TIRANË- Pothuajse të gjitha institucionet e drejtësisë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm ‘Antikorrupsion’ të drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Pas SPAK, Gjykatës së Lartë, Kushtetueses dhe ILD edhe Prokuroria e Përgjithshme thotë për Report Tv se nuk do të ulen në tryezën e diskutimit me ekspertë. 

Por, në përgjigjen për gazetaren Keti Banushi, Prokuroria e Përgjithshme nuk mbyll çdo derë, duke thënë se është gati të bashkëpunojë për të dhënë opinion sa i takon kuadrit kushtetues e ligjor të drejtësisë, por uljen në tyryezë me ekspert si pjesë e grupit të punës e refuzon kategorikisht.  

“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë.

Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në reagimin për Report Tv.

Por gjatë ditës së sotme u bë publike një prononcim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët shprehen se kanë caktuar dy anëtarë për tek Komisionit 'Xhafaj'. Parimisht është caktuar Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe Vate Staka anëtar prokuror, për tek ky komision. KLP bën me dije se dy anëtarët janë caktuar në mbledhjen informale të datës 16 gusht të këtij viti. 

'Është diskutuar parimisht, më pas gjatë ditës së hënë, në mbledhje informale është dakordësuar për t'u përfaqësuar me 2 emra; znj. Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe z. Vate Staka anëtar prokuror. Theksoj ka qenë mbledhje informale.', thotë KLP.

Sakaq, pak momente me vonë nuk mungoi edhe reagimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor të cilët theksojnë se nuk kanë caktuar anëtarë për këtë komision, por janë të gatshëm të japin opinione dhe propozime.

‘Nuk kemi dërguar përfaqësues por një pikë kontakti dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë me opinione dhe propozime në lidhje me ndryshimet ligjore. Ne si institucion kemi dorëzuar me herët një sërë propozimesh për ndryshime ligjore që lidhen me funksionalitetin dhe eficencën në sistemin gjyqësor dhe presim komunikim me Kuvendin’, thotë KLGJ.

Instituti për Studimet Politike, një organizatë e shoqërisë civile që hera herës i bën bashkë palët politike në tryeza diskutimi, njofton se edhe ata vetë kanë vendosur të mos i bashkohen me ekspertë as komisionit të Xhafajt, dhe as atij të Braçes për dezinfomimin, me argumentin se shoqëria civile monitoron e jep komente, por nuk bën reforma që i takojnë politikës dhe institucioneve.

“Komisioni antikorrupsion mbivendoset mbi komisionet e tjera parlamentare, si dhe në rastin e institucioneve të pavarura, përcjell mesazhin e gabuar të kontrollit dhe llogaridhënies përpara një strukture Ad-Hoc. Dy palët politike i kanë dhënë komisioneve qasje të theksuar politike”.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:41
KLGJ: Nuk kemi dërguar përfaqësues tek 'Antikorrupsioni', por jemi të gatshëm për propozime

1678298657_Screenshot3.jpg

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dhënë një prononcim lidhur me Komisionin Antikorrupsion në Kuvend. Ata shprehen se nuk kanë dërguar përfaqësues ashtu si dhe institucionet e tjera të drejtësisë, por janë të gatshëm të japin propozime dhe opinione.

‘Nuk kemi dërguar përfaqësues por një pikë kontakti dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë me opinione dhe propozime në lidhje me ndryshimet ligjore. Ne si institucion kemi dorëzuar me herët një sërë propozimesh për ndryshime ligjore që lidhen me funksionalitetin dhe eficencën në sistemin gjyqësor dhe presim komunikim me Kuvendin’, thotë KLGJ.

Ndërkohë pak më herët Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri me dije se ka caktuar dy anëtarë për tek komisioni i antikorrupsionit.

Ora 15:29
Institucionet e tjera të drejtësisë refuzuan, KLP caktoi dy anëtarë për te ‘Antikorrupsioni’

Ndryshe nga institucionet e tjera KLP mendon të përfaqësohet në komisionin  “Xhafaj” me 2 anëtar të saj.

Parimisht është caktuar Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe Vate Staka anëtar prokuror.

KLP bën të ditur se kjo u diskutua në një mbledhje të datës 16 gusht të këtij viti.