TIRANE- Mazhoranca është e vendosur për ta finalizuar reformën në sistemin e drejtësisë, edhe në mungesë të konsensusit të opozitës. Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh dje se konsensusi do t’i shërbejë reformës, por reforma nuk do të sakrifikohet për hir të konsensusit.

“Rëndësia e kësaj reforme kërkon jo vetëm një kontribut të një spektri të gjerë shoqëror, institucional, politik, por edhe një pranim sa më të gjerë të rekomandimeve dhe konkluzioneve të kësaj reforme. Por nga ana tjetër, konsensusi për hir të konsensusit është i dëmshëm. Konsensusi duhet t’i shërbejë reformës dhe jo reforma të sakrifikohet për hir të konsensusit”, u shpreh Xhafaj. Ai kërkoi që opozita të jetë konstruktive në këtë proces, në mënyrë që reforma në drejtësi të marrë një miratim sa më të gjerë, çka do të nxiste Bashkimin Europian për t’i çelë rrugë integrimit të vendit në BE.

“Pa reformën në drejtësi, procesi i anëtarësimit do të bllokohet përfundimisht. Nuk ka asnjë mundësi që ndonjë shtet anëtar i BE-së, sado dashamirës ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë, të mbështesë progresin drejt anëtarësimit pa një drejtësi të reformuar”, tha Xhafaj. Ai shpjegoi në tërësi procesin e reformës në drejtësi nga prekja e kompetencave të Presidentit, përbërja e KLD, zgjedhja e Prokurorit etj.

Z.Xhafaj, në fjalën tuaj thatë që kjo reformë synon që gjyqtarët dhe prokurorët të arrijnë standardet e kolegëve të tyre Europianë. Por si mund të arrihet kjo kur të gjithë gjyqtarët janë me kurs gjashtë mujor, me atë kursin e famshëm të plepave. Çfarë do të ndodhë pikërisht me këtë kontingjent gjykatësish pas kësaj reforme?
Për ne, kriter për të bërë procesin është gjendja sot. Sa, këta që janë sot në sistem, përmbushin kriterin e aftësisë, integritetit dhe të testit psikologjik për të qenë në sistem. Pra, ka 3 teste të rëndësishme që iu nënshtrohen anë e mban botës jo thjesht gjyqtarët, por çdo zyrtar përpara se të kryesja një funksion publik. Ata që i përmbushin këto teste, le të rrinë në sistem, ata të cilët nuk i përmbushin do të largohen nga sistemi. Dhe ata të cilët i përmbushin, le të kenë gradën përkatëse për të cilën vlejnë në sistem. 

Përsa i përket zgjedhjes së Prokurorit, a ka mazhoranca një ide të qartë sesi do të bëhet zgjedhja e tij?
Mazhoranca nuk ka një propozim të saj dhe jo se nuk ka njerëz, përfshirë dhe idetë tona sesi do të jetë zgjedhja e Prokurorit, por ne e kemi shtruar problemin shumë më të gjerë se kaq. Prokuroria sot, a është në funksionin e vet Kushtetues? Ky model, a ka rezultuar eficent? Ky sistem i drejtësisë penale, ka rezultuar eficent? Dhe përgjigja është shkurt fare: “Jo”. Dhe ne duam ta kapim “drerin prej brirësh”. Të shikojmë pozicionin kushtetues të Prokurorisë, mënyrën sesi funksion sot hetimi dhe ndjekja penale edhe drejtësia penale në tërësi, sepse këtu nuk është vetë, Prokuroria, por edhe Policia e Gjykata.

Dhe ne duam t’i shohim këto si pjesë të një zinxhiri. dhe padyshim, një gjë është e qartë, Prokurori i Përgjithshëm nuk do të ketë më këtë rol që ka sot. Që do të thotë, që mund të ndikojë, e para të jetë lehtësisht i cenueshëm për shkak të zgjedhjes së tij politike. Së dyti, të jetë kaq me ndikim në vendimmarrjen e prokurorëve dhe në karrierën e tyre. Të gjitha këto do ta ridimensionojnë nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, duke i dhënë më shumë përgjegjësi prokurorit dhe çdo prokuror në Republikën e Shqipërisë të jetë i lirë, i pavarur dhe i përgjegjshëm në llogaridhënien e tij. Do të rrisim peshën e Këshillit të Prokurorisë në përcaktimin e karrierës së prokurorëve në mënyrë që tu japim atyre më shumë qëndrueshmëri në detyrë.

Një nga anëtarët e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Spartak Braho, është shprehur se miratimi i kësaj reforme do të kërkojë një konsensus me çdo çmim me opozitën. Mendoni se do të arrini konsensusin, apo do të shkojmë drejt atij deklarimi që ka bërë kryeministri se reforma do të miratohet me apo pa opozitën?
Nuk e kam lexuar intervistën e z.Braho, por është në të drejtën e tij. Unë nuk e shikoj si çështje çmimi marrëdhënien me opozitën. Kam vlerësimet se është e rëndësishme, por e thash qartazi se konsensusi është i rëndësishëm kur i shërben reformës, por jo që reforma të sakrifikohet për konsensusin, për secilin nga pjesët përbërëse të lektorëve të konsensusit. Ato çka kemi bërë deri tani, tregojnë krejt të kundërtën. Ne e kemi pritur opozitën, kemi dialoguar me të, kemi reflektuar edhe mbi kërkesat e tyre, edhe pse mund të mos kemi qenë dakord me disa çështje, vetëm e vetëm për t’i dhënë mundësi opozitës dhe jo vetëm, por kujtdo që dëshiron të jetë pjesë dhe kontributori i kësaj reforme. 

A do të jetë mazhoranca në krah të propozimit për heqjen e kompetencave të Presidentit? Si do të veprohet për zgjedhjen e Presidentit, cila do të jetë formula?
Kjo nuk ka të bëjë me ata presidentë që ishin apo atë që është. Ka të bëjë me institucionin e Presidentit, se zakonisht ne e lidhim karrigen tonë. Ka dy opsione që janë dhënë në strategji, që të mbetet kështu siç është, ose të rikthehet në formulën e mëparshme. Ekspertët kanë arritur në përfundimin se ndryshimi i formulës me të njëjtat kompetenca, ka prishur balancimin mes pushteteve. Ka dobësuar rolin e presidentit ndërkohë që, ka ruajtur të njëjtat kompetenca, ose ka devijuar nga fryma e kushtetutës.

Nga formula e zgjedhjes do të varen edhe kompetencat që do të ketë Presidenti i Republikës. Nuk mund të thuash që unë do të zgjidhem me 71 vota dhe do të kem të njëjtat kompetenca si një president i zgjedhur nga populli. Kjo ndryshon. Nëse do të pranohet formula me 84 vota, Presidenti do të ketë më shumë kompetenca. Mbetet më pas vullneti i politikës e cila do të ndajë se cila nga alternativa është më e përshtatshme.

Çfarë do të ndodhë me propozimet e PD prej 7 pikash?
S’kam parë asnjë propozim të PD dhe as kam dëgjuar për to. Por ne kemi lexuar me shumë vëmendje çdo qëndrim në këto 2 vjet të përfaqësuesve të opozitës, nga kryetari Basha, lidhur me reformën në drejtësi. Kemi arkivuar dhe parë të gjitha propozimet e tyre dhe sot mund t’ju deklaroj se çfarë ata kanë thënë në tryezat e reformës, janë të shprehura qartazi për atë që lexon me vëmendje strategjinë. Janë reflektuar më së miri në dokumentin strategjik. 

Për amendamentet kushtetuese, duhen 93 vota, të cilat mazhoranca nuk i bën dot? Ku do t’i gjeni këto vota, nëse opozita e braktis procesin?
E para, nuk kemi pse themi nëse, sepse opozita deri tani nuk e ka kundërshtuar ndonjëherë procesin. Dhe nuk ka qenë refraktare. Në momentin që mund të shfaqet ky shqetësim, gjë për të cilën nuk kam arsye pse ta mendoj, pasi opozita është shprehur “pro” reformës, duke paraqitur edhe propozimet, të cilat janë vlerësuar dhe reflektuar në dokumentin që është prezantuar. Opozita e kushtëzoi reformën me praninë e ndërkombëtarëve, me kontributin, vlerësimin dhe certifikimin ndërkombëtar dhe në momentin që do t’i ketë këto, cili do të jetë argumenti për të mos i votuar.

Nuk besoj se do ta ndërmerrte një aventurë të tillë, i cili do të vinte në diskutim dy raporte të rëndësishme, ai me qytetarët e këtij vendi dhe raportin me ndërkombëtarët dhe të ardhmen europiane të vendit. E rëndësishme është që ky të jetë një proces me standardet me të mira, gjithëpërfshirës, profesional dhe i besueshëm në hartimin dhe zbatimin e tij.  

A do të jetë procesi i dekriminalizimit pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë?
Lidhur me çështjen e dekriminalizimit po jap një vlerësim timin që s’e kam dhënë ndonjëherë, ka shumë llafe dhe pak gjë. Personalisht këtu mendoj se ka dy dimensione, ka dimensionin e gjykimit moral të problemit dhe të gjykimit legal. E kuptoj që mund të ketë debat për gjykimin moral, por tek qëndrimi ligjor do të duhej që të gjithë kishin një qasje tjetër, me një produkt më konkret, amendamente konkrete kushtetuese dhe ligjore.

Qëndrimi im është që, politika duhet të ndahet përfundimisht nga kjo histori që të ketë mundësi që të kryejë me përgjegjshmëri rolin dhe funksionin që i kanë besuar qytetarët. Në këtë kontekst, duhet mbështetur qëndrimi i partnerëve ndërkombëtarë dhe ai i ambasadorit amerikan për këtë çështje. Besoj se dekriminalizimi do të jetë pjesë e paketës Kushtetuese të ndryshimeve në reformën në drejtësi. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)