Përgjigju
  • YYY: 06/09/2019 09:19

    Aman jepuni gjithcka, bile me tepri, vetem te filloj te funksionoje drejtesia e vertete, e paanshme, e drejte dhe e pa kompromise ndaj krimit e korrupsionit ne nivele te larta. Qeneria duhet te filloje te paguaj realisht per te gjitha poshtersite e bera ketij vendi.

    Përgjigju
  • Haha: 06/09/2019 07:46

    CFARE PAGE QESHARAKE. PO KUR TA ULI PAGEN E DREJTORIT NE KRYEMINISTRI KRYELARTI CA DO MARRIN KETA. HAJDE LIGJ HAJD CLIDHJE KA PAGA E PROKURORIT ME PAGEN E DREJTORIT NE KRYEMINISTRI.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen