"Drejtësia", Felaj: Asnjë skenar
për zgjedhje të parakohshme

për zgjedhje të parakohshme">
Nuk ka asnjë skenar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, edhe nëse reforma në drejtësi nuk siguron votat kushtetuese për votim në parlament. Kjo deklaratë vjen nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo” në REPORT TV.
 
Felaj thotë se shqiptarët e kanë votuar këtë mazhorancë për të qeverisur përmes reformave ndërsa tha se kjo është koha që palët politike të tregojnë nëse e duan reformën në drejtësi apo jo.
 
E megjithatë Felaj është e bindur në reflektimin individual të deputetëve për votimin e reformës më të rëndësishme në 25 vjet. Sipas saj, ideja e referendumit është e mirëpritur nga Partia Socialiste por kjo kalon përmes një votimi me shumicë kushtetuese në parlamentin shqiptar. 

 Znj. Felaj, në çfarë faze është reforma në drejtësi?
Mund të themi se reforma në drejtësi është në fazën përfundimtare, sepse Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi javën e kaluar ka miratuar në tërësi draftin e ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa sot ka pasur një mbledhje të Komisionit për të prezantuar kalendarin e punës në Komision dhe në Kuvend, lidhur me ligjet e rëndësishme kushtetuese që duhet të shoqërojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese. Kështu që nga kjo pikëpamje them që jemi në fazën finale të Reformës në Drejtësi. Por përfitoj nga momenti për t’i bërë një thirrje për opozitën, një thirrje të cilën ne e kemi bërë që kur kemi filluar punën për reformën në drejtësi. Opozita duhet t’i japë mbështetje draftit jo se e themi ne por sepse kërkohet edhe nga ndërkombëtarët.
 
Nga pikëpamja teknike puna e Komisionit të Posaçëm konsiderohet e mbyllur?
Për sa i takon amendamenteve kushtetuese, po. Por mbetet akoma për t’u shqyrtuar. Ne e kemi pranuar që drafti mund të mos jetë perfekt por e rëndësishme është që të mos preket thelbi i draftit. Kjo është një bazë solide për të ngritur një sistem të drejtë në Shqipëri.
 
Ka një marsh manovre për një negociatë të fundit me opozitës?
Unë besoj që po, fakti që ne kemi qenë gjithmonë të hapur, ofruam konsensus maksimal për të pranuar opsionet e opozitës. Ne jemi të hapur për çdo alternativë të draftit, me kushtin që mos të përkeqësoje draftin por ta përmirësojë.
 
E konfirmoni që 33 deputetet e kanë firmosur që të hyjë në seancë?
Projekti ka mbaruar procedurën formale në Komision, sepse është votuar nen për nen, diskutimi nen për nen dhe është konsoliduar diskutimi i tij në tërësi.
 
Ku mund të gjendet konsensusi mes jush dhe opozitës?
Mundësia për negociim është një kohë, jo një kohë e pafund. Kjo është një reformë që nuk i shërben vetëm interesave të dikujt por i shërben të gjithë shqiptarëve. Do ishte mirë që opozita të japë konsensusin e saj për këtë reformë. Por nëse ata nuk vendosin, kjo nuk është një llogaridhënie e mazhorancës para publikut por opozita duhet të japë llogari para publikut.
 
Kur është afati kohor?
Nuk mund ta përcaktoj, por duhet të mbyllet përpara sesionit parlamentar.
 
Sa ditë lejojnë procedurat?
Nuk kemi ndjekur strikt rregullave të Kuvendit të Shqipërisë. Në qoftë se do i ndiqnim strikt rregullat nuk do të mund të bënim amendamente.
 
Paragrafi 88, vetëm, aty nuk është arritur konsensusi? Çfarë është ky paragraf?
Ta themi thjesht mos ta citojmë përmendësh, e gjithë ajo çfarë Komisioni i Venecias orienton është që zgjedhjet në trupat të rëndësishme gjyqësore, që njihen si qeveria e gjyqtarëve dhe prokurorisë. Në zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë duhet të kenë ndikimin e saj edhe opozita. Por këtu e rëndësishme është metoda sesi i përzgjedhim ne ata. Si mund t’i zgjedhim këta persona të jenë të pavarur nga politika. Ne jemi kundër sepse në qoftë se ata i propozojnë, ata nuk mund të jenë të distancuar nga politika.
 
Në projektin që ka hyrë si parashikohet?
Parashikohet që zgjedhja e anëtarëve jo gjyqtarë ose jo prokurorë në Këshillin e Lartë Gjyqësor ose në Këshillin e Lartë të Prokurorisë të vijë përmes një shumice prej 2/3 jo më larg datës 1 shtator 2017 pastaj zgjedhje do të jetë me shumicën tjetër të cilësuar me 3/5-at.
 
Nëse nuk arrihet 2/3  është shumicë si veprohet?
Është një shumicë kushtetuese, edhe 3/5 por nuk e komprometon procesin. Mos harrojmë që kur ishim në Opozitë që paraqitëm propozime të veçantë, nuk u pranua asnjë kërkesë e jona.

A kemi një bllokim, për shkak se nuk ka një konsensus mes jush?
Mekanizimi i parashikuar në ligj e shmang bllokimin, dhe nuk ndodh bllokimi. Ne kemi parashikuar që përzgjedhja e anëtarëve të bëhët me 2/3 nga Kuvendi i Shqipërisë. Për secilin vend do të ketë 5 propozime. Në qoftë se nuk arrihet shumica që kërkon ligji atëherë renditjen e tyre e bën Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ata që do të rezultojnë që kanë marrë më shumë vota do përzgjidhen. Ja pra sa pak mundësi ka politika për të futur duart në sistemin e drejtësisë.
 
Ka një propozim për konsensus nga LSI, që paragrafi 88 të çohet në Bruksel për t'u interpretuar? Pse nuk e pranoni?
Nuk kemi marrë ndonjë pozicionim në këtë pikë, sepse besoj se ne nuk kemi ndarje në qëndrimet thelbësore. Si PS dhe LSI e kanë miratuar draftin.
 
A mendoni se kjo është reforma më thelbësore dhe duhet konsensus? Nuk duhet të miratohet më votim të njëanshëm?
Nuk e kemi mohuar asnjëherë, kemi bërë thirrje që të arrihet konsensusi. Ne pranuam shumicën prej 2/3-tash të opozitës, por ne nuk mund të pranojmë çdo kërkesë të tyre që të përkeqësojë reformën. Reforma nuk është pazar dhe ne nuk mund të pranojmë ta kthejmë në një të tillë.
 
Në qoftë se LSI mban një qëndrim tjetër, bie kjo qeveri?
Unë nuk e shoh të ndodhë kjo gjë, sepse si maxhorancë jemi të bashkuar në qëndrimin tonë të reformës në drejtësi.
 
Qëndrimi i Metës ka qenë ta kalojmë me konsensus?
Qëndrimi ka qenë se të gjitha votat e lëvizjes socialiste për integrim do të jenë për draftin e reformës në drejtësi. Ky ka qenë një qëndrim i pandryshuar. Pastaj idetë sesi mund të të zgjidhim pikën 88 të Komisionit të Venecias, mund të jenë të ndryshme por kjo nuk do të thotë që në nuk jemi dakord që të votohet reforma në drejtësi.
 
Opozita thotë që ju po tentoni të merrnin KLD-në dhe KLP-në? Mund të gjendet një zgjidhje mos ta ketë asnjëra palë?
Është një mekanizëm i bazuar në gënjeshtër ky i opozitës. Unë e thashë dhe më lart se përzgjedhja e këtyre njerëzve nuk mund të vijnë nga grumbulli. 5-ja do jetë e larmishme, jo vetëm e marrë nga një vend.
 
LSI dhe PDIU votojnë si ju, por nuk shkojnë 96, ku do i gjeni votat e nevojshme?
Llogaria e numrave është e rëndësishme por mbetet në Parlament. Nuk mund të bëjmë parashikime, por mund të them se kjo është një reformë e rëndësishme. Njerëzit janë të vetëdijshëm se mosvotimi i saj do i humbiste kohë Shqipërisë në zhvillim.
 
Ka deputetë të PD-së që do e votojnë projektin siç ka hyrë?
Unë besoj që ka deputetë që kanë një personalitet ku do të bëjnë një diferencë sepse nuk është një çështje që i shërben vetëm interesave vetjakë, por i shërben një vendi.
 
Partia Demokratike ka kërcënuar se do të djegë mandatet, mendoni se do të ketë një kaos politik?
Si fillim unë dua të nënvizoj se mazhoranca nuk është treguar asnjëherë arbitrare, apo e vrazhët duke përfituar nga fuqia numerike që ka në parlament. Nuk ka diçka tjetër që ka marrë kaq shumë kohë, kaq shumë diskutime sa reforma në drejtësi.
 
Në qoftë nuk kalon kjo reformë bie kjo shumicë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme?
Kjo nuk ka lidhje me qëndrueshmërinë tonë, ne kemi marrë votat e shqiptarëve dhe nuk ndikon në mënyrë absolute.

Thelbi i gjithë problemit në drejtësi është solidariteti midis gjyqtarëve dhe prokurorëve që pushtetin e përdorin për korrupsion, si e shmang reforma një gjë të tillë?
Për reformën është folur shumë dhe ndoshta nuk është arritur të kuptohet gjithçka nga pjesa teknike e saj. Reforma siguron që përfaqësuesit në organet më të larta kushtetuese, pra të gjitha gjykatat, prokurori i përgjithshëm dhe të gjitha organe të tilla do të zgjidhen me shumicë të cilësuar, jo më me 36 vota, sepse këtu degradonte zgjedhja e përfaqësuesve. Tani politikës do t;i duhet ti zgjedhë mirë njerëzit që nëpërmjet saj do bëhen pjesë e sistemit. Nuk do ketë mandate të pakufizuara në kohë, sepse tani ka mandate që në përgjithësi që i kalojnë dy legjislatura dhe njëkohësisht të paripërtëritshme që të mund të ketë prurje të reja në trupin gjyqësor.

Si do pastrohet sistemi që kërkon kirurgji?
Pjesa e vetingut. Kontrolli i figurës, i aftësisë profesionale dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtë e realizon komisioni i pavarur i kualifikimit që është një trup juristësh profesionistë dhe do ketë edhe një kolegj të posaçëm për ankimet që mund të kenë subjektet e kontrollit. Operacioni ndërkombëtar i monitorimit do jetë një trup i përbërë nga gjyqtarë të ardhur nga vendet e BE ose të sugjeruara nga Komisioni Evropian duke njoftuar më parë Këshillin e Ministrave të Shqipërisë. Këto do monitorojnë punën e Komisionit të pavarur të kualifikimit  që është më i rëndësishmi dhe kolegjit të posaçëm.

Marrim një rast konkret, një gjykatës në Durrës, si do i nënshtrohet ai kontrollit nga hapi i parë deri tek i fundit?
Do t’i nënshtrohet kontrollit të figurës, që do të thotë të dëshmojë të gjitha lidhjet shoqërore të tij. Ne jemi dëshmitar të rasteve kur gjyqtarët ose prokurorët shikohen në tavolina baresh dhe kafenesh në shoqëri të njerëzve të botës së krimit. Të qenit gjyqtar është privilegj, ata japin vendime në emër të Republikës dhe jeta private do të ketë kufizimet e saj, nuk mund të ekspozohen me persona të papërshtatshëm. Në vende të tjera të Evropës kjo është e shkruar në kodet e etikës. Ato nuk janë kode penalizuese me dënime, por me penalitete administrative pasi predisponohet që trupa ndaj të cilëve vendosen t’i respektojnë apriori.

Kur gjykatësi të pijë një kafe me dikë duhet t’i kërkojë atij dëshminë e penalitetit?
Cdo gjyqtar dhe prokuror do të bëjë një deklarim të lidhjeve të tij shoqërore dhe listën do ta verifikojë komisioni i pavarur i kualifikimit. Të konfirmosh ekzistencën e njërës apo tjetrës lidhje shoqërore nuk është e vështirë sepse ky komision do të ketë akses në të gjitha bazat e të dhënave shtetërore.
Figura është edhe morali yt në shoqëri. A mund të jetë gjyqtar dikush që sillet si njeri i dhunshëm në publik, që konsumon vepra të rrahjes dhe fyerjes, a mundet që ta gëzojë besimit e të qenit gjyqtar dhe prokuror? Absolutisht jo, prandaj episode të tilla do vihen në sitën e këtij komisioni por nuk është vetëm ky aspekt, pasi edhe pjesa e pasurisë do ketë një kontroll. Mbase ju do të më thoni që ju keni ILDKP-në, nuk e ka bërë ILDKP-ja këtë gjë deri tani? Po e ka bërë, por nuk e ka bërë në mënyrën e duhur se po ta kishte bërë do të merrnin shpjegim të gjitha pasuritë e habitshme që kanë këta njerëz në emër të tyre dhe këtë se them thjeshtë nga kronikat e medieve, por e kam vërejtur si deputete e komisionit të ligjeve e kam parë nga deklaratat që kandidatët për shkallë të ndryshme të gjyqësorit i furnizonin Komisionit Parlamentar të Ligjeve lidhur me pasuritë e tyre. ILDKP-ja nuk do të ketë ndërhyrje në punën e vet sepse edhe në këtë rast do konfirmojë saktësinë e deklarimit në kuptimin matematikor të fjalës mandej do të jetë komisioni i cili do shqyrtojë nëse ka një përputhje midis të ardhurave që një gjyqtar ose prokuror mundet të sigurojë nga puna e tij dhe pasurisë që ai disponon, nëse ka një diferencë të madhe kuptohet që do t’i duhet gjyqtarit dhe prokurorit ta justifikojë.

Po mund ti vejë në emër të vjehrrës, vjehrrit, vëllait kunatit siç ka vepruar deri tani, apo jo?
Do t’i takojë atij barra e provës për të provuar prejardhjen e pasurisë së vet. Ky është një kontroll që bëhet nga nën një monitorim ndërkombëtar, nga një trupë autonome e pavarur e lirë të kryejë veprimet e veta dhe të ketë akses kudo. Nëse pasuria jote është në dyfishin e  të ardhurave të tua atëherë lind dyshimi si e ke vëne këtë pasuri dhe do duhet ta konfirmosh deri në detaj. Nuk i kemi pasur këto rregulla kaq të hollësishme mbi ligjin në bazën e të cilit funksionon ILDKP-ja, vazhdimisht kemi ndërhyrë në ligj por opozita nuk ka përkrahur.

A ka vetingu shumë privime për ata qe do ngelen në sistem?
Jeta private ka limitet e veta përndryshe askush nuk duhet të marrë përsipër të jetë pjesë e sistemit gjyqësor. Mund të duket diçka e ashpër edhe Komisioni i Venecias e ka thënë një gjë të tillë. Shumë nga zgjidhjet që ofron sistemi mund të duken të ashpra për në Shqipëri kemi mbërritur në pikën që na duhet një lëvizje e fortë për ta shoshitur gjithë sistemin.

Si do funksionojë byroja e hetimit?
Nuk do quhet më byro por si njësi e posaçme e luftës kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, detajet nuk do jenë në Kushtetutë por në ligjin e posaçm dhe tani është koha që opozita të bëjë pjesën e vet për pretendimet e tyre. Njësia e posaçme do hetojë në funksion të prokurorisë së posaçme anti korrupsion që do të hetojë krimet që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë aktualë dhe të mëparshëm. Prokuroria do të ketë 10 prokurorë dhe ndërkombëtarët do kenë rol trajnues mbështetës dhe do furnizojë me ekspertë nëse do duhen.

Si do të zgjidhen këta 10 superprokurorë dhe cilat do jenë kompetencat e tyre ekstra?
Do zgjidhen nga këshilli i lartë i prokurorisë dhe do kenë kufizime pasi telekomunikimi i tyre dhe i familjarëve do jetë vazhdimisht i kontrollueshëm mbi bazën e asaj që ata pranojnë dhe kjo do bëhet nga komisioni i pavarur i kualifikimit ose nga trupa e KLP-së. 

Qeveritë kanë pasur tensione me drejtësinë vazhdimisht por kjo qeveri ka arritur kulmin me presionin ndaj gjyqësorit, pse ndodh kjo?
Kjo ndodh sepse sistemi ka degraduar në shkallën më të rëndë dhe rrugëdalja nga kjo do jetë vetëm nga reforma në drejtësi. Nuk duam njerëz që politika i përdor për të folur me gojën e vet.

Disa mendojnë se ka degradim të sistemit politik referuar edhe rasteve të  kryebashkiakëve me 5 identitete, në cilën fazë është Dekriminalizimi?
Situata në përgjithësi e personave që janë bërë subjekt të diskutimit të ligjit të Dekriminalizimit është lejuar nga ligji. Në disa vende evropiane është etika ajo që vjen e para dhe nuk ka nevojë për ligj, por ne nuk mund të krahasohemi sepse jo më larg se 1997-ën ishim në luftë civile. Ne nuk ishim aq të pjekur për të ringritur një sistem perfekt, por ky ligj është një vendosmëri për diferencuar emrat e krimit nga mundësia për të mbajtur pushtet publik.
 
Është shkarkuar, do shkarkohet kryebashkiaku i Kavajës?
Ne shpejtojmë të marrim role që nuk na takojnë, verifikimi i takon Prokurorisë së Përgjithshme e cila ka ngritur një grup për të analizuar të dhënat në formularin e vëtëdeklarimit. Kur të ballafaqohet ky dokumentacion do dilet në përfundime. Të gjitha deklarimet duhet të jenë të sakta, por nëse ka gënjeshtra quhet konsumimi i një vepre penale. Ky verifikim është e drejtë e Prokurorisë së Përgjithshme sepse është organi i cili mban marrëdhënie juridiksionale me shtetet e huja dhe nëse do duhet të merret një vendim apo konfirmim i shteteve të huaja duhet të vihen në lojë strukturat që njeh ligji që janë Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme.
 




Redaksia Online
al.n-xh.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr