Me dërgimin e listës së kandidatëve për anëtarë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor në Kuvend, praktikisht, partitë që dominojnë Parlamentin, kanë dalë jashtë loje, pasi nuk kanë asnjë fuqi të bllokojnë më procesin. Në mungesë të një konsensusi mes PS, PD dhe LSI për të siguruar 2/3 e votave, pas votimit të tretë të dështuar, kandidatët për 10 vende në KLP dhe KLGJ konsiderohen të miratuar automatikisht, sipas renditjes.
Duke parashikuar situata të tilla bllokuese, mosmarrëveshje dhe konflikte në politikën shqiptare, ndërkombëtarët përfshinë në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë një mekanizëm zhbllokues për ngritjen e KLGJ dhe KLP. Paragrafi i fundit, i pikës 16, të nenit 35 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. parashikon që në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët listës konsiderohen të zgjedhur.
Sinjali i dështimit të konsensusit
Nuk ka dyshim se, sfida kryesore e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2018 është avancimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi. Në mbledhjen e parë të organeve të Kuvendit për këtë vitit, konkretisht, Konferencës së Kryetarëve, është diskutuar pikërisht miratimi i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, dy organeve më të rëndësishme të gjyqësorit të ri.
Ngritja e KLP dhe KLGJ i hap menjëherë rrugën ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, ku të tria sëbashku përbëjnë atë që quhet SPAK-ut, i cili është kthyer në makthin dhe tmerrin e politikanëve. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka kërkuar të zbatohen me përpikmëri afatet për miratimin e anëtarëve të KLP dhe KLGJ.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Ruçit dhe anulimin e zgjedhjes së prokurores së përkohshme Arta Markut. Të dyja këto lëvizje rrisin mundësitë për të mos patur një konsensus mes opozitës dhe mazhorancës për zgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ.
Balla: PD-LSI bashkë nga frika
Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka postuar në profilin e tij fotot ku shihen karriget e boshatisura nga opozita gjatë Konferencës së Kryetarëve pas kërkesës për dorëheqjen e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi. Balla tha se kjo është e vetmja opozitë në botë që është bashkuar prej frikës nga drejtësia.
“Fati i keq për Shqipërinë për këtë opozitë që ka. Bojkotojnë detyrën kushtetuese në ditën kur Konferenca e Kryetarëve diskuton fillimin e procedurave për ngritjen e KLP, KLGj edhe për 9 ligje të tjera të paketës së reformës në drejtësi. E vetmja opozitë në botë e bërë bashkë prej frikës nga drejtësia”, shkruan Balla. Kreu i grupit parlamentar të PS tha se punimet e Kuvendit do të fokusohen tek KLGJ dhe KLP.
"Dua të komunikoj me ju se konferenca e Kryetarëve që përgatit punën e sezonit të ri ka të bëj me vijimin e punës së mëtejshme. Kryetari i kuvendit kërkoi brenda ligjeve të kuvendit. Do ngrihen dy këshilli i larë i gjyqësorit dhe këshilli i lartë i prokurorisë. Në mënyrë të çuditshme nuk kanë marrë pjesë në mbledhje. Opozita e ka për detyrë të marri pjesë sepse është votuar nga qytetarët.
Një ndër hallkat është zgjidhur siç është zgjidhja e Kryeprokurores së Përgjithshme sipas kritereve ligjore, ne dhamë kontributin tonë. I bëj thirrje opozitës të mos braktisi mbledhjet se nuk i kanë votuar qytetarët për të mos marrë pjesë dhe të mos t’i prishin punë Shqipërisë. Sjellja e sotme e opozitës i prish punë qytetarëve dhe Shqipërisë, duhet të bëhet e përgjegjshme”, pohoi Balla.
d.c./shqiptarja.com